Dr. Aleksandre Lambert
Aleksandre Lambert, historian, drejtor akademik i “School of International Training” në Gjenevë, është autor i disa librave dhe artikujve në fushën e relacioneve ndërkombëtare të filozofisë politike, të politikës së sigurisë dhe lidhjeve civile-ushtarake.
Lambert ka vizituar Shqipërinë dhe ka filluar të njohë çështjen shqiptare që në rini të tij me kërkimet e bëra në Arkivin e Lidhjes së Kombeve Gjenevë, kur njohu mirë edhe çështjen çame.
Dr. Aleksandre Lambert këmbëngul se nuk është e rastit që shumë shqiptarë kanë shkëlqyer duke drejtuar perandori dhe shtete, si dhe kanë lënë emrin e tyre në fusha të ndryshme të shkencave në disa vende të botës.
Më tej historiani ndalet në zhvillimet pas Luftës së Dytë Botërore, duke shprehur bindjen se ajo që ndodhi me Shqipërinë, me lënien e saj në Bllokun e Lindjes ishte një llogari e bërë nga aleatët që fituan luftën.
Në fund edhe disa këshilla se si duhet të veprojnë shqiptarët për t’u ngjitur pranë shumicës, aty ku ata tentojnë.
Ja ç’thotë ai për shqiptarët në kohën e Mesjetës:
Në Mesjetë shqiptarët i kanë dhënë udhëheqës botës, udhëheqës laikë ose fetarë dhe personalitete kulturore që i kalojnë kufijtë e Evropës. Disa Papë kanë qenë shqiptarë, për shembull, – Klementi i XI-të më i dalluari prej tyre.
Shqiptarët kanë qenë në krye të feve me rëndësi botërore, si në krye të fesë ortodokse, ashtu edhe të asaj myslimane. Në histori gjejmë udhëheqës të shquar shqiptarë në shumë vende të Evropës, madje edhe prej atyre që ngandonjëherë kanë përcaktuar fatin e shumë betejave historike (në vitin 1515 qe Merkur Bua me kalorësinë e lehtë të Venedikut, e përbërë e gjithë nga shqiptarë që përcaktoi fitoren e betejës së Marinjanit, që historia e emëroi beteja e gjigandëve dhe jo Françesku i I-rë i Francës, 19 vjeç, që ato dy ditë beteje mësoi se si luftohet).
Shqiptarët i kanë dhënë shumë kryeministra dhe gjeneralë të shquar Perandorisë Otomane (vetëm familja Qyprili i dha 5 kryeministra Perandorisë).
Shqiptarët i kanë dhënë shumë heronj pavarësisë greke, prej të cilëve po përmend Kundurjotis, Marco Boçari, Kanaris, Kolokotroni, Karaiskaqis, Bubulina. Ata ishin në udhëheqje të revolucionit grek, prej aty edhe disa kryeministra të shtetit të ri të pavarur grek.
Rumania gjithashtu ka pasur një familje princore me origjinë shqiptare (Aleksandër dhe Vladimir Gjika si dhe princesha Eleonora e njohur me emrin Dora Distria).
Françesko Crispi, shok i Garibaldit, Kavurit e Macinit që ka qenë një kryeministër i madh i Italisë, ishte me origjinë shqiptare. Piktorë si Carpaçi, Albani etj., humanisti Leonic Tome, profesori i Kopernikut dhe shumë personalitete shqiptare, janë nderuar nga historia e Italisë.
Muhamet Aliu, reformatori i Egjiptit Modern, që historia franceze e ka quajtur “Napoleon i Lindjes së Afërt” qe shqiptari që themeloi dinastinë mbretërore të Egjiptit që mbretëroi gati 150 vjet.
Arkitekti i “Taxhmahallit” në Agra të Indisë, kryevepra e arkitekturës islamike, ishte vepër e një shqiptari ashtu sikurse edhe “Xhamia Blu” e shumë xhami të rëndësishme të Stambollit.
Dhe më në fund Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një shembull gati universal i luftëtarit të lirisë, i nderuar në botën mbarë me përmendore jo vetëm në Tiranë, Prishtinë e Shkup, po gjithashtu në Romë, Bruksel, Gjenevë, Detroit, Buenos Aires. Të tjera përmendore për Skënderbeun janë projektuar të ngrihen në Londër, Varshavë, Melburn, Manila etj.
Kur shqiptarët kanë kontribuar kaq shumë për qytetërimin e njerëzimit, përse pak njerëz në botë janë të ndërgjegjshëm për këtë dhe shumë as nuk kanë dashur ta pranojnë këtë realitet? Duhet thënë se një gjë e tillë shpjegohet edhe nga izolimi relativ jo pa qëllim i shqiptarëve nga komuniteti ndërkombëtar, dhe në mënyrë të veçantë nga ai evropian, që nga Kongresi i Berlinit e këtej (1878).
Në të vërtetë pas mundjes së turqve në luftën ruso-turke, shtypi ndërkombëtar filloi punën për të injoruar shqiptarët duke i ndërruar emrin gadishullit të dikurshëm të Ilirisë të banuar që nga kohët parahistorike dhe deri në ditët e sotme nga ilirianët – shqiptarët. Atë e pagëzuan me emrin e ri që ka edhe sot, Gadishulli i Ballkanit, vetëm duke u nisur nga vargu i maleve Ballkan.
Përse iu vërsulën shqiptarëve? Pjesa më e madhe e diplomacisë konservatore evropiane ka përdorur termin pexhoratif “turq” për t’i cilësuar si turq të gjitha komunitetet myslimane në Ballkan, edhe pse shumica prej tyre nuk janë aspak turq.
Evropa ka mbështetur dhe ka zmadhuar tokat e Greqisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi, në kurriz të shqiptarëve. Asnjëra nga fuqitë e mëdha evropiane nuk e ka mbështetur çështjen shqiptare, kur shqiptarët krijuan Lidhjen e Prizrenit për të mbrojtur çështjen e tyre të drejtë kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ata u lanë në baltë nga të gjithë, – shkruan Lambert.
d.a. / dita
Jeni ose një lëvizës i këmbëve ose dikush që irritohet shumë nga kërcimi i…
Termi djathë zviceran nuk i referohet nga vjen djathi, por lloji i djathit, ose…
Deva ishte politikan me prejardhje nga qyteti i Mitrovisë. Ai gjithashtu ishte ministër i…
“Oral History Kosovo” në profilin e tyre zyrtar në “Instagram”, kanë publikuar fotografi nga…
Për shumë njerëz ky është një lëng që funksionon kundër kollës dhe problemeve me…
Shurupi i mollës është një nga lëngjet më të shëndetshme që mund të konsumoni…