Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Nafta e shpëtoi Shqipërinë nga Traktati i fshehtë i Londrës

Nga: Astrit Avdulaj

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali ishte shumë e rëndësishme për krijimin e një shteti shqiptar. Ky akt, në kushtet kur si rezultat i Luftërave Ballkanike, gati i gjithë territori ishte i pushtuar nga ushtritë e fqinjëve veriorë dhe jugorë, nuk mund të realizohej pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të Perandorisë Austro-Hungareze dhe ndikimin pozitiv të Italisë, e cila kishte interesat e veta.

Mbas tetë muajsh, më 29 Korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër caktoi kufijtë e Shqipërisë, duke lënë jashtë trojeve etnike rreth 60 për qind të territorit dhe dy të tretat e shqiptarëve. Gjithashtu, Shqipëria do të ishte për dhjetë vjet nën mbikëqyrjen e fuqive të mëdha nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK).

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, KNK nuk funksiononte më, mbasi pjesëtarët e tij ishin pjesë të dy palëve ndërluftuese, ndërsa Shqipëria u kthye thjesht në një shesh lufte të këtyre palëve.

Traktati i Fshehtë i Londrës, përfituesit dhe pasojat

Në vitin 1914 Italia qëndroi në pozicion asnjanës, duke pritur ofertën më të mirë nga palët. Ofertës së Antantës për t’u rreshtuar me të, ministri i Jashtëm i Italisë iu përgjigj homologut të tij britanik me një memorandum të dërguar në 29 mars 1915, i cili ndër pikat kryesore përmbante planin për copëtimin e Shqipërisë. Ky plan u përfshi në Traktatin e Fshehtë të Londrës, i nënshkruar nga palët me 26 Prill 1915. Një muaj më vonë Italia i shpalli luftë Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë.

Lufta e Parë Botërore përfundoi më 11 Nëntor 1918 me fitoren e Antantës. Pasojë e kësaj lufte ishte rënia e katër perandorive, dy nga të cilat ajo Austro-Hungareze dhe Gjermane kishin qenë baza për krijimin e shtetit shqiptar. Shqipëria nuk kishte marrë pjesë në luftë, por ajo kishte qenë shesh lufte dhe plaçkë lufte e përcaktuar për t’u ndarë. Përfituesit e kësaj plaçke ishin në radhët e fituesve të luftës: Italia një nga katër fuqitë kryesore; Greqia – megjithëse ishte rreshtuar me Antantën në verën e 1916 – dhe Serbia e cila me 1 dhjetor 1918, vetëm njëzetë ditë mbas mbarimit të luftës, me mbështetjen e Antantës ishte bërë pjesë e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene. Këto shtete bënë sakrifica dhe pësuan dëme të mëdha në njerëz, materiale dhe financiare nga pjesëmarrja në luftë.

Tabela e mëposhtme përpunuar në vitin 2011 nga Qendra Evropiane “Robert Shuman” tregon numrin e viktimave të Luftës së Parë Botërore për Italinë, Serbinë, Greqinë dhe Malin e Zi.

Këto statistika jepen vetëm për shtetet ndërluftuese, ndërsa Shqipëria ishte një shtet asnjanës, por duke qënë shesh lufte, popullsia e saj ka pësuar jo pak viktima nga privacionet dhe epidemitë e luftës, si dhe dëme materiale të mëdha. Në një emision të Digitalb, me këtë temë llogaritej se viktimat njerëzore si pasoj e luftës dhe sëmundjeve epidemike ishin rreth 70 mijë ose gati 10 për qind e popullsisë.

Konferenca e Paqes e Parisit u mblodh nga 18 Janar 1919 deri në 21 Janar 1920. Në kuadër të kësaj konference dhe në zbatim të Traktatit të Fshehtë të Londrës, u përpilua dhe marrëveshja për copëtimin e Shqipërisë midis Italisë dhe Greqisë e firmosur në 29 korrik 1919 nga Titoni-Venizellos. Sipas kësaj marrëveshjeje, Greqia merrte pjesën jugore, Serbia dhe Mali i Zi pjesën veriore, Italia ishullin e Sazanit dhe Vlorën me rrethinat, ndërsa në pjesën që mbetej do të krijohej një principatë myslimane nën protektoratin e Italisë.

