Nga: Hasan Kaleshi (“Gjurmime albanologjike”, Prishtinë, 1969)
E pashë të nevojshme që këtë kumtesë ta filloj me fjalët e dy iluministëve të mëdhenj shqiptarë, dy sajuesve të dy alfabeteve të para shqipe, dy mendimtarëve, të cilët problemin e përhapjes së arsimit dhe të diturisë e ngritën në nivelin e problemeve kyçe të çlirimit dhe emancipimit të popullit shqiptar – me fjalët e Naum Veqilharxhit dhe të Sami Frashërit. Naum Veqilharxhi në “Enqiklikën për tërë të pasurit të mësuarit shqiptarë ortodoksë”, më 1836 thotë: “… Sa kombe që kanë mbetur ndër padije u ngjasin robëvet duke punuar nga dita për fatbardhësin’ e qytetëruarve e të fuqishmëve, të cilët vetëm atëherë kanë për të dalë nga gjendja e bagëtishme ku ndodhen, kur të nisin të lërojnë gjuhën e tyre kombëtare. Po kjo nuk fitohet ndryshe veçse me shkronja të veçanta kombëtare që janë filluar para meje. Po me të përzjerit e të huajvet edhe me dinakëritë e disa njerëzve të na kartë mbet në të gjitha pa marrë fund” [1].
Çështjen e alfabetit e shtron në një mënyrë edhe më të ashpër Sami Frashëri, sipas të cilit problemi i shkrimit dhe i këndimit, pra, problemi i alfabetit është i lidhur me fatin e ekzistimit të popullit shqiptar si komb. Në vitin 1879, në librin “Alfabetarja e gjuhësisë shqip”, Samiu shkruan: “Është për t’u çuditur qysh ka rrojtur gjer më sot komb’ i shqiptarëvet, duk mos me shkruar’ e duk mos me kënduarë gjuhën’ e re, kur janë humburë kaqë kombe, që shkruanin’ e këndonin’ gjuhën’ e tyre si syrjanëtë, kaldenjasitë, llatinët e të tjerë” [2].
S’ka dyshim se shumica e kongresistëve të Manastirit kanë qenë thuajse të të njëjtit qëndrim me këta dy paraardhës të tyre të mëdhenj; kanë qenë të vetëdijshëm se në ato ditë po ia vënin gurin e themelit jo vetëm alfabetit të përbashkët shqip, por edhe kulturës së përbashkët shqipe, zhvillimit të gjuhës dhe të shkrimeve shqipe, aq divergjente e aq të përçara gjer në atë kohë. Mirëpo, zhvillimi i ngjarjeve të mëvonshme argumenton se nuk ishin vetëm kongresistët të vetëdijshëm për rëndësinë e vendimeve që ishin marrë për historinë e mëtejshme kulturore dhe politike të popullit shqiptar, por gjithashtu të vetëdijshëm ishin edhe të gjithë ata të cilëve u pengonte emancipimi i popullit tonë – qarqet sunduese të shteteve fqinj, qeveria xhonturke, e sidomos qarqet klerikale të larta katolike, ortodokse e muslimane. Kjo është drejt e kuptueshme sepse bashkë me luftën për alfabet, bëhet edhe lufta për pavarësi. Lufta për alfabet ishte për shkollat laike, e si pasojë logjike e kësaj do të ishte të shkëputurit shpirtëror e mendor nga zinxhirët e ideologjisë kishtare.
Pikërisht një muaj para kongresit, organi i jezuitëve të Shkodrës “Elçija e zemrës së Jezu Krishtit” i sulmoi librat dhe gazetat e reja shqipe, duke i quajtur “nji mjet fort i keq në duert e të pazotëve, të atyne që kanë ngritur luftën kundër kishës, që prishin zemrën dhe mendjen e njeriut” [3], “Shkollat janë laicizue fare dhe prej tyne janë largue priftërit” [4], se “shkolla asht si nji pyell me bisha t’egra”, se “shkollat, në mos qofshin të shejta, janë shpellat e djallit” [5] etj. Një luftë shumë më të ashpër, më të organizuar, më të tmerrshme sepse kërcënohej edhe rreziku i shkombëtarizimit, që në të vërtetë ishte ushtruar shekuj me radhë – vinte nga kleri ortodoks, i cili e kishte përkrahjen e dy qendrave të forta: të Athinës, të cilën e udhëhiqte “megalli ideja” – ideja e Greqisë së madhe dhe Patrikana e Stambollit, e cila shekuj me radhë e ka ndjekur një fushatë helenizimi ndaj të gjithë popujve ortodoksë të Ballkanit.
Me plot të drejtë një gazetë shqipe në vitin 1911 pat shkruar se “Krahas me agjentët e fshehtë, kleri i kishës greke, haptazi me anë të fjalës së ungjillit dhe të kryqit të shenjtë pregatit në Shqipëri idejën e mallkuar të panhelenizmës” [6]. Për ta kompletuar idenë se kleri ortodoks nuk i zgjidhte mjetet për ta luftuar çdo ide e çdo veprimtari kulturore të shqiptarëve, mjafton ta përmendim vrasjen dhe helmimin e patriotëve më të shquar shqiptarë: Helmimin e Naum Veqilharxhit më 1866, vrasjen e Pandeli Sotirit më 1891, vrasjen e Papa Kristo Negovanit më 1906, të Petro Nino Luarasit më 1911.
Një varg të dhënash provojnë se kisha greke me të gjitha mjetet ngrihet kundër ithtarëve të alfabetit duke i ekskomunikuar nga kisha. Një politikë e këtillë e Patrikanës i ka rënë në sy edhe korrespondentit të Tajms-it të Londrës në Stamboll, i cili i kushton asaj një artikull, të cilin e riboton gazeta e Stambollit “Tasvir -i Efkar” më 3 dhjetor 1909, ku thuhet se prej tre muajsh në Shqipërinë e Jugut janë acaruar marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve. Përgjegjës kryesor për këtë është rruga që ndjek Patrikana greke. Kur u shpall kushtetuta, shqiptarët u bashkuan me xhonturqit për shkak se morën premtime se do t’u jepet ndihmë nga ana e pushtetit që në shkollat private të përdoret gjuha shqipe. Mirëpo, të gjitha përpjekjet e patriotëve shqiptarë, të cilët u takojnë familjeve intelektuale dhe toskëve muslimanë, përpjekje të drejtuara kah zgjimi i patriotëve të vet kah përhapja e arsimit dhe letërsisë, janë penguar në mënyrë më të ashpër nga ana e patrikut të Stambollit. Çdo lëvizje që ka pasur për qëllim civilizimin e shqiptarëve, organizimin e një jete qytetare, çdo kërkesë për përmirësimin e administratës shtetërore apo të zgjimit të ndjenjave kombëtare, Patrikana e ka shikuar si një rrezik të madh. Edhe në shkollat e pakta shqipe, shumica e nxënësve dhe e mësuesve kanë qenë ortodoksë. Ata që nuk janë grekë prej tri brezash, për t’i greqizuar ka bërë një shtypje si nje makinë shtrydhëse. Me anë të intrigave, me ndihmën e organeve qendrore turke, deportohen dhe burgosen shqiptarët muslimanë dhe krishterë. Kështu, në mbarim të vitit 1908, dy dhespotët (sulltani dhe patriku) ia arrijnë t’i mbyllin shkollat shqipe. Mbeti vetëm shkolla shqipe e Shkodrës, edhe kjo në sajë të vendosmërisë dhe kurajos së një mësueseje dhe të intervenimeve të të shoqatës misionare amerikane. Në vazhdim flitet edhe mbi përpjekjet e shqiptarëve ortodoksë e muslimanë për ta themeluar kishën autoqefale shqiptare, mirëpo Patrikana e kundërshton këtë për shkak se është duke bërë një propagandë të madhe edhe me anë të kishës. [7]
Po kështu, në “Tasvir-i Efkar” më 28.08.1909 ribotohet një artikull i gazetës “Freie Presse” ku thuhet se pas shpalljes së konstitucionit janë hapur shumë shkolla nga ana e qeverisë, ku shqiptarët e mësojnë lirisht gjuhën e tyre. Kështu, tash, përveç një shumice shkollash greke, shtohen edhe shkollat shqipe. Së shpejti do të mbahet një kongres në Elbasan në të cilin shqiptarët ortodoksë do të shpallin se nuk do t’i përulen më Patrikanës. Sado përpjekje që janë bërë, Patrikana nuk ka bërë gjë që shqiptarët ta përdorin gjuhën e tyre në kishë. Në Elbasan ndodhet një mitropolit grek, dy kisha greke, kurse në rrethinat afër një mijë manastira. Një qëndrim të tillë ndaj shkollave shqipe e rrjedhimisht edhe ndaj alfabetit, e ndjejmë edhe te kisha serbe, madje edhe ndër disa qarqe zyrtare, gjë që meriton kërkime të posaçme.
Mirëpo, rreziku më i madh për fatin e alfabetit vinte nga ana e klerit të lartë musliman. Po e theksojmë fjalën rreziku më i madh për shkak se kleri i lartë musliman shqiptar kishte si përkrahës shumicën e qarqeve feudale muslimane, qeverinë xhonturke, e cila në fillim fshehurazi e më vonë haptazi, e sidomos duke i mbyllur sytë ose duke i inkurajuar organet më të ulëta nëpër vilajete, u vu në anën e kundërshtarëve të alfabetit latin, sado që, siç do të shihet më vonë edhe ndër intelektualët turq kemi disa persona të shquar që janë përkrahës të alfabetit shqip. Kjo luftë, sipas mendimit tim, ka filluar në Stamboll, nga Stambolli është dirigjuar dhe ndoshta aty është reflektuar më së miri, sado që në aspekte të ndryshme. Vetë fakti që Stambolli është kryeqytet, që këtu është koncentruar kleri më i lartë shqiptar, se ai është në kontakte direkte me qarqet qeveritare dhe fetare turke, se këtu ndodhet elita politike shqiptare duke bëtë luftë edhe në Parlament. Këtë luftë duhet ta shikojmë me një sy tjetër.
Dua të them se një ithtar i alfabetit shqip në Stamboll nuk ka mundur të shkruajë e të veprojë si bashkëmendimtarët e tij në Bukuresht, Bruksel apo Kajro. Këtu gjejmë një taktikë tjetër, argumente tjera nga ata që i ndeshim gjetiu. Pra, në këtë kumtesë, ne do të përpiqemi ta përcjellim këtë luftë në Stamboll, aq më parë se na duket se ky aspekt i luftës për alfabetin shqip ka ngelur i errët në shkrimet tona të botuara qoftë ndër ne, qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë .[8]
Duke ndjekur gazetat e Stambollit, sidomos gazetën “Tanin”, organin e organizatës “Bashkim e përparim”, që është njëkohësisht edhe organi gjysmëzyrtar i qeverisë xhonturke, si dhe gazetën “Tasvir-i Efkar”, gazetë me traditë më të madhe drejtuar nga Ebuzia Teufiku – shkrimtar i shquar, nga themeluesit e lëvizjes xhonturke dhe bashkëpunëtor i Naim Kemalit, ideologut të konstitucionit dhe disa gazetave tjera – mund të konstatohet se lufta e hapur dhe e organizuar e alfabetit filloi kah gjysma e vitit 1909 dhe në fillim të vitit 1910 ajo e arrin kulmin. A thua vallë, pse? Sipas mendimit tim, arsyet duhet kërkuar në shkaqet që vijojnë:
Për turqit e rinj, sidomos për qarqet ekstremiste që kapën pushtetin në dorë, shqiptarët dhe turqit bënë një komb të përbashkët, alfabeti latinisht grusht kundër njësimit, ai do t’i bashkonte gjithë shqiptarët, do t’i kontribuonte zgjimit te idesë së tyre kombëtare, e si pasojë do t’i ndante nga Turqia. Ata në fillim nuk kishin as forcë as guxim të hyjnë në një luftë të hapur, por nxisnin një fushatë kundër alfabetit latin qysh në muajin shkurt të vitit 1909, duke përdorur si vegël pikë së pari hoxhallarët. Po në atë kohë, në Stamboll formohet një shoqëri nga ulemaja shqiptare, e cila kishte për qëllim përhapjen e shqipes me shkronja arabe. [18]
Kongresi i Dibrës që filloi më 23 korrik 1909 i organizuar nga xhonturqit nën parullën “Komisioni konstitucional osmanli-shqiptar” që kishte për qëllim manifestimin e vëllazërisë turko-shqiptare, sado që qëllimet e tij kryesore dështuan, në lidhje me alfabetin pat pasoja negative, sepse dha shkas që nëpër shkolla të mësohet shqipja me të dy alfabetet, me atë latin dhe arab. [19] Në ditët kur Xhavit pasha kishte e ndërmarrë aksionin e ndëshkimit dhe të qetësimit të shqiptarëve të veriut, në shtator të vitit 1909, mbi të cilin gjejmë shumë lajme në shtypin e Stambollit, fillojnë edhe sulmet e para kundër alfabetit latin. Kështu në “Tasvir-i Efkar” më 04.09.1909 botohet artikulli i gjatë i Sulejman Nazifit – shkrimtar me zë dhe një nga redaktorët e gazetës me titull: “Osmanizmi -shqiptarët” ku vihet në pah se sado që mendojmë se me zhdukjen e absolutizmit dhe vendosjen e konstitucionalizmit, do të zhduken kundërshtimet e brendshme, nëpër vende të ndryshme filluan të dalin në dritë edhe kundërshtime më të ashpra dhe kërkesa më të mëdha. Ndër bashkatdhetarët shqiptarë ka filluar të shfaqet një nacionalizëm, i cili më tepër mund t’i dëmtojë ata vetë dhe ta sjellë në pyetje ekzistimin e tyre. Derisa në veri në çdo mënyrë përpiqen të mbeten osmanli, në jug, nën ndikimin e ideve greke, ka tendenca separatiste. Por, edhe në veri Austria duke përdorur çdo mjet dhe me metoda të ndryshme, me anën e një grupi priftërinjsh katolikë, bënë sulm kundër karakterit të pastër të shqiptarëve dhe me anë të katolicizmit përpiqeshin ta përhapin ndikimin e vet. Mjerisht, në disa vende ka edhe sukses. Ata që preferojnë që gjuha shqipe të shkruhet me germa latine, janë ose shërbëtorë të Austrisë ose shërbëtorë të kësaj ideje. Pasi të pranohet alfabeti latin, leximi i Kur’anit bëhet absurd dhe në bazë të kësaj, duke hyrë shqiptarët në ndikimin e zonës krishtere do t’u ndihmojnë atyre që synojnë t’i shtijnë shqiptarët nën influencën e vet … Duke i përforcuar më tepër ndjenjat kombëtare sesa ato fetar, dalëngadalë ata do ta lënë pas dore edhe fenë. Ne këtu duam t’i sqarojmë dhe t’i numërojmë mjetet dhe intrigat që i përdor Austria me anë të jezuitëve dhe françeskanëve -thotë Sulejman Nazifi, por duam vetëm ta theksojmë pasojën që rrjedh nga çështja e alfabetit. Shqiptarët le ta mësojnë dhe ta përdorin gjuhën e tyre si të duan, mirëpo, duhet që të mos heqin dorë nga kujtesa se sot në Perandorinë Osmane ka një varg gjuhësh të përsosura dhe të zhvilluara së cilave shqipja kurrsesi nuk mund t’u bëjë konkurrencë … Ajo kurrë nuk do të bëhet gjuhë zyrtare, e një gjuhë e tillë është e dënuar të stagnojë e të degjenerohet.
Këto mendime të Sulejman Nazifit u pritën me entuziazëm nga një anë, por edhe shkaktuan polemika të mëdha, në anën tjetër. Ato do të merren më vonë shpesh nëpër gojë si argumente kundër alfabetit latin. Kështu, më 9 shtator në një artikull të botuar në “Tasvir-i Efkar” me titull: “Falënderime me rastin e botimit të artikullit mbi shqiptarët”, thuhet se redaksia ka marrë dhe është duke marrë shumë letra ku kritikohet artikulli në fjalë, por është më i madh numri i letrave të cilat e përshëndesin artikullin dhe në të cilat përforcohen idetë e artikullshkruesit mbi bashkimin kombëtar osmanli dhe bashkimin gjuhësor. Në artikull botohet letra e njërit nga parësia e Gjakovës, Emin Beut, të birit të Numan Pashës, meqënëse kjo letër përmban thelbin e një vargu letrash të tjera. Në letër thuhet “Shqiptarët jetojnë për osmanizmin madhështor dhe për bashkimin me të gjithë osmanlinjtë. Për këto qëllime janë gati ta sakrifikojnë jetën. Ata e dinë mirë se shpëtimi dhe lumturia e atdheut ndodhen në bashkimin dhe në përparimin e përhershëm. Përsa i përket çështjes së gjuhës, gjuha jonë është shqipja dhe turqishtja. Është e mundur të mësohet çdo gjë, pra, edhe feja jonë me përdorimin e shkronjave arabe”. Mirëpo, më 10 shtator botohet një letër e gjatë e njëfarë A. Gj. nga Kruja, i cili me një ton bindës e me një stil polemizues e hedh poshtë një nga një të gjitha argumentet e artikullshkruesit. Sado që fryma, fjalët, mënyra e atë argumentuarit të Sulejman Nazifit do të mbizotërojnë në shtypin turk të Stambollit, sidomos në artikujt e autorëve turq, kemi edhe raste ku bëhen përpjekje për t’i kuptuar edhe përkrahur tendencat shqiptare drejt qytetërimit dhe arsimimit. Si shembull të një qëndrimi të tillë pozitiv ndaj synimeve kulturore shqiptare do të përmendim një artikull të gjatë të korrespondentit të gazetës “Tasvir-i Efkar” (17 shtator1909) kushtuar kongresit të Elbasanit.
