Letra e Luigj Gurakuqit para Konferencës së Paqes

Veprimtar i çështjes kombëtare, radhitës dhe nënshkrues i dokumentit të shpalljes së pavarësisë, njeri i letrave, arsimtar dhe personazh i politikës shqiptare çerekshekullim e 20-të.

Luigj Gurakuqi është një nga personalitetet më të shquara të levizjes sonë kombëtare, arsimore dhe kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë, duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në mos organizator, di pjesëmarrës i drejtpërdrejtë

Atdhetari lindi më 19 shkurt 1879 dhe u vra më 2 mars 1925 në Bari të Italisë.

Kjo letër e tij, më poshtë, tregon qartë pikëpamjet patriotike, kur i kërkon Kryeministrit të Italisë, Z. Giolitti, korrigjimin e kufijve të Konferencës së Londrës, duke kërkuar që Nënës Shqipëri, t’i bashkangjiten “Shqiptarët e Ulqinit e të Krajës, të Hotit e të Grudës, të Triepshit, të Plavës e të Gusinjës, të Gjakovës e të Pejës.”

Kopja e letrës origjinale:

PAVARËSIA E SHQIPËRISË

Kur në muaj të qershorit që shkoi Kryeministri i Italisë, Z.Giolitti, bëri dëftimet e tija mbi çështjen shqiptare, tha ndër të tjerat, se ndonse Qeverria Italiane ishte anëtare e nxehtë e pavarësisë së Shqipërisë e se për këtë shkak po hiqte dorë nga ç’do farë protektorati e mandati mbi të, prap nuk munt të jipte aty për aty vendim për lëshimin e plotë të Vlorës duke qenë se sqela e kësaj do të bëhej një rrezik i math për Italinë po të binte në dorë të ndonjë armiku të Shqipërisë e t’Italisë. E këtë arsye për të mos lëshua Vlorën Z. Giolitti e mbështeste mbi një arsye tjetër pas të cilës Shqipërija, e cila dobtë dhe e paorganizuar, nuk do t’ishte e zonja të mproje Vlorën as nga ana e tokës as nga ana e detit.

Dy muaj më pastaj ministri i punëve të jashtme Z. Sforza, duke dhënë shpjegime në Parlament mbi traktatin e lidhun në mest t’Italisë e të Shqipërisë, dëftoi se një nga shkaqet më të para që i mbushën mendjen Qeverrise italiane për të zbrasur Vlorën, qenë edhe provat e shkëlqyera që po ipte kombi shqipëtar se ishte i zoti për të themeluar një shtet të fortë, për të formuar një qeveri të rregullshme për të mbrojtur kufinjt e pavarësinë e vet.

Këto dy dëftime mbi pavarsin’ e Shqipërisë e mbi aftësin’ e kombit shqipëtar për t’u qeverrisun mbë vete, të bëra në keto kohët e fundit nga dy përfaqesonjësit e përmendur të Qeverrise italiane, duhet të mbushin me gaz zemrat e Shqipetërevet, t’u shtojnë shpresën e t’u apin guxim edhe më të madh për të vazhduar veprën e lartë të lirimit e të shpëtimit t’atdheut.

Eshtë e vërtetë se fqinjt e Shqipërisë. Grekët e Sllavërit, duke mohuar premtinet e përparëshme, nuk po duan të hekin dorë nga kërkesate e tyre: po, në tjetrën anë, edhe Shqiptarët po japin gjithnjë prova të shqëlqyeshme se din t’i mbrojnë kufinjt me vellëndet të patundur me theorin e jetës së vet. Qëndrimi kreshnik me të cilin burrat e Korçës u bënë ballë kërcnimevet të Greqisë, e sulmi patriotik që ngriti në këmbë Shqipërin’ e tërë kundër të mësymëvet të Jugosllavisë kanë arritur të tundin pakëz apathin e Fuqive të Mëdha e t’u apin të kuptojnë armiqvet t’anë se gjaku i Skënderbeut ka nisur të vlojë me rrëmbim në dejt e Shqiptarëvet e se tokët e tyre nuk munt të pushtohen vetëm me një shetitje ushtarake.

Ndonse Qeverrija frënge nuk ka dashur akoma t’a tregoje zyrtarisht mendimin e saj mbi çeshtjen shqipëtare, me gjthë këtë kemi arsye të besojmë se do të shtërngohet të hekë dorë nga mbështetja e kërkesavet greko-jugosllave e nuk do t’u kundërshtohet më me ashprimin e përparshëm tërësis’ e pavarsisë së Shqipërisë. Në tjetrën anë Ingliterra, e cila për sa e sa herë kishte mohuar me gojën e Ministravet të vet të drejtën që i vijnë kombit shqipëtar nga vendimet e Konferencës së Londrës, ka nisur tash në funt t’a kethejë pakëz fletën e në dëftimet që bëri në këto ditë nënministri i punëve të jashtme në Dhomën e Komunevet tha se Fuqit’ e Mëdha kishin qëllim t’i njohin Shqipërisë të drejtën qe ta trajtojë një Shtet të paanshëm.

