Ben Andoni
Ismail Qemali është jo thjesht figura themelore e pavarësisë shqiptare, por edhe një nga ideatorët për ndryshime strukturore në qeverinë osmane. Jo më kot, figura e tij ka merituar shkrime dhe përmendje nga më të ndryshmet. Kurse një shikim ndryshe i tij na jepet në një roman historik, “Sulltani i fundit” i autorit Mishel de Gres, botuar kohë më parë nga “Plejad”, ku tregohet ngjitja e tij deri në postet më të larta të Perandorisë Osmane.
Kuptohet se romani është fikshën dhe një moment e përshkruan Ismail Qemalin deri në postin e kryetarit të Parlamentit, post që ai nuk e ka pasur realisht, por tregon në të vërtetë, pozicionin e tij tepër të rëndësishëm në Perandorinë osmane. Në këtë shkrim do të përshkruajmë idenë e tij për një konfederatë, e cila duket pak a shumë si Bashkimi Evropian i ditëve tona. Kuptohet se Perandoria autarkike, megjithëse i kërkonte direkt fjalët e tij nuk i donte këshillat e Ismail Qemalit, madje tentoi që ta eliminonte dhe kështu në fund të jetës së tij ai u morr me ëndrrën dhe me atë që e bëri të pavdekshëm: Pavarësinë e Shqipërisë
***
Është e tepërt që të merresh me jetëshkrimin e thjeshtë të burrështetit të madh Ismail Qemali. Jo se kjo nuk ia vlen, por për një arsye tjetër, figura e tij ka qenë e madhe në aspirata, që sot popujt evropianë i ëndërrojnë: Në krijimin e një bashkësie shtetesh të pavarur. Në këtë roman historik del dhe roli i tij i madh për forcimin e shtetit osman, që jeton në grahmat e tij dhe figura e tij poliedrike.
“Ismail Qemali ishte kundër faktit që një vend sado i vogël të mbetej i izoluar brenda kufijve, pa lëvizje tregtare e pa marrëdhënie me vendet e tjera. Por marrëdhëniet ekonomike nuk duhet t’i detyronin atij vendi heqjen dorë nga pavarësia politike, por me një ekuilibër të aftë, duhet t’i siguronin gjallërinë”, shkruan Vjollca Tafaj, e cila është marrë me përgatitjen e kujtimeve të Ismail Qemalit.
Duhet pranuar se Shkëlqesia e tij, Ismail Qemali, për shkak të pozicionit dhe kontributit që kishin dhënë shumë njerëz të tij për historinë e Turqisë, ishte për një demokratizim të Perandorisë. Ai kërkonte që të hiqej centralizmi absolut, sepse kjo amalgamë popujsh, e cila ishte në sundimin osman nuk mund të rregullohej në kohët moderne me një dorë të vetme. Dhe, arsyeja e tij nuk mund të kundërshtohej. Ai, vetë, kishte lëvizur në poste të ndryshme në hapësirat e Perandorisë dhe kishte parë me sytë e tij ndryshimet thelbësore që ishin në zakonet e popujve të ndryshëm në kulturë, besim, zakon, por edhe në mjediset krejt të ndryshme gjeografike ku jetonin. Si një njohës i mirë i historisë së Evropës ai kishte idenë e një Konfederate të madhe, që afronte pak me konceptin helvetik, ku rregullimi i çdo vendi në mënyrë autonome do të ndikonte në rregullimin e përgjithshëm.
Ky vizionar, po të zhvendosesh pak në kohë dhe në hapësirë mund ta kuptosh lehtë, sesa mund të kuptohej nga bashkëkohësit, që i kishin sytë akoma të lbyrur me shekujt e lavdisë osmane?! Përmes situatave të ndryshme në romanin e fundit historik del edhe roli i plotë dhe shumë i veçantë i këtij burokrati “të frikshëm” të Perandorisë. Të cilin e adhuronin dhe po aq e luftonin. “Mendja e tij e mprehtë dhe idetë novatore bënë që sulltani Abdyl Hamiti të kishte njëherësh respekt e frikë prej tij. Ndonëse e internuan për disa vjet, atij nuk reshtën së dhëni grada”, saktëson për të Edwin Jacques tek “Shqiptarët”.
Ishte koha, kur ai ishte për autonominë “në suazën e Perandorisë”. Dhe, nga kjo kohë, është edhe propozimi që i bëri Sulltanit, për të penguar Rusinë, që donte të dilte me anë të Kostadinopulit në Mesdhe më 1892.
“Një politikë e dobishme për të tashmen e për të ardhmen do të ishte prirja drejt vendosjes së një pakti midis shteteve ballkanike përmes arritjes së një aleance mbrojtëse dhe një marrëveshje ekonomike, prelud i kushtetutës së një shteti të madh Oriental”… i shkruan shqiptari i madh – Sulltanit.
Nga shqyrtimi i dokumentevedel se deri në vitin 1908, në kokën e tij, ishte e ideuar mirë që pavarësia ekonomike, ose një mundësi ekonomike më e madhe do të ishte ajo që do të ndihmonte për një pavarësi.
