Categories: KULTURË

Kënga popullore si version i historisë orale

Kënga popullore historike është variant i rëndësishëm i historisë së përgjithshme të një kombi, vendi etj. dhe gjithsesi varianti më bindës për sa i përket historisë orale.

Shkruan: Hysen MATOSHI, Prishtinë

Shkrimi i historisë përfaqëson qëndrimin që krijohet në raport me të kaluarën. Shpeshherë në shkrimin e historisë kombëtare ka luajtur rol të rëndësishëm edhe vizioni për të ardhmen. Ta zëmë, glorifikimi i të kaluarës u hynte në punë rilindësve tanë për të mobilizuar potencialin kombëtar për krijimin e shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, një historiografi me premisa vlerësuese ideologjike gërmonte në të kaluarën tonë për të gjetur gjurmë të shembujve të drejtësisë sociale. Historiografia shqiptare në ish-Jugosllavi ndodhej nën trysninë e historiografisë zyrtare sllave me qëllim që të modifikonte të kaluarën e shqiptarëve, duke i vlerësuar me kritere të ndryshme periudhën historike nën Perandorinë Osmane si robëri dhe atë nën Jugosllavinë si çlirim nga zgjedha shekullore osmane. Me një fjalë, versionimi i shpeshtë i historisë kombëtare është dëshmi se secila kohë e shkruan historinë e saj, herë duke predimensionuar ngjarje e personalitete e herë duke i minimizuar e madje edhe ekskomunikuar plotësisht ato. Kjo përzgjedhje e argumenteve përbën bazën mbi të cilën ngrihen versionet e historisë, të cilat shpeshherë shfaqen në parimin e mohimit të plotë të versionit paraprak, përkatësisht në përmbysjen e plotë të tij. Një histori e shkruar mbi bazën e qëmtimit kritik të materialit historik, vjeljes së tij prej burimeve të ndryshme, interpretimit të paanshëm dhe argumentimit mbi bazën e metodologjisë moderne shkencore në kontekstin e sotëm është veçse një dëshirë e mirë, për realizimin e së cilës me gjasë do të presim edhe një kohë.

Megjithatë, ka edhe një version të konceptimit të historisë, që nuk i nënshtrohet modës së modifikimit rrënjësor dhe që ruan një koherencë në planin e vlerësimit të ngjarjeve, pasojave të tyre, vlerësimit lidhur me rolin e personaliteteve kyçe etj. Fjala është për historinë orale, e cila, ndonëse ka mbijetuar në trajta të ndryshme deri në ditët e sotme, mes nesh njihet në mënyrë më të plotë në saje të epikës popullore historike. Për të mos krijuar keqkuptime, me këtë vlerësim nuk synojmë të themi se ky version i historisë është, në mënyrë të padiskutueshme, i vërtetë. Po e vëmë theksin vetëm te fakti kjo kujtesë, se si produkt i vetëdijes kolektive, është e pandikueshme dhe rezistuese ndaj modelimeve të jashtme dhe kjo e shton besueshmërinë në këngën popullore historike, përkatësisht në variantin e historisë që rrëfehet nëpërmjet saj.

Vlerat e këngës popullore historike janë çmuar nga albanologët dhe në mënyrë të veçantë nga studiuesit që janë marrë me folklorin shqiptar. Kështu, në projektin prej 15 vëllimesh të Visareve të Kombit këngët historike zënë vend të veçantë, ndërsa krijimi i institucioneve kërkimore i dha shtysë mbledhjes, botimit dhe studimit të kësaj materieje. Instituti i Kulturës Popullore, tani Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit, në Tiranë dhe Instituti Albanologjik në Prishtinë kanë dhënë një ndihmesë të madhe në këtë drejtim. Për të mos u zgjatur shumë, po theksoj se ndër 27 blejtë deri tani të botuar në kuadër të Projektit për botimin e folklorit letrar, Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik i ka kushtuar vëmendje të posaçme këngës historike, e cila ka gjetur vend trajtimi në blejtë Këngë popullore të Rilindjes KombëtareKëngë të ndryshme popullore dhe pa dyshim ndërmarrja më e plotë është realizuar në vitin 2007, kur u botuan katër vëllime me këngë historike shqiptare, që trajtojnë ngjarje e personalitete, duke filluar nga Lufta e Kosovës më 1389 e deri te fundi i Luftës së Dytë Botërore, të cilat përmbajnë një material të përzgjedhur prej rreth 1800 faqesh.

