Nga: Skifter Këlliçi
Nëntori i këtij viti përkon me 105-vjetorin e dënimit me vdekje të atdhetarit të madh, Themistokli Gërmenji, që ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike para dhe pas Pavarësisë së Shqipërisë… Bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë, më 1913 -1914, dhe kreu detyra të rëndësishme në administratën shtetërore”, (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëllimi 1, faqe 764, 2008).
Protokolli i 10 dhjetorit të vitit 1916
Më 8 dhjetor gjenerali Sarraj i dërgoi një telegram Dakoenit, tashmë komandant i forcave ushtarake franceze në Korçë, në të cilin e njoftonte që të krijonte sa më parë një administratë me nëpunës shqiptarë dhe polici vendore, nën drejtimin e prefektit. Ndërkohë, komanda ushtarake franceze do të kishte të drejtën e mbikëqyrjes administrative dhe ushtarake në të gjithë Qarkun e Korçës. Këto rekomandime ishin pasojë e bisedimeve që kishte pasur Dakoeni me Themistolkiun disa ditë më parë, “… përfundimet e të cilave komandanti francez ia kishte paraqitur Sarrajit, kryekomandanti i Armatës Franceze të Lindjes, me qendër ne Selanik”. (P. Tako “Themistolki Germenji”, faqe 243).
Si pasojë, më 10 dhjetor të vitit 1916, një komision shqiptar i kryesuar nga dr. Haki Mborja, ku bënte pjesë edhe Themistokliu, u prit në prefekturë nga autoritet ushtarake franceze, të cilave iu shpreh në mënyrë zyrtare dëshira e popullit të Korçës për vetëqeverisje nën mbrojtjen e Francës.
Lidhur më këtë çështje të rëndësishme, nga komisioni shqiptar dhe Dakoeni, u nënshkrua një protokoll. Pastaj të gjithë pjesëmarrësit e këtij akti historik dolën në ballkonin e prefekturës, nga ku Themistoki Gërmenji ngriti flamurin e Shqipërisë, shoqëruar nga brohoritjet e popullit korçar, që priste me padurim para sheshit të prefekturës, me thirrjet: “Rroftë Shqipëria! Rroftë flamuri!..”, (gazeta “Adriatiku”, 13 dhjetor 1916).
Kështu, me dëshirën e popullit, qyteti i Korçës, bashkë me qarqet e Bilishtit, Kolonjës, Gorës dhe Oparit, formuan Krahinën Autonome të Korçës, të qeverisur prej shqiptarëve nën mbikëqyrjen e autoriteteve ushtarake franceze.
Krahina do të qeverisej nga një këshill i përbëre nga 14 vetë, shtatë të krishterët dhe shtatë myslimanë, me nëpunës shqiptarë, të miratuar nga autoritetet franceze. Prefekt u emërua Themistokli Gërmenji. Ai kishte të drejtë të drejtonte xhandarmërinë dhe policinë vullnetare për ruajtjen qetësisë dhe rregullit. Në rast lufte, këto formacione do të viheshin nën urdhrat e komandës franceze.
Nënshkrimi i këtij protokolli pati rëndësi historike, sepse në këtë mënyrë; “…u njoh karakteri etnik i popullsisë së trevës së Korçës dhe u krijuan gjithashtu kushte më të përshtatshme për të luftuar më me forcë edhe pretendimet shoviniste greke mbi Shqipërinë e Jugut. (“Studime Historike”, 1977/1, M. Çami, ”Lëvizja patriotike në trevën e Korçës në vitet 1916 – ‘17”, faqe 74-76).