Historianët vërejnë, se ky ishte një koncept i avancuar, sepse në atë kohë -vendet e ndryshme, peshën e tyre e matnin me fuqinë politiko-ushtarake.
“Vendosja e bashkëpunimit të lirë, që propozoj unë, do t’u jepte popujve të çdo shteti të drejtën që të vendosen në çdo pjesë të Perandorisë së madhe dhe të kenë përkatësinë e saj, me lirinë për t’iu futur çdo ndërmarrje që dëshirojnë. Turqia do të kishte avantazhin e rivendosjes së unitetit të saj, si shtet në kufijtë e vjetër, por, në vend që t’ia kushtonte energjitë ndalimit të emancipimit të njerëzve… fuqia e saj do të qëndronte në unitetin e njerëzve për mbrojtjen e përbashkët, kurse energjitë e tyre do t’i kushtoheshin zhvillimit ekonomik të perandorisë”.
Një mësim brilant nga historia e tij për kujtimin e Perandorisë Osmane. Krahas me këto, Ismail Qemali, kishte filluar të mendonte ndryshe për vendin nga vinte origjina e tij. Kështu, në programin, që i paraqiti ambasadorit italian në Londër, një mikut dhe adhuruesit të tij, Antonio di San Xhuliano ishte:
“Qëllimi i vendosur për të luftuar: që në gjithë vendet, që flitej shqip, ti përkisnin Shqipërisë; përhapjen e shkollave shqipe me alfabetin latin; një hekurudhë Vlorë-Manastir, në mënyrë që të kishte akses në Selanik, një nga portet më të mëdha të Mesdheut, hyrjen e kapitalit të huaj”.
I gjithë ky mozaik do t’i jepte vendit më shumë fuqi administrative…Si një burokrat i vjetër i perandorisë, ai nuk mund të shtynte dot dhe rënien e përnjëhertë të Perandorisë, ndaj në mendimet që i kërkuan, ai i kërkoi direkt Sulltanit, që të shpallte Kushtetutën e re, që në fakt ndodhi. Për këtë kushtetutë kishte vdekur dhe Mit’hat Pasha, mësuesi i tij, që përmendet aq shumë në romanin historik dhe ku tregohet njëherazi dhe figura e këtyre dy personazheve për zhvillimin e Turqisë.
Por, nuk kishte kohë më për të. Tashmë, protagonistë të Turqisë janë bërë Turqit e rinj, ose xhonturqit, të cilët synonin dhe iu drejtuan menjëherë pushtetit absolut. Më 15 shkurt 1909, Komiteti i “Bashkim-Përparimi” iu sul personazheve të njohur një prej të cilëve ishte dhe Ismail Qemali, i saporehabilituar nga internimi i radhës. Ai u qëllua në Parlament dhe kjo shënoi dhe ikjen e tij përfundimtare ndaj Turqisë duke kërkuar tashmë në mënyrë finale rrugën e Shqipërisë. Kishte marrë fund edhe ëndrra e tij e madhe, për të krijuar një konfederatë moderne, që të përbëhej nga disa vende, të cilat do të ishin të pavarur…
***
Ajo që ndodhi pastaj me jetën e njeriut vizionar dihet dhe është përsëritur shpesh. Më 5 nëntor 1912 në Rumani u bë një mbledhje e madhe e shqiptarëve, por nuk dihej nëse do të shpallej autonomia apo Pavarësia. Ismail Qemali e kishte busullën e tij dhe mendonte se për çështjen shqiptare në atë kohë nevojitej vetëm diplomacia e madhe. Nga këtej, ai shkoi në Budapest, ku u takua me ministrin Bertohld dhe pastaj iku në Vienë. Kishte gjetur mbështetjen e vërtetë, e cila ishte nga Italia dhe Austria dhe epilogu i kësaj përpjekje ishte në Trieste, kur ai shpalli në momentin e nisjen me anijen”Bryn” vendimin e madh për të shpallur Shqipërinë të pavarur.
Sipas parashikimit, nuk mundi ta bënte këtë në Durrës për shkak të ushtrisë serbe që po i afrohej qytetit. Ndaj, iku në Vlorë ku shpalli në të njëjtën ditë me Skënderbeun më 28 nëntor 1443, Pavarësinë… Kishte lindur kështu dhe shteti më “i ri” i Ballkanit, që ishte ngjizur që me kohën e Zotërve Paganë. Epilogu zyrtar ishte më 1 Dhjetor 1912, kur “Autonomia Shqiptare” u njoh edhe nga Fuqitë e Mëdha, por kuptohet jo nga Greqia dhe Serbia…
BEQIR AJET SHEHU*/ Beteja e Lumës meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo…
HALIL RAMA/ Vlerësimi i heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, përveçse akt juridik dhe politik, është detyrimi…
Zotërit shqiptarë të shekullit të katërmbëdhjetë do të bëheshin antagonistët kryesorë në poemat epike serbe,…
Në Mars të vitit 1941, Musolini, la frontin e luftës italo-greke dhe nisi vizitën drejt…
Nis punën projekti Beyond Epica në Antarktidë. Është pasues i misionit të parë Epica dhe…
Ngjyrat janë një pjesë thelbësore e botës tonë, të pranishme në gjithçka që na…