Prof. Dr. (Emeritus) Refik Kadija
Skocezi George Finlay (1799 – 1875) është një studjues e historian serioz. “Si student ishte punëtor; si studjues ishte i saktë; si mendimtar ishte edhe i mprehtë edhe i thellë; dhe në gjithshka që shkroi ai ishte i palëkundur në besnikërinë e tij ndaj parimeve të qeverisjes konstitucionale dhe ndaj kauzës së lirisë dhe drejtësisë” – kështu është përcaktuar personaliteti i tij në Enciklopedinë Britanike.[1] Finlay ishte jo vetëm bashkatdhetar skocez i Lord Bajronit, por edhe mik i tij. Ishte i ndjeshëm e romantik ndaj kauzës së lirisë kudo që të ishte. Prandaj më 1823 mori udhëtimin për në Greqi për t’u bashkuar me Bajronin dhe për të luftuar përkrah tij në revolucionin grek për liri e pavarësi. Më 16 korrik 1823 Bajroni u nis nga Gjenova e Italisë dhe më 4 gusht arriti në ishullin grek Qefalonia, ku priti ngrohtësisht mikun e tij George Finlay, i cili arriti atje në nëntor.
Ata qëndruan aty deri në fund të dhjetorit të rrethuar nga përfaqësuesit e fraksioneve rivale greke që grindeshin se kush do ta rekrutonte Bajronin në kauzën e vet. Më 28 dhjetor ata u larguan nga ishulli dhe më 5 janar 1824 arritën në Mesolongj.Atje për dy muaj ai kaloi thuajse çdo mbrëmje me Bajronin, i cili “shpenzoi shumë nga koha e tij” në biseda me historianin e ardhshëm. Qëlloi që Finlay luftoi për kauzën e lirisë përkrah Bajronit vetëm gjatëmuajve të fundit të jetës së Bajronit. Finlay u largua nga Mesolongji pak para se të vdiste Bajroni dhe u bashkua me arvanitasin Odiseas Verusis (ish oficer i Ali Pashës dhe me besim bektashi alevit) në një ekspeditë në More kundër turqve. Mirëpo korrupsioni dhe lakmia plaçkitëse e forcave greke e mbushën me neveri dhe e bënë të kthehej në Athinë në shtabin e qeverisë provizore ku, siç pohon ai vetë, gjërat nuk ishin aspak më mirë. Sipas Finlay-t, “Në vjeshtën e 1823 Lord Bajroni e drejtoi vëmendjen e gjithë Europës nga çështja e Greqisë duke iu bashkuar kauzës së saj. Karriera e tij e shkurtër në Greqi nuk lidhet me ndonjë ngjarje të rëndësishme ushtarake, sepse ai vdiq më 19 prill; por entuziazmi që zgjoi ai i shërbeu Greqisë ndoshta më shumë se ç’mund të kishin bërë përpjekjet e tij personale edhe po të kishte jetuar më gjatë” (“Historia e Revolucionit Grek”,Vëllimi II, Libri III, Kapitulli IV, f. 22).
Pastaj për 14 muaj Finlay iu përkushtua mësimit të gjuhës greke dhe historisë së Greqisë, por i vazhdoi përpjekjet e tij për pavarësinë e Greqisë deri më 1829. Pastaj u muar vetëm me studime e shkrime historike, të cilat nuk i ndërpreu deri në fund të jetës së tij. Me përjashtim të udhëtimeve të shkurtra në Skoci, në Levant dhe në provincat shqiptare të pashallëkut të Janinës, ai u bë resident i përhershëm në Athinë, ku edhe vdiq dhe u varros (sarkofagu me një memorial me bustin e tij ndodhet në varrezat protestane të Athinës).
Finlay ishte edhe mik i diplomatit, historianit e albanologut të madh austriak Johan Georg von Hahn (1811 – 1869), kreut e themeluesit të albanologjisë moderne. Ata kishin korrespondencë me njëri-tjetrin dhe takoheshin gjatë kohës që Hahn-i ishte me shërbim të gjatë diplomatik (1834-1851) në Athinë dhe në Janinë, ku albanologu i shquar ra në kontakt me shqiptarët, filloi të mësonte gjuhën shqipe dhe bëri turne nëpër viset shqiptare duke mbledhur të dhëna për historinë, filologjinë e folklorin shqiptar.