Në fronin e kësaj principate pritej të ulej Esat Pashë Toptani, një nga personalitetet më të spikatura shqiptare të kohës, sidomos të dhjetëvjetëshit të dytë të fillimshekullit të njëzetë. Me origjinë nga një familje e pasur çifligare, gjeneral dhe deputet i Perandorisë Osmane, ministër i Brendshëm në Qeverinë e Ismail Qemalit, si dhe ministër i Brendshëm dhe i Luftës në Qeverinë e Princ Vidit, ai diti të orientohej për interesat dhe ambiciet e tij duke u rreshtuar me Antantën që fitoi luftën. Ai bashkëpunoi me Italinë, me Serbinë, Greqinë dhe Francën, duke kontribuar me një batalion luftëtarësh shqiptarë në kuadrin e Armatës franceze në Selanik të Greqisë.

Të gjithë këta përfitues nga realizimi i Traktatit të Fshehtë të Londrës, prisnin formalizimin e tij nëpërmjet vendimeve që do të merrte Konferenca e Paqes, ku rolin kryesor e luanin Britania dhe Franca. Këto dy shtete, megjithë kundërshtimin e presidentit të ShBA-ve, vendosën reparacione shumë të rënda ndaj fuqive të mundura, sidomos ndaj Gjermanisë gjë që çoi në lindjen e nazizmit dhe për pasojë shpërthimin brenda dy dekadave të Luftës së Dytë Botërore. Ndryshe veproi ShBA mbas Luftës së Dytë Botërore, kur mbështeti rimëkëmbjen ekonomike të Gjermanisë dhe të Japonisë, duke dënuar krimet dhe kriminelët e luftës dhe për pasojë prej treçerek shekulli është shmangur një luftë e re botërore.

Të gjitha gjasat e kohës tregonin se copëtimi i Shqipërisë dhe asgjësimi i pavarësisë së saj ishin të sigurta; në rastin më të mirë shqiptarët do të kishin shtet një principatë – protektorat prej 12 mijë kilometra katrorë me në krye Esat Pashën, i cili do të ishte Heroi Kombëtar i shqiptarëve, meqë arriti t’u ruante atyre një copë Shqipërie!?

Gjeopolitika e naftës në fillim të shekullit XX dhe Lufta e Parë Botërore

Shkaku kryesor i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore ishte zhvillimi i pabarabartë ekonomik, rënia e Britanisë dhe Francës dhe dalja në krye e ShBA-ve dhe Gjermanisë. Ky ndryshim çoi në luftë të ashpër për tregje dhe burime lëndësh të para. Fuqitë e mëdha evropiane nuk mundën më t’i menaxhonin krizat siç kishin bërë mbas luftërave napoleoniane që nga Kongresi i Vjenës i 1815.

Historiani Daniel Yergin thekson se “Lufta e Parë Botërore ishte një luftë midis njeriut dhe makinave, të cilat ishin fuqizuar nga nafta”.

Këtë e tregon më së miri përdorimi për herë të parë i avionëve në Luftën e Parë Botërore. Kështu, nëse në vitin 1915 Britania e Madhe ndërtoi dhe hodhi në luftë vetëm 250 avionë, deri në përfundim të luftës ajo prodhoi dhe përdori 55,000 të tillë, në një kohë që Franca përdori 68,000, Italia 20,000, ShBA 15,000 dhe Gjermania 48,000 avionë luftarakë.

Të gjithë këta avionë kishin nevojë për naftë, furnitori kryesor i së cilës ishte ShBA-ka. Prodhues të tjerë të naftës ishin Rusia, Meksika, Rumania, Polonia dhe Persia (Irani), ndërsa Franca, Italia dhe Gjermania nuk zotëronin naftë.

Reklama

Duke filluar nga Lufta e Parë Botërore, zbulimi i vendburimeve të naftës në shumë pjesë të tjera të botës pati një ndikim të madh në ekonomi dhe në politikë. Sigurimi i burimeve energjetike, sidomos të hidrokarbureve, ka përcaktuar gjeopolitikën, ndërtimin e strategjive afatgjata të fuqive të mëdha, si dhe ka qenë shkaku kryesor i rivaliteteve, konflikteve dhe luftërave në planetin tonë. Garantimi i burimeve të naftës mori prioritet absolut mbi çdo interes tjetër të fuqive kryesore të Antantës, që dolën fitimtarë të Luftës së Parë Botërore.