Këtë mendim e përforcon edhe ushtaraku Tyber, me të cilin do të njihemi më mirë në vazhdim të këtij shkrimi, kur në një raport të tij dërguar Komandës së Armatës së Lindjes, me qendër në Selanik, shkruante: “Shqipëria, në kundërshtim me legjendën, nuk është një vend hajdutësh, kusarësh dhe vrasësish, përkundrazi të gjithë shqiptarët kanë një pikëpamje të përbashkët dhe kjo është pavarësia e vendit, e ndezur edhe kjo nga shtypja turke dha nga tirania e mërzitshme e grekëve…” (po aty). Dhe në një raport tjetër, Tyberi vazhdonte: “Dhuna dhe intolerimi që kanë treguar grekët (pushtues), ndaj shqiptarëve, i kanë bashkuar këta të gjithë, myslimanë e të krishterë, në një urrejtje të përbashkët”.
Edhe një ushtarak tjetër francez, kapiteni Holc, që është takuar më pas me atdhetarin e shquar Sali Butka, nga fundi i muajit gusht 1917, nënvizon në një relacion dërguar eprorëve të tij, fjalët që i ka thënë Themistokliu: ”Unë nuk jam armiku i Francës …! Ne ndjekim zhvillimin e ngjarjeve dhe kemi vërejtur se administrata juaj në Korçë, u siguron shqiptarëve lirinë. Por, në qoftë se Franca do të sjellë aty grekët, ne do të jemi gjithnjë të gatshëm të derdhim gjakun tonë për atdheun tonë”. (Muin Çami,”Rreth dënimit dhe ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit”, ”Studime Historike” nr.4, 1977, faqe 113).
Francezët sulmohen nga aleatët!
Ndërsa ky protokoll pati jehonë në Shqipëri dhe te shqiptarët jashtë atdheut, në ShBA, Kanada e gjetkë, siç e përshkruan gazeta “Dielli”, Boston, 30 janar 1916, 20,21, mars 1917, për më tepër nga shqiptarët në zonat e pushtimit gjermano-austro-bullgar, pushtuesve italianë në zonat e Vlorë e Gjirokastrës, nuk u erdhi aspak mirë një veprim i tillë i aleatëve të tyre francezë. “Franca po luan një lojë të keqe duke lejuar ngritjen e flamurit shqiptar në prefekturën e Korçës . Kjo do të krijojë telashe” – deklaroi shefi i shtabit të shtatmadhorisë italianë të Vlorës. (P.Tako,”Themistokli…”,faqe 249).
Roma protestoi pranë Ministrisë se Jashtme franceze për këtë veprim, pa u këshilluar me qeverinë italiane. Nga ana e tyre, edhe zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Francës u befasuan nga një veprim i tillë që ishte bërë pa pyetur qeverinë franceze dhe i kërkuan menjëherë shpjegime gjeneralit Sarraj, siç është shkruar më sipër, kryekomandant i ushtrisë franceze në Frontin e Lindjes me qendër në Selanik. Ky i fundit iu përgjigj menjëherë se koloneli Dakoen, që ishte komandant i forcave ushtarake franceze në Korçë, me këtë veprim kishte marrë parasysh kërkesën e popullit, që kazaja e këtij qyteti, të bëhej krahinë autonome. Nga këto reagime dilte se ushtarakët francezë, nuk kishin marrë për këtë qëllim pëlqimin e Parisit. Por tashmë kjo ishte bërë fakt i kryer.
Kuptohet që edhe qarqet shoviniste greke, jo vetëm që nuk e pranuan veprimin e mësipërm, por edhe u fyen. Aq më tepër Venizelosi që ishte tashmë aleat i Antantës pra, edhe i Francës. Ai i nuk e aprovoi dëbimin e Argjillopusit, ish-prefekti grek i Korçës dhe zëvendësimin e tij me Themistokli Gërmenjin.
Që këtu nis një etapë e re në zhvillimet e kësaj ngjarjeje, që do të karakterizohen nga sulmet ndaj Krahinës Autonome të Korçës dhe Themistokli Gërmenjit, i cili vazhdonte detyrën në dobi të çështjes atdhetare.
Një ndër vendimet e rëndësishme të tij ishte mbyllja e shkollave greke dhe hapja e shkollave në gjuhën shqipe, midis të cilave edhe të ngritja e liceut të parë shqiptar. Veç kësaj, Themistokliu mori masa, sidomos për sigurimin e drithit në kushtet e një urie që kishte pllakosur në Korçë, si dhe masa për ruajtjen e kufijve që dhunoheshin herë pas here nga xhandarët e Venizelosit.