Artikullshkruesi në pjesën e parë kushtuar shqiptarëve dhe pozitës së tyre në regjimin e ri thotë se në lidhje me ngjarjet e fundit në Arnautllëk, mund të fitohet përshtypja se shqiptarët janë kundër regjimit konstitucional. Në këtë shkohet aq larg saqë shqiptarët akuzohen se janë reaksionarë, separatistë etj. Mirëpo, nëse nuk shikohen çështjet në mënyrë të përpiktë, do të konstatohet se thelbi i çështjes është se shqiptarët nuk mund të jenë të kënaqur me qeverinë konstitucionale. Që të përmirësohen marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe turqve, duhet të zgjidhen disa çështje. Duhet ditur se shqiptarët u kanë bërë rezistencë më të madhe në Ballkan pushtimeve osmane. Sado që ne fund janë mundur, osmanlinjtë kurrë nuk e kanë vendosur pushtetin e tyre të plotë në Arnautllëk. Me të vërtetë ata e kanë pranuar shumica fenë islame, por kanë ruajtur shumë veti të vetat, e kanë përzier fenë e re me elementet e fesë së vjetër, e kanë ruajtur gjuhën dhe zakonet. Pastaj, sulltanët e fundit osmanlinj, për t’i qetësuar shqiptarët që të mos bëjnë kryengritje, u kanë bërë shumë lëshime joligjore, gjë që sot ka pasoja negative. Duke qenë se qeveria absolute, për shkak të administratës së keqe dhe anarkisë shkonte kah zhdukja, intelektualët shqiptarë të vetëdijshëm se me zhdukjen e shtetit osman, do të mund të shpëtojnë nga apetitet e fqinjve të tyre, bënë ç’mos që të hiqet regjimi i vjetër dhe të shpallet konstitucionalizmi. Mirëpo, të gjithë nuk mund ta kuptojnë dallimin mes regjimit të vjetër dhe të riut, shumë masa administrative hasin në kundërshtime të hapëta të shqiptarëve. [ 20] Për t’i bërë shqiptarët për vete, nuk ka mjet tjetër përpos të drejtohen kah rruga e qytetërimit. Përdorimi i dhunës nuk sjell kurrfarë rezultati, zbatimi i kompromisit është gjë e papërshtatshme. Ja kjo është një çështje delikate që qeveria duhet ta zgjidhë. Përndryshe, idetë e ndarjes nga osmanizmi dhe të krijuarit e një administrate të pavarur në një anë apo përpjekjet që të kthehet regjimi absolutist, në anën tjetër, do të gjejnë fushë të hapur në veri, ashtu edhe në jug. Prandaj duke mos e humbur asnjë çast, duhet të bëhet përpjekja për ta qytetëruar këtë popull, duke i ndihmuar që të shpëtojnë nga varfëria. Një popull i prapambetur mund të ndëshkohet dhe të qetësohet sot, mirëpo nesër shfaqen po ato kërkesa dhe i nxjerrin përsëri kokëçarje qeverisë.
Në vazhdim flitet mbi vendimet e kongresit gjuhësor (Lisan Kongresi) të mbajtur në Elbasan, të cilat, sipas mendimit të autorit, do të kenë pasoja pozitive në rrugën e përparimit dhe arsimimit të shqiptarëve. Midis vendimeve të tjera në kongres është vendosur edhe hapja e shkollës normale, në shumë vende do të hapen shkolla private, shkolla bujqësore – me një fjalë është menduar që të ngritet niveli i diturisë. “Nga gjendja e mjerueshme në të cilën ndodhen shqiptarët, vetëm arsimi mund t’i shpëtojë. Por, me keqardhje shihet se qeveria edhe disa vjet nuk mund të japë në lëmin e arsimit aq ndihmë sa i nevojitet popullsisë. Prandaj, duke e ditur se kongresi i Elbasanit është një iniciativë e dobishme edhe për gjithë shtetin, është detyrë që edhe ai me tërë sinqeritetin ta përkrahë. Duhet të jemi të bindur se lidhjet e shqiptarëve me atdheun osman nuk janë aq të kalbura sa mendohet. Deri në ç’shkallë ne do të kemi besim tek ata, deri në atë shkallë ata do t’i përforcojnë lidhjet me ne?”. Në fund të artikullit jepet përkthimi integral i vendimeve të kongresit, të cilat nuk po i botojmë këtu, sepse dihen.
Ka gjasa se luftën e hapur mes dy palëve e shkaktoi deputeti i Pejës, Mahmud Bedriu. Më 11 janar 1910, thuajse në tërë faqen e dytë të gazetës “Tanin” e botoi letrën e hapur shqiptarëve. Në të ai çohet kundër përdorimit të alfabetit latin, duke theksuar se e gjithë bota muslimane, arabë, persianë, hindasit muslimanë, afganas, popullsia në Indonezi e përdorin alfabetin arab, e shqiptarët janë të vetmit që tani po ndahen. 150 vjet pas ardhjes së turqve, thotë Mahmud Bedriu, shqiptarët kanë filluar të shkruajnë shqip me shkronja arabe. Unë jam bindur, thekson ai, se shqiptarët muslimanë janë për këtë alfabete, e një referendum do ta kishte argumentuar këtë më së miri. Ai u bën apel shqiptarëve që t’i çojnë fëmijët e tyre në shkollat turke që qysh në fëmijëri ta mësojnë turqishten si gjuhë zyrtare, e në këtë mënyrë të mbeten të lidhur jo vetëm me Turqinë, por edhe me gjithë botën islame. Duke e mësuar vetëm gjuhën shqipe nëpër shkollat shqipe, ata e sjellin në rrezik vetveten, sepse qysh në fëmijëri nuk e mësojnë gjuhën zyrtare. E kjo në mënyrë direkte të çon kah ndarja nga Perandoria Osmane dhe kah shkëputja e vëllazërimit me osmanlinjtë. Një nga argumentet kundër alfabetit latin është edhe Austro-Hungaria dhe Italia, të cilat me anë të alfabetit latin, librave të botuara në Vjenë, e përhapin influencën e tyre në Arnautllëk me qëllim që një ditë ta gëlltisin. [21] Në fund, meqënëse kjo çështje ka të bëjë me problemin e shkollave, pra, me Ministrinë e Arsimit dhe të Financave, kërkon prej tyre që të marrin qëndrim dhe ta shfaqin mendimin e vet.
Do të ndalemi pak në çështjen se si shikohet nga Stambolli politika e Austro-Hungarisë , e cila mbas aneksimit të Bosnjës dhe Hercegovinës shfaq aspirata të hapura ndaj Sanxhakut të Novi Pazarit dhe Shqipërisë. Duhet theksuar se opinioni publik i Stambollit ndien një averzion ndaj Austro-Hungarisë , gjë që shtypi përpiqet ta shfrytëzojë edhe në lidhje me alfabetin e shqipes. Mbi këtë gjejmë materiale të shumta, por ne do të ndalemi vetëm në disa reagime. Nga një polemikë midis Hasan Prishtinës dhe njëfarë B. M. Elbasanit, e kemi përshtypjen se Hasan Prishtina akuzohet në mënyrë direkte se me dashje e injoron depërtimin kulturor të Austro-Hungarisë në Arnautllëk. Në përgjigjen e vet (“Tanin”, 28 shtator 1909) Hasan Prishtina thotë se Austro-Hungaria ka protektoratin fetar përmbi katolikët e Ballkanit qe disa shekuj, e kjo është një çështje e qeverisë. Sa u përket shkollave misionare dhe aktivitetit misionar, ata ndodhen jo vetëm në Arnautllëk, por edhe në një varg vendesh islame, të cilat ndodhen nën Turqi, e lënë më ndër vendet ku ka katolikë. Ai nuk është i mendimit që ndikimi i këtyre shkollave të jetë aq i madh.
Më 3 janar 1909 në “Tanin” botohet përsëri letra e B. M. Elbasanit me titull “Arnautllëku – deputetit të Prishtinës Hasan beut”. Hasan Prishtina shkruan se ndër katolikët e Kosovës nuk ekziston ndikimi i milionave që i derdh Austria në Shqipëri. Mirëpo, thotë B. M. Elbasanasi, duke filluar nga Rugova, Malësia e Gjakovës e Luma dhe deri në Podgoricë e Tuz, në vende ku banojnë ku banojnë pjesëtarë të njëzet bajraktarëve në vobektësinë më të madhe mund të shohim kisha të forta e të mrekullueshme dhe brenda tyre edhe shkolla. Duke kaluar nëpër shkrepa të tmerrshme dhe bjeshkë që e fusin frikën, do të shohësh meshkuj e femra se si i mbajnë abetaret në dorë, shkojnë në shkollat kishtare. Këto abetare janë shkruar shqip, por me alfabetin austriak. Përveç kësaj, në Shkup, Prizren, Pejë, Shkodër, brenda avlive të kishave janë ndërtuar shkolla nga materiali i fortë. Librat dhe të gjithë mjetet tjera shkollore janë dërguar nga Austria. Por, jo vetëm kaq. Austria bën propagandë dhe ndër muslimanë … Unë kam frikë që nëse puna vazhdon kështu, do të gjendemi në një situatë shumë të keqe. “Përsa i përket çështjes së alfabetit, ju thoni se këtë do ta zgjedhë koha. Mirëpo, koha është e lidhur me përpjekje, d.m.th. aveniri varet nga mundi i derdhur. Ju thoni se shkollat në Elbasan janë shqip. Mirëpo, pse nuk u erdhën ndër mend ato rrafshina të gjëra ku kini lindur ju. A mund të hapni atje shkolla të tilla dhe nëse do t’i hapnit çdo të ngjante”.
Më 18 janar në gazetën “Ikdam” është botuar përgjigja e Hasan Prishtinës drejtuar gazetës austriake “Fremdenblat” ku është analizuar politika e Austro-Hungarisë dhe e Italisë. Por, mjerisht këtë artikull nuk e kam. Më 27 korrik 1909 “Tasvir-i Efkar” boton një kryeartikull me titull: “Shqipëria veriore dhe jugore dhe Austria dhe Italia”. Në artikull theksohet se sado që Austria e humbi luftën me Italinë më1866 dhe bashkë me të edhe Venedikun, ajo akoma mendon se vendet që kanë qenë nën influencën e Venedikut duhet të mbeten e Austrisë e jo të Italisë. Ajo ia mohon haptazi Italisë interesat në bregdetin jugor shqiptar, duke qenë se edhe Italia ka aspirata ndaj këtyre vendeve.
Në fillim të tetorit boton një kryeartikull gazeta “La tur quienouvelle” e më 8 tetor dhe “Tasvir-i Efkar” me titull: “Shqipëria veriore dhe politika e Austrisë”. Thelbi i të dy artikujve është se Austria duke përfituar nga udhëheqësia e Turqisë, aneksoi Bosnjën e tash duke u paraqitur si mbrojtës zyrtar i katolikëve shqiptarë, e duke nxitur fshehurazi fiset shqiptare në kryengritje, përpiqet që jo vetëm ta fusë, por edhe ta përgjithësojë influencën e saj në Shqipëri. Njëri nga njerëzit që ka bërë shërbime më të mëdha në vendosjen e influencës austriake në Ballkan është Leduhaski (?), një nga kryetarët e shoqatës propagandistike austriake. Jezuitët dhe françeskanët, bashkë me priftërinjtë e Zagrebit, me ndihmën e qeverisë austriake, kanë hapur në Shkodër tri shkolla, një spital, një manastir, kurse në Durrës, Tiranë, Pejë dhe Gjakovë gjithashtu shumë shkolla. Mitropoliti katolik i Shkupit, i cili qëndron në Prizren, është nënshtetas gjerman. Në të vërtetë – vazhdon kryeredaktori i “Tasvir-i Efkar”-it, Ebuzia Teufik, Austria është pronare e bregdetit shqiptar, sepse post-telegrafat, transporti, komunikacioni ndodhen nën monopolin e saj. Vaporet e lojdit austriak arrijnë deri në skelën më të vogël shqiptare. Ta merr mendja se këto nuk janë vetëm punë tregtare, por edhe punë politike. Ata shqiptarë të rinj që kanë dëshirë të mësojnë në shkollat austriake, marrin ndihmë në të holla, kurse bejlerët shqiptarë, çifliqet e të cilëve kanë ngelur të shkretë, me të hollat që i kanë marrë hua nga Austria, i ringjallin. Në këtë mënyrë bien nën influencën austriake. Artikullshkruesi në vazhdim përmend një vepër të Leopold Franges botuar në kohët e fundit në Lajpcig, sipas së cilës më 1908 është nënshkruar një marrëveshje sekrete midis Austrisë dhe Greqisë. Kjo marrëveshje parasheh që tokat shqiptare në jug të Shkumbinit t’i takojnë Greqisë, kurse tokat në veri të Shkumbinit e deri në Selanik, Austrisë. Austro-Hungaria akuzohet njëkohësisht se edhe kryengritjen më të vogël të ndonjë fisi shqiptare zmadhon dhe e përhap nëpër Evropë me anë të propagandës së vet. Sa i përket alfabetit, ai nxit dhe materialisht i përkrah jo vetëm shkollat katolike, por i shtyn edhe muslimanët që ta pranojnë këtë alfabet me qëllim që sa më lehtë t’i ndajë nga Turqia dhe t’i nxjerrë vështirësi Turqisë.
Deputeti i Shkupit, Seid Idrizi, emri i të cilit do të përmendet disa herë në këtë punim, si armik i alfabetit shqip, në letrën e botuar në “Tasvir-i Efkar” më 19 shkurt1910 thotë: “Duke qenë në Anadolli me vëmendje i kam ndjekur përpjekjet e një grupi shqiptar që ta pranojnë mënyrën perëndimore të të shkruarit. Së pari, këtë e merrja si një sëmundje që të imitohet mënyra evropiane ‘allafranga’. Por, së fundi konstatova se me nxitjen e Austrisë dhe Italisë ka marrë dimensione të mëdha. Për t’u ndaluar kjo bashkë me katër deputetë tjerë i dërguam një memorandum kryeministrit Haki Pashës. Grupi tjetër paraqiti memorandumin e kundërt, madje një deputet shkoi aq larg saqë kërkoi të japim dorëheqje (këtu mendon për Hasan Prishtinën). Mirëpo, në të vërtetë, ai duhet të japë dorëheqje, e jo ne. Mitingu që u mbajt në Shkup, e pas atij dhe ai i Manastirit, nuk ishin gjëra të rastit. Apeli i Mahmud Bedri Pejanit i ka shqetësuar të dy palët”.
Vetëm katër ditë më vonë, më 15 janar 1910, botohet një përgjigje edhe më e gjatë e Gani Frashërit, deputetit të bregdetit. Meqenëse mbrojtja e alfabetit në Stamboll do të bëhet pak a shumë me argument të ngjashëm, do të ndalemi pak më gjerë në të. Sipas Gani Frashërit, i cili pas shpalljes së pavarësisë shqiptare ka kaluar në Shqipëri dhe ka botuar një libër mbi luftën e tij, alfabeti të cilin Mahmud Bedriu e quan alfabet latin, në realitet nuk është alfabet latin, por alfabet shqip. “Këtë alfabet nuk e kanë shpikur ata që nuk e njohin fenë islame, por dijetarët e lartë, si muderisi i nderuar Dregovanli Omer efendi (duhet të jetë anëtar i shoqërisë së Stambollit, por për të s’kam mundur të gjej gjë) i përmenduri për kah asketizmi Hoxha Tahsini dhe i ndjeri Shemsedin Sami Frashëri, të cilët e kanë nderuar fenë islame me veprat shkencore. Ata nderohen si personalitete të shquara islame. Së dyti, sikurse kam sqaruar në artikullin e tashëm të botuar në “Yeni Tanin”, jo vetëm muslimanët, por edhe krishterët, për të mirën e tyre, duhet të mësojnë në mënyrë të përsosur gjuhën zyrtare shtetërore – turqishten. Mirëpo, sado që bashkatdhetarët shqiptarë jetojnë në të njëjtin vend dhe në të njëjtat kushte, sikurse grekët dhe bullgarët, prapë janë shumë më poshtë se këta në shkallën e diturisë.[ 22] Nuk mjafton nëse nga tre milionë shqiptarë, çdo njëqind vjet dalin nga 5-6 vezirë, shkencëtarë dhe dijetarë, përparimi varet nga të përhapurit e dritës së diturisë ndër të gjithë pjesëtarët e popullit. Prandaj, nuk ka tjetër rrugëdalje, përveç arsimit fillestar të jetë në gjuhën e vendit. E sa i përket alfabetit, jam i mendimit që t’i lihet popullit që të zgjedhë vetë”.
“Bedri efendiu”, vazhdon Gani Frashëri, “përmend se me alfabetin arab shkruhet në Afganistan, Sumatra etj. Mirëpo, a e di Bedri efendiu se në çfarë shkalle kulturore ndodhet popullsia e këtyre vendeve? A do që edhe neve të na shohë në këtë shkallë”? Tashmë, përmendëm se jo vetëm Mahmud Bedriu, po edhe kundërshtarët tjerë, si argument e marrin propagandën e Austro-Hungarisë . Ai hedh poshtë se Arnautllëkut i kanoset rreziku nga Austro-Hungaria, ide që e gjejmë edhe në një artikull botuar përpara nga Hasan Prishtina. Rreziku për shqiptarët, thotë Gani Frashëri, vjen nga dy anët: së pari në veri të Vilajetit të Kosovës vjen nga serbët, të cilët me termin “Sërbia e vjetër” e kuptojnë Shkupin, Pejën, Gjakovën dhe krahinat tjera. Për këto pretendime të tyre ekziston një raport i hollësishëm i konsullit rus të Shkupit, përmbledhja e të cilit është botuar në gazetën “Figaro” të Parisit. Ata, duke u mbështetur në disa të drejta historike, nuk heqin dorë nga kërkesat për këto vende. Me propagandën e tyre ata e kanë bërë për vete opinionin evropian. Serbët, të cilët ia kanë hedhur syrin këtyre krahinave, që të mund të përfitojnë nga teoria se “një komb pa gjuhë, s’mund të jetë as komb, kurse një gjuhë që nuk ka as alfabet as letërsi të veten, nuk mund të jetë gjuhë”, nuk duan që ndër ato vende të përhapet alfabeti i posaçëm i shqipes. Rreziku i dytë vjen nga grekët, në lidhje me Epirin, d.m.th. Vilajetin e Janinës, të cilët me anë të kishës dhe duke mos pasur shqiptarët alfabetin e tyre, të gjithë ortodoksët shqiptarë i marrin si grekë dhe kanë pretendime për këto vende. Propaganda e tyre e fortë në Evropë dhe simpatia ndaj grekëve të vjetër, kanë bërë që opinioni evropian të jetë me ta. [23]
Duke folur për arsyet e përvetësimit të alfabetit të shqipes, Gani Frashëri thotë: “Është e natyrshme që së pari u mendua të merret alfabeti arab. Mirëpo, duke marrë parasysh se këtij alfabeti i mungojnë zanoret dhe është vështirë për t’u mësuar, u hoq dorë nga ky mendim. Së dyti, duke marrë parasysh se një pjesë e shqiptarëve janë krishterë të cilët kanë përdorur alfabete tjera dhe nuk janë mësuar me alfabetin arab, u sajua alfabeti shqip. Duke e bërë këtë, sajuesit e tij nuk janë tërhequr nga kurrfarë ideje e ndarjes nga perandoria osmane ose nga ideja e pavarësisë. Ky alfabet është i lehtë, saqë çobani për një muaj mëson të lexojë gazeta, e kjo gjë, shikuar edhe nga pikëpamja e dobishmërisë për Perandorinë Osmane, është pozitive. Nëse kërkohet civilizimi i shqiptarëve – e për këtë askush nuk dyshon – një rezultat i tillë mund të arrihet vetëm nëse mësimet bëhen në gjuhën e tyre. Shqiptarët edhe për nga jeta 500 vjeçare edhe për nga interesat e përbashkëta, janë të lidhur me osmanizmin dhe me turqit. Të supozosh se shqiptarët do ta braktisin turqishten do të thotë t’ua mohosh atyre të drejtën e jetesës. Shqiptarët nuk do ta mësojnë turqishten si përpara – sepse regjimi i sulltan Hamidit nuk ka bërë asgjë për ta përhapur arsimin ndër shqiptarët, por e ka ndjekur rrugën e përhapjes së paditurisë – por do të mësojnë shumë më te përse përpara.[24] Mirëpo, të mësuarit e turqishtes në mënyrë të përsosur është çështje e arsimit të lartë, këtë mund ta ndjekë vetëm një shqiptar në një mijë. Fëmijët e fshatarëve dhe të esnafëve, të shtrënguar të punojnë për të jetuar, s’mund të ndjekin shkollën vite me radhë. Ja për ç’arsye mësimi fillestar duhet të jetë në gjuhën shqipe. E, kjo mund të arrihet vetëm me alfabetin shqip, i cili është i lehtë dhe praktik. Nëse nuk mendohet vetëm kështu në lidhje me shqiptarët, do të jetë një rrezik i madh si për ekzistimin e tyre, ashtu edhe për perandorinë osmane”.
