<div id="reklama-170x600">
    <script type="text/javascript">
        window.ANConfig = window.ANConfig || {};
        window.ANConfig.placements = window.ANConfig.placements || [];

        window.ANConfig.placements.push({
            adUnitId: 'reklama-170x600',
            propertyId: '104390',
            placementId: '840783',
            data: {
            },
            onLoad: function (adUnitId) {
                console.log('1', adUnitId);
            },
            onFail: function (adUnitId) {
                console.log('0', adUnitId);
                //fallback code
            },
        });

        (function () {
            if (!document.getElementById('ap-js')) {
                var ver = new Date().toISOString().split(':')[0].replace(/\D/g,'');
                var apjs = document.createElement("script");
                apjs.type = "text/javascript";
                apjs.async = true;
                apjs.setAttribute('id', 'ap-js');
                apjs.src = "https://central.gjirafa.com/js/ap-gjanout.js?v=" + ver;
                document.head.append(apjs);
            }
        })();
     </script>
</div>
Categories: KULTURË

Bexhet Asani: Këngët e dordolecëve

Dr. Bexhet ASANI

KËNGËT E DORDOLECËVE

Këngët e dordolecëve janë të përhapura që në kohët e mugëta të paganizmit, jo vetëm ndër shqiptarët, por edhe te popujt e tjerë të Ballkanit. Këngët e dordolecëve janë të shoqëruara me rite për ndjelljen e shiut të cilat praktikohen nga fëmijët e në disa vende nga plakat bashkë me fëmijët. Dordolecët lidhen me kultin e hyjnisë së pjellorisë dhe shfaqin luftën e njeriut për sigurimin e shiut të nevojshëm për kullosat dhe të lashtat e verës (Pllana, 2004:50). Në hapësirën shqipfolëse, traditat e ritit për ndjelljen e shiut diku janë ruajtur më të plota, diku më të cunguara, por ka edhe ndonjë krahinë ku janë zhdukur fare praxis-i dhe poesis-i (Papleka, 199:201). Në popull besohej se për të sjellur shi, duheshin bërë veprime me karakter magjik (Osmani, 1997:98). Veprime të tilla magjiko-religjioze, në të kaluarën janë praktikuar kudo te shqiptarët e Maqedonisë. Kohët e fundit këto veprime praktike pothuajse janë zhdukur plotësisht. Një nga faktorët që ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, për zhdukjen e veprimeve rituale-magjike-religjioze, është sistemimi i tokave me kanale ujitëse nga mesi i shekullit të kaluar (XX).
Në fshatin Vërben të Rekës së Epërme para shumë vitesh caktohej një vajzë (8-11 vjeç), zakonisht pa prindër, që zhvishej gati lakuriq. Shoqet i vinin përsipër gjethe e filiza drunjsh të gjelbër (Osmani, 1997:98). Kurse në fshatin Bogdi të po kësaj treve marrin drurin e vekut dhe e veshin me rroba të vjetra. . . Todorën e mban një vajzë e moshës 9-13 vjeç dhe pa prindër. Bartësja në kokë e në trup stoliset me gjethe e lule, saqë nuk dallohet se cila është (Osmani, 1997:99). Duke shëtitur nëpër rrugicat e fshatit fëmijët këndojnë:

Na shkojmë nëpër katund,
Të na bjere ni ros‟ shi (vesë),
T‟lutna shumë, Perëndi.
T‟na ujitish livadhet
T‟na ujitish kapëzhnanjet!
Oooih Todore, Todore, Todore!

(Osmani, 1997:99)

Edhe në trevën e Strugës në të kaluarën këngët e dordolecëve këndoheshin vetëm gjatë ditëve të nxehta të verës kur misrit dhe kulturave tjera bujqësore i nevojitej shiu (uji), atëherë kur merrte thatësirë e madhe. Grupe fëmijësh djem e vajza bashkë, të shtyrë nga plakat e ndillnin shiun. Një fëmijë i cili nuk dihet se kush është, atë e dinë vetëm shokët dhe shoqet e tij-saj, zhvishej gati lakuriq dhe e maskonin atë me kukurakë dhe fier. Pasi 203 maskohej, fëmija, futej në mesin e shokëve dhe shoqeve dhe shkonin shtëpi më shtëpi duke i kënduar dordolecit në oborr që ai të sjellë shi:

Shi, shi, dardali,
Mbush gazhdaren,
Me kalli.
O le-le, më „aet bukë,
O le-le, më piet ujë.

