Pjesë nga vepra e publicistit dhe studiuesit Daut Dauti, Çështja shqiptare në diplomacinë britanike (1877-1880)
Kjo fotografi paraqet planin otoman të qytetit të Nishit. Pas pushtimit serbët e morën dhe ua paraqitën diplomatëve duke sugjeruar se do të bënin ndryshime, por pa i prekur ndërtimet ekzistuese. Në realitet, që në këtë moment pati ndryshime meqë “Arnaut Bazari” dhe “Arnaut Mahallesi’ “Pazari i shqiptarëve” dhe “Lagjja e shqiptarëve”), dy pjesë kryesore të qytetit që gjendeshin në bregun e lumit Nishava, ishin fshirë nga kjo hartë, gjegjësisht plani i qytetit. Pra, për të parandaluar kthimin dhe për t’i zhdukur gjurmët shqiptare, regjimi serb e rrënoi në tërësi pjesën më të bukur dhe më të rëndësishme të Nishit.
Në këtë vazhdim, pos aktiviteteve diplomatike, ofrohen edhe emrat e disa vendbanimeve dhe shifrat e shqiptarëve të përzënë dhe të vrarë nga regjimi okupues serb. Më në fund, nga 9 000 banorët shqiptarë, turq, hebrenj dhe çerkezë, nuk mbeti asnjë:
Me 15 tetor 1879 nga Nishi ishin përzënë edhe 25 familje myslimane nga masat që kishte ndërmarrë Kosta Pavloviqi, prefekti i këtij qyteti. Kur nënkonsulli britanik në Nish kërkoi sqarim për këtë vendimin, prefekti u përgjigj se një gjë të tillë po e bënte për shkak se këto familje nuk i kishin paguar taksat në tërësi. Disa prej tyre ishin përzënë edhe më herët nga Nishi, por ishin kthyer pa pasaporta serbe. Prefekti i kishte urdhëruar këto familje që ta lëshonin qytetin brenda 24 orëve dhe të linin pasuritë e tyre.
Gouldi kërkoi sqarim nga Ristiqi duke ia bërë me dije se përzënia e banorëve nga pasuritë e tyre nuk do të ishte vetëm shkelje e rëndë të Traktatit të Berlinit, por edhe krim kundër njerëzimit. Ristiqi, si zakonisht, theksoi se nuk kishte njohuri në lidhje me këtë veprim të kryetarit të Nishit dhe premtoi se do ta ndalonte menjëherë përzënien e myslimanëve nga ky qytet. Gouldi ia përkujtoi Ristiqit faktin që qeveria serbe kishte premtuar shkarkimin e këtij kryetari i cili edhe më herët kishte bërë “gabime” të shumta të kësaj natyre. Pastaj Gouldi shkoi te Sermed Efendiu për t’ia bërë me dije këto lajme. Sermed Efendiu nuk ishte në gjendje të kishte informata pa ndihmën e britanikëve, pasi që qeveria serbe nuk e lejonte konsullin otoman në Nish që të dërgonte telegrame të natyrës politike, duke u arsyetuar se ende nuk ishte nënshkruar Marrëveshja Konsullore në mes Perandorisë Otomane dhe Principatës së Serbisë.
Nënkonsulli Bakeri kishte përpiluar një raport në lidhje me vuajtjet e popullatës myslimane dhe hebreje në Nish, nën udhëheqjen e prefektit Pavloviq. Këtë raport me të dhëna të dokumentuara, Gouldi, në formë ankese, ia dorëzoi Ristiqit.
Bakeri kishte përgatitur një raport të gjerë ku përfshinte jetën në qytetin e Nishit gjatë sundimit otoman dhe kohën kur ky qytet kishte kaluar nën sundimin serb. Raporti ishte i pajisur me detaje të shumta dhe shifra të cilat paraqitnin (përafërsisht) numrin e popullsisë që kishte jetuar dhe që jetonte në këtë qytet. Sipas këtij raporti, gjatë sundimit otoman, Nishi kishte 19 000 banorë. Diku rreth 10 000 ishin të krishterë (me siguri shumica dërmuese serbë), 8 000 myslimanë (këtu llogariteshin 1 500 shqiptarë, turq por edhe ushtarët e një garnizoni të vogël në qytet), 700 hebrenj dhe 300 çerkezë. Qyteti kishte 15 xhami, së bashku me katër xhami brenda mureve të kalasë. Struktura e popullsisë kishte ndryshuar dukshëm me rënien e qytetit nën regjimin serb. Nishi, në shtator të vitit 1879 kishte 13 000 banorë d.m.th. 6 000 banorë më pak se gjatë sundimit otoman. Prej tyre 12 000 ishin serbë (2000 më shumë se nën sundimin otoman). Numri i myslimanëve të mbetur ishte 300, i hebrenjve 700 por nuk kishte mbetur asnjë çerkez. Nga 15 xhamitë që ekzistonin tashti kishin mbetur vetëm tri pa u rrënuar.
