Todi Janku, legjenda e boksit shqiptar që nuk pati kurrë trajner

Cila është historia e njeriut që e filloi boksin si Roki Bal boa në filmat e Stalones? Një karrierë e nxitur për një triskë, apo një paketë cigare, papritur ka zbuluar forcën e së majtës të dhuruar nga Zoti. Nga një futbollist në krah të Ruzhdi Bizhutës, në ring, në sfidat e paharruara ndaj kolosëve të kohës.

Mbaj mend kur kalonte çdo ditë në rrugën “Konferenca Peza”, teksa shkonte në punë nga “21 Dhjetori” ku banonte deri te Dhoma e Tregtisë së Jashtme përballë kinemasë “Republika”, dhe nga kalimtarët dëgjoja të flitej midis tyre se “…ky është Todi Janku, boksier i madh…”.

Ky ka qenë dhe mbetet kontakti dhe njohja e parë me Todi Jankun, për të cilin kisha dëgjuar histori rrëqethëse, por asnjëherë më parë “dal vivo”. Për moshën tonë, ky emër kishte krijuar një mit dhe godiste me një forcë të madhe tek imagjinata jonë.

Janë vitet kur emrat apo ngjarjet sportive për Hysen Sharën, Gronjotit, Kastratin dhe Golemin i dëgjonim dhe tregoheshin si gojëdhëna, pasi edhe sot nuk ka asnjë dokument filmik për t’i parë, që sigurisht do të kishte rëndësi e vlera të mëdha historike…

Jetim, zdrukthtar që në vogëli

Një karrierë e filluar me një fëmijëri të vështirë, e njëjtë si në serialët e famshëm “Rocky” të Silvester Stalones, apo të ngjashme me fillimet e Monxon e Tajson. I lindur më 8 maj 1930 në Tiranë, në një familje me mbiemrin e njohur Janku, ku të gjithë janë sportistë, ndër të cilët Foto Janku lojtar i kombëtares në futboll në vitet ’40, Todi është i fundit i pesë fëmijëve, katër djem dhe një motër.

I mbetur jetim nga i ati, Vasili, në moshën 4-vjeçare, shumë shpejt kur nuk kishte mbushur 12 vjeç, detyrohet të punojë në zdrukthëtarinë e Myzafer Peços, te rruga e “Kripës”, pranë ish-Kinema “17 Nëndorit”. Një zanat i vështirë, i lodhshëm, por që do t’i shërbente për shumë vite, në punë e karrierë edhe për humanizëm.

Nga ndërmarrja e hekurudhës ku punonte, ishte nisur si vullnetar në Beograd për ndërtimin e autostradës Beograd-Zagreb. Ishte 18 vjeç. Të sistemuar me çadra në një pyll, edhe me të rinj të ardhur nga vende të tjera, bashkë me mikun e tij Osman Stojku, zbuluan se vullnetarët suedezë kishin marrë me vete doreza boksi për argëtim. Me kujdes, Stojku filloi të organizonte dyluftime, duke angazhuar edhe Todin, i cili, për herë të parë, i provoi ato.

Pak vite më parë, kishte parë filmin komik amerikan “Me ndihmën e hënës”, me aktorët Xho Braun dhe Marian Marsh, i shfaqur në Tiranë, pa menduar se atë film do ta kishte si pikë referimi, kur papritur do të praktikonte atë sport, pasi nuk e kishte traditë familjare. Por, qëndrimi në Beograd nuk zgjati shumë. Pas prishjes me jugosllavët, u dha urdhri që vullnetarët të ktheheshin në Shqipëri.

Janku si fillim luajti futboll

E pëlqente futbollin, pasi me të ishte ushqyer në familje. U aktivizua me ndërmarrjen e “21 Dhjetorit”. Në vitin 1951 e dërguan ushtar në Shkodër, pastaj do të transferohej në Elbasan në brigadën e Xhenjos.

Aty e morën te “Labinoti”, skuadra e futbollit e Kategorisë së Parë, ku gjeti edhe mikun Leonidha Dashi. Luajti shumë pak, vetëm në tri ndeshje: Në Shkodër ndaj Vllaznisë, kundër Dinamos në Elbasan dhe në Gjirokastër ndaj Luftëtarit.