[Johan Georg von Hahn (1811 – 1869)]
Finlay shkroi shumë vepra historike për Greqinë për të cilat Greqia e vlerësoi shumë, bile edhe e dekoroi me një urdhër të lartë. Por në veprën “Historia e Revolucionit grek”, në 2 vëllime, botuar më 1861, ai i ka kushtuar shqiptarëve një kapitull të plotë prej 31 faqesh (Vëll. I, Libri I, Kapitulli II “Shqiptarët”, f. 34 – 64). Vlerësimi dhe saktesia shkencore e fakteve që Finlay ka trajtuar në këtë kapitull mendoj se duhet të jetë ndikuar edhe nga komunikimi i tij me Hahn-in. Kurse Kapitulli III (po aty, f. 65 – 117), me 53 faqe, mban titullin “Sulltan Mahmudi dhe Ali Pasha i Janinës” dhe i kushtohet kryesisht jetës, veprimtarisë dhe personalitetit të Ali Pashë Tepelenës.
George Finlay lindi më 21 dhjetor 1799 në qytetin e vogël anglez Faversham, Kent, nga prindër skocezë. Studjoi për drejtësi në Universitetin e Glasgout dhe rreth vitit 1821 shkoi në Universitetin e Göttingen-it në Gjermani, ku studjoi për 2 vjet ligjin romak. Ndërkohë, revolucioni grek e kishte frymëzuar djaloshin skocez për t’iu përkushtuar idealit të tij romantik për liri dhe me këtë ideal në moshën 24-vjeçare u nis për në Greqi. Kur u takua me Bajronin në nëntor 1823 në ishullin e Qefalonisë, Bajroni i tha:“Ti je i ridhe entuziast, prandaj jam i sigurtë se do të zhgënjehesh kur t’i njohësh grekët aq mirë sa i njoh unë”. Pas pak kohe arriti në Pirgos dhe krahas pjesëmarrjes në lëvizjen për liri të grekëve përkrah mikut të tij Lord Bajron, i thelloi më tej njohuritë e tij për gjuhën, historinë dhe lashtësinë e vendit. “Ndonëse krijoi një opinion negativ, të papëlqyeshëm, për udhëheqësit grekë, si për ata civilë ashtu dhe për ata ushtarakë”, sipas biografëve të tij, “ai në asnjë mënyrë nuk e humbi entuziazmin për kauzën e tyre”.
Megjithatë, një palë ethe të forta malarike, të kombinuara me disa rrethana të tjera shqetësuese, përfshirë vdekjen e parakohshme të mikut të tij Lord Bajronit me 19 prill 1824 (gjithashtu nga ethe të forta), e shtyn që ta kalonte dimrin e 1824-1825-ës dhe pranverën e 1825-ës në Itali (Romë, Napoli e Siçili). Pastaj ai e kaloi verën në Skoci dhe shkoi në Universitetin e Edinburgut ku mori diplomën për ligjin civil. Në vjeshtë u kthye në Greqi për të realizuar idealin e tij romantik të kauzës së lirisë. Ai vazhdoi të luftonte për Greqinë ose u angazhua në misione si përfaqësues i saj deri në përfundim të luftës.
Ndonëse mori pjesë aktive në luftën për liri e pavarësi të Greqisë, Finlay humbi thuajse gjithshka pas shpalljes së pavarësisë. “Unë humba paratë e mia dhe punën time”, pohon ai. Pasi u arrit pavarësia e Greqisë me ndihmën e fuqive të mëdha (Francë, Angli, Rusi), ai u bë pesimist për shkak të asaj që ai e quajti si ‘dekadenca e re e Greqisë pas pavarësisë’. Më 1829 Finlay hoqi dorë nga përfshirja në politikë dhe bleu një tokë në Atikë, në zonën që sot quhet “Kopështet Kombëtare”, të cilën ia konfiskoi shteti grek. I zhgënjyer nga kjo gjë, ai bleu një fermë në Liosia afër Athinës, ku u muar me bujqësi dhe u mundua të zbatonte një sistem më të mirë bujqësor, por përpjekjet e tij dështuan. Atëherë, “kur i kisha harxhuar të gjitha paratë që kisha, e ktheva vëmendjen nga studimet”, shton ai. Në Athinë ai bleu një shtëpi në Rrugën Adrianou në lagjen “Plaka”, e cila përbëhej kryesisht nga banorë shqipfolës, dhe iu përkushtua veprimtarisë letrare mbi historinë e Greqisë deri në fund të jetës. Shtëpia në Rrugën Adrianou nuk ekziston më, ndonëse ai aty shkroi disa nga librat kryesorë të historisë së Greqisë. Më 1834 ai bleu një shtëpi tjetër që ndodhet po në lagjen e vjetër ‘Plaka’ në qendër të Athinës, në kryqëzimin e Rrugës Krekopos Nr. 8 me Rrugën Thucydides. Kjo shtëpi e ndërtuar më 1830 u riparua nga Finlay më 1835 dhe aty jetoi me bashkëshorten armene Enektaria Trevinan (1809 – 1892) derisa ai vdiq më 1875. Kjo shtëpi ekziston edhe sot dhe njihet si “Shtëpia Finlay”.
