Diploma e Gjergj Balshës e lëshuar me 30 nëntor të vitit 1373 është origjinale dhe ruhet në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut, në fondin: Wiena 1022 [1014; nr. 118]. – Teksti i diplomës është i shkruar në 13 rreshta.- Ndërsa në anën e pasme (verso) të diplomës është i shënuar ky tekst në latinisht: Pouelia pactorum comitis Ragusii cum domino Georgio de Balsa fatia in MCCLXXIII.
Në arkiva evropiane ruhet një lëndë burimore-dokumentare e pa botuar ose pjesërisht e botuar për mesjetën shqiptare, botimi i si cilës sipas metodave bashkëkohore shkencore të editimeve kritike mundëson plotësimin e boshllëqeve për periudha të caktuara, veçanërisht për gjysmën e dytë të shekullit XIV dhe gjysmën e parë të shekullit XV.
Këto burime e dokumente janë të shkruara në gjuhët e kohës, të cilat ishin në përdorim zyrtar, me të cilat komunikonin zyrtarisht personalitete të jetës politike, shoqërore e kulturore shqiptare me ato evropiane e më gjerë.
Dinastia e Balshajve ishte njëra prej dinastive më të njohura shqiptare në shekujt XIV –XV. Nga kancelaria e tyre që vepronte në disa gjuhë, e që për fat të mirë na janë ruajtur një numër i konsideruar dokumentesh të lëshuara nga kjo kancelari, kemi vendosur të botojmë të shoqëruara me faksimile, të transkriptuara [tejshkronjëzuara] në sllavishte të vjetër, të përkthyera në shqip dhe të shoqëruara me komente përkatëse sa më përmbajtësore duke shmangur për aq sa është e mundur “detajet e lodhshme” të diplomatikës, sfragjistikës, heraldikës, sigjilografisë e paleografisë.
Lëndë burimore-dokumentare e pabotuar ose pjesërisht e botuar për Balshajt, dhe në përgjithësi për mesjetën shqiptare gjendet në shumë arkiva evropiane, por në sasi të konsiderueshme sidomos në arkivat e Dubrovnikut. Botimi i kësaj lënde dokumentare është nxjerrë nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut dhe i përket gjysmës së dytë të shekullit XIV. Të gjitha diplomat janë shkruar në sllavishte mesjetare – cirilikë – dhe janë lëshuar nga kancelaria e Balshajve në periudhën kohore 7 janar 1368 – 3 nëntor 1395. Botimi i këtyre burimeve sipas metodave bashkëkohore shkencore të editimeve kritike mundëson plotësimin e boshllëqeve për këtë periudhë të caktuar të historisë së Shqipërisë. Gjuha sllave me alfabet cirilik praktikohej nga kancelaritë e fisnikërisë shqiptare mesjtare krahas gjuhëve të tjera, duke treguar kështu aftësi komunikuese diplomatike me qendra të ndryshme evropiane dhe ato fqinjësore.
15 diploma që ruhen në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut janë ato që dëshirojmë t’u prezantojmë studiuesve e historianëve shqiptarë, medievistëve në veçanti, e lexuesit të gjerë. Të gjitha këto diploma janë të shkruara në letër, gjysmë karton dhe që të gjitha janë të vulosura. Ndërsa kur jemi te vulat, duhet të theksojmë se duke i botuar faksimilet e tyre në gjendjen aktuale, mendojmë se sjellim një kontribut të veçantë për njohjen e tyre, edhe pse janë në gjendje pothuajse të gjitha të dëmtuara, të thyera dhe me pjesë të humbura. Te vulat, ka një të veçantë shumë domethënëse: të pesëmbëdhjetë diplomat që kemi në dorë, janë vulosur me nëntë lloje vulash të ndryshme, po ashtu është e rëndësishme të theksohet se të gjitha vulat janë të shtypura në letër dhe janë nga dylli. Asnjë nga vulat nuk është e varur dhe nuk ka përbërje plumbi, metali apo floriri, gjë e zakonshme kjo për kohën, por e ritheksojmë: të gjitha janë nga dylli. Vetëm nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut mund të identifikojmë pra nëntë lloje vulash që ka përdorur kancelaria e Balshajve për periudhën në fjalë. (Më shumë hollësi për këtë do të japim kur të merremi me shqyrtimin e vulave, tipet, dimensionet e tyre, përmbajtjen e teksteve, shenjat e heraldikës dhe elementet e tjera shoqëruese).