Botimi i këtillë është kurorëzim i një pune të gjatë, të shoqëruar me plot vështirësi e sakrifica, me të cilat u përballën, për vite me radhë, kolegët tanë të vyeshëm: dr. Rrustem Berisha, dr. Fazli Syla, dr. Sadri Fetiu, dr. Adem Zejnullahu dhe mr. Jahir Ahmeti, pa e lënë anash ndihmesën e gjithanshme që ia dhanë realizimit të këtij projekti bashkëpunëtorët e jashtëm të Institutit Albanologjik, pa kontributin e të cilëve vjelja e materialeve në terren do të ishte pothuajse e pamundshme.

Puna rreth epikës sonë historike ka qenë një sfidë shumëfish më e vështirë krahasuar me punën rreth llojeve të tjera të letërsisë sonë popullore. Përveç me dhëmbin e kohës, që, sikundër dihet, e rrezikon përgjithësisht krijimtarinë popullore, bartësit e këtij projekti shpeshherë u përballën edhe me kufizimet që ua impononte politika e pushtuesit, e cila, duke i censuruar këngët popullore shqiptare mbi ngjarje e figura tona të dalluara kombëtare, dëshironte ta censuronte të vërtetën për shqiptarët e mbetur nën skllavërinë sllave, ta mohonte historinë e tyre dhe, rrjedhimisht, edhe të drejtën për të qenë zotë të kësaj toke.

Katër vëllimet e këngëve popullore historike, të sistemuara me një rend kronologjik, që përbëjnë një version të historisë sonë, parashihet të plotësohen në vitet vijuese edhe me dy blej të tjerë të periudhës së historisë sonë më të re.

Duhet vënë në pah faktin se versioni i historisë, i bazuar në këngët popullore, nuk e ka anë të fortë aspektin e vendosjes së saktë kohore të ngjarjeve dhe atë të dhënave statistikore lidhur me to. Madje, duke trashëguar shumëçka nga epika legjendare, edhe në këngët historike ndeshen mjaft elemente hiperbolistike, gjë që i largon ato ndjeshëm nga realiteti objektiv. Për rrjedhojë, heronjtë historikë marrin tipare të heronjve legjendarë e mitologjikë, ndërsa këngët historike mbesin këngë të heronjve dhe në raste të rralla të ngjarjeve pikërisht sikundër këngët legjendare identifikohen me një hero a kryehero të tyre, duke formësuar edhe cikle të veçanta për ta.

Pra, megjithëse nuk mund të mësohen nga këngët popullore statistikat, prej tyre mund të kuptohet fryma e ngjarjeve, vlerësimi i përgjithshëm për personalitetet historike, preokupimet kryesore të kohës, me një fjalë esencat e gjithëpranueshme. Në këto drejtime kënga popullore historike është pothuajse e pagabueshme. Historia e kombit shqiptar, e shkruar qoftë  nën ndikimin e faktorëve politikë vendorë, qoftë nën ndikimin e faktorëve rajonalë e globalë, në mjaft raste, ka nxjerrë përfundime krejtësisht të kundërta nga kënga jonë popullore historike dhe kjo gjë ka shkaktuar hutim në opinionin e gjerë.

Është thënë se historinë e shkruajnë fitimtarët  dhe se e shkruajnë në frymën e triumfit, pastaj vijnë fitimtarët e tjerë dhe edhe ata nga fillimi e shkruajnë historinë për lavdinë e fitores së tyre. Populli, shtresat e gjera, mbajnë mend vetëm historinë së cilës i besojnë, pa u ndikuar nga historitë e proklamuara me pompozitetin e fitimtarëve. Ndaj them me bindje se, sa herë të humbim rrugën në labirintet e faktografisë – në detin e madh të të dhënave kundërthënëse, në historinë orale kemi një gur kilometrik, një shenjë orientuese për ta gjetur e rigjetur të vërtetën shkencore.

