Thonë u shtri, e thonë u vra, Po ti s’vdiqe, or Baba, As te shkëmb’ i Dragobisë, As te zëmr’ e Djalërisë. As je vrar’ e as po vritesh Legjendar Ante po rritesh. Dithiramb i Dragobisë, Tmerr, panik i mizorisë. Këto vargje janë pjesë e elegjisë që Fan Noli ka end për vdekjen e Bajram Currit, më 29 mars 1925.
Ndërsa kanë kaluar kaq vite, ende e vërtëta e vrasjes së bujshme rri pezull mbi mitikën e atyre maleve të Dragobisë sot e asaj dite, si për të ngasur kureshtinë, e trazuar prej amshimit legjendën, Bajram Curri. Megjithëse bashkëkohësit kanë patur të gjithë të mundshmen për të rrëfyer çfarë ka ndodhur në Shpellën e Dragobisë 29 marsin e vitit 1925, ende nuk është thënë fjala e fundit. E vranë të pagurit nga Ahmet Zogu, apo u vetëvra për të mos u dorëzuar i gjallë, duket se alibia e këtyre dy mundësive është më e fortë se çdo trillim, apo gojim, i cili prirur nga shumë ndikesa, ose i kërcënuar nga koha, nuk arriti deri në ditët tona si e vërteta e të vërtetave që i rrethvijnë fikjes së frymës së fundit të këtij legjendari.
Një histori e denj për të kapërthyer kufijtë e mitit. Sot pas 92 vitesh, qëkur kjo piskamë e thekshmë bjeshkësh, ky trazim i makthshëm i një vdekjeje, mjegulla që i rrethvjen është ende e trashë, si vetë hukama e bjeshkëve në Dragobi. U vra apo u vetvra? Kush e vrau Bajram Currin? U tradhëtua dhe pse? Ishin shqiptar apo serbë ata që e ndoqën deri ku ai hoqi shpirt? Janë këto pikëpyetje që mbajnë të gozhduar të vërtetën e bujshme të kësaj ngjarjeje. Ngase është thënë, është dëshmuar dhe përfolur nëpër malësinë e Gjakovës, e pamundur mbetet të mos zbardhet e vërteta. Dikujt i ka interesuar dhe vazhdon t’i interesojë, që Kutia e Pandorës të mbetet e mbyllur përgjithnjë.
Profili i veprimtarit
Bajram Curri mbamendet si një ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës që daton 1899-1900, veprimtar i saj për autonominë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Rreth këtij personazhi mbetet merita e të qenit drejtues kryesorë në kryengritjet kundërosmane në periudhën 1908-1912, që u finalizuan me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912. Ai shprehu energjikisht papajtueshmërinë me vendimet ogurzeza të Konferencës së Londrës së 1913, marrëvesha hijenash që i’a shkulën shtetit të pavarur shqiptar si gjymtyrët, Kosovën dhe treva të tjera shqiptare lindore e jugore, duke e lënë të lëngojë gjymtimin. Ishte 1918 kur Bajram Curri u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” duke qënë vrulli më i hovshëm i këtij solidariteti, këtij kushtrimi. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol në qeverinë e asokohëshme të drejtuar nga Sulejman Delvina.
Më 2 janar 1925, Bajram Curri mbledh parinë e Krasniqes dhe një ditë më pas deklarohet besa e Krasniqes për me i kundërshtue çdo mësymjeje qeveritare. Më 8 janar, rreth agimit, forcat e Bajram Currit nga Krasniqja mësyjnë Gashin, e mbas një luftimi ku mbetën 10 të vdekun e një i plagosun nga forcat qeveritare dhe një i vrarë e një i plagosur nga mbështetësit e Currit, Bajram Curri merr vetëm Tropojën, qendrën e Gashit. Më 9 janar, fuqia e Currit nga Tropoja niset për në Bytyç duke patur për objektiv Krumën, qendrën e Prefekturës së Kosovës, ku kishte nisur dhe forca të tjera nga Krasniqja, duke paraqitur kështu një kërcënim serioz për stabilitetin e shtetit.
Për të shuar këtë rebelim të ri në Veriun e Shqipërisë, Ahmet Zogu, që në atë periudhë ishte kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, kishte emëruar komandant Operacioni për Veriun, Ceno Beg Kryeziun, kurse vëllanë e tij, Hasan Kryeziun, prefekt të Kosovës (nënprefekturat Lumë, Has, Malësia e Gjakovës).