Për fillim, kemi zgjedhur të botojmë diplomën e 30 nëntorit të vitit 1373. Kjo diplomë prezantohet për herë të parë në këtë formë të plotë para studiuesve, historianëve dhe specialistëve të shqiptarë, por edhe lexuesit të gjerë, dhe këtë: me faksimile, me transkriptim [tejshkronjëzim] në alfabetin cirilik, e përkthyer në shqip e komentuar dhe e shoqëruar me një studim përkatës. Deri më sot ajo është botuar nga këta studiues sllavë:P. Karano-Tvrtković, Srpski spomenici, 78–79, nr. 64;F. Miklosich, Monumenta Serbica, 183–184, nr. 173; T. Smičiklas, Diplomatički zbornik XIV, 554, nr. 429; Lj. Stojanović, Povelje i pisma I–1, 106–107, nr. 107; P. Đorđić, Istorija srpske ćirilice, 347, nr. 145; B. Šekularac, Dukljansko–zetske povelje, 163–166; S. Rudić, SSA 8, 102–103, ku në të gjitha këto botime ka lëshime dhe gabime të natyrave të ndryshme. Ne jemi përpjekur t’i korrigjojmë ato, gjithnjë duke u mbështetur në origjinalin e diplomës e jo duke bërë përshkrim të përshkrimeve. Nuk kemi shënuar asnjë autor apo botim qoftë edhe të pjesshëm shqiptar, për shkak se të gjitha citimet e bëra, jo vetëm të kësaj diplome por edhe tek të tjerat, janë me shumë gabime, duke qenë se këta autorët shqiptarë nuk e kanë njohur sllavishten, e aq më tepër nuk kanë pasur njohuri për paleografinë sllave mesjetare dhe leximin cirilik.
Diploma e Gjergj dhe Balshë Balshës e lëshuar me 30 nëntor të vitit 1373 është origjinale dhe ruhet në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut, në fondin: Wiena 1022 [1014; nr. 118]. Teksti i diplomës është i shkruar në 13 rreshta. Diploma është e shkruar në sllavishte të vjetër, me grafema cirilike me elemente të glagolicës, me ngjyrë të zezë, me shkrim të imët, në kursiv, që vende-vende lexohet me vështirësi, sikurse mund të vërehet edhe nga ilustrimet që po botojmë [shih ilustrimet: 1 e 2]. Ajo ka qenë e palosur horizontalisht në dysh, ndërsa vertikalisht në tre pjesë të barabarta. Nga palosja ajo është e dëmtuar, po për fat të mirë teksti mund të lexohet pa problem edhe pse janë të dëmtuar rreshtat 1, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11 e 12. Ndërsa për shkak të vulës, diploma në anën e djathtë, lart, është errësuar në rreshtat 2, 3, 4, 5 e 6, por që edhe aty mund të lexohet pa problem. Diploma është e shkruar në letër – gjysmë kartoni dhe ka dimensione: 30cm x 22,5cm. Ajo është e ruajtur me kujdes dhe sot ndodhet në gjendje relativisht të mirë. Ndërsa në anën e pasme (verso) të diplomës është i shënuar ky tekst në latinisht: Pouelia pactorum comitis Ragusii cum domino Georgio de Balsa fatia in MCCLXXIII. Poashtu kemi edhe tre shënime të tjera: an 1373, N°118 dhe 1014 që janë signaturat e vjetra të kësaj diplome (shih ilustrimin nr. 2). Një element mjaft domethënës është se të gjitha diplomat e lëshuara nga kancelaria e Balshajve për Raguzën /Dubronvikun/, që ne njohim, janë të shkruara në letër–gjysmë kartoni. Nëse analizojmë këtë fakt, atëherë mund të nxjerrim një përfundim se nga mesi i shekullit XIV (1360) e deri në fillim të shek. XV (1405) në të gjitha kancelaritë e fisnikëve shqiptarë, por edhe atyre të shteteve fqinje, diplomat janë shkruar në letër, pra jo në pergamenë, edhe pse nuk përjashtojmë mundësinë e përdorimit të pergamenës në raste të veçanta. Po të shikojmë edhe diplomat e Kastriotëve, (Gjonit e Gjergjit-Skenderbeut), Dukagjinëve dhe Aleksandrit të Vlorës, etj, nga periudha në fjalë, të gjitha janë të shkruara në letër–gjysmë kartoni.