Nafta në Mesopotaminë e Vjetër dhe në Shqipëri – “Mesopotaminë e Re” të Ballkanit

Rreth vitit 1914, gjeologët e Ushtrisë italiane, e cila ishte vendosur në ishullin e Sazanit, vunë re në det shenja nafte dhe duke i gjurmuar ato zbuluan se vinin nga Lumi i Shushicës, i cili kalon në Drashovicë të Vlorës. Shumë të interesuar, ata zhvilluan studime të gjithanshme dhe projektuan shpimin e një pusi nafte.

Reklama

Me fillimin e 6 mujorit të dytë të vitit 1917, nën drejtimin e kapitenit Plate të Marinës Italiane, të gjeologut Madalena dhe të teknikut të naftës inxhinierit Amoretti, në luginën e Shushicës afër fshatit Drashovicë filloi puna për shpimin e një pusi për nxjerrjen e naftës. Aty u morën shenja të naftës në thellësinë 71,4 metra, 81 metra, 119 metra dhe 125 metra dhe në thellësinë 101 metra u eksperimentua niveli produktiv i pusit nga i cili u nxorën fillimisht 3,500 litra në ditë. Ky ishte shpimi i pusit të parë të kryer në territorin shqiptar, me anë të të cilit u konfirmua ekzistenca e naftës në Shqipëri. Për më tepër rezultoi të ishte një naftë cilësore e lehtë me densitet 0,78-0,94 gr/cm kub.

Reklama

Ekipi i shpimit, i entuziazmuar me rezultatet e marra, e vazhdoi punën deri në mesin e vitit 1918 duke e çuar pusin deri në thellësinë 200 metra. Në këtë fazë për efekt të ruajtjes së sekretit u vendos të ndërpritet puna dhe vetëm në vitin 1924 të dhënat e marra nga pusi i shpuar në Drashovicë u bënë publike nga gjeologu Madalena.

Gjatë luftës, nisur nga rëndësia e jashtëzakonshme e naftës, shërbimet inteligjente të shteteve dhe të kompanive të mëdha, kishin përparësi çdo informacion që lidhej me mundësitë e kërkimit dhe zbulimit të vendburimeve të reja të naftës. Megjithë synimet e italianëve për të mbajtur sekret të dhënat e pusit të shpuar në Drashovicë, qarqe të interesuara, si anglezët dhe amerikanët, i morën informacionet e duhura dhe filluan ta shohin Shqipërinë si një vend me interes të madh dhe të bëjnë projekte për të siguruar përfitimet e veta. Më lart treguam se amerikanët prodhonin 70 për qind të naftës. Anglezët kishin zbuluar dhe shfrytëzonin naftë në Iran që në vitin 1909 kur u krijua Shoqëria Anglo Persiane e Naftës (APOC). Në vitin 1914, vetë Qeveria britanike mori kontrollin e kësaj kompanie. Ata synonin gjithashtu të kontrollonin edhe burimet e pritshme të naftës së Mesopotamisë (Irakut).

Reklama

Të dhënat e pusit të Drashovicës, sa i përket thellësisë në 101 metra, cilësisë së lëngut dhe afërsisë me tregjet kryesore të Evropës e bënin atë shumë fitimprurës dhe nëse do të kishte edhe sasi të konsiderueshme, atëherë ky vendburim bëhej nga më konkurruesit, prandaj në qarqe të caktuara për Shqipërinë flitej si “Mesopotamia e re” e Ballkanit. Në këto kushte, anglo-saksonët vendosën që këto vendburime të pritshme të naftës t’i kontrollonin vetë. Për këtë duhej ndryshuar projekti në fuqi për Shqipërinë, që lidhej me zbatimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës, që do të çonte në copëtimin e saj. Një projekt i ri ishte hartuar nga aleatët anglo-saksonë dhe duke filluar nga gjysma e dytë e vitit 1919, po punohej me angazhim maksimal për zbatimin e tij. Synimi i këtij projekti ishte që Shqipëria të ishte një shtet me pavarësi të plotë në kufijtë e vendosur në 29 korrik 1913 në Londër të rikonfirmuar nga ndërkombëtarët, në mënyrë që ajo të kishte sovranitet të plotë qeverisje mbi territorin dhe pasuritë e veta kombëtare.

Reklama

Këtij qëllimi do t’i shërbente mbajtja e Kongresit Mbarëkombëtar të Lushnjës, i cili do të duhej të miratonte Aktin Themeltar Kushtetues për Pavarasinë e Plotë të Shqipërisë, duke hedhur poshtë çdo përpjekje për cenimin e kufijve të saj, përpara se Konferenca e Paqes të shqyrtonte në mënyrë përfundimtare rastin e Shqipërisë në fillim të Janarit 1920.