Tre takime, asnjë gol. Luante si mesfushor i majtë dhe në krah kishte Ruzhdi Bizhutën, sulmues i majtë. Duke qenë se nuk shkëlqeu në futboll, specialistët dhe drejtuesit e klubit e kthyen në repart. Këtu do të mbylleshin përgjithmonë shpresat e Todit për t’u bërë futbollist.

Nisja me boksin

Është duke kryer shërbimin ushtarak, ndërkohë që kërkohen boksierë, për të përfaqësuar repartin në Spartakiadën e Parë Sportive të Ushtrisë. Që të shkonte në Tiranë pranë familjes i tregoi komandës se ishte marrë edhe me boks.

Të preferuarit qenë ushtarët e peshës së rëndë, mjafton të ishe mbi 80 kg. Ndërkohë, Partizani ishte nisur për një turne në Bullgari, por për arsye biografie nuk e kishin marrë boksierin Hasan Plasa, i cili do të përfaqësonte repartin në këtë aktivitet.

Dhe në peshën e rëndë janë vetëm dy boksierë: Janku dhe Plasa. Te “Tenis Nallbani”, sot “Rr M. Shyri”, te salla e madhe e Mensës së Tiranës, ka rënë gongu i raundit të dytë dhe një goditje e fuqishme e Plasës e ka hedhur në tokë kundërshtarin. I tronditur, i trullosur, Janku e ka humbur takimin me KO. Ky do të ishte i pari dhe i fundit KO në karrierën e tij.

Goditja që shkroi historinë

Ka mjaftuar vetëm një grusht dhe një goditje me të majtën, për të shkruar historinë. Nga jeta plot halle dhe me shumë sakrifica nisur nga një dietë, një triskë për 900 gr bukë më shumë, në ring dhe kampion. Viti 1952, miku i tij, Osman Stojku e shtyn të përfaqësojë skuadrën “Puna Qendrore”, që do të merrte pjesë në kampionatin kombëtar që do të zhvillohet te kinema “Republika” në Tiranë.

Krejtësisht i panjohur nuk donte të boksonte, por nisur nga një dietë, një triskë për 900 gr bukë më shumë, u ngjit në një kuadrat ndaj një kundërshtari me emër, famë dhe i sigurt në fitore, me diplomën shkruar për të. Në njërin kënd korçari Naum Gjanci i Partizanit, i gjatë 195 cm e 10 kg mbi peshë, përballë Teodor Janku, boksier i ri dhe pa eksperiencë.

Gongu ka rënë, ka hezituar për një çast, por Stojku, Reka e Kadiu e kanë shtyrë me forcë për në qendër të tij. Për të riun Janku, tashmë i rrethuar brenda katër litarëve, nuk ka rrugëdalje veçse të ndeshet… Grushti dhe papritur kampion…Ndjen se ka djegie në gjoks, pasi duhani i paketave “Flora” apo “Zana” e pengojnë. Shumë shpejt ka marrë një goditje që i ka shkaktuar gjak nga hunda.

Dy raunde kanë kaluar dhe, sapo ka filluar i treti, një grusht i majtë befasues, shumë i fortë e i saktë i tij e ka hedhur në tokë kundërshtarin, madje as numërimi i arbitrit nuk e ka ngritur nga tapeti. Një KO i paparë, heshtje, habi e madhe, moment shokues, askush nuk e kishte parashikuar një fund të tillë.

Osman Stojku nuk kishte gabuar dhe momenti historik kishte ardhur, teksa karriera brilante e njërit nga më gjigantët e boksit shqiptar sapo kishte startuar. Për shumë vite e majta e Todi Jankut do të ishte e rëndë, “vrasëse” dhe e pagabueshme.

I vetëm pa “sekondantë”

I gjatë vetëm 175 cm ka boksuar në peshën e preferuar, gjysmë e rëndë 75 kg. Pa asnjë eksperiencë, por krejtësisht i rastësishëm në kuadratin e rrethuar me litarë, nuk ka ditur as të qëndrojë. Janë vitet kur nuk e këshillon as e orienton njeri, gjithashtu as nuk e kupton sa zotëron një të majtë potente.