Shtëpia Finlay (Kryqëzimi Rruga Krekopos Nr. 8 dhe Rruga Thucydides)
Botimet e para të Findlay-t ishin “Mbretëria Helenike dhe Kombi Grek” (në anglisht, 1836), “Ese mbi parimet e aplikuara në shtetin aktual të Greqisë” (në frëngjisht, Athinë 1836), dhe “Shënime mbi topografinë e Oropias[2] dhe Diakrias[3], me një hartë” (anglisht, Athinë, 1838).
Veprat e George Finlay-t vlerësonin lart drejtimin administrativ të Perandorisë Bizantine mesjetare dhe vinin theksin, ndoshta për herë të parë në shkrimet historike, mbi faktorët socio-ekonomikë dhe mbi rolin e popullatës së përgjithshme në ndryshimet historike. Kontributin e tij e vlerësuan qysh herët studjuesit gjermanë të Greqisë, veçanërisht analizën që i bëri Perandorisë Bizantine.
Librat e tij kryesorë janë: “Mbretëria helenike e kombit grek” (1836), “Greqia nën pushtimin romak” (1844, 2 vëllime), “Historia e perandorive greke e bizantine” (1854, 2 vëllime), disa vepra mbi pushtimin ottoman dhe venecjan, të botuara më 1856, si dhe “Historia e Revoluconit Grek” (1861, 2 vëllime).
Filay ishte shëndet-dobët dhe, kur e ndjeu se po e linin fuqitë, i kaloi vitet e fundit të jetës duke ripunuar e redaktuar veprat e tij historike. Nga 1864 deri 1870 ai punoi edhe si korrespondent i gazetës angleze The Times. Letrat e tij tërhiqnin vëmendje të konsiderueshme dhe thuhet se ushtruan ndikim të dukshëm në politikën e Greqisë kur botoheshin në gazetat greke. Ai ishte anëtar i disa shoqatave kërkimore-shkencore. Ishte Anëtar Nderi i Shoqatës Mbretërore të Letërsisë, Anëtar i Shoqatës së Antikuarianëve Amerikanë dhe Anëtar Korrespondues i Institutit Arkeologjik në Romë, etj. Më 1854 ai mori nga Universiteti i Edinburgut gradën e nderit ‘Doktor në Drejtësi’. Vdiq në Athinë në moshën 75-vjeçare, me 26 janar 1875.
Finlay ishte një historian produktiv dhe me influencë në kohën e tij. Kulmi i krijimtarisë së tij është vepra 7-vëllimshe “History of Greece from its Conquest by the Romans to the Present Time” (Historia e Greqisë që nga pushtimi romak deri në ditët tona”) botuar dy vjet pas vdekjes, më 1877, nga Oxford Clarendon Press, nën redaktimin e shkrimtarit e udhëtarit anglez Henry F. Tozer, i cili vizitoi disa krahina të Shqipërisë dhe bëri një përshkrim të hollësishëm të përshtypjeve të tij mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në 5 kapituj të një libri që botoi më 1865.
Më 1861George Finlay botoi në Edinburg dhe Londër veprën e tij në dy vëllime “History of the Greek Revolution” (“Histori e revolucionit grek”), ku bëhet një përëhkrim i ecurisë së revolucionit grek, përfshirë konfliktet ushtarake dhe pasojat politike, dhe i ndjek ngjarjet deri në krijimin e monarkisë konstitucionale. Vëllimi i parë përvijon një pasqyrë të hollësishme të botës ekonomike e sociale të Greqisë nën sundimin otoman. Autori përshkruan grupet e ndryshme etnike e sociale të Greqisë dhe të fqinjëve të saj, si dhe strukturën e administratës otomane. Ai e ndjek zhvillimin e revolucionit grek që nga kryengritjet më të herëshme deri në ngjarjet historike në fund të vitit 1822.
Ndonëse fokusi kryesor i veprës së tij është historia e Greqisë, ai ka dhënë fakte të shumta dhe ka bërë përshkrime të hollësishme të shqiptarëve, të origjinës, historisë, gjuhës e kulturës së tyre. Ai ka dhënë një përshkrim të detajuar të pranisë së shqiptarëve në mesin e shekullit XIX jo thjeshtë në vilajetin e Janinës, por edhe në Athinë dhe në krahinat, fshatrat, qytetet e ishujt e Greqisë qëndrore, ku shqiptarët përbënin një pjesë të mirë të popullatës vëndase. Ai ka konfirmuar e vërtetuar me fakte bindëse origjinën shqiptare të “fustanellës” dhe ka përshkruar me hollësi fatin tragjik të suliotëve shqiptarë në kohën e Ali Pashës.
