Categories: KULTURË

“Gurë të rejës”, “gurë të rrufesë” – Ndër shqiptarë dëshmohet shenjëtria e gurve të rënë nga qielli..mbetje meteorësh

6. Guri i rrufesë

Ndër Shqiptarë dëshmohet shenjtëria e disa gurëve të rënë nga qielli. Sipas besimeve popullore, ata vijnë në tokë përmes rrufesë e quhen “gurë të rejës”, “gurë të rrufese” edhe pse në të vërtetë nuk kanë lidhje me të. Etnologë e eksplorues të ndryshëm na bëjnë të ditur praninë e gurëve të shenjtë, si mbetje meteorësh në popuj të ndryshëm të botës. Nganjëherë vendet ku ndodhen këta gurë meteor të janë bërë vende pelegrinazhi të shenjtë për shumë njerëz, vende e popuj të afërm. Nuk do të zgjaterni këtu, por po e sqarojmë çështjen me dy raste. Në lashtësi. në vendin e Frigëve në Azi të Vogël ka qenë Guri i Zi i Pesinontës, i shenjtë, vend pelegrinazhesh pagane të popujve të atyre anëve. Ishte fytyrëzimi i Nenes se Madhe të Frigëve, Kibela. Doemos, mbetje meteorësh që u barte u pru në Romë në kohën e Luftës së Dytë Punike. si një simbol i shenjtë tepër domethënës që do të shpëtonte njerëzit e atij vendi. I tillë, mbetje meteori, pra i rënë nga qielli, ka qenë dhe Guri i Zi në Mekë, Ka’aba. Dikur pelegrinet aty faleshin si paganë e, me vonë, në kohën e islamit e deri më sot, ai është simbol i shenjtërisë së fesë muhamedane, ku pelegrinë nga e tërë bota, sidomos nga bashkësia islame, e vizitojnë atë çdo vit dhe bëjnë lutjet përkatëse praně tij.

Meteorët janë bërë, me sa duket, fytyrëzime, simbole të Hyjneshës, Nënës së Madhe, sepse ata i kanë besuar të hedhur nga qielli, nga Hyu Uran (perëndi e qiellit) me anë të rrufesë, por dhe i lidhur me Nënën e Madhe, hyjneshë ktonike (e tokës), pra një ndërlidhje e mistershme në mes hyjnive të qiellit e të tokës.

Guri i Zi i Mekës është quajtur “Qendër e Botës”. Ai nuk është vetëm qendër e tokës, por përmbi të, në qendër të qiellit gjendej “Porta e Qiellit”. Ka’aba, duke rënë nga qielli, nga kupa qiellore, ka kaluar përmes një vrime. Këtu është pra komunikimi vertikal i qiellit me token. Prej andej kalon aksis mundi, boshti cilindrik që mban kupën qiellore (M. Eliade, “Traités…”, f.197). Të tilla ndërtime komunikuese të vështrimit mitik janë të pranishëm dhe në popuj të tjerë, po ne po kthehemi te mbetjet e shenjta meteore ndër Shqiptarë.

Më e rëndë se beja me gur të zakonshëm ka qenë “beja me gur reje”, “beja me gur rrufeje” a me “kokërr reje” që vjen nga qielli. Besohet në popull se kur gjuan rrufeja, zakonisht mbi lisa, mbi pemě, po të kërkosh aty thellë në tokë, do të gjesh “gurin e rejes” që ka ardhë nga qielli bashkë me rrufenë për të gjuajtur të paudhin, të mallkuarin, Kucedrën e tjerë, sipas rastit. Me këtë “gur të rrufesë” u është dhënë njerëzve bé për t’u shfajsuar nga dyshimi për ndonjë gjë të vjedhur a pasuri të dëmtuar nga dikush. Quhej bé shumë e rëndë e njerëzit trembeshin nga bé të tilla. Tmerroheshin nga kjo, si gjë tepër rënduese, edhe pse në bé thonin të vërtetën. Kam pasur rastin vetë të shoh dy

“gurë reje”, njerin sa grushti i njërës dorë e tjetrin me madhësi sa një vezë pate. Ishin të rrumbullakët, ferrozë, disi të nxirë, si të djegur në zjarr, të rëndë në peshë. Dy “gure reje” e betimin me ta i ka përshkruar dhe Gjeçovi (KLD, 1989, 1.158). Besohej se kush ka “gurin e rejës në shtëpi, do të ketë mbarësi e përparim në njerëz, në blegtori e në bujqësi. Besohej se kush e kishte atë me vete në udhëtim, nuk e zinte plumbi.