(Asani, 1996:14)

Kënga përsëritet disa herë, derisa të dalë zonja e shtëpisë që t‟i hedhë dordolecit ujë me kovë, ai lëkundet, uji bie në tokë në formë të pikave të shiut. Pasi t‟i ketë hedhur ujë dordolecit, ajo u jep fëmijëve miell, gjalpë, vezë, vaj, sheqer ose diçka tjetër me qëllim që dordoleci të ndjellë shi e shiu bereqet. Një rit të ngjashëm kanë shënuar edhe vëllezërit Miladinovci më 1861 në Strugë, ku bëjnë fjalë për disa festa të motmotit si për festën e shëngjergjit, ereminë etj. , ndërsa këngët e dordolecëve i quajnë Oj-lule (Miladinovci, 1962:475). Titulli i këngës Oj-lule, njëherit edhe refren i kësaj kënge edhe sot e kësaj dite, edhe pas 150 vjetësh është i gjallë te popullata maqedonase në Strugë. Të shohim se si e përshkruajnë ata këtë rit:. . . vajzat zgjedhin njërën prej tyre dhe mbi tesha që nga koka deri te këmbët e mbulojnë (e lidhin) me lloj-lloj barishte dhe shkojnë shtëpi më shtëpi duke kënduar “Fluturoi flutura, oj lule oj!!(shih këngën 660). Kur mbërrijnë nën ndonjë dritare (penxhere) prej lart i derdhin ujë asaj që është mbuluar (veshur) me barëra. Hyjnë nëpër shtëpi dhe e rrokullejnë sitën, e cila nëse rrëzohet mbrapsht, në atë shtëpi do të ketë varfëri, nëse sita rrëzohet mbarë do të ketë begati. Në çdo shtëpi i japin miell, ose diçka tjetër, me gjërat që kanë mbledhur bëjnë drekë, ku këndojnë dhe luajnë. Ajo quhet Oj-lule. . . (Miladinovci, 1962:475-6). Variantin e kësaj kënge e ka shënuar edhe studiuesi Anastas Qushkoski në Vevçan të Strugës me titull „O dordolec, o dordolec” edhe kjo këngë ka për refren fjalën shqipe oj lule. Ky refren është ruajtur deri në ditët tona. Disa rite që i ka shënuar Anastas Qushkoski janë të ngjajshme me ritet e fshatrave shqiptare në trevën e Strugës. Por edhe te maqedonasit këngët dhe ritet e dordolecëve që herët nuk praktikohen, por përmenden se shpesh bëheshin në të kaluarën. (Qushkoski, 2002:70). Në literaturën e popujve të Ballkanit dhe në atë botërore ka shumë këngë që i referohen të ndjellurit e shiut, përveç në ujdhesën tropike të Javës ku më shpesh zbatohen ritet për ta penguar shiun, ngase bie në sasira të tepruara, sesa për ta ndjellur (Pllana, 2004:50). Besohet se dordoleci ndjell shi e shiu do të bie bereqet, kjo shihet më së miri te kënga e cila këndohet në Frëngovë 204 dhe në Ladorisht të Strugës, dordoleci do ta sjellë shiun, ndërsa shiu do ta rritë kallirin e misrit sa një karroqe (tri okë). Me këtë rast fëmijët këndojnë:

Dordoleci, bie shi,
Një karroqe, një kalli!
(Këndoi:Demir Beqiri)

Dordoleci me sa duket, na paraqitet si një hyjni që kishte të bënte me ujërat, pra që kishte fuqi të sillte shi për të ujitur bimët e bukës. Po ashtu ai paraqitet i lidhur edhe me hyjninë e vegjetacionit. Këtë e shpjegon fakti që , në disa krahina të Shqipërisë, dordoleci vishej me gjethe e bimë të gjelbërta (Tirta, 1978:199). Në fshatin Pallçisht të Epërm një plakë i mblidhte vajzat e fshatit deri në moshën 13 vjeç dhe së bashku shkonin në varrezat e fshatit. Plaka i urdhëronte vajzat të nxirrnin drurin që gjendej mbi varr. Pas kësaj ato qëndrojnë aty dhjetë-njëzetë minuta të mrrolura (të vrenjtura) duke imituar të qarët. Gjatë rrugës për te burimi i fshatit vajzat tërheqin drurin zvarrë. . . Grupi i fëmijëve, posa arrin te burimi i fshatit, fut këmbët në ujë, duke bërtitur:”Çona, zot, nji pejk shej!”. Atëherë plaka e hedh drurin në ujë :fillojnë vajzat të lagin njëra-tjetrën. Besohet se së shpejti do të ketë shi (Osmani, 1997:103). Në këngën “Li-li, daj-li!” e cila këndohet në Rogle të Tetovës vihen në pah bimët bujqësore që i kultivojnë fshatarët:

