Haxhi, hafiz Hasan Kaduku nga Shkodra (1865-1948), ishte një personalitet i veçantë. Ishte i biri i Ismail (Mala) Kadukut, tregtarit të njohur në pazarin e qytetit të Shkodrës, burrit të ndershëm, dijedashës dhe patriot. Djemtë e Ismail Kadikut ishin shkolluar në shkollat fetare në Stamboll, por edhe në shkolla (fakultete) tjera. Hasani ishte vëllau i madh prej tre djemëve të Ismail Kadukut. .
Hasani që në moshë të re kishte shkuar në Stamboll për shkollim dhe ishte vendosur te daja i tij Fetah Lini. Atje merrte mësime nga dijetarë të kohës dhe nisi ta mësojë Kur’anin përmendësh (për t’u bërë hafiz). Por, me qenë se i kishin rënë dhëmbët e parë, nuk mund t’i shqiptonte si duhet fjalët arabe sipas ‘texhvitit’, që kërkojnë shqiptim shumë të pastër e të qartë. Nga dashuria për mësimin, vendosë që paralelisht me mësimet t’i rregullojë dhëmbët. Gjatë kohës së rregullimit të dhëmbëve, i hyri dëshira të mësonte diçka më shumë për profesionin e dentistit. E lutë dentistin t’ia mundësojë të punojë tek ai, për të mësuar zanatin. Dentisti i thotë se nuk ka nevojë për ‘shegërt’, por Hasani i thotë: ‘Ti nuk ke nevojë për mua, por unë kam nevojë për ty, prandaj jam i gatshëm të ta paguajë rrogën, vetëm që të mësoj zanatin’. Pasi e mëson zanatin aty, vazhdon praktikën te një dentist i famshëm, Halid Shenazi – beu, e më pas edhe te profesori armen, Dionizi.
Pasi kryen shkollimin fetar dhe për tri vjet arrinë titullin ‘hafiz’ dhe siguron edhe lejen e ushtrimit të profesionit të dentistit, këthehet në vendlindjen e tij, në Shkodër. Blenë mjete të nevojshme për një klinikë portative të dentistit, shkonte nëpër shtëpi të atyre që kishin nevojë për ndreqjen e dhëmbëve.
Pasi punoi disa vjet dhe fitoi një përvojë si dentist, në moshë rreth 40-vjeçare shkon e regjistrohet në Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Stambollit, ku studimet zgjasnin tri vjet, por duke ia njohur praktikën dhe përvojën e fituar, këtij i bëhen favore dhe i mundësohet t’i kryejë studimet për dy vjet. Në Fakultet njihej si një nga studentët më të përparuar . Në vitin 1908 diplomohet në Fakultet dhe këthehet në Shkodër si i vetmi mjek i dhëmbëve me diplomë universiteti, jo vetëm në Shkodër por në gjithë Shqipërinë, duke vu bazat e shërbimit stomatologjik modern në qytetin e tij, ku kishte hapur klinikën moderne stomatologjike, me mjete të blera nga Anglia. Pas pensionimit, zanatin e stomatologut ia la edhe të birit, Hakiut, i cili pasi kreu gjimnazin në Austri dhe fakultetin e stomatologjisë në Stamboll, u këthye në Shkodër, ku punonte me të atin, e pas pensionimit të të atit, Hakiu e vazhdoi punën dhe zgjeroi klinikën dentare.
Në Shkodër asokohe kishte pesë konsullata të hueja, kështu që shërbimet e shërimit të dhëmbëve personeli i tyre i kryenin te Hasan Kaduku.
Kultura e Dr Hasan ef.Kudukut, bënte që në klinikën e tij të shkonin për shërimin e dhëmbëve njerëz të njohur, përveç konsujve, edhe klerikë të njohur të Shkodrës e rrethinës, ndër të cilët ishin edhe Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Anton Harapi etj. Revista ‘’Elçija e Zemrës së Krishtit’’ (dhjetor 1906), kishte botuar një njoftim lavdërues për Klinikën dentare të Hasan Kadukut. Ndërkaq, poeti ynë i madh, Fishta i kishte kushtuar këto vargje:
‘’Asnjëherë s’jam përkulë,
As prej shkjaut e as prej turkut,
Por rri urt e bëhëm pulë
Te karrig-ja e Kadukut’’.
Doktor Hasan ef.Kaduku përveç gjuhës amtare, shqipe, zotëronte arabishten, turqishten e frëngjishten.
Ishte mjeku-stomatologu i parë në Shqipëri që përdori floririn për mbushjen ose veshjen e dhëmbëve.. Me zotësinë e një dentisti të afirmuar, tërhoqi klientelën nga gjithë Shqipëria dhe Mali Zi. Atëherë praktikohej që mjeku, pra edhe dentisti, të shkonte edhe nëpër shtëpi të klientëve, ku e ftonin, kështu që Dr.Hasan Kaduku shpesh bënte vizita në qytete e fshatra, madje edhe në Mal të Zi. Ai i ftonte klientët t’i ndreqin dhëmbët, të vejnë proteza e paratë t’i paguanin pasi t’i provonin dhe të mbeteshin të kënaqur me shërbimet që u bënte.
Dr hafiz Hasan Kaduku në vitin 1936 ishte për një pushim në fshatin turistik të Thethit. I mahnitur me bukurinë e fshatit, bëri një vepër humanitare, duke financuar ndërtimin e një depozite uji, hapur kanale në drejtim të tri kullave kryesore dhe në disa shtëpi të fshatit. Ai rezervoar i ujit quhej ‘Kroni i Kadukut’. Sa qëndroi në Theth, mblidhte bimë mjekuese për shërimin e sëmundjeve të ndryshme. Dr Frederik Shiroka e quante Dr hafiz Hasan Kadukun – ‘Legjendë e stomatologjisë shqiptare’.
Në kohën e rrethimit të Shkodrës nga Mali Zi (1912-1913), hafiz Hasan Kaduku ishte në radhët e vullnetarëve për mbrojtën e Atdheut.
Klinikën e famshme dentare të Dr.hafiz Hasan Kadukut, e sekuestroi ‘pushteti popullor’ në vitin 1948, ndërsa mjetet e asaj klinike i shpërndau në klinikat shtetërore në Shkodër, Tiranë e gjetkë.
Dr.Hasan Kaduku, ndonëse ishte shkolluar edhe për çështje të fesë, kishte arritur gradën hafiz, kishte kryer haxhin (1936), ai fenë e mbante për vete, ndërsa për popullin kryente shërbime dentare e shërbime tjera shëndetësore e humanitare. Njerëzit e tillë meritojnë respektin dhe kujtimin e përhershëm.
(Zgjodhi nga ‘100 Personalitetete Shqiptare të Kulturës Islame’ dhe përgatiti, Adil Fetahu.)
Nëse doni të përmirësoni tretjen dhe të shmangni kapsllëkun, një nga gjërat më të…
Që në lashtësi, hudhra ka qenë aleate e njerëzimit kundër shumë sëmundjeve. Ajo ndihmon…
Herpesi i buzës është një infeksion i shkaktuar nga një virus i quajtur Herpes…
Zhvillime të reja shkencore po hedhin dritë mbi përdorimin e helmit të bletës si…
Shumë njerëz e fillojnë ditën me kafe, por ekspertët sugjerojnë që kjo nuk është zgjedhja…
Alkooli shpesh paraqitet si diçka e zakonshme në jetën e përditshme, si pjesë e festave…