Vonesa e mbajtjes së këtij Kongresi i detyroi anglezët që të bënin bashkëpunëtor të projektit të tyre për Shqipërinë, edhe francezët, të cilët kishin lidhje të veçanta me të gjithë përfituesit e projektit për copëtimin e Shqipërisë. Këtë mesazh ata e transmetuan nëpërmjet Henry Berengerit, shkrimtar dhe politikan i shquar francez, senator nga viti 1912 deri në 1945, personaliteti që konsiderohet se e futi Francën në tregun e naftës, i cili në 12 dhjetor 1919 ishte në Londër me detyrë të përgatiste takimin e ardhshëm Francë-Britani në kuadër të Konferencës së Paqes, në funksionin e Komisionerit të Përgjithshëm të Naftës dhe të Lëndëve Djegëse. Me urgjencë, Berenger i shkruajti nga Londra kryeministrit të vet Georges Clémenceau, ku theksonte: “Kush do të ketë naftën, do të sundojë”.

Reklama

Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, nga kërkimet e bëra ishte rritur besimi se në Mesopotami, që ishte pjesë e Perandorisë Osmane, kishte rezerva të konsiderueshme nafte. Për këtë arsye, në vitin 1912 në Stamboll u krijua Kompania Turke e Naftës (TPC), ku aksionerë ishin shoqëri të mëdha evropiane, si Deutsche Bank, Kompania Anglo Saksone e Naftës, Banka Kombëtare e Turqisë dhe biznesmeni me shtetësi britanike dhe me origjinë armene, Calouste Gulbenkian. Në vitin 1914, kur Shoqëria Anglo Persiane e Naftës zotëronte 50 për qind të kapitalit të TPC-së, ajo mori premtimin për dhënien e koncesionit nga Qeveria Osmane, por fillimi i luftës i ndërpreu planet për kërkimin e naftës.

Ishte pikërisht konflikti për naftën e Irakut një nga shkaqet kryesore të shpërthimit të Luftës së Madhe. Në kuadrin e Konferencës së Paqes, nga 19-26 prilli 1920, u mbajt Konferenca e San Remos, ku më 24 prill, midis Britanisë dhe Francës u firmos marrëveshja nga e cila kompania franceze CFP merrte 25 për qind të aksioneve të TPC-së, pjesa që para luftës i përkiste Deutsche Bankës. Me këtë marrëveshje, Britania i dha mundësinë Francës të hyjë për herë të parë në tregun e naftës, gjë që e detyronte Francën të bëhej pjesë e projektit të ri anglo-sakson për Shqipërinë, duke hedhur poshtë Traktatin e Fshehtë të Londrës që çonte në copëtimin e saj. Vetëm se këto fuqi fitimtare nuk mund të vepronin si me rastin e Mesopotamisë së vjetër, ku kishin të bënin me një fuqi të mundur, Perandorinë Osmane; në rastin e “Mesopotamisë së Re”, ato do të duhej të anulonin një Traktat që vet e kishin formuluar dhe firmosur, duke prekur thelbësisht interesat e aleatëve që qëndronin krah tyre në Konferencën e Paqes.

Ndryshimet e mëdha në Shqipërinë e vitit 1920

Situatën e Shqipërisë në ditët e para të viteve 1920, e përcakton më së miri fjala e Fan Nolit në Parlament më 11 Shkurt 1924, në homazh të vdekjes së presidentit amerikan Wilson: “Në Janar 1920 një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjithë anët e vendit, i cili që si një i vdekur në agoni. Projekti i copëtimit të Shqipërisë, i redaktuar prej aleatëve, ishte njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej një fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson jo vetëm nuk e vuri firmën, po u përgjeq edhe me dy nota, me të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevairet më të ndritshëm të karierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë kohë të marrim frymë dhe të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot… Dhe si u hoq nga fuqia Presidenti Wilson, kush e mori mprojtjen e Shqipërisë? Ishte Lidhja e Kombeve, krijesa e Presidentit Willson.”

Reklama

Me mosfirmosjen e projektit të copëtimit të Shqipërisë u bë hapi i parë, por për të konsoliduar shtetformimin e shtetit të parë të shqiptarëve do të duhej të zbatoheshin të gjithë fazat e projektit që ishte hartuar nga aleatët anglo-saksonë.