Sa për Italinë shpresojmë se kjo, që në këto kohët e sprasme nisi t’i kuptojë mirë interesat e saja, të cilat kërkojnë një Shqipëri të fortë e të lire, nuk do të kufisohet vetëm të njohë ajo vetë pavarsin’ e Shqipërisë, po do të përpiqet që tërësija e pamvarsia e Shqipërisë të njihen edhe nga tjerat Fuqi të Mëdha e, sidomos të nderohen nga fqinjtë e Shqipërisë, Grekër e Sllavër.

Po nga Italija, Shqiptarët presin një ndihm’ edhe më të madhe, domethanë, qortimin e kufijve nga ana e veriut. Edhe rusa nuk i mungon.

Në bisedimet që do të nisen tani në mest të delegatvet italjanë e jugosllavë pë të zgjedhur çeshtjen e Adriatikut, thohet se Italia do të kërkojë për popullin e Malit-të-zi të drejtën e vetvendimit. Po këtë të drejtë nuk duhut t’a kërkojë vetëm për pjesën sllave të këtij populli, por edhe për pjesën shqipëtare për të cilën si Jugosllavija si Mali-i-zi janë të huaj. Duke u mbështetur mbi atë parim të kombësivet pas të cilit kërkojnë Dalmatinë e Istrinë, Itaija duhej të kërkonte të drejtën vetëvendimit edhe për Shqiptarët e Ulqinit e të Krajës, të Hotit e të Grudës, të Triepshit, të Plavës e të Gusinjës, të Gjakovës e të Pejës.

Për ndryshe, kërkesa e vetvendimit për Mal-te-zi nuk do të ishte tjetër veç një shkelje të drejtës e një shugurim i paudhësivet të tmershme që Mali-i -zi e Serbia kanë bërë e po bëjnë gjithë kundër popullit shqipëtar të visevet te përmendura.

***

Luigj Gurakuqi kreu Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh të Shën Mitrit në Itali dhe studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit. Ai ka një veprimtari të pasur letrare, publicistike, kombëtare dhe politike. Veprimtaria e tij filloi me poezi lirike dhe përkthime në gjuhën shqipe. Vijoi me botimin e teksteve të abetares në dy dialektet e shqipes. Shkroi artikuj në organet e shtypit shqiptar.

Në vitin 1908 mori pjesë si nënkryetar i komisionit për njësimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit. Gurakuqi është hartuesi i parë i veprës “Metrika Shqip”.

Më 1911 ishte një prej hartuesve të Memorandumit të Greçës gjatë kryengritjes së malësorëve të Mbishkodrës të vitit 1911. Në vitin 1912 mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Ishte në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë dhe u caktua Ministër i Arsimit nga Ismail Qemali.

Në vitin 1918 mori pjesë në Kongresin e Durrësit dhe u zgjodh ministër i Arsimit dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1921-1924 ishte deputet në Këshillin Kombëtar.

Luigj Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924 dhe u zgjodh Ministër i Financave në qeverinë e Fan Nolit.

postbck postbck

Recent Posts

Skënderbeun e helmuan osmanët me venedikasit në bashkëpunim

  Nga Fahri Xharra Që 550 vjet jetojmë me një mashtrim të madh turko-venedikas se…

16 hours ago

Dosja e CIA për Xhafer Devën,1947: Një politikan gjenial, i cili flet 10 gjuhë të huaja

    Nga dosja e CIA-s thuhet se Xhafer Deva lindi në vitin 1906 në…

16 hours ago

Në telefonin tuaj iPhone ndizet papritur një dritë e vogël portokalli ose e gjelbër, zbuloni kuptimin e saj

  Ju ka shkuar ndonjëherë në mend se çfarë fshihet pas pikës së gjelbër dhe…

17 hours ago

Zhur, Prizren, 1971: Pamje të një dasme në fshatin Zhur të Prizrenit në vitin 1971 (VIDEO)

  https://www.facebook.com/watch/?v=901191661545165&t=0

17 hours ago

Sekretet e jetëgjatësisë së peshkaqenit të Groenlandës

Shkencëtarët realizojnë hartën e plotë gjenetike, mund të jetojnë mbi 400 vjet Realizohet harta e…

17 hours ago

Së shpejti do të mund t’i hamë këta gurë dhe arsyeja është shumë serioze

  Sipas këtij studimi të ri, çarjet dhe thyerjet e pranishme në këta shkëmbinj janë…

18 hours ago