Dikush më merr në mëngjes në telefon dhe thotë: “Të pashë në ëndërr. Mirë je?” Sigurisht që jam mirë. Kam ngrënë mëngjes dhe kam pirë kafenë. Po ti që më telefonon, përse shqetësohesh thjesht nga një ëndërr? Është e zakontë kjo për njeriun, megjithëse jetojmë në kohëra moderne. Ku i ka gjurmët ky supersticion? Sigurisht, te paraardhësit, të cilët jo vetëm i besonin ëndrrat si parathënie të diçkaje që do të ndodhte, por i interpretonin si një komunikim i hyjnores me njeriun. Për paganët ishin zotat. Për të krishterët ishte Perëndia i Triqenshëm. Për myslimanët ishte Allahu, e kështu me radhë. Secili besimtar përdorte emërtimet e veta. Kurse tekstet, ama, i kishin fort të ngjashme: që nga Artemidori i Greqisë klasike, tek astrologët anonimë të bizantit të krishterë apo të perandorive teokratike islame, të gjithë përdorin pothuaj të njëjtat tekste, të cilat i modifikojnë dhe i përshtatin për kohën dhe religjionin e tyre. Një tekst të tillë, që në bizant quhet Oneirokritis (Interpretues ëndrrash), e pikasëm para 4 vitesh në bibliotekën e Arkivit Qendror Shtetëror të Shqipërisë. Është një dorëshkrim i vogël, kopjuar në shek. XV, i cili na flet për vijimësinë e kësaj tradite edhe në trojet shqiptare gjatë Perandorisë Bizantine.
Oneirokritikon nga Ahmed ibn Serim është një tekst i kopjuar në gjysmën e dytë të shek. XV, shkruar në letër, përmban 96 fletë me përmasa 145 x 110 mm. Dorëshkrimi nuk ka kapakë, por ruan një pjesë të dëmtuar të lidhjes. Fashikujt përbëhen prej 6 apo 8 fletësh dhe nuk bartin numërtim. I pari prej këtyre fashikujve mungon, duke bërë që teksti të fillojë me kreun 15. Dorëshkrimi përfundon me kreun 272. Është kopjuar nga një kopist anonim. Teksti, siç e thotë edhe titulli, është një interpretim ëndrrash. Autorësia i atribuohet Ahmetit, të birit të Serimit, informacion që jepet edhe në f. 3 të dorëshkrimit: “Ἠλθεν ἄν(θρωπ)ος ἱρότι|σας με τὸν Ἀχμέτην, τὸν ὐιών Σιρεὶμ τὸν ὄνιρω|κριτὴν τοῦ προτουσηβούλου Μαμμουνή…” (Erdhi një njeri dhe më pyeti, mua, Ahmedin, të birin e Serimit, interpretuesin e ëndrrave të këshilltarit të parë, Mamunit). Në f. 13 dorëshkrimit i është ngjitur një letër e trashë, bashkëkohore, e cila mban nr. 289. Përveç kësaj shenje, dorëshkrimi nuk mban asnjë shënim tjetër, duke mos na dhënë asnjë informacion mbi kopistin, prejardhjen apo përdoruesit e mëparshëm. Interpretimi i ëndrrave është një traditë fort e lashtë. Interpretimi më i hershëm i një ëndrre jepet tek Epi i Gilgameshit, ku Gilgameshi sheh ëndërr një sëpatë që bie nga qielli, të cilën e përqafon. Në Egjiptin e lashtë ëndrrat dhe priftërinjtë që interpretonin ato kishin vend të veçantë në shoqëri. Interpretimi i ëndrrave shfaqet disa herë, në çaste kyçe, në Torahun e hebrenjve, dhe sillet mes të krishterëve dhe myslimanëve në Dhjatën e Vjetër dhe në Kuran, duke e bartur interpretimin e ëndrrave si një nga mënyrat përmes të cilave Zoti komunikon me njerëzit dhe interpretimi i tyre është privilegj i njerëzve të zgjedhur. Grekët e lashtë u besonin kaq shumë ëndrrave, saqë ndërtuan tempujt e Asklepit, ku të sëmurët mjekoheshin përmes ëndrrave. Prandaj dhe Artemidori, në shek. II pas Krishtit, shkroi një libër të gjatë titulluar Oneirokritikon (njësoj si libri ynë), për interpretimin e ëndrrave. Pas Artemidorit, bizantinët, nga njëra anë, dhe arabët, nga ana tjetër, hartojnë tekstet e tyre, sa duke huazuar diturinë e paraardhësve, aq edhe duke shkëmbyer informacion rreth tyre.
Libri të cilin prezantojmë është një pranëvënie fragmentesh nga tekste ekzistuese shkruar në arabisht, të cilat, nga ana e tyre, qenë ndikuar dhe patën huazuar fragmente nga interpretimi i ëndrrave të Artemidorit. Kështu, te libri i Ahmed ibn Serimit hasim edhe traditën e interpretimit të ëndrrave sipas grekëve të lashtë, por edhe sipas arabëve myslimanë. Të dyja këto tradita, ndërkaq, bartin brenda tyre elemente të interpretimit të ëndrrave sipas persëve dhe egjiptianëve. Interpretimi i ëndrrave sipas Ahmedit, të birit të Serimit është një variant i krishterë i interpretimit të ëndrrave, shkruar në fund të shek. IX ose në shek. X. Autorësia i atribuohet Ahmed / Muhamed ibn Serimit, i cili vdiq më 728, dhe ishte një nga figurat më të rëndësishme të islamit gjatë periudhës fillestare të besimit. Ndoshta teksti i atribuohet atij për t’i dhënë më shumë autoritet librit, ose ndoshta si pasojë e një keqkuptimi të njërit prej kopjuesve të tekstit.
Temat e ëndrrave që trajton libri nuk janë renditur në rend alfabetik, por në rend tematik me prirje zbritëse: në fillim trajtohet hyjnia dhe bota qiellore, pastaj tematika zbret te njeriu, duke interpretuar pjesët e trupit, nga koka deri te këmbët, trajton veprimtaritë njerëzore dhe kalon te mjedisi tokësor, te flora dhe fauna. Ngjallja e të vdekurve është simboli i parë të cilin trajton Interpretimi i ëndrrave. Më pas vjen interpretimi i parajsës, ferrit dhe engjëjve.
Interpretimi i ëndrrave i Ahmed ibn Serimit është përkthyer dy herë në latinisht në periudhën e mesjetës, më pas në frëngjishten e vjetër, në anglishten e Normandisë, në italisht, në sllavishte të vjetër, në gjermanisht, etj.
Po përkthejmë këtu disa fragmente nga Oneirokritis i Ahmet ibn Serim-it
Familja Kastrioti me të drejtë ka zënë një vend të gjerësishëm në historinë shqiptare, duke…
Përshkrimet në superlativ për Shqipërinë dhe shqiptarët janë të pafundme. Interesimi i të huajve për…
Këtë foto të huajtur nga Micky Haxhiislami postuar në grupin “Albanian Vintage Photography, people, cities,…
Shkaqet e kancerit kanë mbetur të pakapshme, duke e bërë të vështirë zhvillimin e…
Tatuazhi është një formë e artit dhe shprehjes personale që ka ekzistuar për mijëra…
Shenjë delikate në këmbë që mund të nënkuptojë një sulm në zemër, paralajmëron mjeku…