Nga: Noel Malcolm
Përktheu: Daut Dauti
Njëqindvjetori vjen së shpejti: më 1 nëntor 1922, Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë e shfuqizoi Zyrën e Sulltanit. Rreth 600 vjet të historisë perandorake otomane, morën fund. Sulltani i fundit, Mehmeti VI, u kontrabandua nga Stambolli nga garda britanike, duke përfunduar si mysafir i Musolinit në resortin e qytetit San Remo. Ai do të vdesë aty pas katër viteve, aq i varfër saqë autoritetet italiane ia konfiskuan arkivolin derisa nuk u pagua borxhi ndaj një tregtari lokal.
Tri ditë pas shfuqizimit të sulltanatit, një gazetar dhe politikan prominent, Ali Kemal, qëndronte ulur në karrigen e berberit në një hotel të Stambollit, kur një grup i njerëzve e rrëmbyen dhe e futën në veturën që priste jashtë. Trupi i tij u gjet dy ditë më vonë; ishte rrahur, fytyra ishte e shtypur me gurë dhe pastaj ishte varur. Ai la në Angli djalin e tij 13 vjeç të quajtur Osman Wilfred, i cili do të rritej me mbiemrin Johnson – stërnipi i të cilit do të bëhet kryeministër i Britanisë së Madhe, deri me rënien e tij më pak të dhunshme më 2022.
Ali Kemali paraqitet shkurtimisht në librin e ri të rëndësishëm të Ryan Gingerasit, kurse arsyeja e paraqitjes nuk ka të bëjë asgjë me stërnipin e tij (një lidhje e cila me vetëpërmbajtje të ashpër të Gingerasit, nuk përmendet). Pikëpamja e gjerë e asaj se çfarë ka ndodhur në Turqi më 1922, është se rendi i vjetër pa efekt, i personifikuar me sulltanin dhe politikanët e oborrit të tij, të përkrahur nga reaksionarët, më në fund ishte nxjerrë anash pasi që modernizuesit dhe sekularët e udhëhequr nga Kemal Ataturku, kishin marrë pushtetin. Ky ka qenë momenti kur programi kolosal i Mustafa Kemal Ataturkut për reforma perëndimore, më në fund kishte filluar – duke e çuar Turqinë në shekullin XX.
Por, Ali Kemali është i rëndësishëm për shkak se ishte intelektuali më liberal dhe më perëndimori që do të dëshironit – dëshmohet me martesën e tij me një angleze (nejse, anglo-zvicerane), anglofilinë e thellë kulturore dhe politike, fjalimet e fuqishme denoncuese ndaj përgjegjësve për vrasjet masive të armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore dhe sulmeve ndaj korrupsionit – të shkruara në një prozë gërryese të një gazetari të lindur. Megjithatë, ishte vrarë për shkak se e kundërshtoi Ataturkun dhe tërë lëvizjen nacionaliste që tashti po vinte në pushtet.
Për observuesin e rëndomtë, të ushqyer vetëm me pretendimet standarde të Turqisë moderne, kjo duket si kontradiktë e çuditshme. Por, kur i dilni në fund librit të Gingerasit, e kuptoni pse dikush si Ali Kemali ka marrë atë pikëpamje, derisa po ashtu duket se kjo e vendosë atë (për ta përdorur këtë frazë të diskutueshme) në anën e gabuar të historisë. Ky libër nuk është sulm i ashpër ndaj Ataturkut; përkundrazi, e demonstron natyrën e arritjeve të tij. Por, qëllimi i tij kryesor është shpalosja se sa e tmerrshme ishe situata politike në Turqi në vitet e pasluftës dhe sa ishte e pamundshme për secilin që të formonte plan të qartë dhe të arsyeshëm se çfarë lloji i shtetit do të bëhej.
Disfata e vitit 1918 çoi jo vetëm te okupimi i Stambollit nga Aleatët (poshtërim i madh), por edhe te pushtimi franko-britanik i territoreve kryesore të Perandorisë Otomane të privoncave arabe. Pak a shumë, kjo ka lënë territorin e cunguar që sot e njohim si Turqi.
Diplomatët perëndimorë, me mendje të zakonshme, kanë mundur të mendojnë se kjo ka zgjidhur shumë probleme, duke krijuar shtet nacional të menaxhueshëm për turqit; por, parimi i ‘shteteve nacionale’ ka tjetër rezonancë për kurdët dhe në të vërtetë edhe për armenët e mbijetuar.
