Categories: LETËRSI

”Qani, vëllezër, Kosovën, qani!..” Vajtimet e Atdheut – Hafiz Ali Korça

“Vajtimet e Atdheut”

Më s’tu nda zjarri, më s’t’u nda flaka

Më s’t’u nda vrasja, ndjekja, shuplaka,

Më s’t’u nda therja, mbytja grabitja,

Më s’t’u nda shtypja, vojtja, drobitja.

Gra, burra, foshnja për ditë vriten,

Nga vendi vet zhveshur po qiten;

Digjen katundet e përvëlohen,

Ah, shpirti më këputet, prej kujt s’ndalohen.

U gërmadhove, u copëtove,

Krejt u trondite krejt u shkretove.

Qani, vëllezër, Kosovën, qani!

Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!

Qytetërimi ku asht vallë?

Përse Evropa nuk i sheh hallë?

Si s’po dëgjohet topi i shkretë?

Si s’shihet flaka që del mbi retë?

Si nuk dëgjohet rënkimi i shpirtit?

Pse s’këshillohet kombi gjakpirës?

Në botë, thua, s’ngeli bamirës.

Qysh u shurdhua bota e terë?

S’shohin barbari gjer sot ç’ka bërë

Qani, vëllezër, Kosovën, qani!

Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!

Me top u shuan vëllezërit tanë,

Malet dhe fushat ndër gjak i lanë.

I vranë, i shuan, i handakosën.

Në vend të tyre tjetër vëndosen.

Sa pasuri që patën ua perlanë.

S’di me ç’të drejtë dreqvet ia dhanë!

Më digjet shpirti, kam shum frikë,

Se do t’i sosje kjo politikë,

Fill shqiptari nuk do te lenë?

Fatzijtë e gjorë ku do te vejnë?

Qani, vëllezër, Kosovën, qani!

Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!

Në ketë shekull kjo politikë

Mrekulli, quhet e them pa frikë,

Kjo politikë racë mbaruese

Për ditë grin pleq, trima, nuse

Kjo politikë lugate shtrigë

Dhelpër dinake, kuçedër e ligë

Faroj vëllezër me qindra mijë

I madh i Vogël duhet ta dijë

Fol, o moj botë e qytetërimit

Përse po shkulet kjo racë e trimit.

Qani, vëllezër, Kosovën, qani!

Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!

Kosovë e bukur, oj shpresa jonë

Bujare, trime, ke qenë si i thonë

Sot të zu halli, në zgjedhë ngele,

Kurban po bëhesh për ditë si dele.

Kurban po bëhesh ditë bajrami,

Në Ballkan thërret veç shqiptari.

Kështu pse s’duket Xhebraili?

Të të shpëtonte nga thojntë e mprehtë

Të të shpëtonte nga zjarri i nxehtë

Ty moj Kosovë, e madhe shpresë

Se ndaj ty ruhet edhe sot besa,

M’i madhi krahu i Shqipërisë!

M’e madhja çerdhe e Trimërisë!

Qani, vëllezër, Kosovën, qani!

Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!

Pjesa më e madhe e Shqipërisë

Iu dha Serbit e Greqisë

Vetëm i ardhi keq Perëndisë

Për atë gjakun e foshnjërisë,

Dua t’i lutem pak qeverisë

Të marrë masat e ligjësisë:

T’i lutet Frances dhe Anglisë

T’i pritet hovi pake Serbisë

Dhe për Çamërit, fqinjë te Greqisë.

Qani Kosoven dhe Çamerinë

Për gjëmëzezet zgjatëni zinë!

Nip i Pellazgut, o komb i vjetër!

Nga ti m’i i vjetër nuk ndodhet tjetër,

Dyzet ke patur milionë frymë

Te pakoi koha, te çkriu si brymë.

Le Arijanen, Durrës u mbështete,

Nga fati i shkrete si nje grusht mbete.

Edhe këtuze shprehje nuk gjete.

Mento ku ishe, ku je , ku vete,

Tashti pa krahe ke mbetur fare

Për një te vjetër komb, turp e marre

Qani Kosoven dhe Çamerinë

Se i këmbejnë si bagëtinë!

Ka vdekur fare civilizimi;

Sot veç një lustër ka Perëndim.

Iku mëshira erdhi rrënimi!

Po del mbi qiejt nga do rënkimi,

Në fund te tokës hyfte gëzimi!

Kur po shfaroset një komb ma trimi,

Kurse ka vdekur krejt njerëzimi,

Kurse nuk paska babë a vëlla jetimi,

Fare mos qoftë shtypi dhe shkrimi!

Qani Kosoven dhe Çamerinë

Për gjëmëzezet zgjatëni zinë!

Mos i ndaj lotet, qaj Vardar plaku!

Nat’e ditë ecën të lahet gjaku

Gjaku i shenjtë që derdh barbari,

Me te ushqehet sot çdo fill bari,

O shale i shkretë, qysh duron valle?

Pse nuk po shkrihesh, qysh je i gjallë?

Shembuni male, mbetët te shkretë!

Shembuni bashkë me gjithë tepetë!

Kur komb bujari për ditë po shuhet,

Ty, moj Kosovë, jeta ç’të duhet?

Kur dhe Evropa s’po ta sheh hallin

Për ditë ju therin, ju marrin mallin

Për ditë ju derdhet gjaku

Shpresa ka mbetur vetem te Hakku.

Qani, vëllezër, Kosovën, qani!

Për gjëmëzezën ca ditë zi mbani!

Tiranë , Gusht 1924 /InforCulture.info

postbck postbck

Recent Posts

ChatGPT – Teknologjia që po ndryshon botën e komunikimit me inteligjencën artificiale

Në dekadën e fundit, inteligjenca artificiale është kthyer në një nga fushat më të rëndësishme…

23 hours ago

Çfarë ndodh në organizëm nëse hani një thelb hudhër në darkë?

  Që në lashtësi, hudhra ka qenë aleate e njerëzimit kundër shumë sëmundjeve. Ajo ndihmon…

1 day ago

Nuk keni peshore kuzhine? Këto truke të thjeshta do t’ju ndihmojnë të matni përbërësit me saktësi

Shumë njerëz në kuzhinë hasin problemin e mungesës së peshoreve ose gotave matëse të kuzhinës,…

3 days ago

Galaxy Watch8 i përshtat shëndetin, fitnesin dhe qëllimet e përditshme me ritmin tuaj

Samsung Galaxy Watch8 është një orë inteligjente dhe një partner që ju ndjek në çdo…

3 days ago

Britania dhe çështja shqiptare gjatë rënies së Perandorisë Osmane

– Vështrim për librin e Daut Dautit Britain, the Albanian Question and the Fall of the…

3 days ago