Pa asnjë dyshim, edhe periudha e përzgjedhur për trajtimin e historisë orale, e ka të zhvilluar dimensionin e këngës popullore. Vitet 1944-1966 karakterizohen me zhvillime dramatike për shqiptarët e mbetur nën ish-Jugosllavinë. Viti 1944 shënon ripushtimin sllav të Kosovës dhe të viseve të tjera etnike shqiptare përreth saj, pas më se tri vitesh të ekzistimit të saj nën sundimin fuqive fashiste-naziste, si fuqi sunduese globale të kohës, pushteti i të cilave mbi shqiptarët u përjetua si një çlirim, veçmas në raport me periudhën paraprake të Mbretërisë Jugosllave, por pse jo edhe me Jugosllavinë komuniste, e cila, sa i përket trajtimit të shqiptarëve, pothuajse tërësisht, i kishte trashëguar praktikat shtypëse të Jugosllavisë së vjetër. Ishte ky viti kur Kosova dhe viset e tjera shqiptare u vunë nën administrimin klasik ushtarak dhe si pasojë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh u vranë, u dënuan me burgime shumëvjeçare, u shpronësuan, u dëbuan nga vatrat e tyre etj. Megjithëse të gjithë popujt e Jugosllavisë kishin marrë pjesë në strukturat pushtetore të periudhës së nazi-fashizmit vetëm shqiptarët u dënuan kolektivisht për bashkëpunim me okupatorët. Fitorja e Luftës Antifashiste, për të cilën dhanë kontribut edhe shqiptarët, kudo në Europë shënonte fundin e vuajtjeve dhe vdekjeve masive, përjashtimisht te shqiptarët, të cilët në agun e “lirisë” po përjetonin tmerret e shekullit. Dhjetëra mija të vrarë në muajt e parë të çlirimit, suprimimi i të gjitha të drejtave kombëtare e arsimore, që shqiptarëve ua kishin njohur madje edhe pushtuesit italianë e gjermanë, revidimi i plotë i dokumenteve që adresonin aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për liri e bashkim kombëtar, shtypja e egër sociale, përdhosja e të gjitha shtresimeve identitare etj. ishin vetëm disa nga treguesit e stuhisë së tmerrshme që po i priste shqiptarët. Administrimi ushtarak, reforma agrare – shpronësimi i shqiptarëve dhe kolonizimi me elementin sllav, që do të pasohej nga mbyllja e çdo komunikimi me shtetin amë më 1948, pastaj nga “otkupi” si formë kriminale e veprimit të pushtetit sllavo-komunist ndaj ekzistencës fizike të shqiptarëve, që për vite të tëra mbolli zinë e bukës, shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi dhe veçmas kjo dhunë e pashembullt do të kulmonte me aksionin më famëkeq të mbledhjes së armëve në popull. Dokumente të shumta historike dëshmojnë për këto zhvillime. Megjithatë, edhe krijuesi popullor i ka kushtuar vëmendje kësaj periudhe. Në këtë rast, në përputhje me përkufizimin kohor të materies dhe mundësinë që ofron një kumtesë si model trajtimi, do të ndalemi vetëm te tri këngë popullore, në të cilat dalin në pah veçantitë themelore të kësaj kohe: së pari, vend trajtimi në to gjen zhvillimi më kulmor dhe më dramatik i dhunës mbi shqiptarët – aksioni i mbledhjes së armëve, mënyra se si u zbatua ai dhe, së dyti, pasoja e kësaj dhune – spastrimi etnik i Kosovës nga shqiptarët nëpërmjet shpërnguljes së tyre në Turqi. Këngët adresojnë gjithë esencën e këtyre zhvillimeve, shprehin qëndrimin e gjeniut popullor në raport me to, por në raste të caktuara edhe përçojnë njëfarë mesazhi – porosie lidhur me atë se çfarë duhet bërë më tej. Kuptohet përzgjedhja e këtyre tri këngëve nuk nënkupton gjithëpërfshirjen e krijimeve me këtë tematikë, ngase, dihet mirëfilli, ajo është shumë më e pasur se kaq.