Dyshimet mbi Themistokliun!
Këto dyshime nisën në javën e parë të shkurtit të vitit 1917. Gjeneral Groseti, komandant i forcave franceze me qendër në Follorinë, zuri të dyshonte për Themistokliun, që, siç kemi përmendur, kishte ardhur me komitët e tij nga zonat e pushtimit armik, ku ende vepronte bashkëluftëtari i tij, Sali Butka, me të cilin mbante lidhje, se një ditë bashkë me komitët e tij mund t’ia behte në Korçë. Ndaj, për këtë qëllim, ai i dërgoi një raport gjeneralit Sarraj. Por, ky i fundit, duke pasur besim te Dakoeni, nuk i vuri aspak rëndësi këtij raporti.
Ndërkohë, në lojë u fut Syrteja,(Surete), pra Shërbimi i Sigurimit të Ushtrisë. Një nga punonjësit e saj, Lycieni, i dërguar nga Selaniku në Korçë, pati disa takime me Dakoenin dhe Themistokliun, natyrisht “për çështje pune”.
Me t’u kthyer në Selanik, Lysieni u paraqiti eprorëve të tij një raport ku theksonte se “Themistokli Gërmenji është shumë inteligjent dhe paraqet aktualisht të gjitha garancitë për besnikëri. Por nuk duhet harruar që ai ka luftuar kundër nesh në krahë të bullgarëve”. (P. Tako “Themistolki…”, faqe 266).
Më pas, për të kufizuar kompetencat e prefektit të Korçës, propozonte që xhandarmëria, e cila varej nga Themistokliu, të përforcohej në mënyrë serioze dhe për këtë qëllim të ngarkohej një komandant i kualifikuar francez. Ky mund të ishte oficeri francez, Tyber, i cili do të kombinonte punën e xhandarmërisë, me atë të shërbimit informativ të ushtrisë. Dhe kështu u bë. Si përfundim, u krijua batalioni i xhandarmërisë lëvizëse shqiptare, me komandant Tyberin.
Duke filluar nga puna, Tyberi nisi të ndikohej shumë nga Drioja, inspektori i Sigurimit të Ushtrisë në Korçë, i cili ishte i pakënaqur nga Dakoeni, që i nënvleftësonte raportet e tij, sidomos lidhur me Themistokliun. Kësisoj, edhe Tyberi, tashmë mik i Driosë, u përfshi në vorbullën e kësaj pakënaqësie. Shkak u bë çështja e Adem Beqirit, një bashkëpunëtori të ngushtë të Themistokliut, i cili ishte ngarkuar me detyra në zona e pushtuara nga forcat austro-hungreze të pushtimit, ku vepronin çetat e Sali Butkës. Por edhe këtë radhë, Dakoeni nuk u dha rëndësi raporteve “sensacionale” të Driosë.
Mirëpo, Drioja më pas zuri të ndiqte edhe më më këmbëngulje “çështjen Beqiri”, duke tërhequr vëmendjen edhe të Benuasë, që ishte shefi i i përgjithshëm i Syrtesë. (P. Tako,”Themistokli…” faqe 270). Benuaja kishte zili që Syrteja nuk ishte treguar aq vigjilente sa policia e komanduar nga Themistokliu. Si rrjedhim, nisëm ndjekje ndaj shqiptarëve të pafajshëm, që u burgosën dhe internuan si të dyshimtë për hiçgjë, për më tepër, pa marrë pëlqimin e Themistokliut, pra, prefektit. Kjo e revoltoi pa masë Themistokliun, cili nuk po arrinte ende të kuptonte se Benuai me anë të Tyberit, po përpiqej të krijonte një komplot kundër Krahinës Autonome të Korçës që tashmë shqiptarët e quanin “republikë”, dhe, për më tepër, kundër atij vetë.