Hilmi Reka ka nuhatur talentin, forcën goditëse të së majtës duke e këshilluar, lidhur me pozicionin dhe qëndrimin në ring. Por, ajo më e veçanta e karrierës së tij qëndron në një fakt shumë interesant: nga ndeshja e parë deri tek e fundit, por dhe gjatë gjithë karrierës së tij nuk ka pasur trajner të mirëfilltë.

Kështu është stërvitur dhe ka boksuar. Gjithmonë në këndin e tij të pushimit midis dy raundeve i kanë qëndruar dhe ka pasur si “sekondarë” miqtë e tij, Mehmet Kryeziun, pastaj M. Golemin H. Ukën, pa harruar edhe Stojkun.

“Urrejtja” e Gjeneralit dhe propozimi i Dinamos

Do të preferonte ta kishte te Partizani, por Todi Janku nuk ka tentuar asnjëherë në karrierën e tij të largohet nga klubi që e formoi. As edhe kur i premtuan rrogë, grada e tij, siç ka qenë rasti i Dinamos. Te Tirana e filloi aty e mbylli. Por, dëshira e Petrit Dumes për ta pasur te Partizani ka qenë e fshehur. E “urrente”, por edhe e admironte njëkohësisht.

Pas çdo fund turneu pyetja e tij për trajner dhe drejtues të klubit Partizani ishte klasike: Si dolët? A e mundët Todi Jankun? Kështu, në 1953 Dinamo i propozon të kalojë pranë klubit. I ofrojnë gradë të lartë, një rrogë mujore 7000 deri 8000 lekë të vjetra, por nuk pranoi, duke i qëndruar besnik “17 Nëndorit” dhe mikut të tij, Hysen Hysenaj.

Me artin, pasion i përbashkët

Historia e jashtëzakonshme e Todi Jankut është e lidhur edhe me artin. Me piktorin Kel Kodheli kanë qenë shumë miq, si mik nga Stefani, vëllai i tij. Por edhe për faktin se piktori i njohur ishte edhe admirues i boksit dhe Jankun e kishte ndër të preferuarit. Madje janë takuar në Erevan të Armenisë në vitin 1958, Kodheli që shoqëronte një ekspozitë pikture dhe Janku në një turne boksi.

Vite më vonë, arti do t’i jepte tjetër drejtim jetës profesionale: 1964, Dhoma e Tregtisë kërkon një specialist të aftë që të kujdeset e të mirëmbajë Panairet që organizohen jashtë vendit.

Rastësisht piktori R. Ballauri e ka marrë për t’i rregulluar disa stenda. Nga ai çast deri kur doli në pension, për 27 vite radhazi, atje ka punuar dhe me Panairet ka shëtitur gjithë Europën.

Por nuk harron edhe dy artistët, Pino e Pina Shkurti, të njohurit e cirkut shqiptar. Fshehurazi në shtëpinë e tyre ka parë në televizion ndeshjet e Kasius Kleit, Nortonit, Benvenutit, Frejzerit dhe Foremanit.

Pastaj Xhani Morandin, i pëlqente këngët e tij, shumë melodioze. Kur e kujtuan për profesionist “Jeni një boksier profesionist shumë i mirë”, i pati thënë trajneri i ekipit Shpresa të Hungarisë gjatë një turneu në vitin 1958 në Tiranë.

Pasi kishte hedhur në tapet kundërshtarin, me goditjen e parë dhe mbas përfundimit të ndeshjeve, boksierët së bashku në një autobus janë kthyer, hungarezët ndaluan për në hotel “Dajti”, ndërsa shqiptarët vijuan për te “Vjosa” ku ishin grumbulluar.

Gjatë rrugës, të shtyrë nga kurioziteti dhe pa asnjë informacion, trajneri hungarez, pasi kishte nuhatur forcën e dy grushteve të tij, u interesua për të. “Eja më shih në ‘Josif Pashko’ pas dy ditësh, se atje punoj”, – iu përgjigj Janku, natyrisht në shqip, pa i dhënë të kuptonte ironinë se as që bëhej fjalë për profesionalizëm që ai mendonte.

