Disa besojnë se janë gjurmë perëndish, të tjerë mendojnë se janë formuar nga zanat që kërcejnë ose UFO-t, por askush nuk mund t’i shpjegojë me miliona rrathë misteriozë në shkretëtirën Namib.
E vendosur përgjatë bregut Atlantik të Afrikës jugperëndimore, shkretëtira Namib është një nga vendet më të thata në Tokë. Në gjuhën vendase, “nama” do të thotë “një zonë ku nuk ka asgjë”. Ky peizazh marsian me duna të larta rëre dhe male të thyera ka një sipërfaqe rreth 81.000 km katrorë dhe shtrihet në tri shtete.
Ajo daton të paktën 55 milionë vjet më parë dhe besohet të jetë shkretëtira më e vjetër në botë. Me temperaturat e verës që arrijnë gjatë ditës deri në 45 gradë celsius dhe gjatë netëve mund të bien nën zero, është gjithashtu një nga vendet më jomikpritëse në planet. Megjithatë, me kalimin e kohës, një numër i jashtëzakonshëm speciesh janë përshtatur aty dhe kanë krijuar një fenomen të çuditshëm gjeomorfik që vazhdon të hutojë ekspertët.
Pjesët më të thata të shkretëtirës marrin mesatarisht vetëm 2 mm reshje në vit, ndërsa në të tjera më ekstreme nuk bie shi për vite me radhë. Por në mes të asgjësë shfaqen si mirazh kafshë të tilla si oriksi, gatopardi, hienat dhe strucët që janë përshtatur për të mbijetuar në këto kushte të vështira. Strucët rrisin temperaturën e trupit për të reduktuar humbjen e ujit, ndërsa oriksi mund të mbijetojë për javë të tëra pa pirë, duke ngrënë ushqime të pasura me ujë si rrënjët dhe zhardhokët.
“Portat e ferrit”
Një nga zonat më të pabesa të shkretëtirës është një hapësirë prej 500 km me duna të larta rëre dhe anije të ndryshkura përgjatë vijës së oqeanit Atlantikut, njohur si “Bregu i skeletit”. E shtrirë nga Angola jugore deri në Namibinë qendrore, zona e ka marrë emrin e saj nga kufomat e shumta të balenave të shpërndara nëpër brigje dhe nga gati 1000 anije të mbytura gjatë shekujve.
“Bregu i skeletit” shpesh është i mbuluar nga mjegulla e dendur, krijuar nga ngritja e rrymës së ftohtë të Oqeanit Atlantik, e cila përplaset me ajrin e nxehtë nga brendësia e shkretëtirës. Këto mjegulla krijojnë kushte të rrezikshme lundrimi për anijet, ndaj ka pasur kaq shumë mbytje. Jo më kot, banorët vendas e kanë quajtur rajonin, “Toka që Zoti e krijoi i zemëruar”.
Ndërsa lundronte përgjatë bregut perëndimor të Afrikës, eksploruesi i famshëm portugez, Diogo Cão ndaloi, ndaloi në “Bregun e skeletit” në vitin 1486. Pasi Cão dhe njerëzit e tij ngritën një kryq të gdhendur me stemën portugeze, dunat e frikshme të rërës dhe klima e ashpër e Namibit i shtynë ata të ktheheshin shpejt. Pas gjithë makthit që përjetuan, ata e quajtën zonën “Portat e Ferrit”.
Dunat spektakolare të rërës
Sot, turistët vijnë në Namibi për të parë dunat spektakolare të rërës që janë një tipar i kudondodhur në të gjithë Namibin. Me një ngjyrë mahnitëse portokalli, si pasojë e përqendrimit të lartë të hekurit, dunat në këtë zonë janë gjithashtu disa nga më të lartat në botë. Shumë prej tyre arrijnë deri në 200 metra lartësi, ndërsa e ashtuquajtura “Dune 7”, e vendosur në veri të peizazhit të kuq të shkretëtirës, ngrihet rreth 400 metra.
Rrathët e zanave apo gjurmë perëndish?!
Nga mrekullitë e shumta të Namibit, një nga tiparet më intriguese dhe misteret më të mëdha është një fenomen gjeomorfik i njohur si “rrathët e zanave”. Ndonjëherë të quajtura edhe “unaza zanash”, këto forma rëre kanë habitur ekspertët për dekada të tëra. Ato shihen më së miri nga ajri nga ku mund të dallohet se janë shpërndara në mënyrë të barabartë. Për vite me radhë, “unazat e zanave” mendohej se ekzistonin vetëm në Namibi, por në vitin 2014, formacione të ngjashme u zbuluan edhe në Australinë Perëndimore.
Ekspertët janë të paqartë nga shkaku i këtyre formacioneve, por vendasit besojnë se janë formuar nga shpirtrat dhe janë gjurmë të lëna nga perëndia e tyre, Mukuru. Ndërsa të tjerë, besojnë se këto rrathë misteriozë janë krijuar nga “UFO-t ose zanat që kërcejnë natën”.
Deri më sot, nuk ka një teori të pranuar për origjinën e këtyre qarqeve. Por vitet e fundit, shkencëtarë nga Namibia, Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë janë mbledhur për të studiuar fenomenin me shpresën për ta kuptuar më mirë atë. Deri më tani, ekzistojnë dy teori më të pranueshme. E para lidhet me termitet që sipas ekspertëve krijojnë këto rrathë në mënyrë që të mbledhin ujin dhe lëndët ushqyese nga toka. Teoria tjetër është ajo e “vetorganizimit të bimëve”, rrënjët e të cilave krijojnë këto rrathë për të nxjerrë lëndët ushqyese nga zona përreth.
Në fund, shkencëtarët aludojnë se këto njolla të çuditshme në shkretëtirë mund të janë shkaktuar nga një kombinim faktorësh. Por se cilët janë, saktësisht, këta faktorë mbetet një mister edhe sot e kësaj dite.
Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…
Në vitin 1943, etnologët gjermanë Karl Christian von Loesch dhe Wilhelm E. Mühlmann botuan një…
Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…
Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…
Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…
Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…