Categories: KULTURË

Zbulimet gjuhësore tregojnë lutjet e lashta në shqip

Përshkrimi dhe studimi i së folmes së fshatrave shqiptare të Ukrainës, për të cilën bie fjala më poshtë, ishte filluar që në çerekun e parë të shek. XX nga akademiku N. S. Derzhavin dhe ka vazhduar deri kohët e fundit.

Kontributin me vlerë në studimin linguistik të këtyre fshatrave e kanë dhënë studiuesja nga Moska N. V. Kotova, gjuhëtarja nga Minsku L. J. Demkodhe ekipi i albanologëve nga Leningradi / Sankt-Petërburgu me prof. A. V. Desnickaja në krye, të cilët patën punuar në terren gjatë viteve 1950–1970.

Si rezultat e kësaj pune shumëvjeçare u krijua një varg punimesh për fonetikën, gramatikën dhe leksikun e së folmes së shqiptarëve të Ukrainës (Kotova 1956; 2017; Demko 1971; 1972; Sitov 1975; Voronina et al. 1996; Zhugra, Sharapova 1998, etj.).

Në etapën bashkëkohore me hulumtimin etnografik dhe gjuhësor të fshatrave shqiptare të Ukrainës janë marrë studiues nga Sankt-Petërburgu me prof. A. A. Novikun në krye (Novik etj. 2016).

E folmja shqipe në fjalë flitet në katër fshatra në jug të Ukrainës: Karakurt në rrethin e Bollgradit, qarku i Odesës (fshati quhej Zhovtnevoe nga 1944 deri në 2016; emri i vjetër Karakurt iu rikthye në kuadrin e fushatës së likuidimit të trashëgimisë ideologjike të komunizmit në Ukrainë në vitet 2014–2016); Georgievka, Devninskoe dhe Gammovka në rrethin e Priazovjes, qarku i Zaporozhjes (përkatësisht Tyshki, Taz dhe Xhandran; toponimet e vjetra njihen nga të gjithë banuesit dhe u përkasin vendbanimeve të tartarëve nogaj që kishin banuar në stepën e zonës së bregdetit Azov).

Në ditët tona, sipas Censusit të vitit 2001, në territorin e Ukrainës banojnë 3.308 shqiptarë: 1.862 në qarkun e Odesës, 892 në qarkun e Zaporozhjes dhe 554 në qarqe të tjera, përfshirë këtu shqiptarët që vazhdojnë së banuari në të katër fshatra shqiptare të Ukrainës, si dhe ata që ikën në qytete ose u shpërndanë nëpër fshatra të qarqeve fqinje. Për sa i përket ruajtjes të së folmes së shqiptarëve të Ukrainës, sipas të dhënave zyrtare të Censusit, shumica e shqiptarëve të qarkut të Odesës kanë deklaruar se gjuha e tyre amtare është shqipja, kurse në qarkun e Zaporozhjes 608 veta u përgjigjën që gjuha e tyre amtare është rusishtja dhe vetëm 198 veta pohuan që kanë si gjuhë amtare shqipen.

Popullsia e Karakurtit, sipas po atij Censusi,përbën 2.207 veta, ndër të cilat janë shqiptarët, bullgarët, gagauzët, ukrainasit, molldovanët, rusët dhe përfaqësuesit e etnive të tjera.

Georgievka ka 446 veta, në fshatin Devninskoe banojnë 668 veta dhe në Gammovkën ka 479 veta. Shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë, edhe pse përveç shqiptarëve në këto fshatra banojnë shumë rusë dhe ukrainas. Gammovka është i vetmi fshat në rajon me një numër relativisht të vogël banorësh gagauzë, të cilët pothuaj nuk flasin tani gjuhën e tyre.

Vëzhgimet tona sociolinguistike në fshatin Karakurt (vitet 2011–2013) tregojnë se në familjet shqiptare të fshatit e folmja shqipe vazhdon të përdoret rregullisht nga përfaqësuesit e të gjithë brezave, përfshirë këtu edhe fëmijë. Madje edhe nënat e reja dhe gjyshet preferojnë të flasin shqip me fëmijët, me qëllim që ata të mësojnë gjuhën e tyre amtare nga mosha e njomë(Morozova 2016).

Situatën e fshatrave të rajonit të detit Azov e pasqyrojnë rezultatet e anketimit sociolinguistik të kryer më 2005 në fshatin Georgievka (Biçurina 2006). Brezi i vjetër dhe i mesëm zotëron mjaft mirë të folmen shqipe dhe e përdor në kuvendim me bashkëmoshatarët, kurse shumica e të rinjve e konsiderojnë rusishten si gjuhë amtare dhe përdorin vetëm atë në komunikimin e përditshëm.