Artikullin e vet Gani Frashëri e përfundon me këto fjalë: “Thuhet se me të hollat e Austrisë po ndërtohen shkolla dhe kisha. Kjo mund të jetë e vërtetë. Për ta joshur një njeri dhe për ta bërë atë për vete, duhet të bësh punë që i pëlqejnë atij. Duke dashur t’i tërheqin shqiptarët e duke e ditur se sa ka rëndësi për to të mësuarit e gjuhës së tyre, Austria bën shërbime, pikërisht në lëmin e gjuhës. Unë kisha pasur dëshirë sikur opinioni publik osman, bashkë me qarqet qeveritare, ta kuptonin se sa ka rëndësi për shqiptarët t’i bëhen shërbime gjuhës së tyre. [25] Për ta qetësuar dhe rregulluar popullin shqiptar, masa më e çmueshme do të ishte që qeveria ta ndihmojë të mësuarit e gjuhës së tyre. Duke e përfunduar artikullin, po nxjerr në dritë se shpresa e sotme e shqiptarëve është gjuha. Ta kundërshtosh këtë dëshirë të shqiptarëve është një gabim i madh politik”.
Nga artikujt e të dyve, ku më së miri reflektohen pikëpamjet kundërshtare, del qartë se nuk bëhet lufta vetëm për alfabet, por edhe për shkollat fillore – a do të jenë turqisht a po shqip, vazhdimisht trajtohet politika e Austro-Hungarisë , çështja e autonomisë apo pavarësisë, me një fjalë aveniri i popullit shqiptar. Prandaj, e gjej të nevojshme t’i them disa fjalë në lidhje me kërkesat për autonomi, problem ky që më duket shumë i komplikuar dhe kërkon studime të posaçme duke filluar prej Lidhjes së Prizrenit e këndej.
Në artikullin e përmendur, Gani Frashëri i kushton një vëmendje të posaçme kësaj çështjeje. E, ajo përshkohet edhe në shumë artikuj tjerë të shqiptarëve të shquar, të botuara në gazetat e Stambollit. Sipas Gani Frashërit, Arnautllëku është i rrethuar nga të katër anët me popuj të huaj, e nëse e fiton pavarësinë, duhet të luftojë me këta popuj që nga jugu e gjer në veri, duhet t’i mundë që të gjithë menjëherë, e njëkohësisht ta ketë për vete edhe dashurinë e simpatinë e opinionit publik evropian. “Me keqardhje jemi të shtrënguar të pranojmë se fuqia, pasuria, shkalla e diturisë së shqiptarëve nuk janë në gjendjen e duhur. Pavarësia e popullit shqiptar ka qenë e mundur para 100 vitesh…”
Deputeti i Shkupit, Seit Idrizi, në një letër dërguar Ebuzia Teufikut, kryeredaktorit të “Tasvir-i Efkar” (16 tetor 1909) në mënyrë kategorike i hedh poshtë thëniet nëpër shtypin e huaj dhe atë të Stambollit lidhur me atë se shqiptarët kërkojnë autonomi dhe pavarësi. Krutani A. Gj. në një letër të botuar në “Tasvir-i Efkar” më 11 shtator 1909 i hedh poshtë fjalët e redaktorit Sulejman Nazifit, i cili pat shkruar se ndër toskët ekzistojnë tendenca për autonomi pavarësi, e ndër gegët ekziston dëshira që të mbeten gjithmonë vëllezër me turqit, gjë që u vërtetua edhe në Kongresin e Dibrës. Krutani ia bën këtë pyetje: “Vallë, a nuk ishin edhe toskët në Kongresin e Dibrës, apo ata në kongres proklamuan se nuk janë osmanlinj dhe nuk duan të mbeten të tillë?”.
Ndoshta më karakteristike është deklarata e deputetëve të shquar shqiptarë në Parlamentin turk, botuar më 7 korrik 1909, ku midis tjerash thuhet se disa gazeta të Stambollit – qoftë në trajtë përkthimi – botojnë kohë pas kohe lajme të marra nga shtypi evropian që kanë për qëllim t’i paraqesin shqiptarët se luftojnë për pavarësinë dhe ta nxisin kryengritjen aty-këtu. “Arsyeja se shqiptarët të përmendur përkah mendjemadhësia, gjallëria, vendosmëria, deri më tash nuk kanë mundur t’i japin hov prirjes së tyre natyrore, nuk mund të jetë tjetër pasojë tjetër, përveç asaj të dhespotizmit. Secili e ka të qartë se ekzistenca e Arnautllëkut vetëm në një bashkim osman të mbështetur në konstitucionalizëm. Shpresa e vetme e shqiptarëve ka qenë liria dhe themelimi i konstitucionalizmit në atdheun tonë të përbashkët – Perandorinë Osmane. E deri në ç’shkallë kanë bërë shpërblime në këtë drejtim, do të flasë historia. Pa i marrë parasysh lidhjet materiale dhe morale të forcuara nga vëllazëria turko-shqiptare e mbështetur në baza të forta 500 vjeçare, shqiptarët në rast të një ndarjeje nuk do të mundnin të jetojnë vetëm për arsye gjeografike dhe për shkak se janë të rrethuar”. Nuk ka dyshim se lajme të tilla janë trillime të atyre që duan të nxjerrin ndonjë dobi. Prandaj, e hedhin poshtë plotësisht një gjë të tillë duke theksuar se ideja e autonomisë dhe e pavarësisë nuk i bie ndërmend asnjë shqiptari të ndershëm dhe patriot. Është interesante se këtë deklaratë e kanë nënshkruar deputetët më të shquar shqiptarë në parlamentin turk, midis të cilëve gjejmë edhe ithtarë edhe armiq të alfabetit shqip (Ismail Qemali ishte në mërgim): deputeti i Beratit Aziz (Vrioni), deputeti i Durrësit Esat (Toptani), senatori manastirli Ismail Hakiu, senatori manastirli Sulejmani, deputeti i Dibrës, Ismaili, deputeti i Prizrenit, Sherifi dhe Emini, deputeti i Prishtinës, Hasan (Prishtina), deputeti i Prevezës, Ahmed Hamdiu, deputetët e Shkupit Seit (Idrizi) dhe Mehmet Nexhip (Draga), deputeti i Senicës, Hasan Muhedini, dhe deputeti i Korçës, Shahin Teki (Kolonja). [26] Këtë deklaratë deputetët shqiptarë e bënë vetëm një ditë pas interpelancionit të Hasan Prishtinës, Ali Gjakovës, Hasan Senicës, Fuat Pashë Prishtinës dhe Seit Idrizit që e bënë në kryesinë e Parlamentit në lidhje me vrasjet e djegiet e Xhavit Pashës në Gjakovë, Pejë dhe Malësi. Në lidhje me këtë u bë një dyluftim shumë i ashpër midis Fuat Pashë Prishtinës dhe Hasan Prishtinës në një anë dhe ministrit të Punëve të Brendshme Ferid Pashës në anën tjetër. Madje, dialogu u acarua aq shumë saqë u ndërpre seanca. [27]
U ndalëm pak në këtë çështje për disa arsye: Së pari, nuk ka dyshim se një grup i shquar edhe midis deputetëve, si Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Shahin Kolonja, Aziz Vrioni kanë qenë për autonomi e pavarësi te plotë, gjë që e kanë argumentuar me punën e tyre të mëvonshme. Mirëpo, në ato çaste të turbullta kanë frikë nga një pavarësi e plotë, sepse janë të bindur se një shtet i pavarur shqiptar s’do të jetë në gjendje t’u bëjë ballë shteteve fqinje. Përveç kësaj, si deputet në Parlamentin osman dhe si nënshtetas të atij shteti, janë të detyruar ta përdorin një taktikë të posaçme. Prandaj, duke e çmuar dhe duke e vlerësuar këtë ngjarje, duhet ta bëjmë dallimin mes atyre që vepronin brenda kufijve të Turqisë dhe atyre që ishin jashtë. Pastaj, çështja e autonomisë është gjithashtu e lidhur me çështjen e alfabetit. Turqit e kishin të qartë se alfabeti latin i shpie shqiptarët kah një evropianizim e domosdo edhe kah pavarësia. Prandaj, ithtarët e alfabetit i akuzonin se janë për pavarësi e për ndarje nga perandoria osmane. Këtu me të vërtetë nuk u mashtruan.
Më duket se deri në këtë kohë, si qarqet qeveritare, ashtu edhe kundërshtarët e alfabetit ndodhen në njëfarë defansive, si në Stamboll, ashtu edhe ndër provincat. Mirëpo, tani fillon një luftë e organizuar dhe e sinkronizuar në të gjitha anët. Hapin më të ashpër, i cili sjell një përçarje të plotë jo vetëm ndër përfaqësuesit më të lartë politikë, por edhe ndër të gjitha organet e ulëta dhe ndër masa, e bëri një grup deputetësh shqiptarë në Parlamentin e Stambollit. Në mesazhin drejtuar Kryeministrisë, kopja e të cilit botohet në “Yeni Tanin” më 19 janar 1910, thuhet se deputetët e nënshkruar, interpretues të ndjenjave të popullit shqiptar, në emër të popullsisë së Vilajeteve të Kosovës, të Shkodrës dhe të Manastirit (bie në sy që nuk qe ai i Janinës se sigurisht deputetët toskë kanë qenë për alfabetin shqip) në lidhje me gjuhën e popullit shqiptar dhe mënyrën e të shkruarit konstatojnë se faktori kryesor që i lidh shqiptarët e turqit është feja, e alfabeti është i pandarë nga baza fetare. Prandaj, ata kërkojnë që të ruhet trajta e vjetër e shkrimit, gjë që sipas fjalëve të tyre është aprovuar në Mbledhjen e Ferizajt dhe pas kësaj në Kongresin e Dibrës, ku delegatët e hodhën alfabetin latin. “Prandaj, ne, si përgjegjës për fatin e popullit, vendosëm që ky alfabet të mos pranohet dhe të mos futet nëpër shkolla. Ne me neveri më të thellë e shikojmë propagandën për alfabetin latin, të cilin duan të na fusin të huajt që duan ta gëlltisin atdheun tonë dhe duke bërë lloj-lloj intrigash, duan ta shkatërrojnë bashkimin tonë me perandorinë osmane. Si rezultat i kësaj propagande, kanë lidhur mosmarrëveshje, grindje dhe përçarje të padëshirueshme dhe prandaj kërkohet prej qeverisë që t’u japë fund të gjitha këtyre gjërave”. Ata kërkojnë nga qeveria ta përkrahë dhe ta përhapë këtë alfabet, të cilit i janë shtuar disa germa [28], të ndalohet përdorimi i alfabetit perëndimor. Në pajtim me këtë alfabet të hartohet propagandimi dhe t’i kushtohet rëndësi arsimit ndër vilajetet shqiptare. Mesazhin e kanë nënshkruar: Deputeti i Elbasanit – Aliu, deputeti i Shkupit – Seid (Idrizi), deputeti i Prishtinës – Shaban Emini, deputeti i Prishtinës, Fuati, deputeti i Plevlës – Ali Vasfi, deputeti i Prizrenit – Jahja. Në lidhje me këtë i kanë deponuar nënshkrimet edhe: Deputeti i Shkodrës – Rizaj, deputeti i Shkodrës – Murtezaj, deputeti i Manastirit – Mehmed Vasif, Deputeti i Pejës – Mahmud Bedri, deputeti i Pejës – Ahmed Hamdi, Deputeti i Dibrës Hasan Basti, Deputeti i Senicës Hasan Muhjidrin. Se fushata është sinkronizuar e tregoi mitingu i Shkupit kundër alfabetit, mbajtur më 2o janar 1910, që kishte për qëllim të tregojë se shqiptarët me të vërtetë e përkrahin këtë grup. Nënshkruesi i parë i mesazhit, Seit efendiu, është njëkohësisht udhëheqësi i mitingut të Shkupit në të cilin, sipas burimeve turke, kanë marrë pjesë disa mijëra veta, kurse sipas zyrës austriake vetëm disa qindra veta, gjë që ekzagjerojnë të dy palët se kanë arsye për këtë. [29]
Vetëm dy ditë pas mitingut, më 22 janar, botohet përgjigja e Hasan Prishtinës. Në fillim ai thotë se do të vijë përgjigja e argumentuar e deputetëve tjerë shqiptarë, por ai do të vë në pah vetëm disa çështje. “Çështjen e alfabetit do ta zgjidhë koha, nëse nuk e ka zgjidhur. Çështja nuk është e një natyre të tillë si mendojnë disa, se nuk mund të trajtohet shkel e shko, sidomos për shkak se zgjidhja nuk mund të kryhet sipas dëshirës apo mosdëshirës së deputetëve. Ajo mund të zgjidhet vetëm nga pikëpamja atdhetare e jo duke thënë: ‘Ne duam apo nuk duam këtëz gjidhje’” … “Sot, sikurse që ithtarët e alfabetit të shqipes nuk mund të thonë se medoemos duhet të shkruhet dhe të lexohet me alfabetin me germa turke, nuk mund të thonë se s’mund të lexohet me alfabetin shqip, madje, mënyra e të lexuarit dhe e të shkruarit nuk mund të vihet në monopol si duhani”. Secili është i lirë në përpjekjet e veta – thotë Hasan Prishtina – dhe askush s’ka të drejtë t’i thotë për këtë asgjë. “Mirëpo, nënshkruesit e peticionit të dërguar Kryeministrisë , ta quajnë veten si të vetmit interpretë të ndjenjave të Arnautllëkut, e sidomos kur disa prej tyre s’kanë kurrfarë lidhje me shqiptarët as për nga gjaku, as për nga gjuha, kur ndërhyrje në punë për të cilat nuk kanë as atribute as kompetenca – këtë nuk mund ta marr as me mend”. “Që të mundë të kuptohet se deri në ç’shkallë kanë fuqi e ndikim fjalët e deputetëve në rrethet ku janë zgjedhur, nevojitet që të gjithë deputetët ta japin dorëheqjen dhe zgjedhjet të mbahen përsëri. Nëse kundërshtarët pranojnë këtë vetëmohim dhe në këtë mënyrë pajtohen që kështu të tejkalohet një pengesë e madhe – do të provojnë se janë gati ta japin provën e lartë të besnikërisë së tyre ndaj popullit. Ja, ky është megdan i provës. Përndryshe, është mëkat që për të siguruar qëllimet vetjake ta mashtrosh opinionin publik. Secila nga të dy anët është në gjendje të shkruajë peticione. Mirëpo, gjëja kryesore duhet të jetë ndërgjegjja jonë”. Siç paralajmëroi Hasan Prishtina, më 24 janar 1910 botohet peticioni i deputetëve, ithtarë të alfabetit shqip, nënshkruar nga: Ismail Qemal Vlora – deputet Aziz Vrioni – deputet i Beratit, Esat Tiranasi – deputet Mehmed Nexhip Mitrovica – deputet Hasan Prishtina – deputet Shahin Kolonja – deputet i Korçës, Mufis Gjirokastra – deputet i Gjirokastrës, Gani Frashëri – deputet Ali Hajdari – deputet dhe Hamid Margëlleci. Duke i hedhur poshtë fjalët e palës kundërshtare, ata veçanërisht theksojnë se lloji i germave nuk ka kurrfarë lidhje me fenë.