Li-li, daj-li!
Çoje, Zot, t‟na gjere shi.
Të na ujiten arat,
Të na lagen shoçet,
T‟ujten kollomoçet (misrat);
T‟lagjet Ajeti,
T‟ujtet bereqeti;
T‟lagjet Hamija,
T‟ujtet avlija;
T‟lagjet insoni,
T‟ujtet duhoni. . .

(Osmani, 19997:105)

Me materialin që e kanë mbledhur fëmijët, ndonjë grua në fshat u përgatit një drekë ose darkë të përbashkët. Zakonisht për këtë drekë apo darkë kolektive gruaja u përgatit, petulla, kaçamak, lale etj. Në Tanushaj të Rekës së Epërme gruaja që e përgatit ushqimin këndon:
205
Çona, Prendi, nji ros shi, (vesë)
Të na ujitet bereqeti,
Të na shtohet shëndeti.

(Osmani, 1997:100)

Prania e fëmijëve në rit duhet të ketë pasur edhe domethënie magjike:ashtu si shiu, uji, të korrat e reja, edhe fëmijët ishin vazhdimësia e jetës (Papleka, 1999:205). Besohet se edhe gjarpri i vrarë nëse varet në pemë e ndjell shiun, edhe breshka e ndjell shiun në qoftë se ajo kthehet më kurriz.
Ritet dhe këngët për shiun janë kënduar para 40-50 vjetësh, gjeneratat e reja jo vetëm që nuk i këndojnë, por edhe nuk i dinë fare këto këngë. Këngët e dordolecëve apo këngët për shiun te shqiptarët e Maqedonisë mund të pohoj lirisht se nuk këndohen më, as ritet-magjiko-religjioze nuk praktikohen. Të gjitha këto këngë e rite pagane, të cilat janë shënuar nga mbledhësit dhe studiuesit e folklorit do të mbesin si relikte të kohës së shkuar. Për zhdukjen e tyre ndikuan drejtpërsëdrejti, kanalet ujitëse, pompat e ujit, shirat artificialë dhe mjete të tjera agroteknike që i përdorin bujqit. /Trungu & InforCulture.info

postbck postbck

Recent Posts

10 paqartësi të mëdha që duhet t’i sqarojnë akademikët me rishkrimin e ‘Historisë së shqiptarëve’

Lajmi që Akademia e Shkencave do shkruajë “Historinë e Shqiptarëve” është nga më të mirët…

21 hours ago

Po sikur gjatë drejtimit të automjetit të shfaqet një mesazh për një shërbim urgjent të veturës?

Nëse papritur në ekranin informues të panelit të instrumenteve të veturës shfaqet mesazhi “Service Now”,…

21 hours ago

Pëllumbat po ju bëjnë rrëmujë në tarracë? Këto truke i largojnë përgjithmonë

Kur pëllumbat e zgjedhin tarracën tuaj si vend të sigurt, pastrimi i zakonshëm nuk mjafton.…

21 hours ago

Cila është gjëja më e mirë për të ngrënë pasi të zgjoheni, këto ushqime ju japin më shumë energji

Shumë njerëz e fillojnë ditën me kafe dhe ëmbëlsira nga furra e bukës, por ekspertët…

21 hours ago

Kryetari Mao e shkatërroi Kinën – pastaj e ribëri sipas imazhit të tij të dhunshëm

Themeluesi i Republikës Popullore sundoi në një stil të çuditshëm dhe brutal. Një biografi e…

21 hours ago

Anekdota popullore shqiptare – DJATHI I NJELMËT

-Anekdota popullore shqiptare- DJATHI I NJELMËT: Një fshatari një natë ia vodhën djathin. Të nesërmen…

21 hours ago