Vëllimi i parë i veprës së Finlay-t “Historia e Revoluciont Grek”, botim i vitit 1861,ka 377 faqe të ndara në 3 Libra me 10 kapituj gjithësej. Kapitujt II dhe III të Librit të Parë me nëntitull “Ngjarjet që i paraprin revolucionit” i kushtohen krejtësisht Shqipërisë dhe shqiptarëve në 84 faqet e tyre (kap. II, f. 34-64; kap. III, f. 65-117).
Autori e fillon Kapitullin e dytë të titulluar “Shqiptarët” (“The Albanians”) me një citat të Plutarkut mbi origjinën e lashtë pellazgjike të shqiptarëve: “‘Phaeton-i[4] ishte i pari që sundoi në Shqipëri pas Përmbytjes[5], dhe ai erdhi në Epir me pellazgët’—Plutarku.”[6] (I, II, 34).
Pikëpamja e Finlay-t mbi origjinën pellazgjike të shqiptarëve është e njëjtë me atë të J.G. von Hahn-it që mendon se ilirët, si paraardhës imediatë të shqiptarëve, janë pasardhës të pellazgëve të lashtë.
Mjaft pikëpamje të historianit skocez Finlay mbi shqiptarët përkojnë me ato të albanologut të madh austriak. Duket se ata të dy kanë komunikuar shpesh, kanë shkëmbyer mendime dhe kanë ndikuar në pikëpamjet e njëri tjetrit.
Në fillim të Kapitullit II autori jep shpërndarjen demografike e topografike të shqiptarëve që nga koha e Greqisë së lashtë deri në Greqinë moderne. Ai thotë se “raca shqiptare zë një vend të konsiderueshëm në Greqinë e lashtë….kolonët shqiptarë tani zënë gjithë Atikën dhe Megarisin, me përjashtim të qyteteve të Athinës dhe Megarës, ku ata përbëjnë vetëm një pjesë të popullsisë. Ata posedojnë pjesën më të madhe të Beotisë dhe një pjesë të vogël të Lokrisit, afër Talantës. Pjesa jugore e Eubesë dhe pjesa veriore e Androsit, e gjithë Salamia dhe një pjesë e Eginas janë të populluara nga shqiptarët. Në Peloponez ata janë akoma më të shumtë. Ata zënë gjithë zonën e Korinthisë dhe Argolisit dhe shtrihen deri në pjesën veriore të Arkadias dhe pjesën lindore të Akaias…. Ishujt e Hidrës dhe Specas janë të populluara krejtësisht nga shqiptarët”. (f. 34-35) Historiani ndalet gjatë dhe në mënyrë të veçantë në përshkrimin e përbërjes së ishullit të famshëm të Hidras, i cili thuhej se quhej kështu për shkak të burimeve të shumta ujore. Sipas Finlay-t, “ishulli i Hidras kishte gati njëzet mijë banorë nga racë e pastër shqiptare përpara Revolucionit Grek” (“The island of Hydra contained nearly twenty thousand inhabitants of pure Albanian race before the Greek Revolution”, f. 37). Hidriotët e çdo rangu shfaqnin karakterin e veçantë të racës shqiptare. Ata ishin krenarë, të pacipë, të rrëmbyer, dhe të etur për të fituar. Paria ishin xhelozë dhe këmbëngulës, njerëzit e thjeshtë ishin të vrazhdë dhe të dhunshëm. Por të dy palët kishin disa virtute të shkëlqyera. Ata dalloheshin prej grekëve nga dashuria e tyre për të vërtetën dhe nga ndershmëria me të cilën ata i përmbushnin angazhimet e tyre. Nuk kishte tregtarë në Levant që paguanin më me përpikmëri se tregtarët e Hidras dhe nuk kishte detarë që kujdeseshin më mirë për anijet dhe ngarkesat se marinarët e Hidras.” (f.37-38)
Historiani skocez nuk na thotë asgjë për hidrioten e famëshme Laskarina Bubulina (11 maj 1771 – 22 maj1825), e cila ishte bijë e një detari arvanitas nga ishulli i Hidras dhe u bë edhe ajo vetë kapitene anijeje e zonja dhe pronare e 4 anijeve. Me sa duket ai nuk ka pasur informacionin e duhur për origjinën e saj shqiptare. Mirëpo ai përshkruan me hollësi familjen e famëshme arvanitase të Kunduriotëve të Hidras: “Familja e Konduriotëve ishte një nga më të lashtat dhe më të shquarat e ishullit. Ajo ishte themeluar nga vëllai më i vogël i një fshatari shqiptari dervenkhorionit të Kunduras, i cili u vendos si varkëtar pak kohë pas përzënies së venecianëve nga Morea dhe përpara se Hidra të priste ardhjen e kolonëve të cilët formuan një komunitet të rregullt. Llazar Kondurioti ishte kryetar i familjes gjatë Revolucionit Grek.”
