Shkronjat shqipe të Naum Veqilharxhit

RILINDJA KOMBËTARE

 I pari ideolog i periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtar i shquar iluminist e veprimtar i shkollës shqipe. Shqiptari i parë, sipas dokumenteve personale zyrtare, në Rumani.

Ai u lind në fshatin Vithkuq të rrethit të Korçës, më datën 6 dhjetor 1767. Kjo zonë gjendet shumë pranë qendrës mesjetare të kulturës në Voskopojë. Bijat e tij quheshin Saranda, Miranda dhe Luljeta.

Në vitin 1800, familja Veqilharxhi braktisi Vithkuqin, për shkak të dyndjeve të turqve dhe ashpërsimit të procesit të myslimanizmit (1800-1823). Duke qenë ortodoks dhe me lidhje patriotike, babai i Naumit, Panajot Veqilharxhi, zgjodhi si destinacion për t’u vendosur me familje në njërën prej principatave rumune (Tara Romaneasca).

Por që në rini, Naumi, i frymëzuar nga idetë atdhetare arriti të bëhej njëri nga liderët e shqiptarëve të Rumanisë, duke bashkëpunuar dhe me Ipsilantin e njohur të kohës. Naumi atëherë luftonte për emancipimin e popullit të tij dhe për krijimin e një shteti kombëtar shqiptar.

Pas vitit 1829, familja Veqilharxhi ishte një nga më të pasurat dhe më të respektuarat në qytetin e Brailes. Naumi zotëronte disa prona të patundura dhe ndërkohë, ushtronte dhe profesionin e avokatit.

Më 1838, vit kur të gjithë Veqilharxhët e deklaruan veten si grekë, Naumi nuk ngurroi të pranonte origjinën e të regjistrohej si shqiptar pranë autoriteteve zyrtare rumune.

Po në këtë periudhë, ai arrin të finalizojë dhe punën e mundin 20-vjeçar, për krijimin e një abetareje, e cila ishte e para në llojin e saj për shqiptarët, pasi deri atëherë gjuha jonë shkruhej me alfabetin grek dhe arab.

Nga punimet e tij, tekstet që na kanë mbërritur ne sot, janë Evëtari (Abetarja), e botuar në vitin 1844 dhe ribotuar në vitin 1845, kësaj radhe shoqëruar me një parathënie të titulluar ”E parathënme mbi djelmt e rij shqiptarë”, një letër në greqisht drejtuar të nipit, Jani Calit dhe një letër qarkore po greqisht drejtuar ortodoksëve shqiptarë (më poshtë gjatë citimeve do t’i referohemi këtyre teksteve duke u shkurtuar titujt, përkatësisht: Evëtari, Parathënie, Jani Calit dhe Enciklika). Leximi i këtyre teksteve na paraqet një mendimtar të formuar tashmë dhe me synim të qartë për misionin që i ka vënë vetes: zgjimin dhe ndriçimin e kombit të tij.

Më poshtë, letra që ia dërgon nipi në Vjenë:

“Mora letrën tënde të 6 marsit nga Vjena, i dashur nip, dhe menjëherë pas përshëndetjes sate, shoh se ke filluar të më qash hallë keq, sepse punët me të cilat merrem dhe që ti i di, më sjellin dëm dhe material dhe moral.

Më poshtë, më ke bërë fajtor pse kam njohje dhe miqësi me Dhimitër Marinin, të cilin ti e neverit si të çkishëruar, duke u shprehur me habi të madhe dhe me tri pikëçuditëse!!! Ti pastaj çuditesh, duke thënë: “Cila vallë nga tri perëndeshat, që përcaktojnë fatin e njerëzve, deshi që të mos dalë ndonjë tjetër, por xhaxhai im shumë i shtrenjtë, për të lidhur ato që s’lidhen, të sjellë në formë atë që nuk ka formë, të bashkojë në një tufe myslimanët fanatikë, të krishterët ortodoksë superticiozë, papistët që urrejnë fetë e tjera, të krijojë një trup homogjen nga kombi shqiptar? Mallkoj atë orë, xhaxhai im i nderuar, kur ju u dhatë pas një ideje të tillë himerike. Me gjithë këtë le të ndjekim fjalën e urtë italiane. “Më mirë vonë se kurrë”. Ç’u bë, u bë, mori fund, po dhe në të ardhmen hiqni dorë nga planet që nuk mund të realizohen, duke përbuzur lajkat e të huajve, besoni në fjalët e nipit tuaj, i cili ka informata…”
Duke i shkruar fjalë për fjalë vërejtjet dhe këshillat e tua, po përgjigjem me të njëjtën radhë, siç janë parashtruar dhe në letrën tënde.