Kthetrat e Syrtesë nderen nga Themistokliu
Aty nga prilli i vitit 1917, ndodhën të papritura. Tyberi u zëvendësua nga kapiteni Holc. Dy javë më pas, gjenerali Sarraj u detyrua ta largonte Dakoenin nga Korça, ndonëse ishte i sigurt që raportet e Syrtesë kundër Themistokliut, ishin të gënjeshtërta. Vendin e tij e zuri gjenerali Sal, një njeri i ngurtë, i prerë dhe cinik. Mbase edhe ai kishte krijuar bindjen se Dakoeni ishte gjunjëzuar nga Themistokliu. Veç kësaj, gjenerali Sarraj e kuptonte se me krijimin e Krahinës Autonome të Korçës, pa pëlqimin e Parisit, e kishte tepruar.
Vetë korçarët nuk e pritën mirë largimin e Dakoenit. Veçanërisht Themistokliu. Largimi i tij u pa nga prefekti i Korçës si hapi i parë për minimin e Krahinës Autonome. Megjithatë, lufta nuk do të zgjaste, Antanta do të fitonte dhe francezët do të largoheshin nga Korça, ashtu siç kishin premtuar, duke e lënë atë të pavarur. Kështu, me sa duket, gjykonte Themistokliu. Por, ndërkohë, trysnia e Syrtesë ndaj tij po rritej. Tashmë arkitekti i rritjes së kësaj trysnie ishte vetë Benuai, veprimet e të cilit filloi t’i miratonte pa ngurrim gjenerali Sal.
Ai nënshkroi menjëherë vendimin për dënimin e xhandarit shqiptar, Mehmet Aliu, gjoja sepse kishte bashkëpunuar më armikun dhe kërcënoi se edhe të tjerë do të pësonin të njëjtin fat. Si pasojë, disa shqiptarë që shërbenin në xhandarmëri, nga frika, dezertuan. Këto veprime kundër shqiptarëve e revoltuan përsëri Themistokliun. Ai u shtrëngua t’i dërgonte një letër eprorëve francezë në Selanik, në të cilën e quante krejt të padrejtë dhe imorale mënyrën si vepronte Syrteja kundër atdhetarëve të burgosur dhe u kërkonte autoriteteve franceze që t’i jepnin fund kësaj komedie. Po dënoheshin kështu pa fakte Ahmet Beqiri dhe Abedin Binjaku. (P. Tako “Themistokli…”, faqe 281).
“Në është se Franca është penduar për sa bëri dhe tani për njërën arsye a tjetrën kërkon të abrogojë marrëveshjen, unë, për të mos marrë më qafë shqiptarë që hidhen në gjyq pa faj, jam gati të hiqem. Në është se Franca nuk është penduar dhe do të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, atëherë ju lutem, ndërhyni aty ku duhet dhe të dalë e drejta në shesh”. (Muzeu Historik i Korçës, letër e Themistokliut e datës 29 qershor 1917).
Gjenerali Sarraj, me të lexuar letrën, i dërgoi përgjigje Themistokliut, në të cilën e porosiste të vazhdonte detyrën, se “simpatia dhe besimi i kryekomandantit te personi i tij, ishin të pacënuara”. (“Posta e Korçës”, ”Vrasja e dëshmorit kombëtar”, 11.2.1930).
Por, Benuai nuk tërhiqej dhe vazhdonte të ushtronte gjithnjë e më shumë dhunë mbi shqiptarët e burgosur, midis të cilëve, siç thamë edhe më sipër, ishte Adem Beqiri. Ai së bashku me Abedin Binjakun, u transferuan nga burgu i Follorinës, në burgun e Selanikut dhe pas një procesi të shkurtër që të dy u dënuan me me vdekje, si bashkëpunëtorë të austro-hungarezëve.
Ademi, sipas vendimit, duhej të pushkatohej më 23 gusht 1917, por Benuai e shtyu dënimin qëllimisht deri më 27 gusht, që ai ai t’i jepte “të dhëna” e pastaj edhe ta falte. Dhe kur Ademi nuk pranoi, xhelatët e Benuait ushtruan mbi të tortura çnjerëzore, deri sa ai u detyrua të pohonte ato që i kërkonte shefi i madh i Sigurimit francez. Pra, se ishte dërguar tri herë me detyrë nga Themistokliu në Plasë, për të dorëzuar një pako për oficerët gjermanë.