Në Mbledhjen e Ferizajt, kjo çështje në asnjë mënyrë nuk ka qenë objekt diskutimi, kurse në Kongresin e Dibrës u kërkua me këmbëngulje hapja e shkollave shqipe, ndërsa zgjedhja e alfabetit u la si gjë fakultative. Me një ironi të mprehtë, për palën kundërshtare thuhet se ata që e ndjejnë veten përgjegjës për fatin e popullit shqiptar, që i japin vetes kompetenca se ata duhet ta vrajnë dhe të kthjellin, ata janë ose turq ose njerëz që janë larg nga gjuha, ndjenjat dhe kombësia shqiptare. Fjalën vendimtare në këtë çështje duhet ta kenë shqiptarët – ekspertë gjuhe, ata që janë shqiptarë edhe për nga gjuha, edhe për nga gjaku. Prandaj, duke u përpjekur për përparimin e popullit shqiptar, duke marrë parasysh se gjuha e shkruar shqipe është një realitet dhe se përparimi i popullit shqiptar shkon në dobi të shtetit osman, fjalët e tyre i hedhin poshtë me neveri të thellë. Njëkohësisht ata e njoftojnë Kryeministrinë se në këtë punë nuk janë në fazën fillestare. “Në kohën e sadrazemllëkut të Ali Pashës” – thuhet në vazhdim – “me qëllim që shteti osman të orientohet sipas gjendjes në Evropë, duke i respektuar kërkesat e të gjithë shqiptarëve muslimanë e krishterë, duke menduar në mënyrë të urtë shtetërore, u sajua ky alfabet nga ana e të parëve dijetarë shqiptarë që ndodheshin në Stamboll dhe pas kërkesës që iu bë qeverisë, me sugjerimin e Ali Pashës, sulltan Abdul – Azizi dha leje. Në bazë të kësaj, me këtë alfabet iu dërgua sulltanit një letër përshëndetëse. [30]
“Pas meshrutijetit, në kryeqytetin tonë u formua një komision tjetër, i cili e përmirësoi alfabetin e përmendur dhe me lejen e Ministrisë së Arsimit, redigjoi dhe botoi dy gazeta të përkohshme ‘Dritën’ dhe ‘Diturinë’ dhe një shumicë të madhe librash. [31] Më vonë, me gjithë shtypjen dhe ndalimin që ngjanë në kohën e regjimit të vjetër, ky lloj shkrimi vazhdoi në mënyrë graduale, kurse kur plasi liria e meshrutijetit, u përhap nëpër tërë Arnautllëkun. Si u tha më lartë, ai qe objekt diskutimi në Longresin e Dibrës, e pastaj edhe në Kongresin e Elbasanit, e duke marrë në shqyrtim të dy dialektet, atë të jugut dhe atë të veriut, alfabeti shqip, sajuar para 40 vitesh e reformuar, u pranua në mënyrë të prerë dhe unanime. Në gjendjen e tashme, të gjithë klubet shqiptare dhe shumica e intelektualëve dhe mendimtarëve shqiptarë, sillen dhe manovrojnë brenda këtyre vendimeve. Ky alfabet nuk është në përdorim vetëm në shkollat private shqipe, por edhe në idadijet si dhe në shkollën e lartë administrative të Stambollit, ku 70 studentë mësojnë me këtë alfabet. [32] Sot ndër tre milionë shqiptarë, mijëra të tillë, të cilët e ndjekin mendimin e tij, janë të lidhur me këtë ide dhe në këtë mënyrë bëjnë që të prezantohet humanizmi i tyre”. “Prandaj” – theksohet në vazhdim – “në këtë mënyrë nuk duhet të hapet shtegu i grindjeve me popullin shqiptar, i cili është shtylla më e fortë e perandorisë osmane në Evropë. Nga qeveria kërkohet që të mos jetë e padurueshme në këtë çështje, që përparimi i shqiptarëve nuk duhet ta brengosë, sepse shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër përveç osmanizmit, ata janë të shtrënguar të jetojnë bashkë me elementin osman, ata janë të detyruar ta mësojnë osmanishten, e duke e mësuar edhe gjuhën e tyre, përparojnë në mënyrë të natyrshme dhe të shpejtë, gjë që e ka argumentuar edhe eksperienca. Përveç kësaj, duhet ditur se ndër shqiptarë ka edhe një milion krishterë, të cilët gjithashtu janë pjesëtarë të Perandorisë Psmane. Prandaj, kërkohet nga qeveria duke u mbështetur në kushtetutën, e cila e lirë të mësuarit e gjuhës amnore, që ta vazhdojë rrugën dhe mos ta ndryshojë, mos të bëjë hapa të rrezikshëm, duke e inkurajuar njërën pjesë të popullit dhe duke iu kërcënuar pjesës tjetër dhe t’ua bëjë të ditur nëpunësve jashtë Stambollit që të punojnë sipas ligjit. Gjithë puna le t’i lihet zhvillimit të natyrshëm që është rruga e vetme, e cila do ta zgjidhë këtë problem”. [33]
Në kohën kur botohet përgjigja e Hasan Prishtinës dhe e deputetëve ithtarë të alfabetit shqip në gazetën “Tanin”, në një gazetë tjetër “Osmanischer Loyd” që ka dalë në Bejoglu të Stambollit, botohet një intervistë e redaktorit të gazetës me deputetin e Gjirokastrës, Mufid Bej Lebohovën. Në këtë intervistë ai i paraqet të njëjtat argumente si Hasan Prishtina dhe deputetët e përmendur, duke theksuar përsëri se shumica e deputetëve autorë të memorandumit dërguar Kryeministrisë në të cilin e kanë kërkuar ndalimin e alfabetit latin, nuk janë shqiptarë as për nga gjuha as për nga ndjenjat dhe se nuk punojnë në interes të popullit shqiptar. Ai njëkohësisht e akuzon Valiun e Kosovës, Masar beun, dhe disa oficerë se janë organizatorë të mitingut në Shkup dhe se bëjnë propagandë kundër alfabetit arab. Duket se kjo i ka shkaktuar dhembje të fortë anës kundërshtare, prandaj më 16 shkurt botohet letra e njëfarë “Aranu Ramadanit”, tregtar nga Shkupi. Letra na duket me rëndësi për të vetmen arsye se na jep disa të dhëna për ca deputetë mbi të cilët nuk dimë gjë. Për deputetin e Shkupit, Seit Idrizit, thuhet se është shqiptar brez pas brezi, se pleqtë e tij kanë ardhur nga një fshat nga Shqipëria, i ati i tij – Hoxha Idrizi e ka fituar nderimin e gjithë Vilajetit. Si luftëtar për konstitucionalizëm dhe kundër absolutizmit, ai ia ka parë sherrin regjimit dhespotik dhe ka vdekur në internim. I biri i tij, Seit efendiu, gjithashtu ka qenë internuar në Anadoll. Ai është patriot i shquar shqiptar. [34] Për deputetin e Pejës, Bedri efendiun, autori thotë se është brez pas brezi shqiptar i biri i shqiptarit. “Të gjithë e dinë se mëse 40 vjet ndodhet në shërbime të ndryshme, është njeri me eksperiencë të madhe dhe me patriotizëm të sprovuar. S’ka njeri që nuk e di se në kohën e regjimit të vjetër, për shkak se e pati guximin të çohet haptazi kundër tatimeve të padurueshme të Izet Pashës dhe Zeqi Pashës, u bë objekt i persekutimeve të ndryshme”. Gjyshi i tij, Zeqirja Spahiu ka rënë në luftë në Kalfatë, kurse i ati i tij ka treguar trimëri të jashtëzakonshme në luftën e Serbisë. Ai është pjesëtar i fisit të Gashit – një nga fiset më me rëndësi në Sanxhakun e Pejës. “Sa i përket valiut të Kosovës – Masar beut, për të thuhet se nuk ka gisht në miting, ndërsa fjalët se gjoja oficerët kanë bërë propagandë për alfabetin arab janë pa kurrfarë baze. Përkundrazi, propagandë të hapur janë duke bërë dy deputetët tanë. Por, që të dy nuk kanë më besim në vilajetin tonë”. [35]
Se kemi punë me një aksion të sinkronizuar dhe të organizuar argumenton edhe artikulli i gjatë i Sureja Vlorës, një nga njerëzit më të shquar të Vlorës, njeri me autoritet të lartë në Stamboll, autor i një vepre turke “Divergjencat islame”, artikull i botuar më 15 janar 1910 në “Yeni gazete” me titull: “Alfabeti arab dhe gjuha shqipe”. Si njohës i mirë i historisë islame dhe i fesë muslimane ai jep një varg argumentesh se Kur’ani nuk ka zbritur me alfabetin arab, se ky nuk është alfabet fetar, por edhe vetë arabët e kanë huazuar dhe përmirësuar, se feja nuk është e lidhur me shkronja dhe germa, por me ndjenjat e zemrës dhe me dijeni. “Si mund të jetë besnik i mirë xhahili e periudha 500 vjeçare ka argumentuar se shqiptarët nuk kanë mundur të përparojnë me alfabetin arab”?
Më 22 shkurt del përgjigja e njëfarë Melekut, ish-defterdar i vilajetit të Bejrutit, gjithashtu shqiptar. Përgjigja më tepër trajton çështje të fesë dhe të Kur’anit. Përveç argumenteve fetare, ai thotë se shqiptarët duke e braktisur alfabetin arab, e braktisin edhe gjuhën turke dhe në këtë mënyrë i humbin shanset të marrin pjesë në administratën turke, ku zënë pozita të larta, sepse turqishtja do të mbetet gjuha zyrtare. Ajo shkruhet me alfabetin arab dhe përmban shumë fjalë arabe.
Më 4 mars kemi përsëri përgjigjen e Sureja Vlorës, botuar po ashtu në “Tasvir-i Efkar”. Sipas tij çështja e alfabetit nuk është nuk është një çështje fetare, por një çështje kulturore e njëkohësisht edhe çështje ekonomike se ka të bëjë me përparimin e një populli. “Për hir të bashkimit të popullit shqiptar duhet ta pranojnë alfabetin latin, se përndryshe do t’u duhej të ndahen nga shqiptarët krishterë. Në një varg qytetesh janë hapur shkolla për jomuslimanët dhe pushteti nuk mund t’i detyrojë që ata ta alfabetin arab. Me alfabetin latin janë botuar mijëra libra dhe trajtesa, e të gjithë shqiptarët duhet të përfitojnë prej tyre. T’i ndalosh nga kjo do të thotë që jomuslimanëve t’u japësh mundësi të përparojnë e të qytetërohen, kurse muslimanët t’i mbash në errësirë. Është gabim të mendosh se shqiptarët do t’i mbash besnikë ndaj fesë, kombësisë, shtetit, hilafetit, nëse i mban në padituri. Duke përfituar nga kultura dhe dobitë e saj, këto lidhje do të forcohen dhe do të zhvillohen”.
Në këtë polemikë është përzier edhe “Një i interesuar nga Korça”, Ali Zulfiçari artikulli i të cilit me titull “Një konsultim me shqiptarët” është botuar në “Tanin” më 25 shkurt 1910. Në artikull thuhet se artikujt e botuar në gazetat e Stambollit, në lidhje me gjuhën shqipe, e kanë nxitur interesimin e arsimtarëve të Arnautllëkut. Në gazetat dhe librat që botohen, këto çështje janë objekt studimi. Artikullshkruesi thotë se në këtë artikull dëshiron t’i ndriçojë disa çështje, t’ua tërheqë vëmendjen shqiptarëve dhe të bëjë një konsultim me ta në një mënyrë thjeshtë objektive. Për mendimet e veta ai thotë se nuk janë vetëm mendime vetjake të tij, por ndoshta përfshijnë ndjenjat e popullsisë së një sanxhaku të tërë.
“Të gjithë e dimë”, thotë korçari, “se në çështjen e gjuhës shqipe më së shumti është thelluar Shqipëria e jugut, e në jug vendin e parë e zë qyteti i Korçës, ndërsa, për sa i përket aktivitetit gazetaresk, përparësi kanë shqiptarët e jashtëm. Pasi kanë kaluar një kohë në Amerikë, Rumani, Misir e të tjera, ku shtypi ka qenë i lirë dhe i përparuar, duke u kthyer në atdhe ata kanë ndjekur të njëjtin program dhe e kanë dhënë kontributin e tyre. Qysh në kohën e absolutizmit, në Korçë është hapur shkolla e parë shqipe. Duke përfituar nga liritë pas shpalljes së konstitucionit, disa dashamirë të arsimit, por jo korçarë, këtu themeluan një shtypshkronjë dhe e ngrehën gazetën ‘Korça’ dhe ‘Liria ortodokse’ si dhe ia filluan botimit të disa librave dhe revistave”.
Në lidhje me gazetën “Korça”, artikullshkruesi thotë se gazeta e përmendur botohet me germa latine. Mirëpo, shumica e numrave shitet me anë të abonimeve dhe shkon përjashta. Në anën tjetër, janë shumë të pakët ata lexues që cilët mund ta kuptojnë. “Në të vërtetë, një shfaqje e tillë është për t’u vajtuar, mirëpo, ku është arsyeja e mungesës së dijes, ku është burimi i xhahiljeti të tillë? Pikë së pari, alfabeti shqip, do të thotë latin, të cilin disa e përdorin, nuk has në mirëpritje dhe miratim. Meqënëse Korça është selia e shoqatës arsimore shqiptare ‘Përparimi’, e cila në saje të përpjekjeve se bashkë qytetarëve tanë e ka përhapur gjuhën kombëtare nëpër tërë Arnautllëkun, por me germa të përmendura, atyre që dëgjojnë nga jashtë përmbi shkollën e Korçës, u duket se ajo e ka rangun e një universiteti e për ne korçarët mendojnë se e dimë në mënyrë të përsosur të shkruajmë dhe të këndojmë shqip me germat latine. Për ata që i marrin si të vërteta reklamat e redaksisë së gazetës puna është kështu. Por, mjerisht, ne korçarët që jemi në thelb të punës, gjendjen e dimë krejt të kundërt. Në shkollën shqipe, përpara së cilës kalojmë çdo ditë, numri i nxënësve – të gjithë fëmijë të bashkëvendësve tanë të krishterë – bashkë me dhaskenjtë e tyre – nëse them se është 50, mos e besoni! Pse duhet ta fshehim të vërtetën? Në shkollat greke, numri i nxënësve arrin në 1 000, kurse në shkollën Idadije, Ruzhdije dhe shkollat fillore turke, numri arrin në 300. Atyre bashkatdhetarëve që për hir të krishterëve e preferojnë alfabetin latin, ua kishim bërë këtë pyetje: ‘A shumica duhet ta ndjekë pakicën, apo pakica shumicën?” Nëse supozojmë se numri i atyre që e preferojnë alfabetin latin bashkë me 300 000 krishterë arrin 1 000 000, vallë a ka nevojë të drejtohemi për mendimin e atyre dy milionëve tjerë? Përveç kësaj, s’duhet ta harrojmë se midis krishterëve ekziston një rrymë e fortë që është për alfabetin grek”.
“Për shkak të propagandave të ndryshme rreth alfabetit, në Rumeli kemi arritur në një situatë shumë të çuditshme. Për shembull, në një familje të vetme i ati është partizan i alfabetit arab, i biri duke qenë se ka jetuar në ndonjë vend të jashtëm, e preferon alfabetin latin. Po kështu nga dy vëllezër ortodoksë njëri shkruan me alfabetin grek, e tjetri me atë latin. E nëse pyetni ndonjë fshatar, ai do të përgjigjet: ‘Neve na mjafton turqja – muslimanja’. Ja përpjekjet tona në Korçë shkojnë në këto drejtime. Disa bashkatdhetarë ekstremistë thonë se qysh prej 30-40 vitesh ky alfabet është pranuar dhe me të shkruhet e lexohet dhe në këtë mënyrë dalin në teorinë e vjetërsisë. Si do që të jetë puna, ne i respektojmë bashkëtdhetarët që kanë punuar në këtë çështje. Por, vallë a s’kanë mundur edhe ata të gabojnë? A i kanë njohur ata të gjitha intrigat e jashtme që i njohim ne sot dhe a i kanë marrë parasysh”?
“Sipas mendimit tonë për t’i dhënë fund kësaj çështjeje, rruga më e drejtë është kjo: Dijetarët, shkencëtarët dhe të mençurit e Arnautllëkut të veriut dhe të jugut të mbledhen në një kongres të përgjithshëm e të marrin vendime, të cilat do të jenë në konformitet edhe me Sheriatin. Thuhet se një kongres i tillë u mbajt vitin e kaluar në Manastir dhe se vendimet e tij u vërtetuan dhe u përkrahën edhe në kongreset e Dibrës dhe të Elbasanit. Në lidhje me këtë duhet thënë se Kongresi i Dibrës kishte qëllime shoqërore dhe nuk ka kurrfarë lidhje me alfabetin. Sa u përket kongreseve të Manastirit dhe të Elbasanit mjafton ta shqyrtojmë – me përjashtim të disave – se nga janë, saqë numri i tyre nga kush u zgjodhën. Të shkosh me aprovimin e 10 apo 100 vetëve e ta japësh votën në emër të mijëra e mijëra banorëve të një sanxhaku, e pastaj vendimet e marra nga delegatët e caktuar në këtë mënyrë, t’i përgjithësosh – ua lë lexuesve ta çmojnë se sa vlerë kanë mendimet e tilla”.
Në vazhdim korçari polemizon me Hasan Prishtinën dhe deputetin Gani Frashëri, mendimet e të cilëve i pamë më lartë.
Në atë kohë, si pjesë e fushatës kundër alfabetit, fillon organizimi i një vargu mitingjesh në favor të alfabetit arab, të cilët në disa vende, e sidomos në toskëri shkaktojnë mitingje protestuese dhe mitingje për mbrojtjen e alfabetit shqip. Pas mitingut të Shkupit, u mbajt mitingu i Manastirit. Fazetat e Stambollit, të cilat informojnë për këtë miting thonë se mitingu është mbajtur më 24 janar, kurse në një burim tjetër gjejmë se është mbajtur më 6 shkurt. [36] Sipas “Tasvir0i Efkar” dhe “Tanin”, më 8 shkurt 1910, në mitingun e Manastirit, në të cilin kanë marrë pjesë 12 000 veta, u refuzua rreptësisht alfabeti latin dhe u dërguan telegrame në njësitë administrative të varura prej Vilajetit të Manastirit së arsimit dhe Kryeministrisë. Kryetari i mitingut ka qenë myderizi Mehmet, kurse anëtarë myderizët: Sadudin, Sejfudin, Nazif dhe Mahmet. Në “Neyr-i Hakikat”, artikullin e të cilit e botoi edhe “Tasvir-i Efkar” kemi një përshtypje më të gjatë të këtij mitingu, ku gjejmë edhe disa elemente të reja. Mitingu u mbajt në xhaminë dhe oborrin e Is’hak Çelebisë dhe megjithëse binte shi, u grumbulluan mëse 10 000 veta. Mitingun e hapi myderizi Sadudin, i cili vuri në dukje se Kur’ani i bashkon gjithë muslimanët. “Sado që popujt muslimanë kanë gjuhë të ndryshme, Kur’ani është shkruar me germa arabe dhe s’mund të shkruhet tjera”. Ai numëroi një varg arsyesh që s’lejojnë të pranohet alfabeti latin. Të gjithë të pranishmit u betuan dhe e lidhën besën duke thirrur: “I mallkojmë shkronjat latine, kurrsesi s’do të lejojmë të hyjnë në fshatrat tona”. Pastaj foli gjuhën shqipe përplasi Rashid Aga, i cili tha se nëse kërkon nevoja që të ruhet bashkimi fetar, shqiptarët do ta braktisin edhe gjuhën e tyre. Pas mbarimit të mitingut ata shkuan në konakun e hyqymetit dhe i përsëritën kërkesat e tyre dhe u propozuan organeve të pushtetit që të hiqet nga Manastiri qendra e përgjithshme e klubeve të “Bashkimit”. Këshilli i mitingut dërgoi pastaj telegram në Shkodër, Shkup, Dibër, Janinë, Korçë, Elbasan, Tiranë, Ohër, Kërçovë, Prilep dhe Florinë e veçanërisht Kryeministrisë, Ministrisë së Arsimit, kryetarit të Bashkisë së Manastirit, kryetarit të mitingut të Shkupit – Xhelaludin efendisë, deputetit të Manasirit, Mehmet Vasifit, duke theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të pranojmë që shqipja të shkruhet me germa latine.