Dhe së pari, kujtoj se dëmtim material pëson ai që sheh dëm sidomos në trup të tij, por një dëm të tillë e pësojnë pa përjashtim të gjitha krijesat organike të krijuesit në tokë. Pra, as edhe ti vetë, me gjithë përpjekjet e tua, nuk ke për të shpëtuar nga një dëm i tillë. Po në qoftë se ti me këtë kupton, pa i përdorur mirë fjalët, dëmin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme, akoma ca më keq; sepse këto nuk bëhen kurrë pronë e përhershme e askujt dhe në qoftë se nuk do të rrojë në një shoqëri njerëzore, do të mund të rreshtojë shembuj të panumërt, të vjetër e të tanishëm njerëzish të panumërt, të cilët duke e quajtur veten të sigurt nga të gjitha prapësitë e fatit u bënë menjëherë fare të varfër, dhe të tillë ke jo vetëm tregtarë të mëdhenj, por edhe mbretër: dhe ti e konsideron veten në siguri – sheh ëndrra, o nipi im. Nuk dini çdo të pjellë dita e nesërme. Kjo është një e vërtetë e përjetshme.

Së dyti, dëmtim moral pësojnë në përgjithësi njerëzit që i sjellin dëm shoqërisë, dhe të tillë janë ata që dëmtojnë familjet dhe shoqërinë, si gënjeshtarët, batakçinjtë, çprishësit, turbulluesit, vjedharakët, hajdutët…dhe të tillë a do të mësosh, o nipi im, cilët janë?

Ata që e kanë përqendruar të gjithë vëmendjen në veten e tyre, duke mos treguar asnjë interes për të tjerët. Këta, duke e kuptuar keq fjalën interes, përdorin çdo mjet të lejuar dhe të palejuar vetëm për të shtuar dhe për të grumbulluar argjend dhe ar, që t’i kenë gati mjetet e çprishjes.

Unë pra, me punën time kujtoj se nuk mund të vihem në radhën e të tillëve, ndryshe të gjithë ata që para meje pak a shumë kanë qenë shpikësh shkronjash, do t’ua kenë sjellë dëm kombeve të tyre: si shembull Thefshi i finikasve, Kadmi i tebanëve, Pallamidi i peloponezëve, Qirili i sllavëve…

Së treti, më bëre fajtor se kam lidhje me Dhimitër Marinin si njeri i lik, po në botë krejt të liq janë ata që u përmendën më lart, kurse ata që rastësisht, për shkak të ndonjë rrethane të pashpjegueshme, kanë humbur pasurinë e tyre në të holla dhe që nuk kanë qenë në gjendje t’ua kthejnë huadhënësve, nuk mund të quhen njerëz të këqij, veçse relativisht. Mua, ndershmëria e tij jo vetëm që nuk më dëmtoi, por më ka sjellë e më sjell dobi: sigurisht po të ish njeri krejt i dëmshëm, as administrata vetë nuk do ta mbante në gjirin e shoqërisë njerëzore.

Vij tani në pjesën më thelbësore, duke t’u përgjigjur them se njerëzit dolën nga duart e krijuesit thjesht qenie me arsye të pajisura me nevoja të ndryshme fizike, për shërbimin e të cilave shtrëngoheshin të përdorin fuqitë e tyre mendore e fizike. Këta vetëm me anën e mendimeve të përbashkëta mundën të lidhen e të bashkohen dhe të formojnë mbi tokë shoqëritë njerëzore të vogla dhe të mëdha: d.m.th. racat, fiset dhe kombet dhe pastaj mbretëritë e mëdha.

Kështu pra njerëzit, që në kohë më të lashta filluan lëvrimin e gjuhës së tyre, duke u zhvilluar dora dorës, duke u nisur nga gjëra të vogla dhe dalëngadalë lidhën ato që s’lidhen, u dhanë formë atyre që nuk kishin formë dhe bashkuan në një komb antropofagë të egër e barbarë. Si pra? Cili ishte kombi grek para ose dhe në kohën e Omerit, gjatë shekujve mitologjikë ? Çfarë ishte fisi romak në kohën e Romulit dhe më përpara ? Amerikanët në kohën e Kolombit ? Englezët në kohën e Krishtit? Rusët para Pjetrit të Madh? Qysh këta dhe të tjerë si këta u zhvilluan menjëherë që në fillim, apo edhe ata si ne filluan një ditë dhe duke ecur përpara dora-dorës dhe me siguri, kanë arritur atje ku ne i shohim sot?