Ishin trillime të neveritshme, sepse Themistokliu, po të donte, mund të gjente mënyra të tjera për t’u lidhur me shqiptarë në zonat e pushtuara nga austro-hungarezët. Për më tepër, gjatë atyre ditëve kur akuzohej se kishte qenë në Plasë, (12 shkurt 1917), Adem Beqiri ishte ndodhur me shërbim në Korçë dhe këtë e dëshmonte takimi që kishte pasur me Themistokliun dhe oficerë francezë, që e kishin ngarkuar me detyra tjera.
Në të njëjtën kohë, inspektori i Syrtesë, Drio, nuk ndalej me raporte të tjera fantastike kundër Themistokliut që i dërgonte Benuait dhe ky ia përcillte gjeneralit Sal. Sali e kuptonte se Drioja shpifte, por, megjithatë i miratonte në heshtje raportet e tij. Ishte koha kur Parisi, pas transferimit të qeverisë së Venizelosit, aleat i Antantës, nga Selaniku në Athinë, në verë të vitit 1917, po afrohej me politikën shoviniste greke ndaj Shqipërisë.
Si pasojë, gjenerali Sal i propozoi Themistokliut të hapeshin përsëri shkolla greke. Por Themistokliu, iu kundërvu hapur: ”Kurrë ndonjëherë qeveria shqiptare nuk do të lerë hapjen e shkollave greke në Korçë. (Petro Harizi, “Histori kronografike” , faqe 204). Kështu dalëngadalë kthetrat e Syrtesë u nderën mbi Themistokliu, edhe me miratimin e heshtur të oficerëve madhorë Groseti dhe Sal.
Ata nuk e kishin të vështirë ta zhduknin Themistokliun me një plumb pas shpine, por e dinin se nuk do ta kishin të lehtë, po të marrim parasysh autoritetin e madh që gëzonte ai në Kor$ë. Ndaj prisnin të kurdisnin një rrjetë të dendur me “fakte të reja komprometuese”, për të goditur prefektin dhe Krahinën Autonome të Korçës, ose Republikën Shqiptare të Korçës.
Prandaj, arrestuan Fehmi Zboqin dhe Ciz Mehmetin, të cilët Themistokliu i kishte dërguar në zonat e pushtuara nga austro-hungarezët. Që të dy iu nënshtruan torturave, ashtu si Adem Beqiri, madje në prezencë të vetë inspektorit Drio. Në këto rrethana, ata të dy pohuan se prefekti i Korçës, Themistokli Germenji, kishte bashkëpunuar me armikun.
“Pohimet e tyre, vinte në dukje Benuai, vërtetojnë kategorikisht fajësinë e Themistokliut, vepër e përfshirë në nenin 25 të Kodit të Ushtrisë, i cili në këtë rast parashikonte dënimin me vdekje”. (P.Tako, “Themistokli…”, faqe 289). Ndaj, Themistokliu duhej arrestuar se mban lidhje me armikun, me qëllim që të ndihmojë në planet e tij”. (po aty). Kështu, plot kënaqësi, Benuai nxitoi të shkonte në Follorinë, që të njoftonte Grosetin, komandantin e forcave franceze në këtë qytet. Dhe ky dha alarmin që prefektit të Korçës nuk i duhej zënë më besë.
Kthetrat duhet të shtrëngoheshin tashmë në fytin e Themistokliut. Për këtë qëllim, Groseti ngarkoi togerin Dë Mari, që të shkonte nga Follorina në Korçë, për të plotësuar përfundimisht dosjen e e Themistokliut. Në rast se ai do ta realizonte këtë me fakte të reja edhe më komprometuese, Groseti i premtoi se do ta dekoronte me “Kryqin e Legjionit të Nderit”.
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…