Udhëtimi i vajzës nga Shkupi drejt Indisë nuk ishte i lehtë. Një nga ndalesat ishte Zagrebi, ku ajo qëndroi në familjen katolike shqiptare , mike të Kolë Bojaxhiut (i ati). Ashtu siç kujtojnë shumë njerëz që kanë jetuar në atë kohë, sipas biografit të Nënë Terezës Dom Lush Gjergji, Drania, Agia dhe Gonxhja ishin të rrethuara me miq. Shumë miq dhe të afërm vinin për t’i vizituar dhe ato vetë dilnin në qytet për të vizituar kishat, katedralen, muzeun, teatrin. Por, mbi të gjitha, ato luteshin dhe llafoseshin me njëra tjetrën, sepse e njenin se koha për ti thënë lamtumirë njëra tjetrës po afrohej.
Koha po kalonte dhe ato kishin aq shumë gjëra për të thënë, për të bërë, dëshirën për të mbetur bashkë përjetë. Drania dhe Agia pritën po ashtu edhe ditën e 13 tetorit 1928, nisjen nga Zagrebi për në Dublin me tren. Drania ishte shumë e gëzuar kur arriti Betina Kajn, një vajzë sllovene. Ajo do të nisej me Gonxhen për misione në Indi. Udhëtimi i parë nga Shkupi në Zagreb ishte më pak i lodhshëm, si për shkak se e ëma dhe e motra ishte me të, e po ashtu edhe nga që udhëtimi ishte brenda Jugosllavisë, prandaj edhe jo aq i gjatë si ai nga Zagrebi në Dublin.
Tani udhëtimi ishte vërtetë i gjatë dhe i rëndë, në kushte shumë jokonforte dhe jo shumë të sigurta. Ato duhet të kalonin Austrinë, Zvicrën, Francën dhe pastaj Kanalin anglez në një anije të vjetër, për në Londër e pastaj të vazhdonin për në Dublin.
Agia dhe Drania u kishin rrëfyer më vonë të afërmeve të tyre lidhur me nisjen nga Zagrebi për në Dublin.
“Ditët në Zagreb kalonin me nxitim. Unë nuk ia shkoqja kurrë sytë, natë e ditë duke u p-përpjekur të vëreja çfarëdo ndryshimi në të. Gonxhja dukej mjaft e qetë, e lumtur, ndonëse nganjëherë paska e ngarkuar , mbase për shkak se duhej të nisej në këtë udhëtim të gjatë. Herë herë i jepja ndonjë këshillë, kurse ajo ma kthente me buzëqeshje, siç bënte gjithmonë. Të premtoj Nëna Loke se unë do të japë çdo gjë nga vetja. Do ta kujtoj gjithnjë këshillën tendë, por mbi të gjitha mirësinë dhe dashurinë tënde…”
Në stacionin e Zagrebit nuk kishte turmë njerëzish si ajo në Shkup. Aty gjendeshin vetëm nënë Drane dhe motra e saj Age, disa miq të afërm, të cilët as nuk qanin dhe as brohorisnin si ata në Shkup, por shoqëronin Gonxhen në heshtje. Dëgjohej vetëm zëri i hapave, pastaj vërshëllima e trenit, që ua bënte me dije udhëtarëve se treni do të nisej së shpejti dhe se ata duhet të shpejtonin. E ëma e përqafoi për së afërmi dhe një herë, i dha një puthje të gjatë, e fundit në jetën e saj, dhe porsi një profete që paralajmëron të ardhmen, ajo iu qas së bijës me guxim dhe duke i folur nga thellësia e zemrës, me një zë që i dridhej nga emocionet , i tha së bijës:”Shko, Gonxhe Gjyli, më e dashura ime, dhe Zoti që të ka thirrë, qoftë gjithnjë me ty. Na kujto gjithmonë në lutjet e tua dhe ne gjithmonë do të lutemi për ty”.