Fillimisht do të ndalemi te një këngë popullore historike që e trajton aksionin famëkeq të armëve. Fjala është për këngën, e cila haset në trajta të ndryshme titullore, në të shumën e herëve si Kënga e Haxhi Tishukit, por në disa raste edhe si Kënga e Rankoviqit, duke u identifikuar në rastin e parë me protagonistin që pëson në këtë valë dhune (Haxhi Tishukin) dhe në rastin e dytë me ideatorin dhe zbatuesin e saj (Aleksandar Rankoviqin). Se ishte ndër krijimet popullore më të përhapura dëshmon fakti se ajo u bë pjesë e repertorit të një numri të konsiderueshëm këngëtarësh e për rrjedhojë edhe u krijuan variantet e saj, të cilat, për sa i takon interesimit tonë, nuk kanë ndonjë peshë të madhe diferencuese. Në këtë rast është përzgjedhur varianti i kënduar nga Musë Hertica. Kënga i ka 260 vargje në tetërrokëshin popullor. Pjesa e parë e saj përshkruan klimën e përgjithshme të zhvillimit të aksionit të mbledhjes së armëve, dhunën sistematike që u ushtrua mbi tërë popullatën, pa dallim nëse ishte e pajisur apo jo me armë, duke vënë në krye të saj edhe përcaktimin kohor të ngjarjes (Pesdhetegjashta, vër. viti 1956) dhe projektuesin e zbatuesit e saj (Rankoviqi me shoqni):

O, a po ngoni o vllazi,

Do t’jav knojmë nji histori.

Pesdhetegjashta kur ka mrri,

Janë diftu ni rrem hafi,

Rankoviqi o me shoqni,

Ranë Kosoves o bitevi,

Nam po bajnë n’shiptart e zi.

Po i munojnë shiptart e ngrat,

U lypin pushkë e automat,

Kush e pat edhe kush s’e pat,

Shtritë po i lanë nëpër sokak,

O, britë e tyne, o pikun gjak.

Më tej në këngë ofrohet dimensioni i tmerrit që e kaplonte familjen qysh në rastin kur dikush ftohej në stacionin policor, me qëllim që t’i dorëzonte armët. Dhuna, përveç dëmtimeve fizike të të keqtrajtuarve, sillte edhe pasoja psikike në familjet e tyre dhe përgjithësisht krijonte klimën e frikës, të një pasigurie dhe të bindjes se kush binte në dorën e udëbësë së Rankoviqit, kishte gjasë të mos kthehej më i gjallë në shtëpi.

E, kur po i thërrasin, o për stanica,

Kuj po i vike letërthirrja,

Britshin robt e kajshin thmija,

Ma s’na vjen baba te shipja.

Ma s’na vjen baba n’shpi,

Rankoviq, o kofsh o i zi,

O që shkepe munafiki,

Te mbarë poplli n’Jugosllavi,

O n’Kosovë e n’Metohi,

O i le nanat me dur n’gji,

Edhe babat o pa djelmni,

O i le motrat o pa vllazni.

Pasojat e mëdha, që sillnin veprimet e këtilla, mbi të cilat kulmonte edhe vrasja e individëve të shquar të trevave të ndryshme, bën që poeti popullor të shfryjë mllefin ndaj ekzekutorit kryesor, duke e mallkuar për të gjithë këto të këqija:

E, Rankoviq more t’gjettë e liga,

T’hupi kerri o me dy biga.

O, për kshtu s’të ka msu partia,

Ty s’të ka msu partia e jonë

Se në luftë biro, kur jem kanë,

Lufta t’drejtat, o na i ka dhanë,

O, me e ndertu na vendin tonë.

