Siç e dini edhe ju, gruaja përveç detyrave shtëpiake ka shumë detyra të tjera më të mëdha në punën e atdheut, se mëma ju kthen në zemrën e djemëve ato ndjenja patriotike, me të cilat më pas formohet atdhetari që me theoritë e jetës do ta mbrojë vendin e tij.
Për ti dhënë djemëve ato ndjenja të nalta, gruaja më së pari duhet ti ketë vet, dhe ajo s’mund ti marrë ato ndjenja përveç se në shkollë.
Për të marrë vesh mirë se ç’pjesë merr gruaja shqiptare në jetën sociale, të shofim më parë pjesën që ajo ka në familje, e cila është si një pasqyrë e vogël e një shteti.
E mjera ajo që lind femër në Shqipëri! Që në vegjëli e zë tirania e prindërve. Ajo nuk është e lirë të urdhërojë veten e vet.
Më pas vjen koha e martesës. Ohh! Atëherë fillon tirania më e madhe, tirania e burrit. Me të hyrë në shtëpinë e burrit, nuk është veçse një skllave, ose një makinë për punë. Ajo e gjora nuk merr pjesë në këshillat familjare, nuk pyetet kurrë për ndonjë punë, as mund ti japë edukatë djemëve të saj. Sa që është e re nuk sheh kurrgjë, veçse ç’i arrin syri jashtë kafazit.
Tash të marim parasysh jetën e grave të Evropës. Oh, ç’jetë e bukur! Për të marrë vesh rojtjen e gruas evropiane, le të dëgjojmë fjalët e të madhit Mazzini. Gruaja, – thotë ai – të jetë nënë, bijë, grua, ose motër, është gjithmonë ëngjëlli i familjes.
Këto fjalë na dëftojnë se në ç’shkallë nderimi e mbajnë gruan në Evropë. Ato, përveç lirisë vetiake, kanë arritur edhe lirinë politike. Shohim në Novergjë, në Suidë, në Danimarkë, e më së fundi në Angli, tash vonë edhe në Gjermani dhe Austri, që gratë marrin pjesë në qeverimin e vendit të tyre.
Në mos gjendemi në atë shkallë që gjendet gruaja evropiane, fajin e kemi ne gratë, më tepër nga burrat, edhe nga baballarët tanë. S’kemi dëftuer kurrë ndonjë energji në aktivitet për lirinë dhe stërvitjen tonë. Si arritën evropianët në atë shkallë do ta shohim në një tjatër ditë.
Mjafton pra zonja tirania që duruam deri sot, shkaku i së cilës është padija dhe mospërpjekja për lirinë tonë. Unë jam mjaft e irrituar për një gjendje të tillë. Ja rasti për të dëftyer që edhe ne gratë jemi të zonjat të marrim pjesë sa edhe burrat, edhe mbase më tepër, në zgjimin e atdheut tonë.
Pra guxim zonja! Atë që nuk e bëmë ne, do ta bëjnë vajzat tona. Të bashkohemi dorë më dorë dhe të ndihmojmë çështjen e feminizmës në Shqipëri duke dërguar vajzat tona me zell të madh.
Sot për sot ne gratë vetëm këtë të mirë mund ti bëjmë atdheut tonë të dashur.Fjalimi i mbajtur prej kryemësueses Shadije Bodgo, në çeljen e Shkollës së parë Femërore në Libohovë, tetor 1920.
Botuar në gazetën Djalëria, organ i shoqatës së studentëve Shqiptarë në Vienë, Austri, viti 1922.
Shadije Bogdo, krahas aktiviteteve politike, patriotike dhe arsimdashëse, kreu një punë të jashtëzakonshme për emancipimin e femrës shqiptare dhe për ndërgjegjësim e ngritjen e vetëdijes së një kombi të sapodalë nga një epokë e errët shtypjesh dhe pushtimesh./libohovapost
Përgatiti Ing: Bexhet Çobani
I kemi kaq pranë vetes! Në tryezat familjare, në organizime të ndryshme festash, kudo…dhe…
Nga Albert Vataj Në çdo përvjetor të ngjarjeve që kanë shënjuar historinë tonë kombëtare, kujtesa…
Duart e thata pas larjes shfaqen kryesisht sepse nga lëkura largohen vajrat natyrale që…
Në vitin 1858, studiuesi austro-hungarez, Johann Georg von Hahn, i cili më vonë do të…
Në shumicën e rasteve është sjellje krejt normale, por në disa situata mund të tregojë…
AFTËSITË E RRALLA TË SHQIPTARËVE PËR UDHËHEQJE, LUFTË, ARKITEKTURË, NDËRTIME ETJ. GREQIA, PERANDORIA OSMANE, EGJIPTI,…