Një nga pjesët më interesante të këtij kapitulli janë faqet që vijojnë (41 – 43), ku autori përshkruan prejardhjen e racës shqiptare, strukturën e popullsisë shqiptare, vazhdimësinë e prejardhjes pellazgjike të gjuhës shqipe nëpërmjet ilirishtes, dialektet toskë e gegë, etj. Këtu Finlay i mbështet interpretimet e tij në burimet bibliografike më të besueshme të kohës, në studimet e albanologëve më të shquar të shekullit XIX, si Johan Georg von Hahn, Franz Bopp, William Martin Leake, Jacob Philip Fallmerayer, Joseph Ritter von Xylander, Dr. Karl Reinhold, etj. Kontributet e J. G. von Hahn-it, Fanz Bopp-it dhe W. M. Leake-ut në shkencat albanologjike janë të mirënjohura në rrethet akademike shqiptare, por dhe më gjërë. Kurse J. P. Fallmerayer, J. R. von Xylander dhe K. Reinhold, përfshirë dhe vetë G. Finlay-n, janë fare pak të njohur për kontributet e tyre albanologjike.
Jakob Philipp Fallmerayer-i (1790-1861) ishte historian dhe studjues i gjuhës gjermane nga Tiroli jugor që tani është pjesë e Italisë. Ky studjues bëri emër në Bavari si eksperti kryesor i historisë mesjetare të Greqisë dhe në mënyrë të veçantë i rolit të emigrimit shqiptar dhe sllav në Greqi. Traktati i tij në dy vëllime “Historia e Moresë në Mesjetë” (“Geschichte der Halbinsel Morea während des Mittelalters”), botuar në Stuttgart më 1830 dhe 1836, shkaktoi zhgënjime, shqetësime e protesta në qarqet greke e filhelene sepse në veprën e tij dëshmonte se Greqia, e në mënyrë të veçantë Morea (Peloponezi), ishin populluar në Mesjetë në radhë të parë nga shqiptarët e sllavët e helenizuar dhe jo nga pasardhësit e grekëve të lashtë, domethënë se nuk kishte vazhdimësi gjenetike midis grekëve të lashtë dhe atyre të kohës së sotme.Joseph Ritter von Xylander (1794-1854), ushtarak, filolog dhe historian i gjuhësisë së krahasuar, autor i librit “Gjuha e albanezëve ose shqiptarëve” (“Die Sprache der Albanesen oder Shkipetaren”, Frankfurt am Main, 1835), 320 faqe. Kjo vepër është përkthyer në gjuhën shqipe nga dy përkthyes të talentuar të gjermanishtes dhe hulumtues të pasionuar të veprave të albanologëve gjermanë (A. Gjoka dhe F. Vokopola).Dr. Karl Reinhold (1834-1880) ishte mjek dhe albanolog gjerman nga Mbretëria e Hanoverit. Ai lindi në Gőtingen dhe u punësua si kryemjek i Fllotës Greke nga Otto i Bavarisë kur ai u shpall mbret i Mbretërisë së Greqisë. Atje Reiholdi ra në kontakt me marinarë shqiptarë nga ishujt Poro, Hidra dhe Speca. Ai mblodhi një korpus të madh me material folklorik të shqiptarëve (përralla popullore, këngë folklorike, gjëagjëza, përkthime të Biblës dhe përralla arabe të një mijë e një netëve, etj.) nga miku i tij Vasil Saqellari, një prift orthodox shqiptar nga ishulli Poro. Nga materialet që kishte grumbulluar, më 1855 ai botoi një vëllim të vogël me titull “Netët pellazgjike” (titulli i plotë në origjinal: “Noctes Pelasgicae vel Symbolae ad cognoscendos Dialectos Graeciae Pelasgicae collatae cura Dr. Caroli Henrici Theodori Reinhold”). Pas vdekjes së Reinholdit, disa nga shënimet e tij ranë në dorën e profesorit të Universitetit të Gracit dhe albanologut të famshëm gjerman Gustav Majer (1850 – 1900), i cili i botoi ato në veprën e tij “Studime albanologjike” (Albanesische Studien, 1882).