S’ka dyshim se numri i pjesëmarrësve është i tepruar, por duhen marrë me rezervë edhe disa burime austriake, sipas të cilave në të kanë marrë pjesë vetëm disa qindra. Por, në këtë ditë idadijen e Shkupit, bëhen turbullime me rastin e fillimit të mësimeve të shqipes me alfabetin latin. Për këtë shkak u mor vendimi që mësimet të mbahen me germat arabe. [37]
Më 8 shkurt 1910 në “Tasvir-i Efkar” botohet peticioni i 280 vetave nga ulemaja, parësia, kryepleqtë dhe përfaqësuesit e Prishtinës dërguar kryeministrisë dhe kryesisë së Parlamentit. Në të thuhet se një grup i vogël njerëzish me ambicie personale dhe për interesa vetjake përpiqen ta përgjithësojnë përdorimin e alfabetit latin, duke krijuar kështu përçarje. Ky grup i vogël, sado që midis tyre ndodhen edhe disa deputetë, e ndjek këtë ide të keqe me qëllim që shqiptarëve t’ua afrojë doket dhe besimet latine. Mirëpo, kjo është në kundërshtim të plotë me mendimet e popullit shqiptar. “Kurrë nuk do të jetë e mundur të mësuarit e gjuhës shqipe me alfabetin latin. Në këto vende të mësuarit e shqipes ka filluar me shkronja arabe dhe mund të konstatohet një sukses i plotë. Popullsia e vilajeteve të Kosovës, Janinës, Manastirit dhe Shkodrës është 90 për qind muslimane, e ajo është e lidhur me qeverinë konstitucionale dhe me hilafetin e shenjtë, ajo nuk do t’i braktisë germat arabe që të marrë germa të huaja, të cilat i copëtojnë këto lidhje të shenjta. Duke e larguar këtë peticion, na ju njoftojmë se përsëri kemi lidhur besën se kurrë nuk do ta pranojmë alfabetin latin dhe se kurrë nuk do të ndahemi nga qeveria legale dhe konstitucionale. Lirisht mund të thuhet se thuajse në çdo qytet të vilajeteve të Kosovës, Shkupit, Shkodrës dhe Manastirit mbahen mitingje kundër alfabetit latin. Sado që është rrënjosur mendimi se Elbasani dhe e tërë toskëria kanë qenë unanimisht për alfabetin latin, materialet e nxjerrura nga shtypi i Stambollit argumentojnë se edhe atje kemi mitingje përkrahjeje të alfabetit arab”.
Më 11 shkurt 1910 në “Tanin” botohet telegrami dërguar më 27 janar 1910 i nënshkruar prej 146 vetave nga parësia dhe njerëzit e shquar “në emër të mijëra vetave” ku thuhet se me gjithë zemër e përkrahin peticionin e 14 deputetëve shqiptarë që kërkuan nga Kryeministria – ndalimin e alfabetit latin. Më 20 shkurt, në “Tanin” botohet telegrami që i kishte ardhur klubit të “Bashkimit” në Stamboll nga Elbasani, ku thuhet se më 5 shkurt e gjithë paria, shehlerët, tregtarët dhe esnafët, si dhe popullsia e katundeve e mbajtën një miting në të cilin u zotuan ta ruajnë alfabetin shqip të sajuar dhe të përdorur tani e 40 vjet më parë. Komunikatën e fundit të Ministrisë së Arsimit, tekstin e së cilës e japim më poshtë, ata e konsiderojnë në kundërshtim me meshrujetin dhe lirinë e arsimit. Telegramin e kanë nënshkruar kryetari i mitingut dervish Jusuf Begzade, kurse anëtarët sheh Mehmeti, Galip Shahsuvar Begzade, qehaja i esnafëve Beqiri dhe Hasan Has Topalli. [38]
Më 16 shkurt kemi një telegram nga Selaniku, ku thuhet se shqiptarët gjatë gjashtë shekujve e kanë argumentuar me fakte se kanë ngelur osmanlinj, mirëpo, në lidhje me alfabetin ata janë ithtarë të rreptë të alfabetit shqip. Prandaj, kërkohet nga qeveria që t’i përkrahë ata që janë për këtë alfabet. Telegramin e kanë dërguar klubet e Jenixhes, Karaferies, si dhe klubet arsimorë shqiptarë të Selanikut. Në të njëjtën ditë e kemi telegramin nga Tirana, nënshkruar nga 117 veta, ku thuhet se qysh më 3 shkurt kanë dërguar një telegram, nënshkruar nga myftiu Musaj dhe qehaja i esnafëve Abdullah efendiu, në të cilin kanë kërkuar alfabetin arab. Mirëpo, nja 30 veta janë ngritur dhe kanë dërguar kundër telegram. Në telegramin e ri përkrahet telegrami i parë, përkrahen deputetët që e kanë kërkuar alfabetin arab dhe demantohen këta 30 veta. Më 12 shkurt arrin telegrami nga Shkodra, ku thuhet tekstualisht: “Me dhimbje lexojmë në gazetat se një grup zotërinjsh nga Arnautllëkut e ka marrë iniciativën në emër të gjithë shqiptarëve që gjuha shqipe të mësohet dhe të ligjërohet me germa latine. Në që jemi shqiptarë të veriut, duke qenë të një mendimi me deputetët tanë që kërkojnë alfabetin arab, në asnjë mënyrë nuk e pranojnë alfabetin latin. Kombësisë sonë ai ka për t’i sjellur vetëm dëm. Ne jemi osmanlinj e me një gjë të tillë nuk e njollosim e nuk e kompromentojmë vëllazërimin, dashurinë dhe lidhjen e sinqertë me osmanllëkun. Nëse është nevoja që ta mësojmë gjuhën tonë, këtë do ta bëjmë me shkronja arabe” [39] etj. Telegramin e kanë nënshkruar në emër të popullit katër veta nga ulemaja dhe pesë veta nga parësia (Tanin, 12 shkurt 1910).
Më 3 mars nga një miting protestues kundër alfabetit latin, të mbajtur në Elbasan nën kryesinë e Haxhi Hafiaz Sulejmanit, i dërgohet telegram deputetit të Elbasanit Haxhi Ali efendisë në të cilin e njoftojnë se me poste do t’ia dërgojnë kërkesën e përgjithshme. Po atë ditë, i dërgohet një telegram që kanë mbajtur fshatarët e pesë fshatrave në rrethinat e Elbasanit, të cilët gjithashtu kërkojnë të shkruhet me alfabetin arab. Po këtë ditë kryepleqtë e 12 fshatrave të rrethit të Korçës, nga të cilët mundëm të u verifikojmë vetëm Bregasin dhe Dardhën, i dërgojnë një telegram deputetit të Elbasanit, Haxhi Ali efendisë, duke theksuar se në kohën e dhespotizmit hamidian kanë kërkuar që administrivisht të lidhen me sanxhakun e Elbasanit, por, meqenëse ishte nevoja të japin 10 lira, puna kishte ngelur pezull. Me rastin e zgjedhjeve parlamentare, ata e kanë votuar për Shahin bej Kolonjën, duke kujtuar se ai do t’i bëjë shërbime atdheut të tyre të shenjtë dhe nderës islame. Meqenëse tash identiteti i tij doli në dritë [40], tani ata e shpallin haptazi se si deputet të tyre e njohin deputetin e Elbasanit, Haxhi Ali efendinë “Ne e lidhëm besën dhe u betuam se do të shkruajmë me germa turko-arabe dmth. me germat e Kur’anit dhe kurrë nuk do t’i pranojmë germat latine”. [41]
Në gjimnazin (Idadijen) e Prevezës ka filluar mësimi i gjuhës shqipe me alfabetin latin. Në lidhje me këtë, 66 veta ia dërgojnë një peticion Ministrisë së Arsimit, ku theksojnë se me gjithë kërkesën e popullsisë, dërguar Ministrisë së Arsimit, që shqipja të mësohet me alfabetin arab, në bazë të një kërkese që e ka bërë një numër i vogël mutesarifit dhe disa zyrave tjera – ka filluar mësimin e alfabetin latin. Një numër prej tyre janë me të vërtetë banorë të Prevezës, por një numër nuk mund të llogaritet si vendës as që kanë fëmijë në shkollë, ndërsa disa janë nëpunës të jashtëm. “Prandaj, përsëri ju lutemi që mësimet të bëhen me alfabetin arab”. Më 20 shkurt në “Tasvir-i Efkar”, botohet telegrami dërguar nga Peqini drejt deputetit të Elbasanit – Haxhi Aliefendisë (Peqini i takonte Sanxhakut të Elbasanit) me të cilin e njoftojnë se popullsia e Peqinit e kishte dërguar me postë kërkesën kundër përdorimit të alfabetit latin. Natyrisht, qeveria turke është gjetur në një situatë shumë delikate. Pa marrë parasysh dëshirat e saj intime, ajo nuk ka mundur të marrë qëndrim publik për njërën apo tjetrën palë. Së pari, asaj nuk i konvenonin shqetësimet në Arnautllëk. Pastaj, Ismail Qemali ishte kryetar i partisë liberale të Parlamentit, Hasan Prishtina parlamentarist i shquar fjalimet e të cilit i përcillte edhe shtypi ndërkombëtar. Opinioni i brendshëm i kryeqytetit gjithashtu nuk ishte unanim, madje Hysejn Xhihad, kryeredaktori i organit xhonturk “Tanin”, deputet dhe njeri me influencë si në Parlament, ashtu edhe në organizatën xhonturke “Bashkim e përparim”, jo vetëm që kërkonte vazhdimisht që qeveria të mbetet neutrale, por në një kryeartikul, mbi të cilin do të flasim më vonë, ua uroi shqiptarëve që kanë ndërmarrë një hap aq të urtë e shkencor, duke e aprovuar alfabetin latin.
Qeveria mori një vendim solomonik, i cili për nga forma duket neutral, por nga brendësia i jep përkrahje alfabetit arab. Në “Tanin” të 4 shkurtit 1910 lexojmë sa vijon: “Qeveria ka marrë vendim të prerë të ngelë neutrale rreth çështjes se me çfarë alfabeti do të shkruhet shqipja dhe që zgjidhjen e kësaj t’ua lëjë dijetarëve shqiptarë. Në lidhje me këtë, dje Ministria u ka dërguar vilajeteve të Selanikut, Kosovës, Manastirit, Janinës dhe të Shkodrës këtë telegram: ‘Në bazë të disa lutjeve të bëra pas revolucionit të lumtur (d.m.th. për revolucionin xhonturk), qeveria ka ndihmuar që në disa shkolla zyrtare të mësohet gjuha shqipe në mënyrë fakultative, edhe qysh prej asaj kohe në këto shkolla është duke u mësuar kjo gjuhë. Në kohët e fundit, në bazë të kërkesave të vazhdueshme, merret vesh se një pjesë bashkatdhetarësh tanë shqiptarë e mësojnë këtë gjuhë me alfabetin arab, kurse pjesa tjetër me alfabetin latin, sikurse që ka vepra të shkruara dhe të botuara edhe me alfabetin arab, prandaj përdorimi i alfabetit lihet i lirë, le ta përdorin sipas dëshirës. Qeveria osmane, e cila u ka dhënë liri popujve që t’i mësojnë gjuhët e tyre, sado që nuk e gjen të volitshme të ndërhyjë në këtë çështje, prapëseprapë ka marrë vendim që t’u jepet leja atyre që dëshirojnë të mësojnë me germat arabe. Për t’u zbatuar ky vendim, nëse e kërkon nevoja që në shkollat zyrtare të emërohet edhe nga një mësues për gjuhën e dytë, ata le të emërohen dhe le t’u caktohet rroga. U rekomandohet vilajeteve që të veprojnë sipas këtij vendimi”.
Kam përshtypje se ky vendim u jep edhe më tepër nxitje ithtarëve të alfabetit arab qoftë në Stamboll, qoftë nëpër vilajete, të cilët tash e përhapin fushatën në të gjitha anët.
Më 11 shkurt, në “Tanin” botohet “Manifesti i Ulemasë shqiptare të Stambollit” ku thuhet: “Tue qenë se populli fisnik shqiptar është osmanli dhe musliman, ekzistojnë obligime fetare dhe kombëtare që germat e arabishtes t’i skalisë në kokë. Ne e shpallëm vendimin e marrë se e pranojmë alfabetin arab për ta shkruar gjuhën tonë, i cili alfabet përbën një varg rregullash të lavdishme dhe një seri virtytesh. Me ashpërsinë më të madhe i refuzojmë germat e huaja që duan t’i zbatojnë disa”. Deklaratën e kanë nënshruar:1) Ish-këshilltar i Ministrisë së drejtësisë – Ahmet Shukriu, i biri i Ali efendi Gjakovës; 2) Profesor i autorizuar për ixhazet – Zejnel Abidini nga Prizreni; 3) Deputeti i Elbasanit – Aliu, i biri i Mehmetit; 4) Një nga dijetarët e famshëm, profesor në Medresenë e Fatihut, Adem Nuri; 5) Sekretari i Zyrës së vendimeve juridike pranë Fetvahanës dhe profesor i medresesë së Fatihut – Shauki; 6) Muftiu i Manastirit – Rexhep Xhudi; 7) Profesor i Medresesë së Fatihut dhe sekretar në Fetvahane – Mehmet Azemi nga Korça; 8) Profesor i Medresesë së Fatihut – Ibrahim Ed-hemi; 9) Profesor i Medresesë së Fatihut – Abdul Xhemili; 10) Profesor i Medresesë së Fatihut – Ismail Haki nga Tetova; 11) Profesor i Medresesë së Fatihut – Osman Nuri nga Gjakova; 12) Sekretar i Fetvahanes dhe profesor i Medresesë së Fatihut – Husin Nexhmedini nga Prizreni; 13) Profesor i Medresesë së Fatihut – Hafëz Rexhepi nga Prilepi; 14) Profesor i Medresesë së Fatihut – Musa Qazimi nga Dibra.
Siç shihet, shumica prej tyre janë profesorë të Medresesë së Fatihut. Kjo medrese në atë kohë ishte fakulteti më i shquar teologjik. Shihet qartë se sa i madh ka qenë numri i profesorëve shqiptarë në të. E, kur të merret parasysh se në Stamboll ka pasur edhe një varg medresesh të këtilla na rang të fakultetit teologjik, del qartë se sa i madh ka qenë numri i profesorëve dhe rrjedhimisht edhe i studentëve shqiptarë në to. [42] Diçka më vonë, vjen edhe rekomandimi i Shjeh Islamit, dërguar mufterilerëve nëpër vilajete që ta luftojnë alfabetin latin. [43]
Në mars të vitit 1910, Arif Hikmeti, me origjinë shqiptare, ish-agjent sekret i ish-inspektorit të përgjithshëm të Maqedonisë, Husejn Hilmi Pashës, e fillon aktivitetin e madh midis masave të pavetëdijshme në Kosovë dhe Maqedoni dhe ka mjaft sukses. Në prill 1910 themelohet në Stamboll gazeta e parë dhe e fundit në gjuhën shqipe me alfabetin arab.
Në një situatë të këtillë, si na paraqitet lufta për alfabet në Stamboll, a thua u kërkua ndonjë rrugëdalje?
Natyrisht, kemi edhe propozime të këtilla. Më 26 shkurt, njëfarë Qemali u propozoi bashkatdhetarëve të vet, shqiptarëve të nderuar, që, sikurse në vitin e kaluar (sigurisht mendon për kongresin e Manastirit), të bëjë një mbledhje me njerëzit e pendës dhe të dijes, e të diskutojnë dhe të konsultohen, t’i analizojnë argumentet logjike e shkencore të të dy palëve. Nëse është nevoja le të thirren edhe njerëz tjerë të paanshëm të dijes dhe të shkencës dhe le të merret vendim e të bëhet një marrëveshje për gjuhën e alfabetit të këtij kombi, i cili ka aq nevojë për arsimin, madje për arsimin fillor. “Ne shqiptarët me polemikat tona” – përfundon Qemali – “i shtyjmë edhe armiqtë tanë të qeshin sa t’u rrjedhin lotët nga sytë”. Menjëherë nën këtë tekst e kemi apelin e dibranit Hoxhë Vildan Faikut, të cilin tashmë e kemi përmendur, ku thuhet se çështja se me çfarë alfabeti do të shkruajnë shqiptarët, nuk mund të zgjidhet me anë të polemikave, as që u ka hije që ta çelin gojën për këtë çështje ata që nuk dinë se çdo të thotë shkronjë dhe politikë. Kjo çështje kërkon specialistë. Ai propozon që të premten, në klubin e “Bashkimit” në Divan Yollu, të mblidhen njerëzit e dijes dhe të shkencës për të diskutuar. Njëkohësisht, ftohen që të vijnë të marrin pjesë edhe dy grupet kundërshtare të deputetëve shqiptarë që e kanë hapur diskutimin mes tyre. Nuk kemi lajme nëse u mbajt ky diskutim apo jo. Por, më duket se propozimin më interesant e bën kryeredaktori i gazetës “Tanin”, tashmë i përmenduri Huesjn Xhahid. [44] Ai, qysh më 20 janar shkroi një krye artikull në të cilin mes tjerash thotë: “Ata që nuk janë shqiptarë; ata që nuk kanë dije të thellë mbi gjuhën, sipas mendimit tonë, nuk kanë kurrfarë kompetence të përzihen në këtë çështje. Mirëpo, meqenëse çështja ka dalur jashtë kuadrit të formës shkencore dhe ka marrë një ngjyrë politike, e ndiejmë nevojën që nga kjo pikëpamje të parashtrojmë disa vërejtje”.