Gjeniu popullor e zhvendos me këto vargje vëmendjen e dëgjuesit nga situata konkrete, në një trajtim përgjithësues, atë që lidhet me të drejtat kolektive e historike të shqiptarëve, me të drejtën për ta ndërtuar vetë të ardhmen e tyre, ndaj qëllimshëm identifikohet me vetën e parë të shumësit: …na i ka dhanë, me e ndertu na vendin tonë etj.

Krijohet përshtypja sikur e gjithë kjo pjesë hyrëse është në funksion të përgatitjes së kontekstit skenik, ku do të vendoset ngjarja konkrete, fati i protagonistit Haxhi Tishuki, i cili pësoi në këtë kohë të keqe, rrjedhojat dhe reagimin e mëpastajmë të të birit, Hisenit, kur kupton se kush ishte fajtori. Megjithatë, më parë mund të thuhet se e gjithë ngjarja konkrete që pason është vetëm një shembull ilustrues për pësimin e përgjithshëm kombëtar të shqiptarëve atëbotë. Madje, në këngë, krahas historisë së Haxhi Tishukit, përmendet edhe përfundimi tragjik i Shaban Sadikit, por është e vërtetë se anembanë Kosovës dhe trojeve etnike shqiptare në ish-Jugosllavi pati edhe shumë shqiptarë të tjerë, të cilët vdiqën nga torturat fizike e psikike të ushtruara ndaj tyre në kohën e tmerrshme të aksionit të armëve, apo, siç njihej ndryshe, në kohën e Rankoviqit. Të tjera personazhe të kësaj kënge janë Januz Hakli, si mishërim i pabesisë, tradhtisë dhe bashkëpunimit me pushtetin, Vojkoviqi si urdhërdhënës i krimit, Rexhë Kovaçi e Isë Bajrami, si mishërim të ndershmërisë e maturisë, të bijtë e Haxhi Tishukit, Rama e Hiseni etj.

Përgjithësisht mund të thuhet se, përveç fatit personal të Haxhi Tishukit dhe të familjes së tij, kjo këngë e transmeton besnikërisht klimën e përgjithshme shoqërore të krijuar si rezultat i represionit dhe masave drakoniane që u ndërmorën ndaj shqiptarëve me qëllimin e vetëm të humbjes së çfarëdo perspektive për jetë në vatrat e tyre stërgjyshore.