Agia nuk mundi të nxirrte asnjë fjalë, ajo vetëm qante dhe përqafonte dhe puthte të motrën me dashuri dhe më në fund, pas përpjekjesh të mëdha , arriti ti thoshte. “Të qoftë udha e mbarë motra ime, dhe na shkruaj!” Treni u nis me nxitim, duke lëshuar zhurmë e avull. Duart që u zgjatën drejt qiellit , të valëvitura drejt Gonxhes dhe për të ndjellë bekimin e qiellit, që u ndalën gjatë në atë mënyrë, thuajse u ngrinë nga pikëllimi i madh.
Agia e mbajti për dore të ëmën, duke ia shtrënguar atë dhe duke i thënë: “Mos u brengos nënë, Zoti do të na ndihmojë”. Ata u kthyen në shtëpi, Drania dhe Agia mbetën edhe disa ditë në Zagreb, para se të ktheheshin në Shkup. Kthimi i tyre pa Gonxhen ishte diçka e trishtuar. Drania do ti thoshte më vonë Lorenc Antonit:”Sa herë ndjej një dëshirë të madhe të shoh Gonxhen, e marr fotografinë e saj. E shikoj, e puth, pastaj marr rruzaren dhe lutem. Sa herë lutem, më duket se e kam afër , se po e ndihmoj atë dhe veten”.
Gjatë udhëtimit ajo kujtonte gjithnjë këshillën e nënës: “Gonxhe e dashur, nëse bën diçka, ndonjë punë, ose bëjë mirë dhe me dashuri, ose mos e bëj fare!”.Kjo do ta bënte vajzën të udhëhiqej drejt misioneve, duke harruar vetveten, familjen e saj, për të ndjekur thirrjen e Zotit. Në stacionin e Dublinit e priti dy motra të Rendit të Motrave të Loretos. Vetëm tani Gonxhja po e shihte se sa e madhe ishte bota.
Tri pjesët e udhëtimit për në Indi, Shkup-Zagreb, Zagreb-Dublin, Dublin-Kalkutë janë tre rrathë sipas biografit të saj që përcaktojnë në një farë mënyre jetën që ndoqi. Ajo ndjenji në Rathfarnharm afër Dublinit për gati tre muaj për të mësuar anglishten dhe po ashtu për tu njohur me jetën rregulltare në Kuvend. Rendi i Motrave të Loretës, që kishin misionet e veta në Indi, ende e kanë aty shtëpinë amë. Ajo filloi periudhën e përgatitjes, periudhën e kandidimit për tu bërë murgeshë. Në atë kohë ishte praktikë që i ndryshohej emri i vajzave në shenjë kjo për ndryshimin rrënjësor në jetën e tyre. Gonxhes iu dha emri i Maria Terezës së Jezusit fëmijë, kurse mikes së saj ai i Maria Magdalenës.
Emri “Tereza” është me origjinë greke, që do të thojë gjuaj, “Gjuetare” e së keqes në botë. Ishte ende periudha e dominimit britanik në Indi, me shumë pasiguri dhe tendosje, që ndihej në çdo kënd e që e bënte gjendjen më të rëndë. Madje dhe Gonxhja dhe Betilka mikja e saj hasën vështirësi në sigurimin e dokumenteve të nevojshme nga autoritetet britanike për udhëtim. Më në fund ccdo gjë ishte e gatshme për nisje. Kjo ndodhi pikërisht me një dhjetor 1928, kur anija “Marcha” ngriti velat në udhën e vet të gjatë drejt cakut aq të dëshiruar e të pritur…
5 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)
BEQIR AJET SHEHU*/ Beteja e Lumës meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo…
HALIL RAMA/ Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi…
Zotërit shqiptarë të shekullit të katërmbëdhjetë do të bëheshin antagonistët kryesorë në poemat epike serbe,…
Në Mars të vitit 1941, Musolini, la frontin e luftës italo-greke dhe nisi vizitën drejt…
Nis punën projekti Beyond Epica në Antarktidë. Është pasues i misionit të parë Epica dhe…
Ngjyrat janë një pjesë thelbësore e botës tonë, të pranishme në gjithçka që na…