Historiani skocez tregon se “shqiptarët formonin një racë të veçantë midis kombeve të Europës. Është supozuar nga disa se ata janë përfaqësues të pellazgëve. Ata e quajnë veten ‘shkipetar’. Disa supozojnë se ata i kishin zënë krahinat ku banojnë tani përpara kohës së Homerit dhe se ata janë pasardhës trashëgimorë të racës në të cilën bënin pjesë epirotët e lashtë dhe maqedonasit e lashtë si fise me prejardhje të njëjtë. Sipas këtyre arkeologëve, Aleksandri i Madh duhet të ketë folur një dialekt të lashtë shqiptar në banketet e tij të shfrenuara me oficerët e tij maqedonas.”
Finlay bashkohet me mendimin e shumicës së albanologëve të shekullit XIX, kryesisht atyre gjermanë, mbi origjinën e gjuhës shqipe, ndonëse mundohet të tregohet i paanshëm e thjeshtë regjistrues i fakteve që ata paraqesin. Ai shprehet se “Studjuesit e filologjisë moderne kanë përcaktuar pa asnjë dyshim se gjuha shqipe është një devijim i hershëm nga sanskrishtja, dhe se gramatika e saj është e një date aq të vjetër sa dialekti më i vjetër i greqishtes. Thuajse i njëjti kufi ndan popullatën helenike nga ajo jo-helenike në kohën e sotme ashtu si në kohrat e lashta. Thukididi i quan barbarë amfilokianët që banonin në krye të Gjirit të Artës. Straboja thoshte se një racë e vetme banonte në të gjithë vendin, që nga Malet e Akrokeraunias deri në kufijtë e Thesalisë dhe deri në fushën e Pelagonisë, nën emrin e epirotëve ose të maqedonasve, sepse të dy palët flisnin të njëjtën gjuhë.” Është fakt se Finlay për shqiptarët e Greqisë asnjëherë nuk përdor emërtimin grek “arvanitas”.
Më tej Finlay shpjegon përbërjen e shqiptarëve në gegë dhe toskë:“Epiri i lashtë ishte i mbushur me koloni greke, dhe raca greke është tani më e shumtë në numër se ajo shqiptare në rajonin që është menjëherë në veri të Gjirit të Artës. Mirëpo, nga ana tjetër, një e pesta e Greqisë moderne është e banuar në kohën e sotme nga kolonë shqiptarë. Banorët e Shqipërisë, ose raca shqiptare përbëhet nga dy degë të dallueshme – Gegët, të cilët banojnë në veri të luginës së Shkumbinit dhe linjës së Vijës Egnatia. Ajo arterie e jetës romake tani formon një linjë të shkretuar të ndarjes midis Gegëve dhe Toskëve. Dialektet e këtyre dy degëve thuhet se nuk ndryshojnë më shumë në gramatikën e tyre sesa skocezët e Eyrshire-it dhe anglezët e Somersetshire-it; megjithatë, një gegë dhe një toskë nuk e marrin vesh njëri tjetrin kur takohen për herë të parë. Të dyja degët kanë nëndarjet e tyre në disa fise. Midis gegëve disa fise katolike ruajnë gjysëm-pavarësinë e tyre dhe përkrahin supremacinë e Papës si kundër gegëve muhamedanë, ashtu edhe kundër fqinjëve të tyre veriorë, banorëve të egër orthdoksë të Malit të Zi. Mirditorët konsiderohen si më luftëtarët e të krishterëve. Ata të gjithë janë katolikë dhe mburren se janë pasardhës të shoqëruesve e ushtarëve të Skënderbeut (Në original: “The Mirdites are considered the most warlike of the Christians. They are all Catholics, and boast that they are the descendants of thw companions and soldiers of Skanderbeg”), f. 43.
Në faqen 44, Finaly shpjegon gjeografinë ekonomike të Shqipërisë:
“E gjithë Shqipëria, që nga Gjiri i Artës deri te Liqeni i Shkodrës është e ndarë në lugina të panumurta anësore që zbresin nga male shkëmborë, të cilët e bëjnë komunikimin aq të vështirë sa që e kufizojnë tregtinë në pak linja transporti….”