Faza e parë ishte mbajtja e Kongresit Mbarëkombëtar të Lushnjës në 21-31 Janar 1920, i cili miratoi Aktin Themeltar Kushtetues për Pavarësinë e Plotë të Shqipërisë, duke hedhur poshtë çdo përpjekje për cenimin e kufijve të saj. Mbasi quajti të rrëzuar Qeverinë e Durrësit, Kongresi zgjodhi Këshillin e Lartë prej katër vetëve, në funksionin e Kryetarit të Shtetit, Këshillin Kombëtar prej 37 vetësh, Qeverinë me kryeministër Sulejman Delvinën dhe caktoi kryeqytet Tiranën. Mbas Kongresit të Lushnjës, u rrit fryma atdhetare dhe filluan organizimet për të bërë reale pavarësinë e Shqipërisë në të gjithë territorin e saj.

Faza e dytë ishte përgatitja dhe zhvillimi i Luftës së Vlorës për të larguar prej andej ushtrinë italiane. Luftëtarët nga krahina e Vlorës dhe nga shumë krahina të tjera të Shqipërisë, të mbështetur nga Qeveria e Tiranës, filluan sulmin mbi ushtrinë italiane në 5 qershor 1920 dhe në 2 gusht 1920 u nënshkrua Protokolli i Tiranës, ku Qeveria e Romës deklaronte se “respektonte sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë”. Një muaj më vonë, trupat italiane ishin tërhequr nga Vlora. Kjo ishte një fitore e madhe, por edhe një mesazh për pretendimet territoriale të fqinjëve jugorë dhe veriorë.

Faza e tretë ishte dekurajimi, deligjitimimi dhe goditja e përfituesve nga Traktati i Fshehtë i Londrës që vazhdonin të kërkonin realizimin e tij. Akti më domethënës ishte vrasja e Esat Pashë Toptanit dhe vendimi i Gjykatës Franceze që e shpallte Avni Rustemin të pafajshëm.

Toptani dhe Pashiqi

Esat Pasha u vendos në Paris në 1 prill 1919. Në 19 prill ai i shkruan një Memorandum Konferencës së Paqes, në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë, ku shpjegon përse e meritonte këtë pozitë të lartë shtetërore dhe se ai ishte përfaqësuesi i vetëm legjitim i popullit shqiptar. Publicisti Sheradin Berisha, në një shkrim të tij jep përmbajtjen e një letre të marrë nga arkivat jugosllave, me të cilën kryeministri i Serbisë, Nikolla Pashiq, i drejtohet në 30 janar 1920 Alexandre Millerand, kryeministër i Francës dhe kryetar i Konferencës së Paqes. Në këtë letër jepen të gjithë kontributet që Esat Pasha kishte dhënë për Antantën dhe për Francën si dhe dëmet që ai ka pësuar dhe shpenzimet që ka bërë, për të cilat ai meritonte një dëmshpërblim prej 10 milionë franga. Mesa duket Pashiqi kishte nuhatur ndryshimin e qëndrimit të fuqive të mëdha, prandaj nëpërmjet kërkesës për Esatin testonte edhe situatën për interesat e Serbisë. Ndaj këtij dokumenti diplomatik pati vetëm heshtje.

Ilir Ikonomi në librin e tij për Esat Pashën përshkruan ditën e fundit të jetës së tij. Ditën e 13 qershorit 1920, Esati i shoqëruar nga nipi i tij Xhemil Bej Vlora dhe e dashura franceze Eliza, e filloi me një vizitë në shtëpinë që sapo e kishte marrë më qera, mbasi ishte liruar nga miku i tij Milenko Vesniq, i cili ishte kthyer në Beograd si kryeministër i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Para se të shkonin për drekë, Esat Pasha me një gazetar të gazetës “Le Temps” përgatiti një promemorie ku nëpërmjet shtypit i drejtohej opinionit publik francez ku e vinte në dijeni për shërbimet që i kishte bërë Francës, për të cilat i takonte një dëmshpërblim prej 10 milion franga.

Promemorja kishte të njëjtën përmbajtje të letrës diplomatike të Pashiqit të 30 janarit, por që nuk pati përgjigje. Ajo u botua të nesërmen së bashku me lajmin e vrasjes.

