Fadil HOXHA: Jo, me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974 Kosova nuk mund të fitonte statusin e republikës në kuadër të Federatës jugosllave, por e fitoi statusin e autonomisë. Serbia ishte ajo e cila kundërshtonte pa diskutim statusin e republikës për Kosovën, por në bisedimet me Titon dhe Kardelin ata më kishin premtuar dhe garantuar autonomi të fortë për Kosovën. Tito dhe Kardeli, të cilët po ashtu nuk kanë qenë për Kosovën republikë, me një takim më kanë thënë shkurt dhe trup: “Çka po ju duhet republika? Të jeni të kujdesshëm…”. Kështu më kishte tërhequr vërejtjen Tito.
Pastaj, te ne sinqerisht, edhe vetë ne si udhëheqje e Kosovës nuk ishim aq të nxehtë për republikë. Kjo edhe për faktin se unë dhe bashkëpunëtorët e mi ishim të mendimit se çështja e Kosovës zgjidhet vetëm me bashkimin e Kosovës me Shqipëri dhe jo me kurrfarë statusi të republikës brenda federatës dhe shtetit jugosllav!? Unë edhe atëherë mendoja se me republikë të Kosovës ne do të ishim bërë një republikë rivale Shqipërisë.
Asokohe më kujtohet se Vladimir Bakariqi në një bisedë me mua kishte dhënë idenë kësisoj: “Fadil, merre iniciativën dhe ta bëjmë Shqipërinë republikë të shtatë jugosllave”. Unë me atë rast e pata kundërshtuar ashpër një ide të tillë, duke i thënë Bakariqit (udhëheqës i lartë kroat) se kurrë nuk pajtoj me një projekt dhe kërkesë të tillë. Bakariqit i pata thënë se aktualisht edhe unë nuk pajtoj me disa koncepte politike në Shqipëri, por herëdokur, kur të zgjidhet çështja shqiptare, pra edhe çështja e Kosovës, e cila është ndër çështjet kyçe të çështjes sonë kombëtare, Kosova do të bashkohet me Shqipërinë.
HOXHA: Po, unë mendoj se edhe Tito ka menduar ngjashëm, në një perspektivë të largët historike. Me një rast kur e kishim një mbledhje të rëndësishme të kryesisë jugosllave në temën e çështjes së sigurisë kombëtare dhe ruajtjes së kufijve, ku kishte marrë pjesë edhe Tito, referatin kryesor e paraqiti gjenerali kroat, Ratko Bubanj, i cili elaboroi temën se nga mund të na kërcënohet rreziku përmes fqinjëve, ose në rast lufte. Kur gjenerali kroat e mbaroi ligjëratën, ekspozeun e tij për rreziqet e luftës që mund t’i kanosen ish-Jugosllavisë, Tito i tha: “Bubanj, ti e ke harruar edhe një aleat tonë në rast lufte”!? Ne të gjithë shikuam me habi, se çka po mendonte Tito i cili sërish duke e marrë fjalën. Ai tha: “Aleati ynë tjetër është Shqipëria, e cila në rast lufte do të mbështetet në ne dhe edhe ne në të”. Bubanj kërkoi falje, duke thënë se në këtë kuptim vërtet nuk e kishte konsideruar Shqipërinë si aleat.
Pas vitit 1981, situata e jonë u keqësua. Unë isha në Kryesinë jugosllave edhe tri vjet, por në kohën time serbët dhe aleatët e tyre kërkonin që në Kosovë të vendoset diktatura dhe administrimi ushtarak, kërkesë kjo e cila megjithatë nuk kaloi, pavarësisht shkallës së lartë të dhunës shtetërore serbe e jugosllave mbi popullin e Kosovës. Veç udhëheqjes serbe dhe përfaqësuesve të tyre në ish-Federatën jugosllave, vendosjen e administrimit dhe diktaturës ushtarake në Kosovë e kërkonin dhe e përkrahnin edhe Lazar Kolishevski, Vidoje Zharkoviqi, i cili e pat iniciuar çështjen e përdorimit të flamurit shqiptar dhe disa të tjerë.
Porse edhe Tito ka qenë përherë për një qëndrim më të matur ndaj Serbisë. Në atë kohë u pat përhapur bukur shumë spekulimi politik, të cilën pas vitit 1981 e pat lansuar antishqiptari dhe proserbi Lazar Kolishevski (udhëheqës i lartë maqedonas) se: Sa më e dobët Serbia, aq më e fortë Jugosllavia. Me këtë nuk dua të them se Tito kishte frikë nga Serbia, por megjithatë e ndjente se edhe ai duhej të ishte i kujdesshëm në raport me Serbinë. Tash po shihet se nuk e ka pasur lehtë as Tito që të qëndrojë 50 vjet në pushtet dhe të mbajë balance. Në të vërtetë, deri sa nuk u prish Shqipëria me Jugosllavinë (1948) ne në Kosovë kishim me pak probleme, por pastaj situata u ashpërsua. Mendoj se shqiptarët në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi do të mund të kishin kaluar më lehtë, sikur të mos ishin prishur marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Pra, sikur të kishim pasur sado kudo raporte normale ndërshtetërore.
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…
Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…
Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…
Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…