Në faqet 46-47 Finlay ka shpjeguar ndarjet administrative të Shqipërisë gjatë sundimit ottoman: “Ndarjet administrative të Shqipërisë kanë ndryshuar në periudha të ndryshme të historisë otomane, por pozicionet e Shkodrës, Beratit dhe Janinës i kanë bërë këto qytete rezidenca të pashallarëve nga të cilët vareshin përgjithësisht sundimtarët e rretheve të Elbasanit, Dukagjinit, Delvinës, dhe Çamërisë. Këta tre pashallëqe janë mbajtur nga vezirë ose pashallarë të rangut më të lartë. Shumë rrethe – Muhamedane, Katolike dhe Orthodokse, kanë gëzuar një gjysëm-pavarësi lokale të njohur dhe të mbrojtur nga sulltani….”
Elementi shqiptar në revolucionin grek: FUSTANELLA
Në faqen 48 historiani skocez është ndalur posaçërisht për të shpjeguar origjinën shqiptare të fustanellës dhe arësyet se përse dhe kur e huazuan grekët duke u përpjekur që ta përvetësojnë si pjesë përbërëse të veshjes së tyre kombëtare. Finlay thekson se “historia e Revolucionit Grek shpesh do të ishte e errët pa u vlerësuar plotësisht rëndësia e elementit shqiptar, i cili predominonte në shoqërinë ushtarake të perandorisë otomane.”(f. 48) Dhe më poshtë ai vazhdon: “Një shenjë dalluese, ndonëse e vockël, e pozitës së lartë që kishin fituar shqiptarët u demonstrua nga adoptimi i përgjithshëm i veshjes së tyre.
Ndonëse turqit otomanë kishin ndjerë gjithmonë antipati për shqiptarët muslimanë, ata filluan në mënyrë të pavullnetshme të përulen me respekt përpara reputacionit luftarak të mercenarëve shqiptarë. Atëherë u bë e rëndomtë, në Greqi dhe në Maqedoni, që të shikoje fëmijët e osmanllinve më krenarë të veshur me ‘fustinello’ apo fustanellën e bardhë të Toskëve. Më pas, kur Veli Pasha, djali i dytë i Aliut të Janinës, sundonte në More, bile edhe të rinjtë grekë që kishin njëfarë pozite, guxuan ta vishnin këtë fustanellë, sepse ajo u jepte një mundësi të mirë për të mbajtur armë. Armatolët grekë dhe të krishterët e punësuar si policë-roje, bile edhe në More, gjithashtu vishnin këtë uniform me fustanellë. Mirëpo ajo ishte fama e shqiptarëve. Reputacioni ushtarak i armatolëve në atë kohë ishte në rënie dhe ai i suliotëve ishte në ngjitje dhe kjo i shtyu grekët modernë që ta bënin ligjërisht fustanellën shqiptare kostum të tyre kombëtar. Ishte si rrjedhojë e këtij admirimi për Shqiptarinë që oborri mbretëror i Mbretit Otho merr pamjen e tij melodramatike dhe shkëlqen me xhingla-mingla të pavlera që imitojnë keq veshjen e shkëlqyer e të pasur që kishte tërhequr vëmendjen e Çajld Haroldit në galeritë e pallatit të Tepelenës. Mirëpo fustinello-ja prej kambriku mbështillet rreth këmbëve të grekëve si një fund femrash prej letre, ndërsa fustanella e bardhë e Toskëve, e punuar me një produkt të fortë të endur në vegje vendase, binte me pala të hijshme si të perdeve antike.”
Një foto e herëshme që tregon veshjen e një luftëtari të Shqipërisë së veriut me fustanellë.
Por duhet shtuar se fustanella, si pjesë përbërëse e kostumit kombëtar të burrave shqiptarë, nuk përdoret vetëm nga Toskët, por edhe nga Gegët. Pra, është një veshje kombëtare mbarëshqiptare. Për ta vërtetuar këtë mjafton piktura e udhëtarit dhe piktorit anglez Edward Lear e bërë gjatë vizitës së tij në kalanë e Rozafës në Shkodër më 4 tetor 1848, pikërisht në kohën kur Findlay jetonte në Athinë, (në fakt ai ka bërë disa gravura e piktura të shkodranëve me fustanellë), ose tabloja tjetër që paraqet disa burra shqiptarë me fustanellë në Qafë-Krrabë.
Në faqet 49-50 Finlay analizon fuqizimin e Ali Pashë Tepelenës me t’u emëruar në krye të pashallëkut të Janinës.