Pasi që vë në dukje se pas revolucionit janë zhdukur shumë mosmarrëveshje midis turqve dhe shqiptarëve, ai thekson se tash për një pikë relativisht të parëndësishme, nuk ka nevojë për të dalë në dritë mosmarrëveshje të reja. Kjo pike është çështje e alfabetit. “Të pengosh një popull për ta mësuar gjuhën e vet, mund të konsiderohet si një ide e praptë politike. Por, pasi që gjuhës i jepet liria, kjo gjuhë le të shkruhet me çfarëdo alfabeti qoftë – kjo nuk ka rëndësi të madhe. Të mendosh se duke zgjedhur alfabetin e posaçëm për gjuhën e tyre, ata po e harrojnë besnikërinë ndaj osmanizmit dhe islamizmit, është gjë e padrejtë, është një imputacion që meriton çdo qortim. Një gazetë turke dje pat shkruar se shqiptarët, duke u ndarë nga turqit e Rumelisë, qoftë edhe me alfabetin, i ndjellin vetes një rrezik të madh. Këtë rrezik le t’ua lamë vetë shqiptarëve që ata ta vlerësojnë. Sepse, nëse me të vërtetë ekziston ndonjë farë rreziku, ata kanë mend dhe zgjuarsi që vetë ta kuptojnë. Pastaj, sado që gazetat turke të shkruajnë se të shkruarit e shqiptarëve me alfabetin latin, do të merret si provë ndarjeje nga ana e turqve, se turqit shumë do të preken nga kjo gjë – unë nuk jam i këtij mendimi. Sepse gjëja që na bashkon me shqiptarët nuk janë këto vija të shtrembëta që i kemi përdorur për të shkruar. Sikur shqiptarët ta kishin harruar gjuhën e tyre, pastaj ta kishin mësuar e përvetësuar turqishten e tani sikur të përpiqeshin ta ringjallin gjuhën e tyre të harruar, atëherë do të kishim arsye të gjykojmë se ekziston një qëllim ndarjeje. Mirëpo, meqenëse gjuha e tyre ekziston, pranimi i alfabetit që i përshtatet më fort natyrës së gjuhës – kjo asnjëherë nuk do të thotë ndarje. Meqenëse i jam kushtuar pak edhe shkencës së gjuhësisë, mund të them se bashkatdhetarët tanë shqiptarë që dëshirojnë ta përvetësojnë alfabetin latin, synojnë kah një hap shkencor përpara, që meriton çdo urim. Sepse një çoban shqiptar brenda një jave, por edhe për njëqind javë, nuk mund t’i mësojë fshatarët tanë të lexojnë e të shkruajnë. Po, në këtë pikëpamje do të ekzistojë ndarja, por jo në mënyrën se si është menduar. Në saje të alfabetit edhe arsimi i tyre do të përparojë, sikurse edhe ai i bashkatdhetarëve tanë grekë dhe ermenë, ata do të mësojnë shkrim e lexim më shpejt, ndërsa ne me këto shkronjat tona të cunguara, të papërshtatshme për gjuhën tonë, do të mbetemi xhahila. Por, ndarja në këtë mënyrë do të shfaqet. Në bazë të kësaj, jo vetëm që s’duhet të pengojmë këtë rrjedhim shkencor dhe logjik, por sikur të ishte e mundur, do të ishte mirë që edhe ne të pranonim se është i dobishëm për turqizmin”.
Kah fundi i shkurtit i njëjti autor boton edhe një kryeartikull në lidhje me alfabetin shqip. Pasi që jep pasqyrën e ngjarjeve, kërkesat e dy palëve të deputetëve shqiptarë, telegramet për e kundër mitingut etj. ai thotë se nga telegramet del në shesh se shumica e njerëzve të lartë fetarë janë për alfabetin arab, kurse shumica e laikëve për atë latin. Mirëpo, në lidhje me këtë luftë rreth alfabetit, thotë Husejn Xhahid, paraqitet një rrezik, ai i përçarjes së popullit shqiptar. “Shpesh kemi disa telegrame nga i njëjti qytet në të cilat disa e kërkojnë njërin e disa tjetrin alfabet. E, një përçarje e tillë duhet të na shqetësojë edhe neve që përpiqemi për një unitet të brendshëm të shtetit. Sa më të bashkuar t’i shohim bashkatdhetarët tanë shqiptarë, duhet të jemi aq më të lumtur”. “Sipas mendimit tim”, thekson ai, “gjëja që duhet bërë është e thjeshtë: kundërshtimeve që do të vijnë duke ushtuar, nuk duhet t’u japin një hov. Mosmarrëveshja ne fazën e tanishme është ende në fillim të fillimit. Jemi të bindur se të dy palët kanë qëllime të mira. Çfarëdo tubimi nuk do të kishte kompetenca t’u japë fund këtyre mosmarrëveshjeve. Të mblidhen ithtarët e anëve në kundërshtim në një konsultë nuk mjafton, sepse shohim se për atë është i interesuar i gjithë Arnautllëku. Prandaj, duhet një kongres i gjerë në të cilin do të mblidheshin përfaqësuesit e gjithë popullit, madje edhe nga fisi e fshati më i vogël. Atëherë, ata meqenëse do ta përfaqësojnë gjithë popullin shqiptar, le ta zgjedhin alfabetin që u përgjigjet. Vendimet e shumicës duhet t’i pranojnë të gjithë. Sidoqoftë, zgjidhja duhet të kërkohet sa më parë. Qeveria, nëse anon kah ndonjë palë, e nxit njërën anë, duhet të dënohet, sepse me çdo shtyrje të zgjidhjes, shqiptarëve u sjell vetëm dëm e gjithashtu edhe arsimit të tyre. E ky është me të vërtetë një dëm i madh”.
Në favor të alfabetit latin shkruan edhe oficeri turk e më vonë profesor dhe gazetar në Selanik, Kazim Nami, i cili kishte kaluar 10 vjet nëpër qytetet shqiptare dhe e kishte mësuar shqipen. Në artikullin “Arnavutça” (Shqipëria dhe shqipja) botuar në gazetën “Rumeli”, organ i Komitetit “Bashkim e përparim”, ai është ithtar jo vetëm i alfabetit latin, po edhe i shkollave shqipe, madje edhe i administratës në gjuhën shqipe. Por, menjëherë u akuzua nga gazetari Shehbenderzade Filibeli Hilmi në të njëjtën gazetë, e njëkohësisht organet e vilajetit filluan ta persekutojnë. [45]
Bashkë e me këtë aksion në fillim propagandistik e më vonë administrativ për heqjen e alfabetit shqip dhe futjen e alfabetit arab, kemi edhe një aksion tjetër praktik e ky është botimi i abetareve, i librave dhe i gazetave me alfabetin arab dhe shpërndarjen e tyre. Për ta kryer këtë punë në mënyrë të organizuar, më 4 mars 1910 themelohet në Stamboll “Arnavud mahfil maarifi” (Rrethi arsimor shqiptar). Mbi ceremoninë e themelimit, na lajmëron gazeta “Tasvir-i Efkar”, datë 5 mars 1910, thuhet: “Dje në orën 8 në Radeler, në afërsi të Askarajit, në një ndërtesë të posaçme, u hap zyrtarisht ‘Arnavud – muhfil maarifi’, i cili do t’i bëjë përpjekjet për përhapjen e arsimit në Arnautllëk me shkronjat arabe … Përveç ulemasë shqiptare dhe deputetëve, aty u mblodhën edhe 2 000 shqiptarë. Në orën 8, deputeti i Pejës, Bedriu, e hapi ceremoninë e ia dha fjalën deputetit të Elbasanit – Haxhi Ali Beut, i cili mbajti një fjalim të gjatë të prekshëm e të argumentuar në gjuhën shqipe. Pastaj dhjetëvjeçari Hulusi, i biri i tetovarit – Haxhi Iljaz e fendiut, lexoi një nasihatname në gjuhën shqipe (trajtesë që përmban këshilla). Pas fjalëve të deputetit Jahja beg efendisë [46] të pranishmit e lidhën besën se në asnjë mënyrë nuk do t’i pranojnë shkronjat latine. Pastaj, kryetari i përkohshëm i Këshillit foli mbi lidhshmërinë e shqiptarëve me atdheun osman dhe mbi shërbimet e shqiptarëve kundrejt perandorisë osmane, mbi rregulloren, e cila iu paraqit mbledhjes. Rregullorja parasheh hapjen e një shtëpie botuese (Daru t-te’lif) për botimin e librave shqipe me alfabetin arab. Po kështu, mbajtën fjalime edhe deputetët nga vilajetet tjera, madje të vilajeteve të vendeve arabe si dhe nënkryetari i parlamentit”.
“Vardari” nr. 23, datë 08.04.1910 shkruan se në Shkup është formuar një këshill i posaçëm nga shqiptarët me autoritativë me detyrë që të punojë në përhapjen e alfabetit arab nga shkrimet dhe shkollat shqipe. Lidhur me këtë fletë është edhe një dokument (Dok. XXVIII) K-11-786 AKM ku thuhet se në Shkup është themeluar një shoqëri me emrin “Shoqëria për të shkruarit e gjuhës shqipe me shkronja arabe” dhe se për kryetar të Shoqërisë është emëruar Haxhi Ali efendiu, deputet nga Elbasani, kurse këshilli përbëhej nga Bedri begu, deputet i Pejës, dhe Sait efendiu, deputet i Shkupit.
Në materialet e Stambollit që i kam unë në dispozicion nuk kam gjetur kurrfarë lajmi mbi këtë shoqëri të Shkupit, ndërsa disponojmë me disa materiale për shoqërinë tjetër turke “Subban-i vatan”. Duke marrë parasysh se cilët njerëz përmenden në këto dy burime si udhëheqës të shoqërisë, mua më duket se këtu është fjala për shoqërinë “Mahfil-i maarif” për të cilën folëm më lart dhe se autorët e dy burimeve të larta e kanë kuptuar gabimisht çështjen. Haxhi Ali efendi Elbasani dhe Bedri beg Pejani janë themelues të shoqërisë së përmendur në Stamboll. Ndoshta këtu është puna për ndonjë filiale të kësaj shoqërie në Shkup, por kjo do argumentim. Hapja e këtij rrethi apo shoqate pat si reaksion themelimin e Shoqatës së studentëve të Universitetit të Stambollit (Dar ul funun), numri i të cilëve arrinte në 150 veta. Shoqatën e tyre të formuar ata e quajtën “Shoqatë e intelektualëve të rinj shqiptarë” dhe u ngritën haptazi në mbrojtjen e alfabetit shqip. [47]
Mirëpo, është gjë e njohur se alfabeti arab nuk është i përshtatshëm për sistemin fonetik shqip për shkak të karakterit të tij konsonantik dhe mungesës së disa shkronjave për të shënuar disa tinguj të posaçëm të shqipes. Prandaj, është dashur një plotësim dhe modifikim i tij, njësoj si është dashur një plotësim për alfabetin latin. Kësaj pune i është përveshur Rexhep Voka, mufti i Manastirit, pra, njeri më i lartë fetar i vilajetit, me origjinë nga Tetova, si nënshkruhet edhe vetë “Kalkandelenli Recep Cudi ibn Nuredin Voka” (Tetovari Rexhep Xhudi, i biri i Nuredin Vokës). Si përfaqësues i Tetovës ai ka marrë pjesë edhe në mbledhjen e Ferizajt për të cilën ka shkruar një artikull të gjatë turqisht në revistën e shquar të asaj kohe “Beyanu l-Hakk”, të cilën e drejtonte një shqiptar tjetër, muderizi i shquar i Manastirit, Ismail Hakki. Voka si armik i madh i alfabetit latin, bashkë me klubin e oficerëve të Vlorës ndërmerr një fushatë të gjerë në favor të alfabetit arab. Në muajin mars 1910 ai i paraqet parisë së Janinës një trajtesë të vogël me të cilën rekomandon të shkruarit e shqipes me alfabetin arab. Klubi i Janinës i dërgoi protestë vezirit të madh dhe Ministrisë së Arsimit në Stamboll duke theksuar se toskët kanë vendosur të mbajnë alfabetin latin. [48]
Në një deklaratë, këtë qëndrim të vetin ai e justifikon kështu: “Populli shqiptar shkruan dhe arsimohet në gjuhën e vet. Duke përdorur alfabetin arab, ai më lehtë do të mundë ta mësojë gjuhën letrare turke. Në këtë mënyrë ne do të kemi më tepër shqiptarë në administratën shtetërore, nga një anë, dhe më lehtë do ta hudhin poshtë mendimin e keq mbretëron midis turqve se jemi renegatë të Turqisë, nga ana tjetër”. [49] Voka e adaptoi alfabetin arab për shqipen dhe mund të themi me sukses të plotë. [50] Me disa modifikime, duke iu përmbajtur grafikës arabe, ai trillon shenja për c, e, ë, ll, nj, o, rr, y dhe x. Abetaren e tij Voka ia pat dërguar edhe parësisë së Janinës në fund të shkurtit 1910. Por, klubi shqiptar i Janinës protestoi menjëherë te veziri i madh dhe ministri i Arsimit, duke theksuar se toskët nuk do të heqin dorë nga alfabeti latin. [51] Me alfabetin e tij mund të lexohet shqip pa kurrfarë vështirësie. Më 1910 u botua abetarja e tij në 10 000 copë dhe u dërgua nëpër këto vende, kurse më duket se së shpejti u botua edhe një edicion i dytë. Abetarja e tij ka gjithsej 20 faqe dhe si abetaret e sotme ka edhe ushtrime. Në faqen e parë është shkruar turqisht, se alfabeti i kushtohet “popullit të zgjuar shqiptar që fëmijët të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën e vet amnore, kështu që të arrihet një përparim material e shpirtëror”, si dhe dy bejte shqip: “O dije o drit / O yll i Zotit të Naltë / Li, li, e na zhëndrit / se ena në terr e në balt”. Në fund të librit kemi fjalët: “Është konstatuar se me këto germa, që janë rezultat i studimeve të gjata, mund të lexohet shumë mirë. Vetëm duhet një përvojë. Fundi i fundit, a nuk ndodhi kështu me çdo gjuhë tjetër”. [52]
Për ta përhapur sa më tepër alfabetin e tij, Voka boton më 1911, prapë në Stamboll, librin “Arnavutça mufesal ilmihal” (Libri i hollësishëm i mësimeve fetare shqipe). Mirëpo, vepra më interesante e më e rëndësishme e Vokës është padyshim “Mendime”, botuar në Stamboll më 1911. Siç ka qenë zakon në atë kohë, vepra ka në fillim një invokacion (lutje). Kapitulli i tretë mban titullin “Mëcim”, i cili është më i rëndësishmi në këtë libërth. Këtu flitet mbi prapambetjen e shqiptarëve, mbi zullumin e qeverisë së sulltan Abdulhamidit, mbi përparimin e popujve tjerë të Ballkanit, mbi domosdoshmërinë e hapjes së shkollave. Këto, në të vërtetë, janë ide që i gjejmë te të gjithë shkrimtarët e Rilindjes. Si detyrë të parë të shqiptarëve, Voka shtron: “Tash në xhi jemi fara shqiptar tu qan në kët vend ma shum ma fort e ma të par, ma të mençim e ma të vënjëjçim edhe me shum halle qera e me huje të mira të lëvduejm, sot, mo Zotma keç, me pa këndim e me pa mëcim, e na mbet pri tanve ma mbrapa. Spo duëjn me na ngjoft e me na dit se jemi, as faraxhi kemi mbrenda, as Avropa. Kësaj asxha sëmun i thomi mbasi na ka lan ditunija, nuk asht tu na ba dobi fuqija etrimnija. Ni njeri mëcim, këndim e fëtim si të mos ket skasi e siell ndor as kët jet, as at jet kushedi sa me upërpek e me hakat, ope syn zgjohet ni dit”. “Meqtebet t’i hapim, ene në mos mundshim me mbarue binaja të mëdhaja, kolibe me kashtue, veç fëminë me e mbledh e me e këndue. Mos rrim, mos rrim, po i madh e i vogël me vrap të këndojm e të mëcojm”. “Sot dynjaja osh ba qetir, sall me pushk e me thik nuk po fitohet, po po lihet edhe kalem e kndim, fjal e mendim”.
Unë do të përmend edhe një mendim të Vokës në lidhje me fenë e kombësisë, ku shprehet qartë tendenca e lëvizjes kombëtare, sepse edhe Voka, sadoqë ka qenë njeri i lartë fetar, thuajse i jep përparësi kombësisë në krahasim me fenë. Ai thotë: “Të mos thomi ki musliman e ai i krishter, jo tosk jo geg, se xhith jemi shqiptar, jemi ni fis e nifar”. Vepra është shkruar në prozë të rimuar, që është padyshim ndikim arabo-turk, por ndoshta edhe për arsye praktike, që të mbahet mend më lehtë. Vepra përmban edhe dy vjersha, njëra e vet autorit, e tjetra e njëfarë Juzbash (kapiten) Kamber efendi Elbasani, për të cilin s’kemi mundur të gjejmë asgjë. Vjershat nuk kanë ndonjë vlerë të madhe artistike.
