Categories: KULTURË

Lord Bajron: Shqiptarët janë të ashpër, por të ndershëm dhe besnikë

Londër, 22 janar 1788. Në një familje aristokrate të varfëruar, lind Bajroni, poeti romantik anglez.

Më 1801, Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke dhe latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18-vjeçare, hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare, vit kur ndërmori edhe një udhëtim nëpër Evropë.

E kuptoi shumë shpejt, se antikonformizmi i tij nuk mund të kishte hapësirë në Parlament dhe se ai, nuk i përkiste këtij sistemi. Megjithatë, vazhdoi luftën e tij kundër hipokrizisë politike, duke marrë pjesë aktivisht në konspiracionin e karbonarëve italianë kundër okupacionit austriak në vitet rreth 1820-ës, para se të përqafonte kauzën e Greqisë, nisma këto që vërtet nuk mund të gjykohen si një gjest i thjeshtë.

Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips, që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në “Royal Academy”, ndërsa tanimë gjendet në ambasadën britanike në Athinë.

Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.

Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash, Bajroni shkruan:

“…I dua shqiptarët shumë. Të gjithë shqiptaret janë të lindur të ndershëm dhe besnikë, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gjibraltarit e të Maltës dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frëngj, siçilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende dhe më ftuan me gëzim, të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”

Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi, ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj, sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare.

Jeta e trazuar e Bajronit e bëri atë arketip të shkrimtarit “romantik” dhe aktualisht shumë besojnë se është pikërisht kjo lloj jete që peshon dhe e bën atë një personazh të paharrueshëm.

Jeta dhe vepra e Bajronit janë në harmoni deri në përsosmëri. Poeti, në fakt është konsideruar kurdoherë i mallkuar; veçse për këtë kishte arsye të mjaftueshme, si fizike (ishte i trishtuar nga një këmbë e deformuar), ashtu dhe psikologjike (kishte patur një fëmijëri fatkeqe bashkë me një nënë puritane në Aberdeen).

InForCulture

Recent Posts

Nga mëngjesi deri në darkë, sa gota me ujë duhet të pini

  Legjendat urbane na kanë shoqëruar gjithë jetën, sidomos kur bëhet fjalë për shëndetin. Më…

13 hours ago

Çfarë është “Flamuri i hakmarrjes”

  Një element tipik i doktrinës shiite, që ajo e ka të përbashkët me krishterimin,…

13 hours ago

Cila është fjala më e kërkuar në Google për vitin 2025 deri më tani?

  Në një botë gjithnjë e më të lidhur me teknologjinë, Google mbetet një nga…

20 hours ago

Kjo është temperatura ideale për kondicionerin gjatë ditëve të nxehta të verës

  Me rritjen e temperaturave dhe ardhjen e ditëve më të nxehta të verës, shumë…

20 hours ago

Pse në këtë vend njerëzit po i lyejnë shtëpitë me të zezë, do habiteni (FOTO)

  Të lodhur nga numri në rritje i turistëve dhe influencerëve që çdo ditë vërshojnë…

20 hours ago

Kur duhet të shqetësohemi për frenat?

  Një ndër zhurmat më të zakonshme që shqetësojnë shoferët është ndryshku apo zhurma metalike…

21 hours ago