Historia e monedhës kombëtare shqiptare nis në një kohë me krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e themeluar më 2 shtator të vitit 1925. Banka u krijua me nënshkrimin e konventës përkatëse midis grupit financiar italian të kryesuar nga Mario Alberti dhe Qeverisë së Ahmet Zogut. Konventa përcaktonte ndër funksionet e këtij institucioni, përveç kreditimit, emetimin e kartëmonedhave me kurs ligjor për pagesat në Shqipëri si dhe emetimin e monedhave të arit dhe të metaleve të tjera, me të drejtë ekskluzive.
Ky mund të quhet institucioni i parë emetues kombëtar i parasë, por historia e popullit tonë dëshmon prerjen e monedhave të para që në shekullin IV p.e.s., nga Dyrrahu (Durrësi) dhe Apollonia (Pojan pranë Fierit), qytete të Ilirisë.
Për herë të parë, Shqipëria pati një institucion të bankës qendrore në vitin 1913, si rezultat i marrëveshjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të grupit bankar austro-hungarez të Wienner Bank Verein, si dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të grupit bankar italian të Banca Commerciale Italiana. Ky institucion nuk jetoi gjatë, për vetë kushtet politike të kohës dhe për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore.
Në vitin 1925 kur u krijua banka, në Shqipëri qarkullonin një mori monedhash të vendeve të ndryshme, ndaj Banka Kombëtare e Shqipërisë mori masa për t’i zëvendësuar këto me monedhën e vetme shqiptare. Si njësi monetare zyrtare u caktua Frangu ar, me nënfishat e tij (leku dhe qindarka, ku 1 frang ar ishte baras me 5 lekë dhe 100 qindarka) dhe shumëfishat e tij 5, 20 dhe 100 franga ari.
Kartëmonedha e parë e emetuar ishte ajo me prerje 5 lekë/ 1 frang ar. Ajo rezultoi jetëshkurtër për shkak të kundërshtimeve të shprehura nga qeveria shqiptare e kohës mbi shqiponjën e paraqitur në të, e cila në dallim nga shqiponja dykrenare, simbolv i kombit tonë, paraqiste shqiponjën me një kokë sipas stilit romak.
Përgjatë vitit 1926, Banka Kombëtare e Shqipërisë emetoi dhe hodhi në qarkullim:
Me fundin e Luftës së Dytë Botërore, të gjitha funksionet dhe detyrimet e Bankës Kombëtare të Shqipërisë pushuan së ekzistuari. Vetë banka u shtetëzua dhe në vitin 1945 u krijua Banka e Shtetit Shqiptar.
Viti 1947 shënon një moment të rëndësishëm për monedhën tonë kombëtare. Me dekretligjin e datës 7 korrik 1947, si njësi monetare caktohet Leku, i cili zëvendësoi Frangun, ndërsa ky i fundit tërhiqet përfundimisht nga qarkullimi. Që nga ky moment, kartëmonedha lekë ndryshon herë pas here simbolikën dhe përmasat. Moment tjetër i rëndësishëm në historinë e monedhës tonë kombëtare është viti 1965, vit në të cilin ndryshoi raporti midis prerjes lek të përdorur që nga viti 1947 me atë të emetuar në këtë vit në raportin 10 lekë (vitet 1947,1957) = 1 lek (viti 1964 e në vazhdim). Gjithashtu, për herë të parë shtypen dhe hidhen në qarkullim nënfisha të lekut, qindarkat.
Ardhja e vitit 1991 do të sillte ndryshime edhe në elementet e sigurisë të kartëmonedhave, ku për herë të parë vendoset filli i sigurisë në kartëmonedhën 100 lekë.