Mos zotërimi i së folmes shqipe prej brezit të ri buron te përfaqësuesit i brezit të mesëm, të cilët, sipas fjalëve të tyre, që në fëmijëri kishin për të përballuar vështirësitë në shkollë për shkak të njohurisë së dobët të rusishtes. Prandaj ata nuk janë përpjekur shumë që fëmijëve të tyre t’ua mësojnë të folmen e tyre shqipe dhe akoma kanë prirje të hedhin poshtë vlerën dhe rolin e së folmes në kompetencat e tyre gjuhësore, meqë e zotërojnë mirë. Pavarësisht nga kjo, të rinjtë vazhdojnë të vetë deklarojnë si shqiptarë dhe ia japin së folmes shqipe vlerësimet pozitive, ndryshe nga prindërit e tyre.

Kjo do të thotë se “kthimi” i mëvonshëm i brezit të ri të sotëm te gjuha amtare dhe ruajtja e saj nuk mund të përjashtohet edhe në fshatrat e rajonit të detit Azov.

E folmja e shqiptarëve të Ukrainës i përket toskërishtes veriore dhe zhvillohet në shkëputje nga arealja amtare gjatë një periudhe pothuaj gjashtë shekullore.

Meqë shpërngulja e paraardhësve të shqiptarëve të Ukrainës nga trojet shqipfolëse ndodhi mjaft herët, në të folmen e tyre deri më sot paraqiten trajtat arkaike në fonetikë dhe në morfologji dhe ruhen tiparet dialektore të arealit “nënë”.

Disa shembuj mund t’i gjejmë, ndër të tjera, në tekstin e lutjes “Ati ynë” në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës, incizuar nga A. A. Noviku gjatë bisedës me shqiptaren nga fshati Karakurt N. G. Kirçevën, lindur më 1970. Teksti është transkriptuar nga A. A. Noviku me alfabetin e shqipes standarde, duke përdorur edhe shenjat suplementare, dhe u botua për herë të parë në (Novik 2016).

Lút’je

Parëndíe jóne,

Nd’i je lart,

Lle të ndríte jémra índ’e,

Lle të vínë mbretëríja índ’e,

Lle të bë́net kysh do ti,

Si lart, si mar dhéut.

Búken e góles na jep sot

Dhe mos na kall néva n’i mukátat

Dhe ma ndëléj mukátët tántë,

Si na i ndëlénem kush na bë́ri të lik.

Dhe na mbroj néva ga mukátët.

(Novik 2016: 539)

Lutje

Zotiynë,

Nëse je lart,

Le të ndritë emri yt,

Le të vijë mbretëria jote,

Le të bëhet qysh do ti,

Si lart, si mbi dhé.

Bukën e gojës jepna sot,

Dhe mos na kall ne në mëkatet

Dhe na fal mëkatet tona,

Si ne i falimata që na bënë të ligën.

Dhe na mbroj ne nga mëkatet.

(Përkthimi shqip i M. Morozovës)

Siç shihet nga teksti, e folmja në shqyrtim ruan tiparet themelore dhe leksikun bazë të shqipes. Ndër tiparet arkaike të fonetikës shfaqet këtu ruajtja e l-së ndërzanore: g′oljǝ ‘gojë’. Në shumicën e të folmeve shqipe l-ja në pozitën midis dy zanoresh ka për funduar nëj. Deri më sot ajo shqiptohet vetëm në jugun e arealit toskë (në Çamëri) dhe në të folmet e diasporës shqiptare në Greqi, Itali, Bullgari dhe Ukrainë (Gjinari1960: 110; Domi, Shuteriqi 1965: 106; Desnickaja 1968: 272–273;Haxhihasani 1971: 154; ADGjSh 2007: 189–191, 196).

Në sistemin përemëror, në vend të pronorit jote në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës përdoret forma dialektore índ’e, e cila i ngjan formës jənde në të folmen e Devollit (ADGjSh 2007: 296). Në fondin leksikor, bie në sy përdorimi i fjalëve bukur të vjetra, siç është, për shembull, folja ndëlej ‘fal’ të përdorur edhe nga arbëreshët e Italisë (Jeta Arbëreshe 2014: 15).

Kontaktet me gjuhët sllave gjatë shekujve

Gjatë disa shekujve e folmja e shqiptarëve të Ukrainës ka zhvilluar në kontakt me gjuhët sllave (bullgarishtja, rusishtja, ukrainishtja), turanike (gagauzishtja) dhe romane (rumanishtja / molldavishtja).

Që nga shek. XV–XVI paraardhësit e shqiptarëve të Ukrainës kishin jetuar në verilindje të Bullgarisë dhe e folmja e tyre kishte pësuar ndikimin e fortë të gjuhës bullgare dhe ndoshta gagauze.

Pas shpërnguljes së shqiptarëve në Perandorinë Ruse në fillimin e shek. XIX, e folmja e tyre vazhdoi të kontaktonte me gjuhët e fqinjëve, përkatësisht të bullgarëve dhe gagauzëve, gjithashtu të mërguar “nga përtej Danubit”. Në periudhën e përshkruar në botimet shkencore e folmja e shqiptarëve të Ukrainës u ndikua fort nga rusishtja, e cila duhet të përhapej gradualisht në fshatrat shqiptare të Ukrainës që nga çereku i dytë i shek. XX (Morozova 2013: 125–128).

