Edith Durham erdhi në Ballkan e pajisur me idelogjinë liberale gladstoniane, e cila ishte anti-otomane, dhe se e tillë, e pro krishterë. Në librin e saj të parë “Through the Land of the Serb” (Nëpër tokat e Serbisë), botuar më 1904, që është harruar edhe nga serbët dhe nga shqiptarët e që nuk duhet të harrohet, ajo e përshkruan situatën e atëhershme në Serbi. Ajo ka qëndrim kritik, por simpatia e saj qëndron në anën e Serbisë. Më vonë, kur ajo u njoh me shqiptarët, filloi të simpatizonte për kauzën e tyre nacionale. Por, kjo ishte vetëm simpati kurse ajo ende qëndronte në anën e serbëve dhe malazezëve. Si anti-otomane besonte se kombet e Ballkanit duhej të çliroheshin dhe të vendosnin sundim demokratik siç ekzistonte në shumë vende evropiane.
Me kalimin e kohës qëndrimi i saj do të ndryshonte në mënyrë drastike. Në mëngjesin e 9 tetorit të vitit 1912 Durham shkoi në Goricë si gazetare. E pa ushtrinë malazeze të gatshme për luftë dhe e vrojtoi knjazin e tyre, Nikollën, kur dha urdhër që ta zbrazej topi i parë në drejtim të Shqipërisë. Me këtë filloi Lufta Ballkanike dhe Durham me gëzimi u kthye në Cetinë për ta dhënë e para lajmin në botë që u botua në dy gazetat kryesore britanike dhe evropiane të asaj kohe (The Manchester Guardian dhe The Chronicle). Në një gazetë tjetër, “The Nation“, ajo shkroi për t’i shfaqur edhe ndjenjat e saja politike:”Gladstone kishte të drejtë kur tha se turku duhet të shkoj me thes e me plaçka”. Këto ndjenja ishin në përputhje me liberalizmin gladstonian dhe me ideologjinë pan-sllave.
Pa kaluar një javë, Durham e vizitoi Tuzin për t’ia uruar princit malazez fitoren dhe me veturë zyrtare mbretërore u kthye në Cetinë. Në mbrëmje e vështroi përfundimin e asaj dite dhe në gazetën “The Daily Chronicle” në artikullin “How Tuzi fell” (Si ra Tuzi), shkroi:
“Hëna e hollë ndriçonte me butësi në qiell – tashti e vetmja hënë mbi tokë. Hëna, emblema turke është vënë përtokë, shpresojmë përgjithmonë”.
Për ta ndihmuar luftën e Malit të Zi kundër otomanëve, Durham filloi të punonte si infermiere në ushtrinë malazese. Me shërimin e ushtarëve të plagosur malazezë dëshironte ta ndihmonte luftën e këtij vendi kundër otomanëve.
Në spitalet ushtarake malazeze e vërejti tmerrin. Të plagosurit e ushtrisë otomane jo që nuk shëroheshin, por malazezët ua prenin hundët, veshët, kokat dhe ua rjepnin lëkurën për së gjalli apo për së vdekuri ushtarëve otomanë. As mjekët malazezë nuk e shihnin si problematike këtë punë. Një ditë, një ushtarë i plagosur malazez i kishte thënë se dëshironte të shërohej sa më shpejt që të merrte pjesë në plaçkitjen e Shkodrës dhe në dhunimin e grave shqiptare. Një mjek malazez i kishte thënë se prerja në fyt e grave shqiptare dhe fëmijëve në Shkodër, ishte në rregull. Për këtë arsye Durham u ankua te qeveria malazeze, e cila qeshi me këtë rast.
Në këtë moment Durham vendosi ta braktiste punën e saj si infermiere. Nuk pranoi ta ndihmonte këtë mentalitet. Një ditë pa se si grupe të grave malazeze po ktheheshin të lumtura nga Kosova ku grave të gjalla e të vdekura shqiptare të Pejës ua kishin plaçkitur edhe rrobat e trupit. Një ditë tjetër një oficer serb i tregoi me mburrje për masakrat që kishte bërë në Lumë. Maskrat kundër ushtarëve otomanë dhe popullsisë shqiptare nuk ndaleshin. Durham e vërejti shpejt se kjo luftë nuk kishte të bëjë asgjë me çlirim, por ishte e orientuar në zhdukjen e shqiptarëve për t’ua marrë tokat.
Kjo nuk ishte kauza që do ta mbështeste Durham, por besimi i saj në liberalizëm britanik dhe në pan sllavizëm e kishin sjellur deri në këtë pikë. Nga ky moment ajo e vërejti se kishte qenë në anë të gabuar dhe praktikisht e mori anën otomane dhe filloi t’i mbështeste shqiptarët pa asnjë rezervë. Ishte e qartë se kjo nuk ishte luftë, por shfrenim barbar për të masakruar tjetrin që kishte kulturë, gjuhë dhe religjion tjetër dhe ishte mbarësuar nga urrejtja e pakufishme. Njerëzit e medhenj e ndërrojnë mendimin kur e shohin realitetin.
Papritmas, artikujt e Durhamit në shtypin britanik ndryshuan në tërësi për nga karakteri. Shkrimet e saja u bënë aq anti sllave sa që sot gazetat britanike nuk do të botonin shkrime të tilla. Në gazetën “The Nation” ajo shkroi:
“Cari Ferdinand e ka treguar të vërtetën kur ka thënë se kjo luftë është e Kryqit kundër Hënës. Nga kryqi ortodoks rrjedhë gjak i kuq i viktimave. Viktimat nuk janë të gjithë myslimanë. Fanatizmi ortodoks nuk i ka kursyer as romano-katolikët”.
Më në fund Durham u distancua tërësisht edhe nga liberalizmi gladstonian, i cili sipas saj, ndihmoi në prodhimin e dhunës në Ballkan. Për këtë ajo, në letrën që ia dërgoi mikut të saj Boyle, i cili ishte njëri nga udhëheqësit e Komitetit të Ballkanit, shkroi:
“çfarë mashtrimi. E tërë kjo gjë për ‘çlirimin e të krishterëve nga zgjedha turke’, të cilën në Angli e filloi Gladstone, ai fanatiku plak. Duke mos jetuar kurrë në këtë vend, ai nuk e dinte se për çka fliste”.
Prandaj, Durham e mori anën e Austro-Hungarezëve që i kundërshtonte më parë. Filloi punën e pandalshme të saj për kauzën shqiptare dhe nuk u ndal deri në vdekje. Askush nuk i ka paraqitur më mirë se Durham tendencat e pan-sllavizmit dhe rezultatet gjenocidale të kësaj ideologjie. Kontributi i saj për shqiptarët mbeti i papërsëritshëm. Durham ka qenë grua gjigante dhe mbetet heroina më e madhe te shqiptarët. /InforCulture.info
Një simulim i bazuar në modele fiziologjike paraqet se çfarë ndodh në trupin…
Nëse nuk trajtohet siç duhet ose në kohë, infeksioni mund të shkaktojë dëmtim…
“Pseudomonas aeruginosa” është një bakter shumë agresiv dhe kryeson listën e atyre që…
Ndonjëherë fëmijët tregojnë nevojat e drejtpërdrejta të tyre, ndërsa herë të tjera duhet të…
Zëvendësuesit artificialë të sheqerit u krijuan për ta bërë ushqimin dhe pijet e…
Edhe pse shpesh nënvlerësohet dhe konsiderohet thjesht si një përbërës dytësor, magnezi është në…