Kënga e dytë, e titulluar Shqiptarë turqeli, apo edhe si A po ngoni more vllazni, trajton dimensionin tragjik të shpërnguljes masive të shqiptarëve për në Republikën e Turqisë. Dhuna sistematike e pushtetit sllavo-komunist, e cila sado-kudo në pjesën e sipërme të këtij trajtimi u ilustrua edhe nëpërmjet këngës së Haxhi Tishukit, kishte zbehur çdolloj perspektive për jetë të qetë në tokat stërgjyshore, ndaj në vitet 50-60 vinte në rritje numri i shqiptarëve që kërkonin shpëtimin në shkretëtirat e Anadollit. Kjo këngë nuk mund të quhet thjesht vetëm një dëshmi e historisë sonë gojore, nëpërmjet së cilës ne mësojmë fakte nga zhvillimet e një kohe. Duke marrë parasysh faktin se procesi i shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi dhe përgjithësisht procesi i largimit të tyre nga trojet etnike të mbetura nën ish-Jugosllavi, i rifilluar fuqishëm pas LDB-së, zgjati për vite të tëra, kjo këngë, në kontekstin e atëhershëm shoqëror e politik, merrte edhe funksionin e artit të angazhuar. Këngëtarët (Salih e Feriz Krasniqi) nuk shfaqen të paanshëm dhe aq më pak të painteresuar lidhur me subjektin e kësaj kënge popullore. Fillimisht ata identifikohen me fatin e shqiptarit që është përballur me jetën në vendin e huaj, me vështirësitë llojllojshme të adoptimit, me mashtrimin se do të gjente shpëtimin nga dhuna e mirëqenien sociale (Stambollin), ndërsa ka gjetur zhgënjimin në çdo pikëpamje, varfërinë, shkretëtirat, përbuzjen, mallkimin e bukës së Kosovës. Përgjithësisht këngët historike gjeniu popullor i këndon në teknikën narrative er-form, pra duke rrëfyer për vetën e tretë. Duke qëndruar jashtë ngjarjes dhe larg protagonistit historik, ai rrëfen nga distanca. Mirëpo, qartazi, kjo nuk ngjet me këtë këngë, ngase gjeniu popullor është brenda saj, ajo këndohet si një autobiografi. Këndimi në veten e parë nuk është një procedim rastësor, ose teknikë rrëfimi e motivuar nga kritere artistike; është mënyrë komunikimi që synon angazhimin e artistit për çështjen madhore, ndërsa atë do ta arrijë duke e treguar ngjarjen si histori të jetës së tij. Përjetimi personal shfaqet më i fuqishëm emocionalisht, por edhe më i besueshëm si faktografi. Me gjithë procedimin autobiografik, kjo këngë krijon raport me të tjerët, me kolektivin të cilit i dedikohet. Individi, i ndodhur në fatkeqësi,  u drejtohet bashkëkombësve me porosinë që të marrin mësim nga gjendja e tij, të mos e braktisin vatrën dhe atdheun e tyre, sepse gjithçka premtohej ishte një mashtrim. Nëse këtë gjendje e kishte kuptuar këngëtari popullor, a ishte e mundur të mos e kishin kuptuar faktorët vendimmarrës të kohës, ndër të cilët kishte edhe shqiptarë? Them me bindje të plotë se ata i dinin pasojat e spastrimit etnik që po ndodhte gjithandej tokave shqiptare, por heshtnin. Në krahun e popullsisë shqiptare, si edhe shumë herë të tjera, mbeti vetëm kënga, vetëm nëpërmjet saj thuhej e vërteta, bëhej i qartë dimensioni tragjik i jetës së saj.

Variantet e përmendura të kësaj kënge nuk dallojnë vetëm në titujt e ndryshëm, por edhe në disa aspekte të tjera tejet përmbajtjesore. Madje, titulli A po ngoni more vllazni, i variantit të botuar, përgatitur nga Muharrem Gashi (i cili pa dyshim ka një meritë të veçantë për kujdesin që ka treguar për të mbledhur trashëgiminë e këtyre kolosëve tanë të folklorit), mendoj se nuk është i përshtatshëm për këtë këngë, sepse kjo shprehje është më shumë një klishe me të cilën kryesisht fillojnë këngët epike. Megjithatë, një dallim esencial ka të bëjë me dedikimin, audiencën së cilës i adresohet kjo këngë, e që del në vargjet e para të saj:

Varianti i botuar:

A po ngoni, more vllazni,

Ju shqiptarë, more, plak e i ri,

E kam vnue ni kangë n’ujdi,

Ju t’ma knoni n’çiteli.

Varianti i pabotuar:

A po ngoni, more vllazni,

A shqiptarë, more tyrqeli,

Faqebardhë o musteqezi,

E kam vnue ni kangë n’ujdi,

O t’ma knoni me çiteli.

Kënga ka një mesazh, por më parë ka një shtresë së cilës i drejtohet ai, një kategorie specifike e që ishin shqiptarët turqeli, të cilët, për të rregulluar “vesikat” e emigrimit në Turqi, ishin të shtrënguar ta ndryshonin identitetin e vet dhe të deklaroheshin si turq, sepse marrëveshja jugosllavo-turke e përfshinte vetëm këtë popullsi. Pra, shqiptarët para se të largoheshin me mallin për vendlindjen, që aq bukur përshkruhet në këtë këngë, detyroheshin të largoheshin nga identiteti i tyre burimor. Prandaj, bazuar në këtë variant them se edhe titulli më përfaqësues i këngës në këtë rast është “Shqiptarë turqeli”. Vargu vijues, i cili i mungon variantit të botuar, i sajuar nga fjalët “Faqebardhë o musteqezi” ka domethënie të përdallimit të racës shqiptare, të fizionomisë së saj karshi racës aziatike – turke dhe është një shprehje qortuese për deklarimin e pavërtetë të tyre.

