Rilindja evropiane mes shekujve XIV-XVII, ishte kohë e përparimeve të mëdha kulturore, intelektuale dhe shkencore: nga zbulimet evropiane të kontinenteve tjera deri tek rrugët e transportit, pikëpamjet e reja mbi matematikën dhe astronominë, e deri në shpikjen e shtypshkronjës. Po ashtu, ajo periudhë u karakterizua nga ndryshimi i ideve dhe realizimi i shumë kryeveprave të arkitekturës, artit dhe letërsisë, si dhe një lëvizje drejt lirive politike e fetare. Fokusimi tek liritë politike dhe fetare ndihmoi në krijimin e Lëvizjes Reformuese që shkaktoi ndarje brenda Kishës së fuqishme Katolike, duke bërë që shumë evropianë t’i ktheheshin në besimin protestant.
Stefania Tutino, profesoreshë e historisë në Universitetin e Kalifornisë, thotë se Reformacioni dhe Rilindja ishin dy lëvizje paralele, por të ndërthurura mes vete.
“E para kishte të bënte me natyrën teologjike dhe strukturën kishtare të Kishës së vërtetë të Krishtit. Ndërsa, e dyta me ripërtëritjen e disa parimeve kryesore kulturore, intelektuale dhe artistike, në dritën e faktit se ajo që kishte kuptim në Mesjetë nuk ishte më e përshtatshme, e dobishme apo frymëzuese për një shoqëri që kishte përjetuar shumë ndryshime”, thotë ajo.
Sipas Tutinos, përparimet shkencore, përfshirë alternativat e shekullit XV-XVI ndaj fizikës dhe kozmologjisë tradicionale aristoteliane, si dhe risitë teknologjike – të tilla si shtypshkronja – ishin faktorë novatorë shumë të rëndësishëm.
“Si Rilindja ashtu edhe Reformimi lindën nga kuptimi se rendi i vjetër mesjetar nuk ishte më i qëndrueshëm, ndësa zbulimet shkencore dhe inovacionet teknologjike ishin disa nga elementet që e bënë të qartë se sa të papërshtatshme ishin strukturat e vjetra”, shton ajo.
Rilindja përfshiu një lëvizje intelektuale të njohur si Humanizëm. Ndër parimet e shumta, humanizmi promovoi idenë se njerëzit janë në qendër të universit të tyre dhe se ata duhet të përqafojnë arritjet njerëzore në arsim, në artet klasike, në letërsi dhe në shkencë.
Si pjesë e kësaj filozofie, studiues, autorë, udhëheqës politikë dhe të tjerë, u përpoqën të ringjallnin studimin e klasikëve grekë dhe latinë.
“Shumë humanistë filluan t’i zbatojnë këto parime në studimin e Biblës, dhe rrjedhimisht edhe në parimet politike, kulturore, liturgjike dhe teologjike, sipas të cilave hierarkia e Kishës Katolike drejtonte grigjën e saj”, thekson Tutino.
Në këtë proces, disa humanistë gjetën shumë aspekte për t’i kritikuar dhe disa nga kritikat e tyre i bënë jehonë atyre të Martin Lutherit dhe udhëheqësve tjerë të hershëm protestantë.
Sidoqoftë, nënvizon Tutino, teksa qëllimet e lëvizjeve të Humanizmit dhe Reformacionit ishin thelbësisht të ndryshme, “kishte edhe fusha ku ato përputheshin”.
Ada Palmer – profesoreshë e asoociuar e historisë së hershme moderne evropiane në Universitetin e Çikagos – thotë se lëvizja humaniste e zgjeroi gamën e ideve për të cilat po mendonin njerëzit.
“Lëvizja filloi si interes për të lexuar tekstet e Greqisë dhe të Romës së lashtë, sepse Evropa – sidomos Italia – ishte shkatërruar aq shumë nga luftërat dhe ishte bërë aq e dëshpëruar dhe e paqëndrueshme, saqë njerëzit donin vërtet një zgjidhje”, thotë ajo.
Për shkak se Roma e lashtë ishte e fuqishme dhe e qëndrueshme për periudha të gjata fuqie dhe uniteti, besohej se rileximi i librave të lashtë nga ajo periudhë mund t’i mësonte njerëzit se si të përsërisnin suksesin e Romës.