Esat Pashë Toptani, njeriu që në emër të Parlamentit i dorëzoi Sulltanit ultimatumin për dorëheqje dhe që për mbi një dekadë ishte nga figurat më protagoniste në politikën e Ballkanit, nuk e kishte kuptuar se situatat kishin ndryshuar tërësisht dhe se ai nga një person që duhej të shpërblehej për meritat dhe kontributet, ishte kthyer në “kokë turku”, pikërisht për të justifikuar ndryshimet e bëra nga vetë fuqitë e mëdha në rikonfigurimin e hartës së Ballkanit. Vrasja ishte një mesazh i qartë për Italinë, Serbinë dhe Greqinë se Traktati i Fshehtë i Londrës për Shqipërinë nuk do të zbatohej dhe ndodhi pikërisht një javë mbasi luftëtarët shqiptarë kishin filluar veprimet luftarake kundër ushtrisë italiane në Vlorë. Vendimi i Gjykatës së Parisit e konfirmoi dhe legjitimoi këtë qëndrim të fuqive të mëdha. Gjyqi kundër Avni Rustemit filloi në 29 nëntor 1920, mbas 5 muaj dhe 16 ditë hetimi, dhe brenda 24 orësh, juria prej 12 vetësh në emër të popullit francez e shpalli përfaqësuesin e djalërisë shqiptare të pafajshëm për vrasjen e Esat Pashë Toptanit.

Faza e katërt filloi me kërkesën e bërë në 12 Tetor 1920 nga Qeveria Shqiptare për pranimin në Lidhjen e Kombeve, e cila në 15 Nëntor 1920 do të mblidhej në Gjenevë në të parën Asamble të saj. Në 12 nëntor 1920 mbërriti delegacioni shqiptar i kryesuar nga Fan Noli, i cili filloi te plotësoje dokumentacionet e pranimit. Mbas shumë debatesh, me mbështetjen që i bënë përfaqësues të vendeve pjesë të Perandorisë Britanike, Shqipëria në 17 dhjetor 1920 u bë anëtare e 43 e Lidhjes së Kombeve, me 35 vota pro, shtatë abstenime dhe asnjë votë kundër. Kjo ishte një ngjarje shumë e madhe, mbasi tani për fatet e Shqipërisë nuk do të diskutohej dhe të merreshin vendime nëpër kulisa, por në institucione ku do të debatohej dhe do të dëgjohej edhe zëri i përfaqsuesve të saj.

Këto arritje të vitit 1920 janë të pashembullta në historinë e Shqipërisë dhe u realizuan si rezultat i një mobilizimi maksimal i të gjitha shtresave të shoqërisë, të cilat kuptuan se ishin para zhbërjes përgjithmonë të shtetit shqiptar. Gjithashtu pati një aktivizim maksimal të diasporës shqiptare në të gjitha fushat, në politikë, në luftë, në diplomaci, me shtyp dhe me ndihma të ndryshme. Përputhja e interesave të momentit të fuqive te mëdha vendimmarrëse të kohës me interesat e shqiptarëve çuan në këto arritje madhështore. Rreziqet për shtetformimin e shqiptarëve, sa të jashtme edhe të brendshme, kanë qënë dhe janë prezente gjatë gjithë këtij shekulli, por tashmë ne kemi fituar miq dhe aleatë të fuqishëm që na janë pranë në çdo moment rreziku.

InForCulture

Recent Posts

Ky është fruti që duket se ul rritjen e qelizave kancerogjene me 60 për qind brenda 24 orëve

  Shkaqet e kancerit kanë mbetur të pakapshme, duke e bërë të vështirë zhvillimin e…

22 hours ago

Çka i bën tatuazhi trupit tuaj?

  Tatuazhi është një formë e artit dhe shprehjes personale që ka ekzistuar për mijëra…

1 day ago

Shenja në këmbë që paralajmëron “sulmin në zemër” dhe “goditjen në tru”

  Shenjë delikate në këmbë që mund të nënkuptojë një sulm në zemër, paralajmëron mjeku…

2 days ago

Një parazit i përhapur në Britani, besohet se po shkakton simptoma “si të kancerit të zorrëve”

  Britanikët u paralajmëruan sot për një parazit që shkakton diarre të rëndë, pasi Mbretëria…

2 days ago

Ja për çka shërben pambuku në shishet e barnave

  Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka propozuar që pambuku të eliminohet, sepse përmban lagështi brenda…

2 days ago

Si ta ngushtoni belin në cilëndo moshë

  Sa herë keni dëgjuar se është e pamundur që ta ngushtoni belin në qoftë…

2 days ago