Nga: Agron Islami
S’ka dyshim se 10 qershori i vitit 1878 – Lidhja Shqiptare e Prizrenit – shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të krijimit të shtetit dhe të kombit shqiptar. Gjithçka filloi nga elitat shqiptare që ishin pjesë aktive e jetës politike dhe kulturore në Stamboll, që hartuan platformën e parë politike shqiptare.
Pikat kryesore që përbëjnë edhe ajkën programore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, fillimisht ishin bërë pjesë e aktivitetit të Shoqatës Kulturore Shqiptare në Stamboll, të themeluar më 1864. Më pas, këto ide patriotike – që për synim kishin ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, përmes zhvillimit të gjuhës dhe kulturës – u bënë tema në seancat e Parlamentit osman më 1877-‘88. Ishte deputeti shqiptar, përfaqësuesi i Janinës, Abdyl bej Frashëri, ai i cili në seancën e dhjetorit të vitit 1877 paraqiti një raport të detajuar mbi reformën në arsim. Frashëri theksin kryesor e vuri tek shkalla e ulët e arsimimit në tokat shqiptare dhe te domosdoshmëria e hartimit të një politike të përgjithshme arsimore, që popullsia shqiptare të mund të shkollohej dhe të arrinte në një nivel të caktuar qytetërimi. Deputeti tjetër shqiptar, Mihal Harito, në seancën e 20 janarit të vitit 1878 u ndal në problemin e dërgimit të nëpunësve osmanë në Shqipëri dhe në Bosnje, pa e ditur gjuhën e vendit, për çfarë dëshmitarët nëpër gjykata detyroheshin që të dëshmonin me ndihmën e përkthyesve (gjë që e prolongonte shërbimin që pritej nga zyrtarët e gjykatave).
Në seancat e janarit të vitit 1878, temat e mbrojtjes së territoreve dhe gjendja e muhaxhirëve që ishin dëbuar me dhunë nga trojet e tyre në hapësirën e Sanxhakut të Nishit, ishin në fokusin e deputetit Mustafa efendi Kosova (myftiut prishtinas), pastaj Zejnel Abidinit, Abdyl Bej Frashërit etj.
Siç dihet, lufta ruso-osmane dhe humbjet që pësoi Perandoria Osmane, bënë që me 3 mars 1878 të firmoset marrëveshja e Shën Stefanit (Aya Stefanos), marrëveshje e cila parashihte që një pjesë e madhe e tokave shqiptare t’i jepej shteteve bullgare, serbe, malazeze dhe greke. Por, kur Rusia i shpalli luftë Perandorisë Osmane, të gjithë deputet e Parlamentit osman, myslimanë dhe jomyslimanë, u bashkuan për të kundërshtuar ekspansionin rus. Seancat vazhduan deri me 14 shkurt 1878, kur Sulltani pezulloi punimet e Parlamentit.
Marrëveshja e marsit në mes osmanëve dhe rusëve, që dëmtonte rëndë Perandorinë Osmane dhe që në veçanti prekte tokat shqiptare, bëri që të themelohet Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve – që ishte vazhdimësi e luftës diplomatike të elitës shqiptare për mbrojtjen e trojeve në kuadër të Perandorisë Osmane.
Marrëveshja e Shën Stefanit e prishte edhe ekuilibrin e forcave të krijuara në Konferencën e Parisit (1856), si dhe shkelte marrëveshjet e firmosura me Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë. Kështu, Rusia kishte shkelur marrëveshjen ku parashihej dorëzimi i Bosnje Hercegovinës te Perandoria Austro-Hungareze. Njëherësh, edhe krijimi i një principate të madhe bullgare, po ashtu shkelte kushtin që ndalonte krijimin e një shteti të madh në Ballkan. Në anën tjetër, dorëzimi ndaj Rusisë i tokave lindore të Perandorisë Osmane (Kars, Ardahan dhe Batum), kërcënonte direkt interesat angleze në rajonin e Lindjes së Largët. Për rezultat, u vendos që në muajin qershor të vitit 1878, në Berlin, edhe njëherë të mblidhen fuqitë e asaj kohe për të shqyrtuar marrëveshjen e Shën Stefanit.
Ndryshimi më i prekshëm që u bë në Kongresin e Berlinit është ai i kufijve të principatës bullgare. Kështu, si rezultat i këtij vendimi, u themelua Vilajeti i Rumelisë Lindore (Rumel-i Şark Vilayeti) dhe Maqedonia. Territori i parë do të drejtohej nga një guvernator (vali) i krishterë, ndërsa i dyti mbeti nën juridiksionin osman, por me kushtin që të zbatoheshin reformat që ishin propozuar për Kretën në nizamnamen e vitit 1867.
Kundërshtitë e shprehura nga ana e elitës shqiptare, karshi Marrëveshjes së Shën Stefanit – ku parashihej që territoret e banuara me shqiptarë t’i jepeshin Malit të Zi dhe Greqisë – delegacionet e Kongresit të Berlinit nuk i morën parasysh. Madje, kancelari gjerman, Bizmarku (Otto von Bismarck), mohonte ekzistencën e kombit shqiptar dhe i njëjti propozoi që shqiptarët myslimanë të njiheshin për turq, ndërsa shqiptarët ortodoksë për grekë.