Pas dështimit të Revolucionit të qershorit të 1924 , sipas dëshmive të përftuara nga dëshmimet dhe komunikimi mesvedi i zyrtarëve të asokohëshëm, Bajram Curri, i rrethuar nga trupat zogiste dhe serbe të prirë nga Ceno Kryeziu, kreu vetëvrasje në Shpellën e Dragobisë më 29 mars 1925 për të mos rënë në duart e armiqve. Ato gjysmë të vërteta që kanë qarkulluar nën zë, brez pas brezi në Malësinë e Gjakovës të kthyera tashmë në legjenda thonë se për vrasjen e tij ishte vënë një çmim, dhe ishin me qindra ata që i ishin vënë pas. I gjendur pa rrugëdalje, burri i Malësisë ka hequr xhamadanin për të mos e njollosur me gjak dhe me një plumb në kokë i ka dhënë fund jetës. Zëra të tjerë thonë se Ahmet Zogu nuk ka pasur gisht në vrasjen e tij, i vetëdijshëm se një veprim i tillë do të nxiste tërbimin e malësorëve që e admironin heroin e tyre. Thuhet se u vra nga bejlerët e Gjakovës në pabesi, në shpellë.
As deponimi i të vetëdorëzuarit Shefqet Draga në zyrat e prefekturës së Kosovës më 3 prill 1926, i cili pretendon të ketë qenë me Baca Bajramin deri pak momente para se të shuhej, nuk mbetet dhe aq bindëse. Kjo për arsyen se ai në procesverbalin e deponimit, dosje 33 me 11 fletë me 18 pyetje-përgjigje, (mungojnë 3 fletë, ndoshta vendimtaret për zbardhjen e misterit që mban të kyçur këtë vrasje), qaset më shumë të kapet pas të vërtetave që hamendet se mund t’i shpëtojnë kokën se sa të zbardhë besnikërisht se çfarë kishte ngjarë. Një arsye tjetër që e mbulon me mëdyshje këtë të vërtetë të bashkëluftëtarit të Bajram Currit është kërcënimi me litar, të cilit i bëhet me dije që në fill të rrëfimit, se gjoja për dëshmi të rreme ka për t’u dënuar nga gjyqi ushtarak me varje.
Në gjithë këtë hambar dëshmishë, librash të publikuar, bibliografishë e çmos tjetër, duket se çelësi i së vërtetës, ai që mban të mbyllur Kutinë e Pandorës është xhamadani i pagjakosur, të cilin të gjithë e pretendojnë se u gjet pranë trupit pa jetë të Bajram Currit.
Me interes është dokumenti i datës 2 maj 1930, (shkruahet në një të përditshme një vit më parë), me të cilin zavëndësisht Komandant i Përgjithshëm i Gjindarmërisë, Major Muharrem Bajraktari, i përcjell Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkresën e datës 12 prill 1930, të Komandës së rrethit Tropojë, ku njoftohet për ardhjen në Çerem e Dragobi të dy të arratisurve nga Jugosllavia, të shtyrë nga bajraktari i Krasniqes, Sali Mani, për të vrarë vrasësin e Bajram Currit, me argumentin e të drejtës zakonore se “na ka pre Bajram Begun tuej kenë Miku i jonë”.
Gjithqysh, 92-vite duket se vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme për të zbardhur të vërtetën, një të vërtetë ndryshe nga ajo me të cilën është ushqyer opinioni publik, janë faktuar faqet e historisë, e cilas mund të jetë edhe vetë e vërteta e pamohueshme.
(Teksi i materilit është përpiluar nga koncentrimi i tekstshkrimeve të kohëpaskohëshme për legjendarin Bajram Curri, por kryesisht për vdekjen e tij, e cila vijon të mbetet mister. Kush ka diçka për të shtuar, ose ndonjë mënyrë më plotë të trajtimit mudn të kontaktojë në email: albertvataj
JEHONA E AZEM BEJTËS NË SUEDI Duke shfletuar arkivin e gazetës suedeze Svenska Dagbladet te…
BESA. HISTORIA E NËNËS QË MBROJTI NË BESË, VRASËSIN E TË BIRIT Besa, para së…
Ekspertët thonë se njerëzit nuk duhet ta lënë asnjëherë qumështin në derën e frigoriferit,…
Niveli i lartë i yndyrave në gjak rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës…
A ishin qytetet si Apollonia dhe Bylisi grekë, apo ilirë? Ky është një debat i…
Halim Dauti është një figurë e njohur jo vetëm në fshatin Vllahi, por edhe në…