Në të njëjtin vit kur botohen “Mendimet” e Vokës, në Stamboll botohet edhe “Gramatika elementare e shqipes” (Sarfi iptidal Arnavudi), sajuar nga Fazil Tiranasi. Në hyrje të gramatikës që gjithsej ka 32 faqe, autori jep alfabetin, duke theksuar se atë e ka sajuar Muftiu i Manastirit, Rexhep Voka. Gramatika është përpiluar sipas gramatikave turke të asaj kohe dhe nuk ka nevojë vlerë shkencore, por është një dokument në vargun e përpjekjeve për përhapjen e alfabetit arab. [53]
Kur të gjitha këto masa nuk dhanë përfundimin e duhur, qeveria xhonturke filloi të marrë masa më të rrepta administrative. Në gazetat e Stambollit, më 22 gusht 1910, lexojmë se në bazë të vendimit të këshillit të vilajetit të Manastirit, për arsye fetare dhe politike dhe për arsye të ardhmërisë së perandorisë, mbyllet Shkolla Normale e Elbasanit. Po në këtë muaj, Valiu i Janinës, Zihni pasha Balaganzade, me rastin e inspektimit nëpër vilajet, i lëshoi nga detyra të gjithë nëpunësit të cilët e përkrahnin alfabetin latin. Në fillim të majit 1910 deportohen nga Korça personalitetet patriotike dhe kulturore më të shquara. Nëpër tërë Arnautllëkun mbyllen klubet shqiptare, gazetat dhe shtypshkronjat. Por, pasi edhe këto masa nuk ndihmuan gjë, madje gjithnjë shkaktuan revoltën edhe më të ashpër, kur qeveria reaksionare xhonturke pa se nuk do të jetë lehtë të bëhet shkombëtarizimi apo osmanizmi i shqiptarëve, nën parullën e pacifikimit të Arnautllëkut, të mbledhjes së armëve dhe të tatimeve, u ndërmorën një varg ekspeditash ushtarake. E, pas dështimit të kryengritjes së Kosovës në verë të vitit 1910, kemi një varg gjykimesh, internimesh e deportimesh. Por ,as të gjitha këto masa nuk mundën ta ndalojnë depërtimin e ideve të Manastirit. Kah fundi i vitit 1910, qeveria turke qe detyruar ta pezullojë të ashtuquajturin ligjin mbi bandat, të shpallur më 27 shtator 1910, ligj që ishte drejtuar kryesisht kundër shqiptarëve; u shtrëngua të heqë dorë nga aksioni i çarmatimit të popullit dhe ta lejojë hapjen e shkollave shqipe. Në mars të vitit 1911, Ministria e Brendshme turke, me një letër qarkore, rekomandon hapjen e shkollave shqipe dhe përdorimin e alfabetit shqip. [54] Një rekomandim i tillë vjen edhe nga Ministria e Arsimit ku thuhet se qeveria, në mbledhjen e ministrave ka vendosur që shkollat fillore (iptidaje) të shndërrohen në shkolla shqipe. [55] Sado që organet qeveritare turke dhe qarqet konservatore shqiptare akoma nuk hoqën dorë nga përpjekjet për përhapjen e alfabetit arab, marrja e këtyre vendimeve ishte provë disfate e njërës palë dhe dëshmi triumfi e palës tjetër.
Kështu mori fund lufta për alfabetin shqip në të cilën morën pjesë, jo vetëm shqiptarët dhe turqit, por edhe fuqitë e mëdha dhe shtetet fqinje, fenomen ky që nuk e njohim në lidhje me alfabetin e ndonjë popullit tjetër. Qysh në fillim të betejës, Hasan Prishtina, me një vizion profetik pat thënë: “Këtë çështje do ta zgjidhë koha, nëse tashmë nuk e ka zgjidhur”. E koha me të vërtetë e kishte zgjidhur. Me shpalljen e pavarësisë më 1912, vetëm u vërtetuan aktet revolucionare të marra në Manastir.
Nga sa paraqitëm më lartë, del në dritë – sado që me kohë do të gjenden edhe materiale tjera, midis tyre edhe arkivore – se lufta për alfabetin shqip ka filluar në Stamboll, prej aty është përhapur, atje ka marrë dimensionet më të ashpra, atje është reflektuar më së miri. Kjo s’është për t’u çuditur aspak, sepse në Stamboll si kryeqytet të Perandorisë Osmane, ndodhet e përqendruar pjesa dërmuese e inteligjencës shqiptare; në Parlamentin turk është një grupi madh deputetësh shqiptarë. Me fillimin e luftës për alfabet, shohim një polarizim të rreptë midis dy grupeve: grupit përparimtar, më të pakët, por , jashtëzakonisht të vendosur, të pajisur me një kulturë të thellë dhe me pikëpamje të gjera politike, dhe grupit konservator, i cili me shumicë përbëhet nga ulemaja e Stambollit. Qeveria turke edhe intelektualët turq kanë qenë thuajse në tërësi në anën konservatore. Por, kemi raste ku disa prej tyre kanë një qëndrim ndaj përpjekjeve shqiptare për emancipimin kulturor dhe shoqëror.
Lufta është bërë kryesisht në trajtë polemikash në gazetat turke, më së shumti në dy gazetat më të njohura – “Tanin” dhe “Tasvir-i Efkar”, por, kemi lajme edhe në “Zeman”, “Ikdam”, “Yeni gazete”, “La Turquienouvelle”, “Osmanischer Loyd” etj. Është për t’u theksuar një liri e madhe e të shfaqurit të mendimeve në shtypin e atëhershëm turk, i cili përjeton një periudhë lulëzimi pas shpalljes së konstitucionit. Mënyra e të diskutuarit, toleranca, stili dhe gjuha që e përdorin të dy palët, meritojnë çdo respekt. Duke dhënë pjesë të gjera nga artikujt e të dy palëve, kemi pasur për qëllim t’i njoftojmë lexuesit dhe gjurmuesit – të cilët këto burime mund t’i përdorin me vështirësi jo vetëm me qëndrimet e të dy palëve, por edhe me argumentet që përdorin, mënyrën e të shkruarit e të menduarit e tyre, gjë që do të shërbejë më vonë edhe si material i vyeshëm nëse përpilohet një ditë historia e publicistikës shqiptare. E, sado që ata – emrat e një shumice këtu përmenden për herë të parë – shkruajnë në gjuhën turke, janë shqiptarë që shkruajnë për çështje jetësore të popullit të vet, prandaj edhe duhet të gjejnë vend në një vepër të tillë.
Natyrisht, vetë lufta për alfabet, shikuar nga Stambolli, implikon një varg çështjesh: relacionin fe-kombësi, politikën e Patrikanës, politikën e Austro-Hungarisë, situatën në Ballkan, çështjen e autonomisë së popullit shqiptar etj. Prandaj, edhe neve na është dashur që të ndalemi në këto probleme, por gjithmonë duke e vënë në plan të parë Stambollin – si është trajtuar atje në atë kohë kjo apo ajo çështje, pse janë përdorur në luftë kundër alfabetit çështje të këtilla. Një vëmendje të veçantë, gjithashtu, ia kemi kushtuar edhe luftës së deputetëve shqiptarë në Parlamentin turk. Jemi përpjekur që për disa të japim ndonjë shënim – gjë që mungon krejtësisht në historiografinë tonë. Kur një ditë të shkruhet historia e partive ndër shqiptarët, mendoj se kësaj periudhe duhet t’i kushtohet një kujdes të madh. Do të ishte gabim sikur këto parti t’i konsideronim si parti thjeshtë turke. Vallë, a mund të injorohet partia liberale në krye të së cilës ndodhej Ismail Qemali, apo partia demokratike nën kryesinë e Ibrahim Temo – Starovës. Këto parti kanë pasur edhe filialet e tyre nëpër Arnautllëk. Duke qenë se organizimi i mitingjeve kundër alfabetit latin është pasojë e luftës që bëhej në Stamboll, kemi dhënë lajme edhe për to – për disa më shumë e për disa më pak, varësisht nga fakti se çka dihet deri tash për to.
Nga materialet tona njëkohësisht del qartë se sa i madh ka qenë numri i shqiptarëve në kuadrin e profesorëve të lartë të Stambollit, sa punë e madhe i pret gjurmuesit në lëmin e historisë së kulturës. Pas një pasqyre të këtillë del qartë pse është formuar qarku arsimor shqiptar (Arnaut Mahfir Mearifi), na del krejtësisht në shesh roli dhe aktivitet i njërit nga ithtarët më të mëdhenj për alfabetin arab, Rexhep Vokës nga Tetova, për të cilin kemi shkruar para 13 vjetësh (Krh. Hasan Kaleshi, “Prilog Poznavanju albanske knjizhevnosti izvremena Preporoda”,” Godishnjak” I, “Balkanoloshkog instituta uSarajevu”, Sarajevo, 1957), gjë që atëherë nuk e kemi kuptuar plotësisht. Me një fjalë, në këtë punim jemi përpjekur ta japim pasqyrën sa më të plotë të luftës për alfabetin shqip që është zhvilluar në Stamboll, në një anë, dhe të paraqesim sa më tepër material për problemet e ndryshme të lidhura me këtë problem, në anën tjetër. Shpresojmë se të dy gjërat kanë munguar deri tash në studimin e kësaj çështjeje të rëndësishme dhe se në këtë mënyrë përmbushet një zbrazëtirë e dukshme. /Telegrafi/
[1] Cituar sipas Sh. Demiraj – K. Prifti, Kongresi i Manastirit – ngjarje me rëndësi në lëvizjen kombëtare shqiptare, Tiranë 1968, 11.
[2] Alfabetarja e gjuhësë shqip, Stamboll 1879, 29.
[3] “Elçija e zemrës së Jezu Krishtit”, shtator 1908, nr. 9, cituar sipas Sh. Demiraj – K. Prifti, op. cit. 56.
[4] Po aty, prill 1910, nr. 4.
[5] Po aty, dhjetor 1911, nr. 12.
[6] “E vërteta”, 3/16 prill 1911, nr. 3. 1. cituar sipas Sh. D E M I R A J – K. P r i f t i, op. cit. 57 Krh. Gjithashtu Stavro Skendi , The Albanian National Awakening 1878-1912. Princeton University Press 1967, 368. Mbi lidhjen e ngushtë midis Patrikanës së Stambollit dhe qarqeve shtetërore, kishtare e kulturore greke ka aq materiale të botuara në shumë gjuhë saqë nuk e gjej të nevojshme ta përmend ndonjë vepër.
[7] Dihet se Patrikana dhe qarqet qeveritare panheleniste greke te Athinës kanë bërë përpjekje që shqipja të shkruhet me germa greke. Mbi këtë kemi një shënim interesant në “Tanin”, 30.11.1808 ku thuhet: “Se propozimi i një komisioni të formuar në Greqi që shqipja të shkruhet me germa greke kurrë s’do të zbaohet, ne kemi shkruar në numrat e mëparshëm të gazetës sonë”. Në lidhje me këtë kemi marrë një letër nga Dibran Mehmet Shefqeti, e cila mbaron me këto fjalë: “Po ta shikojmë historinë, do të shohim se me shumë popuj kemi pasur kundërshtime dhe marrëdhënie të mira. Por të gjithë kanë dashur të na gëlltisin dhe të na zhdukin. Më vonë, bëmë marrëdhënie vëllazërore me turqit. Shekuj me radhë jetuam së bashku me ta e edhe sot jetojmë. Të gjitha interesat tona, ndjenjat që i kemi të përbashkëta. Ne jemi bashkuar deri në atë shkallë saqë s’ka fuqi që mund të na ndajë”.
[8] Padyshim se nëpër arkivat e Stambollit, sidomos në arkivin sekret të sulltan Abdulhamidit II, mund të gjenden materiale të shumta mbi këtë çështje. Gjithashtu, duhet kontrolluar edhe gazetat edhe revistat e shumta turke të Selanikut, Manastirit etj. Prandaj, as që jemi të mendimit se në këtë kumtesë do të mundë të përfshihen të gjitha materialet që gjenden Stamboll. Por, kjo njëkohësisht provon se me gjithë përparimin e madh që është bërë për ndriçimin e shumë ngjarjeve edhe shumë probleme tjera mbetën për t’u studiuar.
[9] Ibrahim Temo (Starova) i ka botuar në Rumani më 1939 memoaret e veta në gjuhën turke me titull: “Ibrahim Temo, formimi i Komiteti ‘Bashkim e përparim’ – kujtimet e mia mbi shërbimet atdhetare dhe revolucionin kombëtar”.
[10] Krh. Kujtimet o tia: Kujtimet e Nijaziut apo nja faqe nga historia e revolucionit të madh osman. Edhe nga kujtimet e Dr. Temos edhe nga ato të Nijaziut del qartë se ata mendonin së pari ta shpëtojnë Perandorinë Osmane dhe flasin kryesisht për shërbimet e veta që kanë bërë më këtë drejtim. Te Dr. Temoja kemi edhe disa të dhëna interesante mbi aktivitetin e tij pas krijimit të shtetit shqiptar.
[11] M. Edith Durham kështu e përshkruan shpalljen e konstitucionit në Shkodër, ku është ndodhur në atë kohë: “Tërë Shqipëria e veriut ndodhej në një entuziazëm gëzimi. Muslimanët dhe krishterët të bashkuar! Mendohej se Evropa kishte hyrë ndërmjet dhe turku nuk do të mbretërojë më. Malësorët, të veshur me teshat më të bukura, u lëshuan nga malet teposhtë dhe në qytet i prisnin duke brohpritur:“Rroftë konstitucioni! Ata qitën aq pushkë saqë nuk mundtë gjendej asnjë fishek në qytet. Brenda dy ditëve e dy netëve, në qytet u mblodhën mëse 200 000 njerëz e nuk ndodhi asnjë rast çrregullimi, sado që nuk ndodheshin fuqitë mjafta të policisë”. Në një artikull tjetër të nënshkruar me pseudonimin “Viator”, M. Edith Durham shkruan: “’Ne jemi të lirë, ne jemi të lirë’ – më thonte çdo njeri. ‘Tanë jetën e kam prit këtë çast. Shyqyr Zotit, tash e ndi veten të lumtun’”.
[12] Kujtoj se nuk është e tepërt të theksojmë se Ismail Qemali, qysh në fillim kishte qëndrim negativ ndaj xhonturqëve. Në memoaret e veta (f.221) ai shkruan: “I dorëzova përfaqësonjësit të Sulltanit përgjigjen që këshillonte madhëria e tij pa asnjë vonesë ta shpallë kushtetutën, meqënëse ajo ishte rruga e vetme e sigurtë për të grumbulluar rreth fronit të tij popujt e perandorisë. Dhe meqënëse tani e kuptoja mentalitetin dhe moralin e turqve të rinj si dhe arsyet për vijën politike që e ndiqnin, e porosita sulltanin gjithashtu që t’i marrë tërë masat e nevojshme për t’ua prerë rrugën aventurierëve që kërkojnë ta hedhin fuqinë në dorë me forcë dhe të bëjë për vete, pa ndërhyrjen e këtyrë aventurierëve, besimin dhe ndihmën e popullit shqiptar”. Ismail Qemali ishte kryetar i partisë liberale (Ahrar) e njëkohësisht kryetar i opozitës në parlamentin turk. Kur sulltan Hamiti me garnizonin e Stambollit e rrëzoi qeverinë xhonturke, Ismail Qemali u emërua kryetar i parlamentit, e kur Armata e Selanikut hyri në Stamboll dhe u vendos diktatura ushtarake xhonturke dhe sulltani u internua në Selanik, Ismail Qemali iku në Athinë. Pra, kemi një varg çështjesh jashtëzakonisht të ndërlikuara që kërkojnë gjurmime të hollësishme.
[13] Manastirli Ismail Hakki ka qenë profesor në medresenë e Fatihut dhe në univerSitet. Është autor i shumë veprave fetare. Është konsideruar si njeriu më i ditur në disiplinat teologjike në atë kohë.
[14] Stavro Skendi në veprën e cituar (f. 373) thotë se delegacioni i klubit të Stambollit përbëhej nga tre vetë. Mirëpo, në listën e delegatëve që na e jep “Leka” dhe sipas një shkrimi të Fishtës, botuar në “Hylli i dritës”, nuk gjejmë asnjë përfaqësues të klubit të Stambollit. Është interesante se akoma nuk i dimë saktësisht emrat e 33delegatëve. Kështu në “Leka” nuk e gjejmë Rrok Berishën, delegat të Shkupit dhe Azizin. Delegat të Starovës dhe Imzot Kaçorrin që i gjejmë në kujtimet e Fishtës. Lista e delegatëve që e ka dërguar konsulli italian Visarti në Romë, është gati i njëjtë me atë të Fishtës, me përjashtim të Rrok Berishës, të cilin nuk e gjejmë në këtë listë. Arsyeja që emrat e shumë delegatëve të Manastirit nuk përmendet, ndoshta duhet kërkuar në faktin se një pjesë e tyre nuk ishin përfaqësues të klubeve, prandaj nuk kishin karakter zyrtar.
[15] Stavro Skendi, op. cit. 375. Në lidhje me fjalimin e hoxha Vildan efendiut që bëri fjalë për lirinë, vetëdijen dhe bashkimin. Folësi duhet nisur – tha – se me qenë se ka ikur i vogël nga mëmëdheu dhe s’e përdor dot bukur gjuhën shqipe, kërkoj leje të flas turqisht; fjalët ca nga ca përktheheshin në shqip prej Abdul be Ypit. Përndryshe, klubi “Bashkimi” i Stambollit qe i pari klub i shqiptarëve pas shpalljes së konstitucionit. Sipas shembullit të tij, u hapën edhe klube tjera. Deri më 24 korrik 1909, pra, për një vit, u hapën 21 klube të tilla. Padyshim se emrin e kanë marrë nga fjala e parë e organizatës xhonturke “Bashkim e përparim”.
[16] Krh. p. sh. I. G. Senkoviç …
[17] Krh. Ismail Qemal Vlora, “Kujtimet”, përktheu nga anglishtja Rexhep Agaj, Harmony Printing Limited, Canada1968, 245.
[18] Krh. Stavro Skendi, “Historia e abecesë shqipe”. Një rasë zhvillimi kulturor dhe politik të ndërlikuar. Nxjerrë nga Albania vëll. 1, nëntor 1962. 367.
[19] Mbi kongresin e Dibrës kemi të dhëna të çmueshme në kujtimet e pjesëmarrësve: Konan Manastirli, Debre Kongresi, Istanbul 1328; Rexhep Bey Tetova, “Kujtimet e Kongresit të Dibrës”, Manastir 1909, pastaj kujtimet e Abdul Jupit dhe Hafëz Ali Korçës, botuar më 1918, kurse vendimet e kongresit janë botuar turqisht e shqip. Vendimet e Kongresit të Dibrës, Manastir, 1909. Mjerisht, asnjë nga këto libra nuk i kam pasur në dorë.
[20] Në një varg lajmesh të botuara në gazetat turke në lidhje me kryengritjet shqiptare në vjeshtë të vitit 1909, i gjejmë të njëjtat ide. Kështu, kryengritjet në Pejë, Gjakovë, Lumë dhe Podrimë dhe ekspedita e Xhavit Pashës, sqarohen me faktin se shqiptarët kanë qenë të privilegjuar gjatë regjimit të vjetër e tash refuzojnë të kryejnë obligimin ndaj shtetit. Në “Tasvir-i Efkar” kemi një shënim të tillë: “Ndodhesha në Prizren kur erdhi bajraktari i njëfis i në qendër të hyqymetit dhe e pyeta: A jeni të kënaqur me meshrutijetin? – Ne kërkojmë vetëm sheriat, ç’është meshrutijeti ne e kemi kuptuar. Me sheriat ne kemi qenë gjithmonë të lirë dhe prandaj e kërkojmë periodën e mëparshme”.