Përsa i përket shkrimit, siç ishte zakon i kohës, ajo ka shkurtesa të shumta, të cilat i kemi zbërthyer në transkriptim [tejshkronjëzim]. Në kllapa të vogla “()”kemi vënë grafemat që mungojnë në fjalët përkatëse sipas leximit të sotëm të sllavishtes, ndërsa në kllapa të mëdha katrore “[]” kemi vënë grafemat e shkurtesave të fjalëve që ishte praktikë e kohës, kurse në kllapa të drejta “||” kemi vënë numrin e fillimit të rreshtit të tekstit të diplomës. Në transkriptim [tejshkronjëzim] kemi ruajtur të gjitha shenjat e interpunktimit të kohës. Nuk është bërë asnjë ndërhyrje apo përmirësim i ndonjë grafeme apo fjalë: gjithçka është lënë siç është në origjinal.
Në fund të shekullit XIX është bërë një restaurim i thjeshtë i kësaj diplome, ku janë vënë 4 pjesë letre të bardhë që diploma të mos grisej apo dëmtohej edhe më shumë. Diploma është e vërtetuar me vulë dylli të kuq, të rrumbullakët, e cila është ngjitur në letër, në fund, në anën e djathtë poshtë tekstit. Vula është shumë e dëmtuar dhe në gjendjen aktuale ka vetëm disa copëza dylli çfarë e bën të pamundur leximin e tekstit që ishte në vulë, tani aty dallon dy apo tre grafema [shih ilustrimin 3]. Shkak i dëmtimit të vulës, është zhvendosja e shpeshtë e këtij dokumenti në relacionet: Dubrovnik-Vjenë-Beograd-Dubrovnik. Këtë dokument e ka shkruar logofeti Vitko, siç mund të vërehet në fund të dokumentit. [Logofeti kryesonte zyrën e kancelarisë së princit-sundimtarit, e cila hartonte dokumente shtetërore, si diplomat, traktatet ndërkombëtare, letrat zyrtare e private të sundimtarit, mbante korrespondencën diplomatike me shtetet tjera, kujdesej për të gjitha llojet e akteve, drejtonte financën, etj.]
Për herë të parë, kjo diplomë është botuar në vitin 1840. Ajo ka njohur ribotime të shumta, po asnjëherë korrekte dhe me gabime të shumta. Transkriptimi [tejshkronjëzimi] i diplomës origjinale me signaturë: Wiena 1022 [1014; nr. 118] është shumë i vështirë jo vetëm për studiuesit dhe historianët, që nuk janë specialist të paleografisë sllave, sidomos asaj cirilike dhe glagolike, por edhe për ata që kanë përvojë të gjatë në transkriptime [tejshkronjëzime] të këtij lloj shkrimi. Shkurtesat e shumta dhe grafia e imtë dhe në disa raste, shenjat e veçanta të logofetit, vështirësojnë edhe më shumë transkriptimin [tejshkronjëzimin]. Kjo diplomë që ka karakterin e një dokumenti publik mban në vetë të gjitha karakteristikat e dokumenteve të kësaj epoke historike. Po fillojmë analizimin sipas radhës:
Në fillim është i shënuar invokacioni simbolik, pason invokacioni verbal dhe datimi. Invokacioni simbolik, i paraqitur me shenjën e kryqit, tregon nënshtrimin e pushtetit real të Balshajve ndaj atij kishtar, duke treguar besnikërinë absolute ndaj kishës. Invokacioni verbal, që përdoret në këtë dokument, është karakteristikë e shpeshtë e përdorimit te dokumentet e tilla sllave. Me këtë, i rritej vlera dokumentit duke dëshiruar që të arrihej qëllimi për destinimin e tij. Në këtë rast, është i shprehur në formën: Në emër të Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë. Pas invokacinit verbal vjen datimi i dokumentit, gjë që në këtë dokument përbën një rast të veçantë. Zakonisht, në këtë kohë, datimi shënohet në fund të tekstit (që në rastin tonë në këtë diplomë edhe është shënuar, pra kemi dublim të datës së lëshimit të diplomës) kësaj radhe, e kemi në fillim të dokumentit dhe tregon datën e shkrimit, në formën: më 30 nëntor të vitit 1373 nga lindja e Krishtit. Te datimi kemi kemi dy momente interesante që duhen veçuar: a) logofeti ka shënuar vetëm vitin njëmijë me shkronja si tërësi, ndërsa numrat e tjerë i shënon me grafema sipas praktikës së kohës, kjo formë datimi është karakteristikë te të gjitha diplomat e lëshuara nga kancelaria e Balshajve në gjuhën sllave, dhe momenti i dytë b) grafemat të cilat janë ekuivalent i numrave të datave, logofeti i ka shënuar me një “X” sipër secilës grafemë.