Më tej tek kënga vijon me përshkrimin e gjendjes së shqiptarëve në Anadoll, e cila përveç vështirësive të aspektit material – të mbijetesës ekonomike, ndërlidhet sidomos me vuajtjet shpirtërore të një të huaji në ambientin, ku nuk vlerësohet as në rast të dhembjes, sikundër është ajo e vdekjes:

O m’diq nana, m’ka dekë ni djalë,

S’pat xhemat n’xhenaze me m’ardhë.

Më e rëndë se vdekja shfaqet mungesa e solidaritetit, e ngushëllimit, që shqiptari i degdisur në shkretëtirat e Anadollit nuk i gjen dot.

Megjithëse e konceptuar si histori personale – familjare, nga teksti vijues del se kënga adreson shqetësimin e një numri të madh shqiptarësh që ndodheshin në një situatë të këtillë, sikundër e përshkruan kënga popullore:

T’ishna vetun, nuk pata dert,

Shumë vllazni, kështu, i kam n’siklet.

E po mbidhum e bajna dert,

Na shkuen thmia, do t’marojna vetë.

Shqetësimi i përgjithshëm, pasi argumentohet nëpërmjet fakteve tronditëse të vështirësive të jetës në një ambient të huaj, i cili nuk ngjan me asgjë dhe aspak me Kosovën, përmbyllet me një porosi për shqiptarët nga Atdheu, për ata që edhe mund të hamendeshin për ta marrë rrugën e kurbetit në kërkim të një jete më të qetë e më të mirë. Duke sjellë nota nostalgjie për vendlindjen dhe gjithçka lidhet me të, e cila në mendjen e protagonistit të këngës popullore kthehet vetëm në trajtë kujtimesh, gjeniu popullor e përmbyll këngën me porosinë bashkëkombësve në Atdhe, të sforcuar edhe me referencën e urtësisë popullore, të mishëruar në fjalët e mixhës Ahmet:

Rahmet shpirti, mixhës Ahmet,

– S’e lëshon burri tha venin e vet.

Pra, ni fjalë, ma la amanet:

– Guri hjek ran, n’ven t’vet.

A e lshon, vllazen, venin tan,

T’rrakatelin, hallku, kah t’donë.

Na vrau ahti i t’parve tonë,

Buka e Kosovs qi e kem lanë.

Ah kur m’bien n’men për venin tonë,

Met e kresë dojshin me m’lanë.

Hija e babës, m’del përpara,

O m’del shpia, medet, o m’del ara.

O livadhi, po m’del torishta,

O pom dalin o dhetë me kingja.

Akrabaja po m’del fisi,

O t’madhe atëherë vajit ia nisi.

A po ngoni, more vllazni,

Banju t’fala, bitevi,

T’madh e t’vogel e shpi për shpi,

Çka m’gjet mue, ishalla, nuk t’gjan ty,

O n’gjynah tej n’fyt jena hi,

O kem marue, me robë e thmi.

Sado që ka edhe variante të tjera të kësaj kënge, e gjithsesi edhe këngë të tjera që e trajtojnë këtë plagë të madhe të botës shqiptare, them me bindje se kënga popullore historike “Shqiptarë turqeli” është një kryevepër, e cila, përveçse e adreson saktë tematikën, njëkohësisht përbën edhe një model të veprës artistike nga trashëgimia jonë e epikës popullore historike. Mjetet shprehëse, struktura narrative, aspektet lirike që dalin në pah përgjatë gjithë rrëfimit, bota e pasur ndjenjore që shpërfaqet ndërmjet trishtimit e zhgënjimit me ambientin e ri dhe dashurisë e mallit për vendlindjen e munguar, e shumë përbërës të tjerë stilistikë e bëjnë këtë këngë një vepër të realizuar edhe në planin e shprehjes mjeshtërore letrare. Nëse kjo këngë në kohën e shpërnguljes kishte efekte të qarta pragmatike – utilitare në drejtim të pengimit që popullata shqiptare të largohej nga trojet etnike, mund të thuhet se tani ajo shërben si një burim njohës i frymës së përgjithshme të kohës, por njëkohshëm mund të perceptohet edhe si një objekt estetik i përjetësimin artistik të ngjarjes.