Së fundi, si filloi Konfuci në Kinë, Zoroastri në persët, Moisiu në ebrejt, Brahma në hindusët, Thefshi në finikasit, Zallamoksi në sllavët, Likurgu në Laqedemonasit, Karondi dhe Soloni në athinasit, Orfeu në trakët, Krishti në të krishterët, Muhameti në muhamedanët, Luteri në evangjelistët dhe të tjerë ligjvënës dhe prijës kombesh? Këto kombe me kalimin e kohës dhe dora-dorës, sa u përmirësuan!

Mësimet janë si farërat. Kështu kanë filluar para nesh të gjithë udhëheqësit e kombeve, punët e të cilëve ishin shumë më të vështira për t’u realizuar se sa e imja. Ata morën përsipër riformimin rishtaz të një kombi të ri, kurse unë përpiqem vetëm të bëj të shkruhet gjuha e Kombit, jo siç e përshkruan ti, keq.
Duket se nuk ke kënduar kurrë historinë e fisit njerëzor që të shohësh se kurrë kombet nuk kanë filluar menjëherë, por njeri ka filluar pardje, tjetri dje, tjetri sot dhe tjetri nesër; fundi i fundit një ditë do të fillojë edhe ky…

“U ke besuar trashë mësuesve të tu grekë, nipi im”!…

O nip! Vetëm kafshët nuk gjykojnë, e kanë të përcaktuar nga vetë natyra edhe fatin, edhe jetën e tyre; kurse njeriu ka një destinacion, të cilin mund ta arrijë veçse duke filluar të ecë gradualisht nga gjërat më të vogla…Ti, siç thua, ke lexuar shumë historianë dhe për shqiptarët nuk ke gjetur as gjënë më të vogël. Ti, të gjitha studimet e tua i ke bërë në shkollat greke, të cilat janë organizuar për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar; por ti, si një burrë me arsim, si nuk e kape idenë nga krahasimi i të gjitha kombeve të tjera, që një komb si ai shqiptari, i krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, që zë një vend të caktuar në tokë, që ka tipare të veçanta të gjuhës, të dokeve dhe zakoneve, si ishte e mundur të mos kish dhe dy shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë dhe fetarë, të shpërnguljeve dhe të rivendosjeve të tij? Por u besove trashë e trashë mësuesve të tu, se që nga të gatuarit e njeriut dhe gjer tani ky komb paska qenë një gur inorganik, i mbetur në pa veprimtari të plotë ose si një larvë insektesh, e cila nuk ka pësuar ende metamorfozën e saj natyrore si flutur…

Shpikësit e shkronjave nuk sjellin dëm, por përparim!…

Më këshillon të ruhem nga këshillat e të huajve por nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet, d.m.th. prindërit e tij, farefisin e tij, miqtë e tij, bashkëkombësit e tij, vetë vatrën e tij atërore, varret e stërgjyshërve të tij, gjërat e shenjta të vetë familjes së tij dhe të shkojë për t’i kërkuar të gjitha këto gjetkë, ku kurrë nuk do të ketë mundësi për t’i gjetur, duke vuajtur gjatë jetës: Pra, atë që këshillon gjëra të tilla, nuk di në ç’kategori ta vendos. Unë, i dashur nipi im, mund të zgjatesha më shumë akoma dhe të bëja më shumë sqarime, por kujtoj se edhe këto janë të mjafta, nga të cilat kuptohet edhe pikëpamja ime edhe sistemi im, a është një ëndërrim i thjeshtë, apo ka edhe ky bazat e tij duke pasur për të ardhmen të mirat e tij që shpresojmë. Të uroj shëndet, mos pusho të duash xhaxhanë tënd, i cili është i gatshëm të dëgjojë këshillat e tua dhe nga këto do të zgjedhë gjithnjë, vetëm të dobishmet.”

***

postbck postbck

Recent Posts

Përse macet ju presin tek dera kur shkoni në shtëpi? Këto janë arsyet

  Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…

11 hours ago

Pse nuk duhet të karikoni kurrë telefonin në aeroport!

  Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…

12 hours ago

Fotoja e Google Maps zbulon vrasësin që ngarkon trupin në makinën e tij

  Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…

12 hours ago

Mbi tezën ilire e pellazge të prejardhjes së shqiptarëve

Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…

13 hours ago

Nëse keni këtë grup gjaku, studimet thonë se ADN-ja juaj është e veçantë

  Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…

13 hours ago