Asnjë vepër e traditës sonë skulpturore nuk ka mundur të vijë me këtë fuqi shprehëse të shpirtit tronditës, e të një zemre që rrëmetshëm kërkon të dëshmojë permes krijimit, atë të magjishmen e komunikimit përmes artit. Ky dramacitet i njerëzores është kaq i gjallë dhe kaq depërtues, kaq i trisht dhe real, kaq britës dhe fatal, është ajo që Odhise Paskali zgjodhi si veprën e parë, jo si trokitje, por si goditje me grushte të fuqishme, si gjëmim shpirti dhe aktakuzë në portën e rëndë të kohës dhe zezonave që na përlanë e sakatuan.
Si skulptura, “I urituri”, nuk ka një të dytë në truallin e mjeshtreve të mëdhenj të artit shqiptar. Pesha e saj është jo vetëm ajo e urisë dhe varfërisë, por edhe e shpirtjes për të reaguar dhe artit për ta përjetësuar. Ajo është aq e gjallë sa çdo vdekje që kërcënon të moshuarin, është e sfiduar nga forca shprehëse, me të cilën Odhise Paskali kulmoi në ngulmin për të hyjnizuar çfarë krijimi frymon.
“I urituri” është vepra e parë në skulpturë e Odhise Paskalit dhe një nga kryeveprat e skulpturës shqiptare. U realizua në vitin 1924 në Torino. Deri në 1939 vepra gjendej në Pallatin Mbretëror. Më pas u mor nga Italianët si plaçkë lufte dhe ende gjendet atje.
Për këtë vepër me vlerë vet Odhise Paskali tregonte:
“Jam frymëzuar nga plaku, që pashë të vdiste nga uria, në ullishtat e Vlorës, në vitet kur shqiptarët iknin nga Pogradeci, Përmeti e qytetet e tjera dhe gjenin strehim në Vlorë, nga ku kishin shpresë të kalonin në Itali. Po punoja këtë portret, që është me madhësi reale, kur nga porta që ishte gjysmë e hapur mu afrua një vajzë 5-vjeçare, tregon ai. Ajo u afrua te puna që po punoja dhe më pyeti:
-Ç’ka ky plak që është kështu?
-Është i uritur, i thashë, nuk ka të hajë.
Nuk tha asnjë fjalë dhe doli. Pas pak u kthye me një copë bukë në dorë dhe tha:
-Jepja ta hajë, dhe doli.
Ngela i emocionuar me copën e bukës në dorë, por me kënaqësinë se ishte një ogur i mirë për rrugën e artit që kisha zgjedhur”.
Dhe vërtetë, ai kishte lindur për të përjetësuar në art vlera që do të sfidonin regjimet dhe kohën. Kjo shkreptimë lajmëronte ardhjen në artin shqiptar të një “shenjtori”, të një talenti të jashtëzakonshëm, një shpirti që driti përfytyrimet e harrimit duke i diellzuar në memorien e gjeneratave, përmes artit, që mbeti i madh dhe i pakrahasueshëm.
Odhise Paskali nisi me “I urituri” dhe nuk arriti të na e shuaj dot urinë e krenarisë sonë kombëtare, edhe pse një jetë të tërë ai lindi nga shpirti i tij korifenjt e historisë sonë, për të bërë ata të pavdekshëm dhe për ta blatuar shpirtin e tij në themelet e kësaj përjetësie që çdo ditë na magjeps.
Albert Vataj
Jeni ose një lëvizës i këmbëve ose dikush që irritohet shumë nga kërcimi i…
Termi djathë zviceran nuk i referohet nga vjen djathi, por lloji i djathit, ose…
Deva ishte politikan me prejardhje nga qyteti i Mitrovisë. Ai gjithashtu ishte ministër i…
“Oral History Kosovo” në profilin e tyre zyrtar në “Instagram”, kanë publikuar fotografi nga…
Për shumë njerëz ky është një lëng që funksionon kundër kollës dhe problemeve me…
Shurupi i mollës është një nga lëngjet më të shëndetshme që mund të konsumoni…