Në vitin 1785, kimisti francez, inxhinieri dhe pionieri i aviacionit, Zhan-Fransua Pilatr dë Rozje u përpoq të kalonte Kanalin Anglez me një balonë me ajër që e kishte projektuar vetë. Balona u ngrit në ajër duke përdorur hidrogjen dhe ajër të nxehtë. Mjerisht, Rozje humbi jetën pasi balona mori flakë dhe u rrëzua.
Por jo pak shkencëtarë dhe shpikës të tjerë kanë vdekur nga rezultatet e punës së tyre. Për shembull, Mari Kyri vdiq nga anemia aplastike, si rezultat i ekspozimit për vite me radhë ndaj rrezatimit radioaktiv. Tomas Endrjus, projektuesi kryesor i Titanikut, u fundos bashkë me anijen e tij që në udhëtimin e saj të parë. Për nder të 11 Shkurtit, Ditës së Shpikësit, le të shohim cilët janë 5 shpikësit që humbën jetën për shkak të shpikjeve të tyre:
Uilliam Bullok
Pasi kishte arritur të shpikte një makinë metalprerëse, një shtypës pambuku, një mbjellës farërash dhe një brumatriçe, Uilliam Bullok u fokusua tek shtypshkronja. Presioni rrotullues ekzistonte tashmë në këtë pajisje, por Bullok bëri përmirësime të rëndësishme në modelin origjinal.
Duke bërë të mundur futjen e vazhdueshme të rrotullave të letrës në makinë, pajisja e paloste dhe më pas e priste vetë letrën. Në vitin 1867, ai ishte duke punuar në një shtypshkronjë që po instalohej në ambientet e gazetës “Philadelphia Public Ledger”.
Një rrip u shkëput nga një rrotull, dhe në vend se ta fikte pajisjen për ta rivendosur rripin e transmisionit, Bullok e goditi me këmbë në një përpjekje për ta rikthyer rripin në vendin e vet.
Por këmba iu bllokua dhe u dërrmua nga makineria. Edhe pse kirurgët u përpoqën t’i shpëtonin këmbën, plaga e Bullok nisi të gangrenizohej. Ai u rikthye në spital për të prerë një pjesë tjetër të këmbës, por vdiq gjatë operacionit.
Horas Hanli
Me profesion avokat, ligjvënës dhe tregtar, Hanli iu bashkua inxhinierëve Xhejms Meklintok dhe Bakster Uotson në projektimin dhe financimin e ndërtimit të një nëndetëseje. Në vitin 1864, “H.L.Hunley”, u bë nëndetësja e parë luftarake që fundosi me sukses anijen luftarake “USS Housatonic”, një anije e Unionit që u sulmua në Çarleston Harbër gjatë Luftës Civile.
Pavarësisht nga kjo arritje, “H.L.Hunley” u mbyt përpara se të mund të kthehej i sigurt në bazë. Gjatë një zhytje, pjesa e përparme e nëndetëses u bllokuan në fund të detit. Të 8 personat që gjendeshin në bord vdiqën, përfshirë Hanlin.
Tomas Mixhli.
Tomas Mixhli ishte padyshim një shpikës dhe shkencëtar i shkëlqyer. Por trashëgimia e tij është dëmtuar nga fakti se puna e tij solli ndikime mjedisore shumë të dëmshme. Ai propozoi idenë e shtimit në benzinë të plumbit tetraetil, si një zgjidhje për problemin e zhurmës në motor.
Edhe pse ishte një metodë efektive, plumbi ishte një ndotës shumë toksik që i dëmtoi pajisjet e kontrollit të emetimeve. Më pas, Mixhli sintetizoi atë që ne do ta njihnim si Freon, për t’u përdorur si ftohës i motorit. Kjo çoi në zgjerimin e përdorimit të klorofluorokarbureve (CFC), të cilat shkaktuan dëme të mëdha në ozon, shtresën e sipërme të atmosferës së Tokës.
Por vdekja e tij nuk ka lidhje me shpikjet e tij.
Mixhli u sëmur nga poliomieliti, që i shkaktoi paralizën në gjysmën e poshtme të trupit. Atij nuk i pëlqente që ta ngrinin të tjerët nga shtrati, ndaj u angazhua të gjente një zgjidhje. Ai krijoi një sistem kompleks rrotullash për ta ngritur veten nga shtrati, i cili funksionoi. Megjithatë, një ditë ai u bllokua në atë pajisje duke u asfiksuar.
Luis Slotin
Ndërsa po punonte në Projektin Manhatan në Los Alamos, fizikani dhe kimisti Luis Slotin ra tragjikisht viktimë e eksperimentit të tij. Ai po u tregonte kolegëve se si të bashkonin dy gjysmat e një bërthame plutoniumi në formë kubi. Eksperimenti u quajt “gudulisja e bishtit të dragoit”.
Ai e kishte bërë edhe më parë këtë, por këtë herë kaçavida që përdori për të ndarë gjysmat i rrëshqiti. Kjo bëri që të dy pjesët të bashkoheshin, duke shkaktuar një reagim të fortë kimik. Slotin përjetoi efekte të menjëhershme nga rrezatimi që u lëshua, duke përfshirë djegien në dorë dhe një shije të thartë në gojën e tij.
Ai u shtrua menjëherë në spital me djegie të brendshme, konfuzion mendor, flluska dhe duar të ënjtura. Në fund të gjitha sistemet e tij trupore dolën jashtë funksionit, dhe ai vdiq në moshën 35-vjeçare.
Para vdekjes së Slotin, edhe kolegu i tij Herri Daglian vdiq i helmuar nga rrezatimi i së njëjtës bërthamë. Pas vdekjes së Slotin, shkencëtarët filluan ta etiketonin atë si “bërthama e Demonit”.
Frensis Stenli
Së bashku me vëllanë e tij binjak, Freelan Stenli, Frensi Stenli themeloi kompaninë “Stanley Dry Plate”. Biznesi i tyre i prodhimit të pllakave të thata të fotografisë pati shumë sukses. Në fundin e viteve 1890 ata po fitonin deri 1 milionë dollarë në vit. Dy vëllezërit krijuan automobilin e famshëm “Stanley Steamer”.
Kjo makinë binte në sy për shpejtësinë madhe, dhe në vitin 1906 versioni “Rocket” vendosi një rekord prej 204 km/h. Porositë për makina ishin të shumta dhe kompania “Stanley Motor Carriage” pati shumë sukses.
Por gradualisht motorët elektrikë dhe ata me gaz filluan të bëhen shumë popullorë, ndaj kompania u mbyll në vitin 1924. Disa vite përpara mbylljes së kompanisë, Frensis Stenli humbi jetën në rrethana tragjike. Në vitin 1918, ai po ngiste një nga makinat e tij ndërsa ndodhej në Masaçusets. Në përpjekje për të shmangur një pengesë makina e tij u rrokullis disa herë dhe u përplas me disa pemë. I plagosur rëndë, ai ndërroi jetë rrugës për në spital.
Zana Islami / Trungu&InforCulture.info 1 Mbani një peshë të shëndetshme – vetëm duke vepruar në…
Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…
Në vitin 1943, etnologët gjermanë Karl Christian von Loesch dhe Wilhelm E. Mühlmann botuan një…
Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…
Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…
Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…