[21] Këto të dhëna kanë një dozë të madhe të së vërtetës. Austria, në bazë të së drejtës së protektoratit fetar, që në të vërtetë do të thotë protektorat kishtar përmbi katolikët e Shqipërisë, të fituar nga Turqia, nuk e kufizonte aktivitetin e vet vetëm mbi çështje kishtare dhe kulturore të elementit katolik, por kishte edhe interesa më të mëdha, në radhë të parë politike. Një nga arsyet politike ishte pengimi i depërtimit serb e bullgar ndër viset e banuara në shumicë me shqiptarë dhe bashkë me këtë të luftohet influenca ruse në Ballkan. Mirëpo, aktiviteti i saj nuk ishte aq i madh sa e paraqitnin gazetat turke dhe propaganda e xhonturqve. Mbi veprimtarinë e Austro-Hungarisë në lëmin arsimor krh. Dr. Jashar Rexhepoviç, “Razvoj prosvete i shkolsiva albaneske narodnosti na teritoriji donashnje Jugoslavije do 1913”. Prishtina 1968, 198 e vazhdim.
[22] Grekët në saje të Patrikanës së Stambollit gjithnjë kanë pasur shkollat e tyre. Pas periodës së Tanzimatit, duke përfituar nga intervenimet e fuqive të mëdha, ata hapin shkolla greke edhe ndër vende ku popullsia ka qenë vllahe. Kështu, një shkollë greke kanë hapur në Prizren më1870. Bullgarët duke përfituar nga dekreti i sulltanit, më11 mars 1870, me të cilin është njohur egzarhati bullgar dhe me këtë e drejta që t’i mbrojë të drejtat e të gjithë sllavëve të Ballkanit të përkrahur me të gjitha mjetet edhe nga diplomacia ruse, sidomos ajo e Stambollit, hapin kudo shkollat e veta, madje edhe në Kosovë, sado që këtu s’ka pasur bullgarë. Pozita serbe ka qenë mjaft e dobët për shkak të privilegjeve që kanë pasur grekët e bullgarët, mirëpo ajo përforcohet sidomos kah viti 1895, kur në Stamboll vepron si ambasador i Serbisë Dr. Vlladan Gjorgjeviçi. Në raportin e vet dërguar qeverisë serbe më1896 ai lavdërohet se ka mundur të marrë lejen për hapjen e gjimnazeve serbe në Stamboll, Shkup e Selanik. Janë hapur diku 50 shkolla serbe në Vilajetin e Kosovës etj. Nga ana tjetër, turqit duke i konsideruar shqiptarët muslimanë si osmanli, kurrë nuk kanë shikuar me sy të mirë të hapurit e shkollave shqipe. Edhe ato pak shkolla që u hapën pas shpalljes së konstitucionit, u mbyllën pas kundërrevolucionit.
[23] E. b. V. Në veprën e cituar, f. 42 me plot të drejtë thekson se “rreziku grek ishte padyshim më i madh për shqiptarët. Ka mëse 100 vjet që grekët e kanë gërmuar tërë vendin lart e poshtë. Ata, si ndihmës e kanë kishën me ndikimin e saj moral dhe pa pra punojnë punë të kota. Jo vetëm familje, fshatra dhe qytete, por edhe krahina të tëra janë greqizuar. Edhe në fshatin më të vogël, afër kishës ndodhet edhe shkolla që synon ta bëjë për vete rininë shqiptare për idealet greke. Kjo propagandë faqëzeze nuk njeh kufij; të gjithë shqiptarët ortodoksë deri në Vilajetin e Kosovës duhet të bëhen pjesëtarë të të vetmit komb të madh në Ballkan, të kombit grek”. Është gjë e njohur fare mirë se në Kongresin e dytë të Elbasanit, Petër Laurasi ankohej kundër propagandës greke. Prandaj, u propozua që të kërkohet mbrojtje nga organet turke. Një fenomen të greqizimit të shqiptarëve me anën e kishës dhe të shkollës e gjejmë edhe sot në Stamboll midis emigrantëve shqiptarë, qofshin ekonomikë apo politikë, të fesë ortodokse.
[24] Po këtë ide e gjejmë në numrin e parë të “Besës”, ku thuhet: “Deri sot kena heq shumë të këqija prej qeverisë lozonjare që u përmbys. Ajo qeveri kurrë nuk ka bërë gjë, veç të këqija për Turqinë, edhe ca pare të shkreta që i kanë mbledhur prej robërisë i kanë prishur, kur gjuhën kurdoherë për t’i liga atdheut. Prandaj, edhe neve shqiptarëve nuk na linin ta mësojmë gjuhën tonë, sepse dimë fort mirë që gjithë shqiptarët me gjuhë turqishte nuk mund të zgjohen e të qytetërohen, se gjuhën turke nuk e dinë ta flasin. Turqishtja është gjuhë që nuk mësohet lehtë, të varfërit s’kanë kohë ta mësojnë 10 a 15 vjet. Shqipen çdo shqiptar i pasur, i varfër, bujk, bari mund të mësojë me pak kohë”.
[25] Duket se shqiptarët e Stambollit e kanë marrë hapjen e shkollave shqipe nga ana e Austro-Hungarisë dhe Italisë si argument për të bërë presion te qeveria turke për të hapur shkolal shqipe. Kështu në nr. e parë të gazetës “Besa” kemi edhe këto fjalë: “… në Toskëri grekët dhe në Gegëri Austria e Italia me anë të priftërinjve katolikë kanë hapur një shumicë shkollash dhe punojnë kundër interesave të qeverisë. Autoritetet e vendit po heshtin, e në anën tjetër edhe një ilmihal të shkruar në shqip e konfiskojnë. Si rezultat i kësaj është se sot shumica e shqiptarëve s’mund të mësojnë dhe nuk dinë asgjë nga bazat e fesë islame”. Në vazhdim thuhet se çdo popull shkollat fillore duhet t’i ketë në gjuhën e vet. “Sot shkollat që ndodhen në Arnautllëk janë edhe të pakta edhe për nga drejtimi e mësimi janë për faqe të zezë. Në disa katunde, ka shkolla fillore, mësimet zhvillohen arabisht e turqisht, kështuqë as nxënësit s’kuptojnë as mësuesit s’dinë t’ua sqarojnë … Ministria e Arsimit duhet të kujdeset menjëherë të botojë libra shqip për mësimet fetare dhe të gjitha librat e fillores në mbarë Arnautllëkun …” Natyrisht se edhe kundërshtarët e alfabetit, sikurse pamë, e përdorin hapjen e këtyre shkollave si argument në luftë kundër alfabetit.
[26] Krahaso gjithashtu Takvim-i vekai, më 23 haziran 1325;
[27] Krahaso Takvim-i vekai, 23 haziran 1325.
[28] Këtu sigurisht mendojnë për alfabetin e Rexhep Xhudit – Vokës nga Tetova, myfti i Manastirit për të cilin do të flasim më vonë, por ndoshta edhe për ndonjë tjetër alfabet, sepse në atë kohë qarkullonin dy-tre alfabete, të botuara me alfabetin arab.
[29] Përmbi mitingun e Shkupit krh.: Muhamet Pirraku, “Mitingu i alfabetit në Shkup”, “Fjala” nr. 8, tetor 1968.
[30] Sado që në disa burime gjejmë se shoqëria e Stambollit qe formuar në mënyrë sekrete nga patriotët shqiptarë, unë nuk dyshoj asnjë fjalë se kjo shoqëri u formua me dijen dhe lejen e organeve turke dhe të vetë sulltanit. Përveç fjalëve të sipërme, duhet ditur se shoqëria u quajt turqisht “Shoqata shqiptare e diturisë”. Pastaj, rregullorja e shoqërisë që është botuar në gjuhën shqipe, vetëm më 1926 në “Dituria”, në Stamboll, u botua në gjuhën turke në vitin e themelimit të shoqërisë në revistën shkencore “Mecmu’a ulum” dhe bëri bujë të madhe si ndër qarqet kulturore ashtu edhe ndër qarqet politike.
[31] Këtu shohim se bëhet fjalë për dy alfabete, ose që komisioni sajoi një herë një alfabet e më vonë që u përmirësua. Një gjë e tillë më duket se nuk e kemi diture dhe unë e marr me rezervë, sado që kemi edhe një burim tjetër që e argumenton të njëjtën gjë. Në veprën “Albanskoto vrazhdanie” (Sofia 1909, 28), shkruar nga një autor bullgar me pseudonimin Diplomat (e citojmë sipas të dhënave të prof. Antolakut në punimin e tij në këtë numër të “Gjurmimeve”), thuhet se komisioni i Stambollit i ka studjuar disa variante të këtij alfabeti – një në bazë të greqishtes, propozuar nga Jard Vretoja, një në bazë të latinishtes, propozuar nga Vaso Pasha, një krejt origjinal propozuar nga hoxha Tahsini e i katërti në bazë të latinishtes me disa germa greke, propozuar nga Sami Frashëri. Prej të gjithë këtyre, komisioni bëri një alfabet mozaik, të përbërë nga shkronja greke, latine, bullgare, serbe dhe disa krejtësisht të reja. Por, kur u provua se ky alfabet nuk ishte praktik, u la dhe u muar ai i Samiut. Pra, kjo është një çështje që duhet studiuar.
[32] Shihet qartë se këtu është fjala për alfabetin e Stambollit, kurse kongresi i Manastirit dhe alfabeti i tij nuk përmendet fare.
[33] Mbi demarshet e të dyja palëve gjejmë një shënim të shkurtër në revistën “Leka”, 1937, numër kujtimor i XXV vjetorit të pavarësisë kombëtare, 28. XI. Bleni 1. Lajmi është ribotuar nga “Lirija” e Selanikut nr. 74, vj. 1910.
[34] Seit Idrizi mbi të cilin bëhet fjalë shpesh këtu, gjatë kohës së ish-Jugosllavisë ka jetuar në Shkup dhe ka qenë aktiv me xhemijetin.
[35] Këtu sigurisht mendon për Hasan Prishtinën dhe Nexhip Dragën. Ekzistojnë disa shënime nga të cilat shihet se janë bërë përpjekje që t’i hiqet mandati Nexhip Dragës. Përqendrimin e Nexhip Dragës në Shkup njofton edhe gazeta “Vardar” e Shkupit, e cila më 24 janar 1910 shkruan: “Të mërkurën e kaluar në xhaminë e sulltan Muratit është mbajtur një miting i madh në të cilin kanë marrë pjesë 600 muslimanë me shumicë shqiptare. Flitet se shkaku për këtë miting është ardhja e deputetit shqiptar të këtushëm Nexhip Dragës nga Stambolli për ta agituar një alfabet latin që pranohet nga shqiptarët”.
[36] I. G. Senkeviç, “Mlado tureckaja revolucija” 1908 g. “I albaskoe divizhenie: Sovelskoe Vostokovedenie” 1958, 1, 150. Nuk besoj se këtu është puna për diferencën midis kalendarit të vjetër dhe të ri, sepse çdo numër të gazetave turke të asaj kohe shënohet data sipas këtij kalendari.
[37] “Tanin”, 7 shkurt 1910. Baba Qazimi, shehu i teqesë së bektashinjve të Gjakovës është një nga të rrallët që i mban mend disa ngjarje në lidhje me luftën për alfabet. Në vitet1910-1911, Baba Qazimi ka qenë nxënës i shkollës normale të Shkupit. Sipas kujtimeve të tij, në vitin shkollor 1910-1911, pra kur lufta midis ithtarëve të dy alfabeteve kishte arritur kulmin, nxënësit shqiptarët i kanë bërë lutje Ministrisë së Arsimit të Stambollit, Parlamentit turk dhe Hasan Prishtinës. Por, si pasojë, ka arritur mësuesi Salih Gjuka nga Peja. Drejtori Sabri Xhemili, gjithashtu shqiptar – tregon Baba Qazim – thirri dhe tha se kemi marrë urdhër t’ju mësojmë shqip, por nuk kemi vend. Një gjakovar – Murat Gjakova – i tha drejtorit: “A nuk ka mundësi të na jipni zyrën tuaj e ju të kaloni në zyrën e profesorëve. Na thamë: ‘Duam vetëm me këndue shqip, shkojmë edhe në akull’. Mbas ditësh erdhi ministri i Brendshëm i Turqisë, Haxhi Adili beu, dhe apostafat për me na trembë, na e prunë në klasë tonë. Në prezencën e tij na pyeti drejtori: “Kush asht prej jush që do me këndue shqip me kaur alfabeti”. Na u çuam ma shumë se gjysma e klasës. Mësimet e shqipes vazhduan, por jashtë orarit zyrtar. Deri në kryengritje kemi këndue shqip. Por, na prunë si mësues Abdulhakim Himetin nga Gostivari, por ai ma tepër fliste turqisht. Shokët më shtynë mue me u çue kundër tij se isha ma i ri e nuk më kapte ligji dhe kërkova që mos të vijë mase nuk e dinte shqipen dhe mbas 4-5 mësimesh nuk erdhi ma.”
[38] Sh. Demirajt – H. Prifti (op. cit. 59) ky miting u mbajt më 4 shkurt 1910 në një nga sheshet e qytetit në të cilin morën pjesë 7 000 qytetarë dhe fshatarë nga shpati dhe katundet tjera të Elbasanit. Po këtë numër pjesëmarrësish e gjejmë në numrin e përmendur të “Lekës”, 465.
[39] Skendi (op. cit. 386) e përmend këtë miting, por përmend edhe demonstratat e katolikëve në favor të alfabetit latin, të mbajtura në fund të muajit shkurt. Në “Leka” (nr. I përmendur, 465) lexojmë: “Në Shkodër kje pregatitë nji miting kundra shkronjave shqype. Porsa u hap ky lajm, katolikët u betuan me Malcina e katunde e me Mirditë, që po t’u bate kësi soj mitingu, ma ba nji të kundërt prej 60 000 vetash për mbroje të germave shqype”.
[40] Shahin Kolonja ishte një nga ithtarët e alfabetitshqip.
[41] Në numrin e përmendur të “Lekës” (465), e cila ka nxjerrur të dhënat nga nr. 74, 1910 të gazetës “Liria” të Selanikut, thuhet se “në Korçë i mbajt nji mbledhje kundra shkronjave arabishte e prej 15 000 vetash të përbëm edhe prej rretheve të Korçës. Në Kolonjë 1 500 veta veshun me petka kombëtare, 700 veta kalorë e tjera kambë, banë nji miting për mbroje të shkronjave shqype. Në Vlorë u mblodhën 40 tregtarë edhe prej Tirane, Kruje e Kavaje për me ia banji shkresë qeveris turke, tue iu dishmue se ishin antarë të shkrimit shqyp”. Klubi i Filatit, kur mori vesh se 12 hoxhallarë kanë ndër mend ta organizojnë një miting në favor të alfabetit, i dërguan një telegram Portës duke thënë se do ta derdhin edhe gjakun për alfabetin latin (Skendi, op.cit. 385).
[42] Fitohet përshtypja se të gjithë njerëzit e fesë ishin kundërshtarë të alfabetit. Mirëpo, nga rasti i Haxhi Vildan efendiut, pamë se nuk është ashtu. Një rast tjetër e kemi Hafëz Ali Korçën, autor të disa mevludëve dhe shumë librave fetare, i cili në mitingun e ithtarëve të alfabetit shqip në Korçë, e bëri duanë dhe e bekoi alfabetin shqip. (Krh. S. Rizaj, “Albanska abeceda u nauçnoj literaturi”, “Jugoslovenski istorijki çasopis” br. 1-2/1969, 190.
[43] Më 5 prill 1910, Shejhu Islami u dërgoi një letër qarkore muftilerëve të Arnautllëkut ku thuhej: “Ne shpejtojmë t’ju njoftojmë se më 23 mars 1826 ua kemi tërhequr vërejtjen që të mos e lejojnë pranimin e alfabetit latin për gjuhën shqipe dhe të kujdesen që të ndalohet rreptësisht zbatimi i tij në shkollat shqipe. Këtë letër qarkore ua dërgojmë muftilerëve të qyteteve dhe të kasabave shqiptare që të mund të orientohen në pajtim me të”.
[44] Husejn Xhahidin e përmend edhe Ismail Qemali në memoaret e veta, por ndoshta me gabim të përkthyesit me emrin Xhavid. Në f. 234. Ismail Qemali e quan “Xhavidi i urrejtur, drejtor i gazetës ‘Tanin’ të xhonuturqve”, kurse në f. 246. flet mbi një artikull shpifës, botuar kundër tij në fletoren e turqve të rinj, “Tanin”.
[45] Krh, Kazim Nami Duru, “Arnavutlluk ve Makedonya”, Hatiratim, Sucuoglu Matbasi, Istanbul 1959, 19-20.
[46] Jahja beg efendiu ka qenë deputet i Prizrenit.
[47] S. Skendi, op, cit. 368.
[48] S. Skendi, op, cit, 385.
[49] Krh. gazetën “Vesti” nr. 67, datë 10 shkurt 1909 që botohej në gjuhën bullgarishte në Stamboll.
[50] Sado që letërsia shqipe me alfabetin arab fillon qysh nga shekulli XVIII, përpjekje për adaptimin e alfabetit arab e ka përpiluar Daut Boriçi nga Shkodra dhe e ka botuar në Stamboll më 1861 ose më ribotuar 1869 (Krh. Nexhim Bushati. Të dhëna rreth biografisë së Daut Boriçit. Buletini për shkëmbimin e eksperiencës, Shkodër 1954, nr.9). Mirëpo, nuk dimë nëse Boriçi ka bërë modifikime apo jo. Po kështu, Hoxha Tahsini, përveç alfabetit të posaçëm, është përpjekur për alfabet arab, por as edhe këtë alfabet të tij nuk e njohim fare.
[51] Krh. Stavro Skendi, “Historia e abecesë shqipe”, 368.
[52] Unë kam në dorë dy “Abeja shqip” të Vokës, edicionin e parë të botuar në Mahmud bej Matbaasi dhe të dytin në Matbaa-i Ebuz – Ziya. Që të dyja janë të botuara më 1327 (1910). Midis dy edicioneve ka vetëm dallime të vogla.
[53] Më gjatë përmbi këtë gramatikë shih: Hasan Kaleshi, “Gramatika shqipe e Fazil Tiranasit”, “Përparimi 5”, Prishtinë1955.
[54] S. Skendi, op. cit. 390.
[55] Krh. Shkupi, 1911, nr. 12, 2, cituar sipas Dr. Jashar Rexhepagiç: op. cit. 278.
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…
Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…
Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…
Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…
Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…
Nga: Halil Rama Pasi ka botuar dhe promovuar më parë librat “Kur binte një zymare në…