“Prandaj, ata nisën të kërkojnë tekste të lashta dhe t’i përkthejnë, lexojnë dhe kopjojnë ato, derisa antikët u bënë referencë që simbolizonte fuqinë dhe ambicien politike. Shumë shpejt, njerëzit në gjendje të mirë ekonomike u përpoqën të kishin një bibliotekë me veprat e klasikëve të lashtë, si një mënyrë për të treguar fuqinë e tyre”, shprehet Palmer.
Por, teksa qëllimi i rritjes së stabilitetit dështoi, një nga efektet e padëshiruara të lëvizjes ishte kërkesa e re për libra, gjë që e nxitin Gutenbergun të shpikte shtypshkronjën.
“Ndërkohë, kjo nënkuptonte se kishte shumë më tepër ide në lidhje me pyetjet e mëdha se si funksionon bota, se si është krijuar ajo, cilat janë veprimet e mira dhe të këqija, se si funksionon feja etj. Po ashtu, studiuan më shumë greqishten e vjetër dhe kuptuan se përkthimet e vjetra të Biblës dhe teksteve të tjera kishin qenë të gabuara në shumë vende. Ndaj, nisën të bënin përkthimet dhe korrigjimet e tyre”, shton historiania.
Palmer thotë se Reformacioni ishte kulmi i proceseve të gjata dhe të ngadalta që kishin filluar që para Rilindjes, përfshirë korrupsionin e Kishës Katolike. Në librin e saj të ardhshëm mbi Rilindjen, e përshkruan një “dilemë të të burgosurit”.
“Korruptimi i Papës apo i peshkopëve ishte një avantazh i madh në politikë. Cilido që e bënte këtë, do të fitonte në një konflikt të caktuar. Prandaj, askush nuk e kishte luksin të mos i jepte ryshfet Papës, sepse nëse këtë e bënte dikush tjetër, atëherë ai ishte i dënuar të humbte”, thekson Palmer.
I zhgënjyer nga ryshfeti dhe korrupsionet e tjera të kishës, përfshirë indulgjencat të cilat i jepnin mundësi qytetarëve të blinin faljen nga mëkatet, murgu gjerman Martin Luther i shkroi në vitin 1517 “95 tezat” të cilat thuhet se i vari në derën e kishës në Universitetin e Vitenbergut në Saksoni.
“Akumulimi gradual i korrupsionit nënkuptonte se indulgjencat ishin pika e fundit që derdhi gotën”, thekson Palmer.
Shtypi lejoi që tezat të shpërndaheshin gjerësisht dhe me shpejtësi në mbarë Evropën. Dhe, megjithëse u etiketua si një heretik nga Kisha dhe u shkishërua nga Papa Leoni X në vitin 1521, fjalët e Luterit ndikuan tek shumë njerëz.
“Ai e gjeti momentin e duhur për të qenë predikuesi i parë i famshëm. E shfrytëzoi edhe situatën e duhur politike për qeveritë e rajonit, të cilat e shihnin lëvizjen e tij si justifikim të madh për të bërë diçka që ata donin ta bënin vetë: të dilni nga dilema e madhe e të burgosurve të papës”, shpjegon Palmer.
Në këtë mënyrë, lëvizjet intelektuale të Rilindjes çuan tek Reformimi duke stimuluar kërkesën për libra dhe duke i inkurajuar njerëzit që të lexojnë më shumë dhe të mendonin se si të reformonin të tashmen.
Kjo përfshinte rileximin e Biblës, siç bëri Lutheri që e themeloi Kishën Luterane dhe e përktheu në gjermanisht Dhiatën e Re. Përkthimi i tij luajti rol në fillimin e ndarjes së Kishës Katolike në besnikët e papës dhe në protestantët – të atyre që protestuan ndaj rregullave të Kishës Katolike.
Gati në të njëjtën kohë, në vitin 1534, mbreti Henry VIII shkaktoi ndarje të mëtejshme brenda Kishës Katolike, kur u bë kreu i Kishës së Anglisë pasi Papa Klementi VII nuk e lejoi të divorcohej nga Katarina e Aragonës. /Burimi: History Channel/Në shqip nga: Bota.al/
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…
Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…
Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…
Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…
Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…
Nga: Halil Rama Pasi ka botuar dhe promovuar më parë librat “Kur binte një zymare në…