Duhani, flokët, mustaqet dhe hunda

Cigaren e ka filluar në hekurudhën Durrës-Peqin 1947. Bashkë me racionin e ushqimit i jepnin edhe 5 cigare nga paketat “Flora” apo “Zana”. E kishte filluar për inerci, por e ka pirë edhe kur ka boksuar. Kujton se një muaj para garave e merrte paketën “Partizani” dhe e hidhte në kosh. Një muaj nuk pinte për ta rifilluar pas aktivitetit.

Po mustaqet? Fillimisht e shohim të boksojë pa to. Vendimin për t’i mbajtur e ka marrë gjatë një turneu në Armeni. Shkak janë bërë boksierët e huaj të peshës së rëndë, të gjithë me mustaqe. Kaq mjaftoi për ta shtyrë që edhe Janku t’i mbante.

Ka një sekret: gjithmonë është kujdesur vetë për to, jo te berberi. Por edhe flokët i kanë rënë kur ka qenë shumë i ri, 23-24 vjeç. Pa mustaqe e pa flokë nuk mund ta imagjinosh Todi Jankun në ring e në jetë. Edhe formën e hundës e ka natyrale. Nuk i ka bërë asnjë ndërhyrje kirurgjikale, e domosdoshme për boksierët.

Me dorën e thyer

Ka qenë momenti më i vështirë në karrierën e tij. Shkodër, kampionati kombëtar i vitit 1960. Ka mundur Fadil Efovinë dhe e pret një tjetër “match” i ashpër, ai ndaj shkodranit Alfred Ashiku, që përfaqëson Partizanin. Bashkë me të edhe publikun e ka kundër. Raundi i dytë, pas një shkëmbimi goditjesh ka ndier dorën e butë dhe ka kuptuar menjëherë se e majta ka një frakturë: i është thyer kocka.

Por, nuk ka zgjatur shumë, dhe një goditje me atë dorë, e ka lëshuar në tapet kundërshtarin. Asnjë sekondë nuk ka pritur, as vërshëllimat nuk e kanë ndalur, por me një mikun e tij ka hipur në një kamion, ka nxituar për në Tiranë te Panajot Boga, ortopedi i njohur. Në pak kohë ai ia ka rikuperuar dhe sërish në ring.

E paharruar me Gronjotin

Vetëm një herë është ndeshur me Dhori Gronjotin. Durrës, gongu sapo ka rënë dhe boksierët janë ende në pozicionet e tyre me kurriz nga qendra. Papritur ka ndier grushte në qafë e kokë. Janë të Dhori Gronjotit, që nuk ka respektuar rregullat. Është befasuar, kur edhe arbitri ka ndërprerë lojën për t’i dhënë nokdaun për Jankun.

Por, e ka rimarrë veten dhe përballja ka vazhduar. Për disa gabime teknike, si pasojë e mungesës së experiences, arbitri e ka ndërprerë lojën duke e ndëshkuar Gronjotin, që në shenjë proteste e ka braktisur raundin e dytë dhe krejt takimin.

Frikë nga goditja e tij

Qëndrueshmëri nervore, kthjelltësi, saktësi, forcë, befasi. Me një shikim shpues, për 12 vite radhazi i ka fituar të gjitha takimet shumë shpejt, madje shumë prej tyre pa përfunduar, ose në pak raunde. Dikush ka rënë në tapet, të tjerë janë tërhequr.

U bë i frikshëm dhe me të nuk kishte dëshirë të ndeshej askush, pasi humbja ishte thuajse e sigurt. Të gjithë, spektatorë, boksierë, trajnerë, prisnin momentin goditës të së majtës, që për një dekadë ka qenë “vrasëse” dhe që ka identifikuar boksin shqiptar.

Ka pasur raste që boksierë, miq të tij, nga frika se ai mund të boksonte edhe në pesha të tjera, e pyesnin gjithmonë në konfidencë se në cilën kategori do të boksonte: pasi u tregonte, ata ndryshonin, duke boksuar në tjetër peshë, vetëm për t’iu shmangur e për të mos u ndeshur me të.

Gruaja, më shumë se e tillë

Ka bërë sport, por edhe ka dashuruar. I ka pëlqyer një vajzë me emrin Marie, që banonte afër shtëpisë dhe me të është fejuar, pastaj martuar. Një fejesë dhe një martesë jo si të tjerat, pasi jeta, karriera e një boksieri e bën krejt të veçantë bashkëjetesën familjare.