Para kapitullimit të qytetit, disa familje turke dhe disa shqiptare ishin tërhequr brenda mureve të kalasë. Shtëpitë që kishin lënë në qytet u ishin plaçkitur nga ushtarët, kurse myftiut të qytetit ia kishin plaçkitur edhe rrobat nga trupi. Kur turqit dhe shqiptarët u larguan nga Nishi, gjenerali serb, Belimarkoviqi, u kishte premtuar se do t’ua ruante pasuritë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Serbët, me të okupuar qytetin shkatërruan disa qindra shtëpi. Në tërësi u shkatërrua “Arnaut Bazari” dhe “Arnaut Mahallesi”. Kjo ishte pjesa më e bukur e qytetit që banohej nga shqiptarët dhe turqit, por që u rrëzua përdhe pasi që pushteti i ri serb e shpalli këtë pjesë si të “pasigurt” për banim. Shtëpitë që mbetën në këmbë u shitën nga pushteti lokal me çmime simbolike, pa marrë parasysh që kjo shitje ishte ilegale. Një shtëpi e re, e cila kohë më parë ishte blerë 300 dukatë nga një shqiptar, tashti ishte shitur për 20 dukatë. Një pjesë e madhe e shtëpive të joserbëve u shkatërruan kinse për shkak të planit urbanistik. Situata ishte e njëjtë edhe në pjesën rurale të rrethit të Nishit. Diku rreth 100 çifligje (ferma) ishin okupuar nga serbët të cilët refuzonin kthimin e tyre në duart e pronarëve ligjorë të cilët ishin turq ose shqiptarë. Këta njerëz, dikur elita e qytetit, tashti keqtrajtoheshin dhe nuk kishin gjasa ta gëzonin të drejtën e disponimit me pasuritë e tyre.
Një raport tjetër për keqtrajtimin e popullsisë joserbe e kishte përgatitur edhe konsulli otoman, Nikollaidesi, ku flitet në veçanti dhe në detaje edhe për shqiptarët dhe pasuritë e tyre në qytetin dhe rrethinën e Nishit. Raporti i Nikollaidesit përmbante shifra edhe të banorëve shqiptarë të 87 fshatrave të rrethit të Leshkofçes (sot Leskovac – serbisht). Numri i banorëve shqiptarë në 87 fshatra ishte 16 327 të cilët kishin jetuar në 2 445 shtëpi. Prej tyre ende jetonin në pasuritë e veta 1 954 veta kurse ishin shpërngulur 13 862. Të vrarë nga serbët apo të vdekur në burgjet serbe ishin 511 veta.
Sa i përket Urkuipes (Toplicës ose Prokuples) ekzistonin 72 fshatra shqiptare me 1 785 shtëpi që kishte një popullsi prej 13 289 banorë. Numri i atyre që ishin shpërngulur ishte 12 468 kurse 771 ishin vrarë në luftë me serbët.
Rajoni i Kurshumlisë kishte 68 fshatra shqiptare me 1563 shtëpi dhe 12 734 banorë. Prej tyre 11 924 banorë ishin shpërngulur kurse 810 kishin vdekur në luftë. /Telegrafi/
Sezoni i ngrohjes ka filluar dhe shumë prej nesh ngrohin shtëpitë edhe gjatë natës. Megjithatë,…
Në vitin 1943, etnologët gjermanë Karl Christian von Loesch dhe Wilhelm E. Mühlmann botuan një…
Është një ndërtim tradicional që përdoret për ruajtjen e ushqimit, veçanërisht për drithërat dhe prodhimet…
Zana Islami/ Trungu&InforCulture.info Rutinat ditore shpesh mund të duken tëzakonshme dhe monotone, por ato…
Zana Islami / Trungu&InforCulture.info Në botën e sotme, suksesi profesional dhe personal nuk matet vetëm…
Ngrënia e disa ushqimeve bazuar në grupin tuaj të gjakut mund të përmirësojë shëndetin…