Ndikimi i gjuhëve fqinje bie në sy në të gjitha nivelet e sistemit gjuhësor të së folmes. Pasqyrimin më të qartë të kontakteve shumëshekullore e gjejmë në fusha të ndryshme leksikore, për shembull, në sistemin e termave të farefisnisë. Krahas fondit të burimit indoevropian (b’ir,‑i ‘bir’; b’íl|e,‑a ‘bijë’; vlla,‑u ‘vëlla’; mót|ёr,‑ra ‘motër’;dhë́nd|ër,‑ri / llî́nd|ër,‑ri ‘dhëndër’; gru,‑ja ‘grua’; nús|e, ‑a ‘nuse’, etj.) dhe huazimeve të vjetra latine (ndr’ík|ull,‑lla/ ndrî́k|ull,‑lla‘ndrikull’, prej lat. matricula), ky sistem ka përfshirë edhe shtresat e huazimeve nga gjuhë të tjera me të cilat kishte kontaktuar e folmja e shqiptarëve të Ukrainës, veçanërisht nga bullgarishtja dhe gagauzishtja. СЛАЙД 8Shih, p.sh., emërtimet e vëllezërve dhe motrave, kunetërve dhe kunatave në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës:

bát|e, -i1. vëllai i madh; 2. përdoret në vend të emrit për t’i drejtuar me nderim vëllait të madh; 3. kunat,vëllai i madh i burrit; 4. përdoret për t’i drejtuar vëllait të madh të burrit; 5. përdoret para emrit të një të moshuari në shenjë nderimi. Nga bullg.bate, bačo‘fjalë e përdorur për të thirrur vëllain e madh’. Khs. gagauz. bati,baty;

kák|o, -u 1. motra e madhe; 2. përdoret në vend të emrit për t’i drejtuar me nderim motrës së madhe; 3. kunatë,motra e madhe e burrit; 4. përdoret për t’i drejtuar motrës së madhe të burrit; 5. përdoret për të thirrur me nderim një grua të moshuar. Nga bullg. kaka‘motra e madhe’ (Voc.kako, përdoret për të thirrur motrën e madhe ose gruan e moshuar). Khs. gagauz. kaku;

drag’ínk|o, -u (Karakurt) / bashá(Georgievka) 1. kunat,vëllai i vogël i burrit a të gruas; 2. përdoret për t’i drejtuar vëllait të vogël të burrit a të gruas. Khs. bullg. draginko‘kunat, vëllai i vogël i burrit’, bašta‘baba’; gagauz. draginku,baša‘vëllai i vogël i burrit’;

kalín|o, -a(Karakurt) / k’irác|o, -a (Georgievka) 1. kunatë,motra e vogël e burrit a të gruas; 2. përdoret për t’i drejtuar motrës së vogël të burrit a të gruas. Nga bullg.kalina, fjalë e përdorur për të thirrur me nderim motrën e burrit; keracadial., vjetr. ‘qytetare; zonjë; mënyra e lidhjes së shamisë (ndër vajzat e reja)’ (< gr. κεράτζα). Khs.gagauz. kiraca /keraca‘motra e vogël e burrit’; jen’ísht|e,‑ja1. kunat, burri i motrës. 2. burri i motrës së madhe. Khs. gagauz. jenište.

Bie në sy që të gjitha huazimet nga bullgarishtja dhe gagauzishtja dalin plotësisht të adaptuara dhe të integruara në tipat e lakimit të mbarë shqipes që ruhen mjaft mirë në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës. Këto dhe të tjera veçori që karakterizojnë gjendjen aktuale të së folmes së shqiptarëve të Ukrainës janë përshkruar në skicën tonë të gramatikës.

Studimi i mëtejshëm dhe vlerësimi i ndikimeve të kontaktit gjuhësor mund të ndihmojnë, ndër të tjera, për të kuptuar më mirë jo vetëm shkaqet dhe kronologjinë e zhvillimit të inovacioneve në të folmen e shqiptarëve të Ukrainës, por edhe faktorët dhe mekanizmat e përgjithshme që veprojnë gjatë evolucionit të dialekteve të ndryshme në situatën e kontaktit. / KultPlus

InForCulture

Recent Posts

Kjo është temperatura më e përshtatshme në dhomën e gjumit në dimër

Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…

12 hours ago

E dini se çfar është hamari, apo koshi?

Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…

13 hours ago

Si të transformoni rutinën tuaj ditore në një burim frymëzimi dhe produktiviteti

  Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…

18 hours ago

Soft Skills: Aftësitë që na ndihmojnë të jemi të suksesshëm në punë dhe jetë

Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…

2 days ago

Personat me këtë grup gjaku nuk duhet të pinë kafe

  Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…

2 days ago