Nga këta dy shembuj dhe nga shqyrtimi që bëmë provuam të dëshmojmë se kënga popullore historike është variant i rëndësishëm i historisë së përgjithshme të një kombi, vendi etj. dhe gjithsesi varianti më bindës për sa i përket historisë orale. Prof. dr. Sadri Fetiu, në parathënien e katër vëllimeve me këngë popullore historike, lidhur me këtë çështje, shprehet: “Këngët historike të popullit shqiptar janë tërësi e një kronike artistike, që me anë të fjalës, të tingullit të instrumentit dhe të zërit të këngëtarit i paraqet artistikisht të gjitha ngjarjet e rëndësishme, duke filluar nga Lufta e Kosovës e vitit 1389 e deri në ditët tona”. Këngët Haxhi Tishuki (Kanga e Rankoviqit) dhe Shqiptarë turqeli (A po ngoni more vllazni) janë dëshmi të kujtesës sonë popullore për kohë të vështira nëpër të cilat kaluan shqiptarët e mbetur nën robërinë jugosllave. Ato flasin për ngjarje që janë brenda periudhës studimore të Projektit të punonjësve të Institutit Albanologjik, ndaj mendoj se është e nevojshme të përfshihen në kuadër të materialit të mbledhur për historinë orale të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, si një trajtë e rëndësishme e shpërfaqjes së saj. Duhet theksuar edhe faktin se që të dy këto këngë kanë bërë jetë aktive në repertorin e këngëtarëve tanë të shquar dhe janë kënduar për vite të tëra, madje edhe përtej kufirit të aktualitetit të tyre.

Po kështu, këto këngë qëndrojnë në raport të drejtë edhe me të dhënat faktografike, burimore e arkivore, të kohës dhe mund të thuhet se përplotësohen reciprokisht me to. Trajta artistike e paraqitjes së ngjarjeve nuk shkon ndesh me vërtetësinë e tyre dokumentare. Prandaj, mund të konkludohet se kënga popullore historike është gurrë e pashtershme e historisë sonë orale, e asaj historie të cilin populli e ka shkruar pa porosi, pa diktate dhe pa anime. Kënga historike popullore dhe përgjithësisht historia orale nuk e zë vendin e historisë së hartuar me metodologji shkencore e akademike dhe të bazuar në dokumente arkivore, faktografi të shkruar, ajo e ka vendin vetjak dhe të pazëvendësueshëm në historinë e secilit komb, është shprehëse besnike e perceptimit kolektive të ngjarjeve dhe vendit të personaliteteve në to. Një ngjarje mund të predimensionohet, apo të relativizohet, një personalitet mund të stoliset me vlerat e të tjerëve, apo të zhvishet padrejtësisht nga to, nëse autori i historisë shfaq njëanshmëri, por kjo nuk mund të ndodhë në vetëdijen kolektive të një kombi.

InForCulture

Recent Posts

Kjo është temperatura më e përshtatshme në dhomën e gjumit në dimër

Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…

21 hours ago

E dini se çfar është hamari, apo koshi?

Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…

22 hours ago

Si të transformoni rutinën tuaj ditore në një burim frymëzimi dhe produktiviteti

  Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…

1 day ago

Soft Skills: Aftësitë që na ndihmojnë të jemi të suksesshëm në punë dhe jetë

Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…

2 days ago

Personat me këtë grup gjaku nuk duhet të pinë kafe

  Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…

2 days ago