Për mbarësi e për t’u mbrojtur nga e keqja e marrjes mësysh, gurin e rrufesë ia varin në trup bagëtisë, po dhe gruas me barrë. Gurin e rrufesë, si e kemi vërejtur në Brataj (lumi i Vlorës), ia varin në qafë një bagëtie të tutes, pergjithësisht cjapit a dashit të këmbores. Gruaja me barrë var “gurin e rejës”, duke e mbajtur nën sqetull, për të mos marrë mësysh, kundër shpirtërave të këqinj, për t’i ecur barra mbarë (këtë të dhënë e

kam marrë në Brataj). Me kaq rëndësi e quanin “gurin e rejës” a “kokrrën e rejës”, sa ta kishe atë në shtëpi ishte një fat i madh. Edhe është shitur e është blerë “guri i rejës” për të pasë mbarësi në shtëpi. Në Mirditë, aty nga fillimi i shek. XX, një nga Merkurthi (Mirditë) ia ka shitur një “kokërr reje” një të shebasi. Ky i fundit e mbajti në shtëpi sipas rregullave të njohura, po arët përsëri nuk po i prodhonin, bagëtia edhe tani nuk po i shkonte mbarë, po kështu dhe në familje nuk pati “termale” si duhet. U tregoi për këtë bashkëfshatarëve e ata i thanë: “Nuk ka sesi të kesh “gurin e resë” në shtëpi e toka mos të të prodhojë, po ai që ta ka shitur të ka rrejtë, se ai në të vërtetë nuk do të jetë ” guri i rejës”. I shebasi shkoi e iu ankua shitësit e kështu plasi një grindje jo e vogël.

Beja për t’u shfajsuar nga ndonjë vjedhje e ndodhur në krahinë bëhej kështu: Merrej në dorën e majtë “guri i rejës”e, duke e prekur me dorën e djathtë, thuhej: “Për këtë kokërr rejet, nuk ta kam vjedhë as unë , as kush i shpisë sime e nuk e di se kush ta ka vjedhë! Në të rrejsha, reja më gjoftë!” (KLD, 1989, 1.158).

Besime për “gurin e rejës”a të “rrufesë” ka dhe në popuj të tjerë të Europës, të Azisë e më tej. Besohet se vijnë nga qielli bashkë me rrufenë që godet druj a vende të ndryshme. Po dijetarët që i kanë analizuar kimikisht e fizikisht këta “gurë rrufeje” thonë se ata në të vërtetë nuk janë veçse mbetje meteorësh që kanë hyrë në atmosferën e tokës. Pra, dhe “gurët e rrufesë”, për të cilët flitet dhe besohet në popullin tonë, nuk janë gjë tjetër veçse gurë me origjinë të tillë, edhe këta të ardhur nga qielli, po jo të lidhur me rrufenë, pra të pavarur nga kjo e fundit. Se si ndodh që këta gurë të gjenden, sipas tregimeve popullore, në vendet ku gjuan rrufeja, kjo është vështirë të shpjegohet: A është kjo një fantazi e treguesve, apo ka shkaqe manjetike të tokës që e qartësojnë. Ku gjuan rrufeja, po aty toka mundet të tërheqë dhe mbetjet meteorite.

Shkëputur nga: Mitologjia Ndër Shqiptarë – Nga Mark Tirta /Trungu & InforCulture.info

InForCulture

Recent Posts

Përdorimi i bluzave me fjongo, politikë e grave të fuqishme

Bluzat që kanë fjongo, e cila lidhet te qafa, kanë evoluar në një simbol të…

26 mins ago

U vetëflijua në kullën e tij në Vraninë, heroi Oso Kuka shpallet “Dëshmor i Atdheut”

Heroi shqiptar Oso Kuka i cili u vetëflijua brenda kullës së tij në Vraninë për…

29 mins ago

Spiro Bellkameni, testament i gjallë i shpirtit të pamposhtur shqiptar

“Liri a vdekje!” Një betim i thjeshtë, i prerë si një goditje shpate, shkruar jo në…

1 hour ago

Doktorët përmendin tri nga arsyet për rritjen e rasteve me kancer të gjirit

Kohët e fundit janë raportuar rritje të rasteve me kancer të gjirit edhe te moshat…

1 hour ago

Këta ishin trimat bashkëluftëtar të Oso Kukës në luftën heroike të Vraninës

Trimave bashkëluftëtar të Oso Kukës me mirënjohje të përjetshme Osman Beitullah Kuka (Oso Kuka) Avdi…

1 hour ago

Dosja e CIA për Xhafer Devën,1947: Një politikan gjenial, i cili flet 10 gjuhë të huaja

FMimages.net publikonë një pjesë të dosjës  së CIA-së të politikanit, patriotit, dhe shkenctarit Xhafer Deva.…

2 hours ago