Categories: HISTORI/ARKEOLOGJI

Nga historia e tërmeteve tek ne: Tërmeti i vitit 518 kishte shkatërruar sa hap e mbyll sytë 24 qytete-kështjella të Dardanisë!

Nëpërmjet burimeve historike dhe kronikave të kohës, studiues të vëmendshëm kanë zbuluar njoftime të ndryshme dhe në këtë kontekst edhe njohuri të rëndësishme në historinë e tërmeteve. Sipas njoftimeve në fjalë, në vitin 518 një tërmet katastrofik do të godiste Provincën e Dardanisë. Siç njoftoi Marcellin Komesi (c. 480-c. 540), një kronist ilir i asaj kohe i lindur ndoshta afër Shkupit, termeti kishte shkatërruar 24 qytete-kështjella sa hap e mbyll sytë. Midis tyre ishte edhe Shkupi (Scupi), metropoli i Provincës së Dardanisë. Në burimet relevante të kohës, ndër qendrat e shkatërruara përmendet edhe Ulpiana, e cila do të ristrukturohet tërësisht nga Justiniani I (527-565), perandor bizantin me origjinë dardane nga territori në fjalë. Që nga kjo kohë qyteti u quajt Justiniana Secunda.

Kronisti Komes ka shkruar shumë për Ilirikun. Në këtë kontekst, qasja e tij ishte objektive dhe relativisht e plotë, duke ofruar argumente për personalitetet lokale, problemet dhe gjeografinë lokale. Në këtë kuadër hyjnë edhe njoftimet për tërmetin e vitit 518, njoftime që mund të konsiderohen si aksesi i tij i drejtpërdrejtë në burimet zyrtare vendase. Rrëfimi i Komesit për këtë tërmet është unik dhe, sipas standardeve të kronikës, mjaft i detajuar dhe i gjatë. Kjo flet për interesin e veçantë të autorit, ndoshta për shkak se termeti preku rajonin e tij të lindjes. Është e mundur që përshkrimi i tij i detajuar të jetë dëshmi e vetë dëshmitarit okular; por ka më shumë gjasa të bazohet në një raport zyrtar të përgatitur për oborrin perandorak meqë i ngjan raporteve të tjera të tilla. Një ide e fuqisë shkatërruese mund të merret nga tërmeti i fortë që goditi të njëjtën zonë dhe qytetin e Shkupit në vitin në 1963.

Teksti i Marcelin Komes në përkthim të lirë mbi tërmetin e Provincës së Dardanisë në vitin 518:

“Në Provincën e Dardanisë, njëzet e katër kështjella u shembën në të njëjtën kohë nga një tërmet i fortë. Prej tyre, dy u varrosën plotësisht së bashku me banorët e tyre, katër humbën gjysmën e ndërtesave të tyre së bashku me banorët, njëmbëdhjetë kishin një të tretën e shtëpive të tyre dhe po aq njerëz humbën, shtatë kishin një të katërtën e shtëpive së bashku me të gjithë banorët. Në fund, vendet fqinje u braktisën nga frika e shkatërrimit. Sepse metropoli i Scupit (pra, Shkupi si qendër e Dardanisë, J. D.) u shkatërrua plotësisht, megjithëse nuk humbi asnjë nga qytetarët e tij që ikën para armikut të tyre (qytetarët e Shkupit në ndërkohë, para termetit kishin braktisur qytetin duke ikur nga armiku, J. D.). Pjesa më e madhe e maleve të provincës u nda nga ky tërmet, gurët u shqyen nga masivet e tyre dhe pemët u shkulën. Nëpër një gjatësi prej tridhjetë milje toka u ça me një gjerësi prej dymbëdhjetë hapash dhe përgatiti një humnerë të thellë ku ranë shumë nga qytetarët që iknin nga rrënojat e kështjellave dhe shkëmbinjve, ose nga inkursionet e mëtejshme të armikut. Ndërsa, në një nga kështjellat e rajonit të Kanisës, që quhet Sarnonto, nga toka prej shtresave të saja të përvluara si prej një furre të djegur, shpërtheu një curril të vluar dhe të vazhdueshëm uji.”!

InForCulture

Recent Posts

Fundi tragjik i dashurisë mes Sami Frashërit dhe aktores Mari Karyan! Historia e panjohur e dijetarit shqiptar

Armenia e re, nuk mundi ta harronte Shemsedin Samiun, duke u kthyer kështu në Stamboll,…

1 day ago

Seit Frashëri, mik dhe shok armësh me Avni Rustemin

Nga Artur Ajazi Dangëllia, zona më e begatë e Përmetit, është përmendur gjithmonë për patriotizëm.…

1 day ago

Luf’ta e Spanjës/ Përse shkuan 70 vullnetarë nga trojet shqiptare, ja ana e panjohur e Mehmet Shehut

Nga Xhevdet Shehu Lufta e Spanjës dhe vullnetarët shqiptarë Në kalendarin e datave përkujtimore ka…

1 day ago

“National Geographic”, më 1980: Shqipëria, e vetme përballë botës

Teksti dhe fotografitë: Mehmet Biber (reportazh i botuar në revistën National Geographic – vëll. 158, nr. 4,…

1 day ago

Kosovo, 1981: Jeta ndryshe dikur në Kosovë (Video)

Kosovo, 1981: Jeta ndryshe dikur në Kosovë (Video) https://www.youtube.com/watch?v=PeGFbxgiy3M&ab_channel=FMImagesAlbania

2 days ago