Banka e Shqipërisë krijohet në vitin 1992 si banka qendrore e vendit. Ndër funksionet e saj kryesore, theksohet edhe roli i saj si emetuese e vetme e kartëmonedhës dhe monedhës kombëtare që ka kurs ligjor brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Që në vitin e parë të krijimit të saj, Banka e Shqipërisë nën ndikimin e ndryshimeve të mëdha socio-politike në vend, përballet me domosdoshmërinë e rritjes së sasisë së monedhës në qarkullim si dhe ndryshimin e strukturës së prerjeve të saj. Si rrjedhojë, emetimet e këtij viti kanë ndryshime në tematikën e çdo prerjeje, kjo për shkak të jodiktimeve nga sistemi politik. Gjithashtu, për herë të parë në emetimet e pasluftës, vendosen në kartëmonedha firmat e Guvernatorit dhe të Drejtorit të Departamentit të Emisionit dhe Administrimit të Parasë.
Vitet në vijim, shënojnë një rritje të vazhdueshme të kërkesës së ekonomisë për para. E shtyrë nga përgjegjësia për t’iu përgjigjur më së miri kësaj kërkese me një strukturë të përshtatshme prerjesh, Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 1995, kreu studime për një emision të ri të monedhës dhe kartëmonedhës. Ky emision u projektua tërësisht i ri në tematikë, me një seri monedhash metalike të përbërë nga 6 prerje: 1, 5, 10, 20, 50 dhe 100 lekë. Ndërsa, seria e kartëmonedhave përbëhet nga 5 prerje: 100, 200, 500, 1000, 5000 lekë, të cilat janë rishtypur në vite të ndryshme duke përmirësuar elemente sigurie të cilat rritën ndjeshëm besueshmërinë ndaj parasë dhe e bënë atë më të fortë ndaj falsifikimit. Në rishtypjen e kartëmonedhave është ruajtur pamja (vizatimet e tyre), por veç elementeve të sigurisë kanë ndryshuar edhe firmat në kartëmonedha.
Sot, në qarkullim gjejmë po të njëjtat seri të përbëra nga 6 prerje monedhash dhe 5 prerje kartëmonedhash, por kartëmonedha me vlerë 100 lekë është tërhequr nga qarkullimi, duke e lënë si vlerë monetare të prezantuar vetëm nga monedha. Gjithashtu serisë i është shtuar kartëmonedha me vlerë 2000 lekë.
Tematika e zgjedhur nga Banka e Shqipërisë për kartëmonedhat që gjejmë sot në qarkullim ndjek konceptin e pasqyrimit të epokave historike nëpërmjet paraqitjes së portreteve të personaliteteve simbol të tyre. seria aktuale e kartëmonedhave përfshin këto periudha:
-Kartëmonedha 2000 lekë përfaqëson epokën ilire (portreti i Mbretit Ilir Gent);
-Kartëmonedha 5000 lekë përfaqëson periudhën e Skënderbeut (portreti i tij);
-Kartëmonedha 1000 lekë përfaqëson Mesjetën (portreti i Pjetër Bogdanit);
-Kartëmonedha 200 lekë përfaqëson Rilindjen (portreti i Naim Frashërit);
-Kartëmonedha 500 lekë përfaqëson Pavarësinë (portreti i Ismail Qemalit).
Kartëmonedha 200 lekë
Në projektin e Bankës së Shqipërisë për të pasqyruar në kartëmonedhat e emetuara prej saj, epoka historike të rëndësishme për popullin shqiptar, duke i karakterizuar ato me personalitetet më përfaqësuese të këtyre epokave, nuk mund të lihej mënjanë figura e poetit dhe atdhetarit Naim Frashëri. Ai prezantohet në kartëmonedhën 200 lekë, emetim i vitit 1996, rishtypur në vitin 2001 dhe së fundmi në vitin 2007.
Portreti i shkrimtarit të shquar Naim Frashëri, simbol i periudhës së Rilindjes Kombëtare, në këtë kartëmonedhë shoqërohet me elementë të tjerë grafikë që, në të njëjtën kohë, përmbajnë dhe përcjellin simbolikën letrare
Kjo simbolikë, në të dyja anët e kar tëmonedhës, na sjell ndërmend rëndësinë e veprës së Naim Frashërit dhe dashurinë e shprehur nëpërmjet veprimtarisë së tij letrare ndaj atdheut.