“Marrëdhëniet e muslimanëve e të krishterëve shqiptarë janë shumë më miqësore se marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit. Shqiptari, ndryshe nga greku, i ndjen lidhjet e kombësisë më të forta se ato fetare. Ndjenjat armiqësore që ai ushqen ndaj otomanëve e kanë burimin në tiraninë e pashallarëve turq dhe në lakminë e pangopur të vojvodëve, kadijve dhe mullahëve turq. Kundër shtypjes nga këta të huaj, vendasit, qofshin muslimanë apo të krishterë, për shumë breza kishin vepruar së bashku….”
Në 14 faqet e fundit të Kapitullit II “Shqiptarët” (faqet 51-64) historiani skocez analizon përbërjen e fisit shqiptar të Suliotëve, veçoritë e karakterit të tyre malësor, marrëdhëniet e tyre me fiset e tjera shqiptare të krahinës, marrëdhëniet e tyre me grekët, në mënyrë të veçantë marrëdhëniet e tyre komplekse me Ali Pashën, fatin e tyre tragjik, si dhe pjesëmarrjen e Suliotëve dhe rolin e tyre në Revolucionin Grek. “Suliotët ishin një degë e Çamidëve, një nga tri ndarjet e mëdha të Toskëve. Përbërja e këtij komuniteti meriton vëmendje.” (f. 51) “U bënë shumë sulme kundër Sulit nga agallarët muslimanë të krahinave të afërta, por të gjitha ato u zmbrapsën me sukses të tillë që suliotët gradualisht fituan namin si luftëtarët më të mirë të Toskëve luftarakë” (f.54).
Më tej, në faqet 60-62 të kapitullit II të librit të tij, Finlay ka përshkruar me hollësi historinë, apo legjendën, e priftit Samuel – një prift shqiptar nga ishulli Andros, i cili u vetsakrifikua dhe u bë hero i Sulit. Prifti shqiptar Samuel i dha fund jetës së tij me rënien e Sulit duke e hedhur veten në erë. “Heroi i Sulit ishte një shqiptar nga pjesa veriore e ishullit Andros; mirëpo duket se ai e kishte fshehur origjinën e tij, sepse një hero në Lindje duhej ta rrethonte veten me një aureolë misteri…. Ai ishte një entuziast në këtë mision; dhe me qenë se ai po bënte punën e Krishtit, atij aq i bënte çkishërimi nga peshkopët servilë grekë” (f. 60).
Në dy faqet e fundit të kapitullit II (62-64) Finlay ka përshkruar fatin tragjik dhe nënshtrimin e suliotëve nga Ali Pasha. Autori e mbyll këtë kapitull me fjalët: “E tillë ishte gjendja e të krishterëve orthodoksë të racës shqiptare, në pashallëkun e Janinës, kur Ali Pasha u deklarua rebel nga Sulltan Mahudi.”
Pastaj në 53 faqet (65-117) e Kapitullit III me titull “Sulltan Mahmudi dhe Ali Pasha i Janinës” George Finlay ka përshkruar me hollësi prejardhjen shqiptare të Ali Pashës dhe të fisit të tij, veprimtarinë e tij deri sa u bë një nga pashallarët më ambiciozë e më të fuqishëm të Perandorisë Osmane, karakterin e Sulltan Mahmudit II, shqetësimin e sulltanit për rritjen e pushtetit të Aliut, shpalljen e Aliut rebel nga sulltani, shkatërrimin e Hormovës e Kardhiqit nga reprezaljet e Aliut, braktisjen e Aliut nga djemtë e tij, rikthimin e suliotëve tek Aliu dhe bashkëpunimin e tyre me të, pastaj bashkimin e suliotëve me grekët dhe rolin e tyre aktiv në revolucionin grek, në fund dhe vrasjen me tradhëti të Ali Pashës, sipas Finlay-t më 5 shkurt 1822 (f. 117). Në këtë kapitull Finlay ka përfshirë edhe anekdotën e Frosinës, mbesës së kryepeshkopit të Janinës, e cila u bë shkak për fundin e saj tragjik dhe të gjashtëmbëdhjetë grave të tjera.
[1]Encyclopaedia Britannica, vol.10, pg. 387 [https://archive.org/details/Encyclopedia_Britannica_1911_Complete]
[2]Oropia ishte një fushë bregdetare midis Athinës dhe Beotisë.
[3]Diacria është emri i lashtë i malësive në verilindje të Atikës që rrethon Fushën e Marathonës.
[4] Në mitologji Phaeton-i ishte gardiani i tempullit të Afërditës
[5] Është fjala për Përmbytjen biblike të Arkës së Noes.
[6]“Phaeton was the first who reigned in Albania after the Deluge, and he came into Epirus with the Pelasgians.—Plutarch”(History of the Greek Revolution, 1861,vol I, b. I, ch. II, p. 34).
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…