Menjëher në vijim është intitulacioni që është i shkurtër fare: Unë Gjergj Balsha. Pastaj në vijim Gjergji ju rikonfirmon duborvnikasve miqësinë e vjetër e cila ishte sipas tij e lashtë: miqësinë e vjetër që kishin të parët e mi me të tyret. Nuk mund të saktësojmë se çfarë saktësisht ka menduar Gjergji me “të parët e mi”? A ka menduar në vëllain e tij më të madh Strazimirin dhe të atin Balshën apo në gjyshërit e tij. Nëse është kjo e dyta atëherë Gjergji tregon se familje e dinastisë së tij ka rrënjë të lashtë fisnikërie. Kurse dispozicioni, si pjesa më e rëndësishme e aktit diplomatik, e cila në vete ngërthen objektin moral dhe atë material, që i dedikohet pranuesit, na paraqitet në formën ku Gjergji ju betohet dubrovnikasve: para Shën Mërisë, në Kishën e tyre të madhe, në Kryqin e Shenjtë dhe në reliktet e Shën Vllahut dhe gjërat e tjera të shenjta të cilat ndodhen në kishën e tyre, që unë jam mik i tyre së bashku më vëllain tim Balshën dhe nipin tim, Gjergjin e ri, për të vazhduar pastaj me një pohim shumë interesant dhe tepër të veçantë që pothuajse nuk ndeshet asnjëherë tjetër në diploma të ngjashme të kohës: nëse dikush nga ata humbet diçka në territorin tim ose në sundimin tim, unë Gjergji, nëse nuk do mund të gjej fajtorin që t’ia dorëzoj fisnikërisë dubrovnikase, unë do ju paguaj dëmin, dhe në pjesën e fundit të dispozicionit Gjergji pohon: derisa të jam zot i kësaj toke bregdetare që është përreth Dubrovnikut – të më paguajë taksa fisnikëria dubrovnikase, dhe nëse unë nuk munden që asnjë punë të bëj për ta, ata nuk duhet të më paguajnë taksa, që realisht paraqet pretendimet e tij për të krijuar një perandori të ngjashme me atë të perandorit serb Dushanit, në mos më të madhe. Kurse në ekspozicion (narracion) janë sqaruar rrethanat aktuale për vendimin e shkrimit të një akti të tillë diplomatik: Me urdhër të zotit Gjergj, shkroi logofeti Vitko në Dubrovnik më 30 nëntor, dhe si pjesë të fundit kemi përfundimin ose eshatokolin. Përforcimi zakonisht fillon me simbol, që në këtë rast ne kemi kryqin dhe dëshmitarin e diplomës Dragash Kosaçiq. Edhe këtu është një moment i veçantë, sepse në këtë kohë praktikohej që dëshmitar të jenë më shumë se një. Diploma nuk ka nënshkrim autograf të Gjergj Balshës, po ka vulën e tij. Nënshkrim nuk kemi në asnjërën prej 15 diplomave që kemi në shqyrtim. Vula ishte e mjaftueshme si dëshmi e autoritetit që e lëshon dhe si e tillë në kancelarinë dubrovnikase ajo kishte një peshë mjaft të madhe. Në diplomë krahas Gjergjit shënohen edhe vëllai i tij Balsha II dhe nipi i tij Gjergji ri. Gjergji i ri ose Gjergji II Balsha ishte djali i Strazimirit dhe Jerinës. Jerina ishte vajza e Progon Dukagjinit. Ndërsa Gjergji II ishte i martuar me Helenen, vajzën e princit serb Lazar Brankoviqit, me të cilin kishte një djalë me emrin Balshë. Është me rëndësi të saktësohet se kush ishte dëshmitari Dragash Kosaçiqi? Sipas burimeve arkivore, Dragashi gjatë viteve 1373-1374 ishte protovestiar – përkatësisht udhëheqës i oborrit dhe i financave të sunduesit – në rastin tonë i Gjergj Balshës. Dragashi ishte me origjinë nga Kotorri dhe në disa raste të tjera e gjejmë si dëshmitarë në diploma të sundimtarëve të ndryshëm në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut. Ndërsa logofetin Vitko e gjejmë vetëm në këtë diplomë dhe për të nuk kemi të dhëna të tjera.