Vendimet e Kongresit të Berlinit shqiptarëve nuk ua lanë ndonjë derë tjetër të hapur – pos asaj që të përjetojnë fatin e njëjtë me atë të Perandorisë Osmane, ose të bëjnë luftë për t’u mbrojtur karshi fqinjëve që mbështeteshin nga fuqitë e mëdha të asaj kohe. Kështu, reagimi në formë peticionesh drejtuar përfaqësueseve të Fuqive të Mëdha, shumë shpejt nga shqiptarët u shndërrua në lëvizje ushtarake për mbrojtjen. Kjo lëvizje në fillim u mbështet nga Sulltan Abdylhamiti II, i cili në mënyrë taktike synonte të përfitojë nga kryengritja e shqiptarëve. Mbi këtë taktizim politik, ai i dha urdhër prefektëve të Gjakovës, Pejës e Prizrenit që të qëndrojnë neutralë karshi lëvizjes së shqiptarëve. Kështu, me 10 qershor 1878, u mbajt mbledhja e parë e Lidhjes, me përfaqësues nga gjithë hapësira shqiptare dhe pa ndonjë ndërhyrje nga forcat e rendit në Prizren.
Elita shqiptare e kishte kuptuar mirë pozitën e pafavorshme në arenën ndërkombëtare. Prandaj, për t’i ruajtur trojet, rruga e vetme ishte që të bënin luftë politike për autonomi brenda kufijve të Perandorisë Osmane. Mbi këtë bazë u themeluan degët e Lidhjes së Prizrenit në qytetet shqiptare, të cilat vepronin sipas direktivave programore që vinin nga Prizreni. Kërkesat e Lidhjes së Prizrenit ishin: administrimi i tokave shqiptare në një vilajet të vetëm; nëpunësit e Vilajetit shqiptar të jenë njohës të gjuhës së vendit; një herë në katër vjet të mbaheshin zgjedhjet për parlamentin e Vilajetit shqiptar; shtrirja e sistemit arsimor dhe përdorimi i gjuhës shqipe (me alfabet latin) si gjuhë shkolle; ndarje buxheti nga qendra e Perandorisë – për investime në fushën e arsimit – si dhe çështje tjera që avanconin pozitën e popullit shqiptar përbrenda Perandorisë.
Gazetat osmane në Stamboll, kërkesat e shqiptarëve i trajtonin si tradhti kundër Kalifatit; madje, shpesh shtrohej pyetja se si do të mbroheshin shqiptarët – që janë pak më shumë se një milion – kundër Rusisë që e mundi Ushtrinë e madhe osmane. Ishte Sami Frashëri ai që bënte opinionin tek lexuesit osmanë dhe domosdo ai që polemizonte me kolegët e vet që pa nda shkruanin kundër platformës së Lidhjes së Prizrenit (e cila tanimë ishte bërë publike nga Samiu, në gazetën të cilën vet e drejtonte, Terxhymani Shark). Në dhjetor të vitit 1878, duke iu përgjigjur këtyre shkrimeve nacionaliste në gazetën Terxhumani hakikat, ndër të tjera theksonte se shqiptarët nuk ishin tradhtarë, por se qëllimi i tyre ishte që t’i ruajnë tokat e veta nga pushtimet armike. Sipas tij, kjo bëhej përmes krijimit të një Vilajeti shqiptar ku do të përfshiheshin të gjitha trojet në këtë njësi administrative. Madje, shkruante se shqiptarët nuk kërkuan ndihmë nga Evropa, por nga Sulltani, dhe se kjo është dëshmi e besnikërisë ndaj shtetit.
Në fakt, qasja e Sami Frashërit ishte platforma e Lidhjes së Prizrenit. Gjithmonë – duke marre parasysh rrethanat politike në të cilat gjendeshin shqiptarët – ata kërkonin autonomi dhe jo pavarësi. Qasja e butë e shqiptarëve bëri që Sulltani të mos i marrë shumë seriozisht kërkesat e Lidhjes. Madje, nga presioni ndërkombëtar për t’ia dorëzuar territoret shqiptare Malit të Zi, ai e dërgoi Mehmet Ali Pashë Maxharrin në Kosovë, për t’i bindur shqiptarët që t’i pranojnë marrëveshjet. Siç dihet, shqiptarët jo që nuk u pajtuan me të, por ata fillimisht ia vranë postierin në Prizren e, më pas, pashait të strehuar në Gjakovë ia kërkuan largimin nga qyteti. Meqenëse nuk e përfilli thirrjen, vritet më 6 tetor 1878.