Por, për Todin jo shumë. Ka qenë gruaja e tij që e ka shoqëruar, e ka ndjekur në kulmin e formës, madje duke qenë e pranishme në takimet më të rëndësishme e të vështira të karrierës. Deri ditën që u martua, pastaj jo.

E fundit dhe braktisja pa kthim

Kundërshtari Allushi është tërhequr dhe Janku është shpallur kampion. Është titulli i 12 radhazi. Por, njëkohësisht ka vendosur të mos boksojë më.

Në tetor, pas dy takimeve me koreanët, në të cilat nuk merr pjesë, një grup boksierësh po përgatiten për në Ganefo dhe Rexhep Rama, një mik i madh për të, e ka ftuar të jetë, por për kampionin kthim mbrapa nuk ka. Është muaji nëntor 1963, kur papritur vjen urdhri që boksi të ndërpritet dhe të mos zhvillohet më në Shqipëri.

Motivi zyrtar nuk u tha dhe ende sot nuk dihet. Sapo ka filluar miqësia me kinezët, duke qenë se ky sport nuk aplikohej prej tyre, mund të ketë qenë edhe ky një motiv. Por, ai u ndërpre në kohën kur po lulëzonte, kishte cilësi, rivalitet, pasion. Todi Janku iu rikthye boksit, pas shumë vitesh, kur ai u lejua sërish, pak kohë si trajner dhe fund.

Lidhja me fenë

Marrëdhëniet me fenë, dashurinë, respektin i ka mbajtur shumë sekrete dhe i ka ruajtur thellë në heshtje, pa ia shprehur askujt. Gjithmonë para një takimi, Todi Janku shkonte në Teqenë e Dervish Hatixhesë në Tiranë, pa e parë askush në mbrëmje hidhte 100 lekë nga dritarja e mbrapme e saj. As gruaja, asnjeri nuk e ka ditur këtë rit sistematik në vite të tij.

Gjithçka u zbulua pas ’90-ës kur me dëshirë e pasion, por më shumë për humanizëm ka ndihmuar në ringritjen e kishës. Iu rikthye profesionit, mori veglat, ato që mundi të gjejë për të kontribuar në ringritjen e kishës, që prej kohësh shërbente si palestër sportive.

Familja dhe dorezat e ruajtura

Ndonëse e ka konsideruar sport të rëndë, por nuk do të kishte ushtruar asnjë tjetër, përveç boksit, edhe pse e filloi rastësisht, në moshë pak të madhe, por që do t’i jepte famë, emër, lavdi, nderim, vlerësim, gjithçka.

Ka dy djem, që nuk e ndoqën karrierën sportive të tij, por thoshte se do të donte të kishte edhe një vajzë. Të gjithë në familje janë të majtë. Vetë Todi me të majtën ushqehet, ka boksuar, punonte, pinte duhan, kafe, shoqëronte kur bisedonte. Mbahej shumë mirë, deri në moshën 87 vjeç, kur u shua.

Asnjëherë abuzim me pijen, pak duhan, por pa e tepruar. Me një kujtesë të admirueshme dhe një harmoni në renditjen e ngjarjeve, protagonistëve. Përmbi të gjitha i dashur, i qeshur, modest me një thjeshtësi përtej kufijve. Nuk harroi miqtë, kundërshtarët, arbitrat, deri në detajin më të vogël, nga takimi i parë tek i fundit.

Një një palë doreza i ka ruajtur me fanatizëm, ndonëse koha i ka vjetruar, por janë ato me të cilat ka boksuar. Bashkë me historinë është i vetmi kujtim me shumë vlerë që i ka mbetur, të tjerat i ka fshirë koha.

Sidoqoftë Teodor, apo Todi Janku mbetet një personazh i rrallë, me një karrierë përtej imagjinatës, me grushtin më të frikshëm, më të tmerrshëm e më të fortë për “Librin” shqiptar të këtij sporti. I papërsëritshëm!