Kështu, në anën e përparme të kartëmonedhës gjejmë në plan të parë portretin e shkrimtarit dhe në sfond një libër të hapur. Ndërsa, në anën e prapme është vendosur pamja e shtëpisë ku ka lindur Naim Frashëri dhe një fletë ku janë shkruar vargjet e tij: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin Shqipëtar” dhe pena e tij.
Kartëmonedha 500 lekë
Emetimi i parë i kartëmonedhës 500 lekë me tematikën që ka sot, daton në vitin 1996. Ajo është rishtypur në vitet 2001 dhe 2007, me të njëjtën pamje dhe përmasë. Emetimet e reja synojnë shtimin dhe përmirësimin e elementeve që kanë të bëjnë me sigurinë dhe qëndrueshmërinë ndaj dëmtimeve. Në emetimin e vitit 2007 ndryshojnë edhe firma e Guvernatorit dhe ajo e Drejtorit të Departamentit të Emisionit.
Në anën e përparme të saj është vendosur portreti i Ismail Qemalit, simboli i shqiponjës dykrenare të flamurit të pavarësisë, së bashku me penën me të cilën u nënshkrua akti i pavarësisë. Ndërsa në anën e prapme, është zgjedhur të vendoset ndërtesa ku u shpall pavarësia, dhoma ku u mor vendimi dhe telegrafi me anë të të cilit u shpërnda lajmi i shpalljes së Pavarësisë.
Kartëmonedha 1000 lekë
Kartëmonedha 1000 lekë, emision i vitit 1996, është rishtypur në vitin 2001 dhe në vitin 2007, duke ruajtur pamjen dhe përmasat. Në kartëmonedhën e re të kësaj prerjeje, ashtu si në riprintimet e të gjitha prerjeve, janë shtuar apo përmirësuar elemente që kanë të bëjnë me sigurinë dhe me qëndrueshmërinë ndaj dëmtimeve.
Kartëmonedha ka në anën e përparme portretin e Pjetër Bogdanit, shkrimtar, klerik e figurë e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare, të marrë nga frontespici i veprës së tij “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum) dhe një simbol i tij mbi diellin.
Në anën e prapme, në qendër paraqitet një simbol i idesë së Bogdanit me diellin në qendër. Në të djathtë ka një pamje të kishës katolike të Vaut të Dejës, ndërsa djathtas, anash dhe poshtë është vendosur vlera e kartëmonedhës.
Kartëmonedha 2000 lekë
Kartëmonedha me vlerë 2000 lekë, emetuar për herë të parë si prerje e re në vitin 2007 mban portretin e Mbretit ilir Gent. Ajo paraqet elementin e fundit të mbetur jashtë asaj tabloje vlerash të së shkuarës, që Banka e Shqipërisë ka dashur të prezantojë në përzgjedhjen e personaliteteve përfaqësuese të periudhave historike më domethënëse për vendin tonë.
Në anën e pasme të kartëmonedhës paraqitet bima medicinale Gentiana lutea, aftësitë kuruese të së cilës janë zbuluar prej tij, evidentohen elemente të arkitekturës së antikitetit, si dhe një detaj i stilizuar i anijes liburne.
Kartëmonedha 5000 lekë
Kartëmonedha 5000 lekë është emetuar për herë të parë në vitin 1996. Ajo është rishtypur dy herë, në vitet 2001 dhe 2007, me të njëjtën pamje dhe përmasë, por me elementë të përmirësuar sigurie. Në emetimin e vitit 2007 ndryshon dhe firma e Guvernatorit dhe ajo e Drejtorit të Departamentit të Emisionit.
Personaliteti simbol i kësaj kartëmonedhe është zgjedhur Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), heroi ynë kombëtar dhe figura më e shquar e historisë së popullit tonë, portreti i të cilit shquhet në pjesën e përparme të kartëmonedhës, së bashku me mburojën dhe shpatën e tij.
Në anën e pasme është vendosur pamja e përgjithshme e Kështjellës së Krujës, përkrenarja dhe monumenti i Skënderbeut mbi kalë, që gjendet në qendër të Tiranës.
Shkruan: Ahmet QERIQI Shembujt e këngëve rapsodike shqiptare ku stigmatizohet dhe dënohet fuqishëm akti i…
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…