Përveç elementeve të përmendura, këtij akti diplomatik, i mungojnë edhe disa pjesë standarde apo klishe, të cilat i ndeshin në diplomat të ngjashme nga e njëjta periudhë. Këto mungesa nuk e zvogëlojnë rëndësinë dhe autenticitetin e kësaj diplome.
DIPLOMA E GJERGJ DHE BALSHË BALSHËS, DUBROVNIKUT – PËRKTHIMI SHQIP:
Në emër të Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë. Amen.
Unë Gjergj Balsha, më 30 nëntor të vitit 1373 që nga lindja e Krishtit.
Kur erdha në Dubrovnik [gjeta mikpritjen, m.a.] dhe miqësinë e vjetër që kishin të parët e mi me të tyret, konfirmoj dhe vendos me ta besimin e betimin dhe iu gjunjëzohem atyre para Shën Mërisë, në Kishën e tyre të madhe, në Kryqin e Shenjtë dhe në reliktet e Shën Vllahut dhe gjërat e tjera të shenjta të cilat ndodhen në kishën e tyre, që unë jam mik i tyre së bashku më vëllain tim Balshën dhe nipin tim, Gjergjin e ri; dhe kushdo nga fisi im – do të ruajë, mbrojë e ndihmojë qytetin tuaj, Dubrovnikun dhe qytetarin tuaj gjithandej ku sundoj deri ku mund të arrij [pushteti im, m.a.]. Dhe prapë ju premtoj vëllezërve të mi fisnikë dubrovnikas që nëse dikush dëshiron t’i bëj keq Dubrovnikut ose pushtetit të tij, do të ruaj dhe do t’i ndihmoj ata [dubrovnikasit] dhe pushtetin e tyre dhe tregtarët e tyre të cilët kalojnë nëpër sundimin tim. Dhe nëse dikush nga ata humbet diçka në territorin tim ose në sundimin tim, unë Gjergji, nëse nuk do mund të gjej fajtorin që t’ia dorëzoj fisnikërisë dubrovnikase, unë do ju paguaj dëmin. Dhe doganat të cilat nuk vlenin për fisnikërinë dhe tregtarët dubrovnikas në kohën e perandorit Stefan, nuk do të jenë as nën sundimin tim e as të vëllait tim Balshës, as të nipit tim, Gjergjit të ri. Dhe nëse dikush bëhet perandor i serbëve dhe i fisnikëve dhe tokës serbe, fisnikët dubrovnikas nuk janë të detyruar të më paguajnë taksa që shkruaj. Dhe derisa të jam zot i kësaj toke bregdetare që është përreth Dubrovnikut – të më paguajë taksa fisnikëria dubrovnikase, dhe nëse unë nuk munden që asnjë punë të bëj për ta, ata nuk duhet të më paguajnë taksa.
Dhe këtë me hir e dashuri Dragash Kosaçiq.
Me urdhër të zotit Gjergj, shkroi logofeti Vitko në Dubrovnik më 30 nëntor. / Botuar fillimisht ne gazeten “Dielli”
Nga Prof. Dr. Musa Ahmeti /kultplus.com/
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…