Ripostim me shkas: Çfarë thonë burimet për Dardaninë mesjetare (abstrakt i një studimi të gjatë)!
Hartografia e kohëve antike, në veçanti, “Tabula Peutingeriana” dhe “Gjeografia e Ptolemeut” japin të dhëna për shtrirjen gjeografike të Dardanisë, e cila mund të gjurmohet përmes kufijve veriorë të Novi Pazar-Nishit, e gjithë territori i Kosovës dhe Maqedonisë veriperëndimore me kryeqytetin e saj, Scupin. Në këtë kontekst, disa studiues kanë bërë përpjekje për përcaktimin e kufirit etnogjeografik të Dardanisë, kufi që mund të ndiqet përmes kufijve perëndimor përgjatë vijës së sotme Gjakovë-Pejë-Novipazar-Ivanjicë-Çaçak, e cila ishte edhe kufiri i Provincës së Dardanisë. Në Lindje, ndërkaq, kufiri i Dardanisë duhet kërkuar nga pozicioni Kumanovë-Vranjë, deri në rrethet e Remesianës (Bela Palanka e sotme) në lumin Nishava. Kufiri verior shtrihet mbi rajonin e qytetit të Naissus. Në mbështetje të kësaj është një njoftim i Ptolemeut, sipas të cilit, Scupi (Shkupi) ishte qendra e Dardanisë, ndërsa Naissus (Nishi) ishte një nga katër qytetet e Dardanisë, një njoftim që pajtohet deri diku me pretendimet e historianit Plini, sipas të cilit nga Dardania rrjedhin lumenjtë e famshëm Margus, Timachus dhe Pingus (Plin, Naturalis Historia, lib. III, 149: “Flumina clara e Dardanis Margus, Pingus, Timachus”). Ndërkaq, sipas një monumenti epigrafik ku përmendet Dea Dardania, i zbuluar në vendin Kamenicë, ndërmjet Kragujevacit dhe Milanovcit të Epërm, mund të dyshohet se kufiri i Dardanisë shkonte edhe më në veri nga kufiri, i cili ishte përcaktuar nga Ptolemeu dhe Plini.
Nga fundi i shek. III, përkatësisht në vitin 297 perandori Dioklecian pas reformimit të administratës romake, Dardania paraqitet si provincë më vete, provincë e cila dëshmohet nga një mbishkrim i zbuluar në Romë: “[Nai] sso Darda (niae)”. Duhet theksuar se Provinca e Dardanisë përfshinte në verilindje këto qytete: Naissus, Remesiana (Bela Palanka e sotme), Justinopolis (Cariçin Grad i sotëm) dhe Serdica (Sofja e sotme), qendra këto, të cilat do të bëhen edhe qendra kryesore administrative të Dardanisë. Për ta sqaruar më mirë këtë çështje duhet të ndalemi në të dhënat e autorëve dhe burimeve të antikitetit të vonë dhe të Bizantit. Së këtejmi, Dardania mund të gjurmohet gjatë gjithë mesjetës për t’u afirmuar, veçanërisht në epokën e Humanizmit dhe Rilindjes Europiane. Prej këtu ndeshim atë që nga fillimi i shek. III, dhe veçanërisht pas ndarjes së Perandorisë Romake në vitin 395; në vitin 618, sipas Miracula Sancti Demetri, qyteti i Nishit (Naissus), Shkupi (Scupi) dhe disa qytete të tjera ishin pjesë përbërëse të Dardanisë si një formacion politiko-shoqëror. E tillë ka qenë Dardania dhe gjatë gjithë mesjetës, sidomos shpesh do ta hasim në hartografinë botërore të epokës së Humanizmit dhe të Rilindjes europiane! /InforCulture.info
Emblemat e para të UÇK-së ishin shtypur në një fabrikë tekstili në Zvicër. Ardhja e…
Qepët janë përdour që në lashtësi. Egjiptianët e lashtë besonin se përfaqësonte përjetësinë…
Shega konsiderohet një prej frutave më të pasura me përbërës antioksidues. Me ngjyrën…
Shumë njerëz këto ditë përdorin orë inteligjente për të numëruar hapat, unazat e…
Një shpërthim i Ebolës që ka vrarë të paktën 131 persona në Republikën…
Një ndjesi e shpeshtë e të ftohtit në duar dhe këmbë mund të…