Vrasja e Mehmet Ali Pashë Maxharrit krijoi edhe më shumë ndasi në mes të shqiptarëve dhe osmanëve, por ndikoi pozitivisht në unifikimin e mendimeve brenda Lidhjes Shqiptare, ku kishte anëtarë të ndarë në krahun konservator dhe atë nacionalist. Njëherësh, edhe rreziku i copëtimit të tokave shqiptare në mes Malit të Zi dhe Greqisë – që vinte si rezultat i marrëveshjes ndërkombëtare të Kongresit të Berlinit – bëri që të ketë edhe një reflektim të shqiptarëve jomyslimanë, të atyre që ndikoheshin nga grekët dhe italianët.
Lidhja tanimë doli me platformën e re të veprimit dhe në formë zyrtare e njoftoi Portën e Lartë dhe Fuqitë perëndimore se nuk kishin tokë për të humbur. Kështu, në shkurt 1879, kur po bëheshin bisedimet për përcaktimin e kufirit të ri osmano-grek, shqiptarët dërguan forca të armatosura në kufi. Për rezultat, u mor vendim që bisedimet të shtyheshin për një kohë tjetër. Sipas Kongresit të Berlinit, forcat osmane lëshuan Plavën dhe Gucinë. Por, kur filloi pushtimi malazez i këtyre zonave, ato u përballën me forcat e Lidhjes së Prizrenit. Malazezët e denoncuan Sulltanin tek ndërkombëtarët – për mos bashkëpunim. Sulltani e dërgoi Ahmet Muhtar Pashën, por edhe ky nuk arriti që t’i bindte shqiptarët. Kështu, me 2 prill 1880, përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse të Kongresit të Berlinit u mblodhën për ta shqyrtuar gjendjen në terren. Përfaqësuesi i Italisë, kont Korti (Luigi Corti), propozoi që në vend të Plavës dhe Gucisë të aneksohej rajoni i Hotit, Grudës dhe Kelmendit. Konti këtë propozim e bënte duke shpresuar se nuk do të ketë rezistencë, meqë këto zona banoheshin me shqiptarë të besimit të krishterë. Mirëpo, edhe kësaj here malazezët hasën në rezistencë të fuqishme.
Dështimet e malazezëve në Hot dhe Grudë bënë që, në qershor 1880, fuqitë perëndimore të kërkojnë nga Sulltani që në vend të këtyre rajoneve të dorëzohej Ulqini. Sulltan Abdylhamiti II, që në njëfarë mënyre qëndronte indiferent ndaj forcave të Lidhjes së Prizrenit, kësaj here do të përballej me kërcënimin se në rast të dështimit të dorëzimit edhe të Ulqinit, atëherë do të pushtohej Izmiri. Ky kërcënim bëri që Sulltani t’i niste trupat e veçanta për ta dorëzuar Ulqinin. Në tetor 1880, Ulqini ra fal kontrollit nga toka të forcave osmane, si dhe të flotës ushtarake të Fuqive të Mëdha që kontrollonin detin.
Lidhja e Prizrenit – me në krye Ymer Prizrenin – duke e parë tentativat e Portës së Lartë për të thyer rezistencën shqiptare, e shpalli veten si qeveri të përkohshme, ndërsa krijoi një ushtri prej 20 mijë vetash që komandohej nga Sulejman Vokshi. Qeveria e Lidhjes e mori nën kontroll gjithë hapësirën e Kosovës, po ashtu edhe Shkupin.
Ekspeditat e Sulltanit kundër Lidhjes së Prizrenit do të fillojnë pas zgjidhjes së problemit të kufirit osmano-grek (25 mars 1881). Kështu, rezistenca shqiptare do të thyhet nga aksionet e drejtuara nga Dervish Pasha, gjatë muajve mars-prill. Megjithatë, Lidhja e Prizrenit edhe si platformë edhe si organizim përbën themelet e para të shtetit shqiptar. Për herë të parë shqiptarët u bashkuan kundër Portës së Lartë dhe fuqive evropiane, për t’i mbrojtur tokat e veta. Platforma e Lidhjes së Prizrenit iu bë e njohur gjithë korit diplomatik ndërkombëtar. Njëherësh, edhe thyerja e forcave malazeze në Ulqin është tregues për organizimin e mirë ushtarak të forcave ushtarake nga qeveria e formuar nga shqiptarët. Kështu, edhe pse për në një kohë shumë të shkurtër, Lidhja e Prizrenit paraqet rast unik që nuk ka ndodhur më parë gjatë sundimit osman. /Telegrafi/
FILIP GURAZIU Statistikat e fundit që vijnë prej BE na trishtojnë; veriu i Shqipnisë rajoni…
Sipas hulumtimit të Institutit të Neuroshkencës të CNR të Pizës dhe Universitetit të Firences,…
Kjo ishte një familje e madhe edhe e lasht shqiptare që i perket fisit…
Kolla e vazhdueshme me ose pa temperaturë mund të trajtohet lehtësisht me një ilaç…
Nëse keni dëgjuar për sëmundjen e mëlçisë së dhjamosur, me siguri e dini se…
Një akt heroik i mrekullueshëm. Historia e Rilindjes zbulon kufirin e humbur ku Lindja u…