Përndryshe, kush ishte për t’u llogaritur si ‘turk’? Një përgjigje e zakonshme ka qenë: myslimani refugjat, i cili flet turqisht. Që nga mesi i shekullit XIX, një numër tejet i madh i refugjatëve myslimanë kishin shkuar në Turqinë qendrore. Shumë kishin shkuar nga shkatërrimi gradual i Perandorisë Otomane në Ballkan, por deri në një milionë kishin ikur nga pushtimi rus i Kaukazit. Disa u asimiluan e disa jo; disa u joshën nga retorika e re ‘shtetësia otomane’ – që kishte të bëjë me parimin e lojalitetit ndaj perandorisë – kurse disa u ngjitën pas pikëpamjes së ngushtë religjioze të sulltanit si kalif i emëruar në mënyrë hyjnore të prijësisë feudale. Por, shumë prej tyre, të përzënë nga atdheu nga forcat e krishtera, e sollën me vete një armiqësi të re ndaj të krishterëve – përfshirë grekët, armenët dhe arabët e krishterë të Turqisë qendrore. Nëse këta të krishterë më herët kishin arsye ta përqafonin identitetin nacional otoman multi-religjioz, shumë shpejt e gjithnjë e më pak patën arsye që të ngjiten për të.
Në këtë kuti llamarine, në maj të vitit 1919, Aleatët hodhën një mjet ndezës: e lejuan armatën greke që ta invadonte dhe okuponte qytetin Smirna (Izmirin). Pasoi një luftë e përgjakshme, pasi që forcat nacionaliste turke – të komanduara nga Ataturku dhe të mohuara nga sulltani – u përgjigjën me luftë. Më 1921 grekët avancuan gati deri në Ankara, në zemër të Turqisë; megjithatë, ende kishte turq që ishin tejet armiqësorë ndaj Ataturkut. Pse?
Për Ali Kemalin, poenta kryesore ishte se Aleatët kishin fuqi ndaj Turqisë dhe se, nga kjo, ishte e nevojshme të punohej me ta (veçanërisht me Britaninë). Ai, po ashtu i denoncoi lidhjet e lëvizjes së Ataturkut me xhonturqit, të cilët e kishin çuar vendin në humbje në Luftën e Parë Botërore dhe kishin masakruar aq shumë të krishterë. Pastaj, kishte minoritete myslimane, siç janë kurdët dhe refugjatët nga Kaukazi, të cilët frikësoheshin se nacionalizmi i ri dhe i ngushtë turk së shpejti do t’i merrte edhe ata në sy. Dhe, kishte myslimanë tradicionalë të shokuar nga eliminimi i sulltanit-kalifit, të cilin Ataturku e kishte bërë si një kukull – tradhtar i Perëndimit. Madje, juristët më eminentë myslimanë otomanë kishin nxjerrë fetfa që e dënonte Ataturkun me vdekje për braktisje nga feja.
Ryan Gingeras e rrëfen këtë tregim me qartësi, aq sa lejon dendësia e zhvillimeve; ai merr qasje të drejtë ndaj kësaj çështje, por duke mos i ndriçuar kurrë vuajtjet e tmerrshme njerëzore që dolën nga secila anë. Turqit për një kohë të gjatë janë trajtuar në mënyrë tejet të thjeshtësuar në historinë bashkëkohore. Ky libër na e mëson fillimin e diturisë, që është se shumica e historisë njerëzore, siç ka ndodhur në të vërtetë, është rrëmujë hutuese e tmerrshme. /Telegrafi/
‘The Last Days of the Ottoman Empire’ është botuar në Londër nga Allen Lane.
Ilustrimi me titullin frëng “LE CHÂTIMENT D’UN IVROGNE EN ALBANIE” nuk është thjesht një skenë…
Shkencëtarë nga Koreja e Jugut kanë arritur një zbulim të rëndësishëm në luftën kundër…
Uji përbën rreth 60 përqind të trupit tonë dhe është thelbësor për rregullimin…
Menaxhimi i tensionit të gjakut është thelbësor për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme.…
Udhëpërshkruesja dhe shkrimtarja e njohur Edith Durham, në vitin 1923, në revistën “Man” që e…
Marrë nga profili i Ledjan Zeqollari Me 9 dhjetor 1913 Faik Konica i shkruante Princ…