KARRIERA SPORTIVE DHE MEDALJET

Teodor Janku (Todi Janku) ka lindur më 8 janar 1930 në Tiranë. Është një figurë e ndritur e sportit shqiptar e në veçanti e boksit shqiptar. Sportin e dorezave e ka ushtruar në vitet 1952-1963. Në vitin 1956 merr titullin “Mjeshtër Sporti”. Nga viti 1956 dhe deri më 1963, është trajner i Tiranës në boks. Boksier, kapiten i Tiranës dhe më pas i ekipit kombëtar të të rriturve. Në vitin 1971, Mjeshtër i Merituar i Sportit.

Është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë më 7 dhjetor 1995, dekreti Nr. 1316. Në karrierën e tij, Todi Janku është fitues trI herë i anketës së 10 sportistëve më të mirë në vitin 1959, 1960, 1961. Jo vetëm kaq, por është fitues i anketës “Boksieri më i mirë i shekullit| më 1996, si dhe super-anketës “10 sportistët më të mirë të shekullit” më 1998. Për 12 vjet rresht është “kampion kombëtar”, fitues i Kupës së Republikës, pikërisht në vitet 1952-1963.

Më 1999 është nderuar me titullin “Nderi i sportit shqiptar”, kurse në 2000-n nga Bashkia e Tiranës ka marrë titullin “Mirënjohje e qytetit të Tiranës”. Në kuadrin e Lojërave Olimpike “Athinë 2004”, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar e ka vlerësuar me urdhrin olimpik. Është nderuar me titullin “Mirënjohje” nga Federata Shqiptare e Boksit në vitin 2004, si dhe nga klubi sportiv Tirana më 2012.

Që nga viti 1991 është anëtar i grupit nismëtar për rilindjen dhe riorganizimin e boksit shqiptar, kurse për shumë vite ka qenë edhe anëtar i Komitetit Drejtues të kësaj Federate. Që nga viti 2001, Klubi Shumësportësh “Tirana” për nder të Todi Jankut organizon turne boksi për nder të tij. Ndërkohë për të janë shkruar shumë në Kalendarin Enciklopedik, Fjalorin Enciklopedik, Visaret e sportit shqiptar, Më të mëdhenjtë e sportit shqiptar, Homazhe për artistë e sportistë shqiptar, Historia e boksit shqiptar në dy vëllime.

U nda nga jeta më 17 shkurt 2017.

postbck postbck

Recent Posts

𝐊𝐨𝐧𝐭𝐫𝐢𝐛𝐮𝐭𝐢 𝐢 𝐇𝐨𝐱𝐡𝐚𝐥𝐥𝐚𝐫ë𝐯𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë 𝐧ë 𝐡𝐚𝐫𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐚𝐥𝐟𝐚𝐛𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐛𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞𝐯𝐞 𝐭ë 𝐠𝐣𝐮𝐡ë𝐬 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞

𝐊𝐨𝐧𝐭𝐫𝐢𝐛𝐮𝐭𝐢 𝐢 𝐇𝐨𝐱𝐡𝐚𝐥𝐥𝐚𝐫ë𝐯𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫ë 𝐧ë 𝐡𝐚𝐫𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐚𝐥𝐟𝐚𝐛𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐛𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞𝐯𝐞 𝐭ë 𝐠𝐣𝐮𝐡ë𝐬 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞” 🇦🇱 📚…

18 minutes ago

Dita Kombëtare e Alfabetit, sot publikohet drafti i fjalorit të Gjuhës Shqipe

Sot është Dita Kombëtare e Alfabetit, ku do të prezantohet drafti i fjalorit të rinovuar…

45 minutes ago

Pamje të rralla nga Rugova, në vitin 1961 (Video)

RETROSPEKTIVË: Pamje të rralla nga Rugova, në vitin 1961 (Video) https://www.facebook.com/watch/?v=550225794417404&rdid=2l0cmv6oLgz5kHUY

1 hour ago

Dy thelpinj hudhra në ditë – ja si ndikon në organizëm

  Hudhra është një burim natyral i shumë ushqyesve të domosdoshëm për shëndetin e organizmit.…

1 hour ago

Pastroni veshkat tërësisht me kurën natyrale të qepës

Veshkat janë të rëndësishme për nxjerrjen e toksinave dhe helmeve ushqimore jashtë organizmit. Procesi i…

2 hours ago