Përse Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk mori pjesë në Betejën e Dytë të Kosovës, në vitin 1448?

Ahmet Qeriqi: Përse Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk mori pjesë në Betejën e Dytë të Kosovës, në vitin 1448?

Beteja e Dytë e Kosovës e vitit 1448, u ndërmor nga Aleanca e Evropës së Krishterë në prag të 60-vjetorit të humbjes së Betejës së Kosovës, të vitit 1389. Ajo kishte për qëllim, jo vetëm ta ndalonte përparimin ushtarak turk, në viset e Ballkanit e tutje drejt vendeve të Evropës, por edhe ta dëbonte atë nga Ballkani. Për këtë ndërmarrje më shumë dëshirore e më pak realiste, kryekomandanti i ushtrive të krishtera të Evropës, Janosh Hunjadi kishte përgatitur  me kohë elitën kalorsiake të Evropës Lindore e më gjerë, me qëllim të dëbimit të turqve.

I trimëruar nga Beteja e Nishit e nëntorit të vitit 1443, ku Gjergj Kastrioti Skënderbeu ia kishte mundësuar fitoren, duke braktisur ushtrinë perandorake Osmane, në krye të së cilës ishte nisur me dhjetëra mijëra ushtarë, Hunjadi fitoren ia kishte përshkruar vetes dhe kishte nënçmuar rolin vendimtar të betejës,  të cilën e kishte vendosur, Skënderbeu.

Në historinë e mesjetës serbe nuk fshihet fakti se Hunjadi ishte mbështetur shumë në forcat e Skënderbeut, por nuk i kishte pritur ato.

Te beteja erdhi pas konstatimit të Hunjadit  se është momenti i duhur për të iu dhënë një grusht të fortë osmanlinjve  dhe për t i përzënë nga Ballkani. Me një qëllim të tillë ai ishte nisur drejt Kosovës, duke menduar të bashkohej me forcat e Skënderbeut, duke planifikuar fushatën kundër Sulltan Muradit të Dytë. Po Sulltani pa vonuar i kishte shpartalluar forcat hungareze, pa arritur që ato të bashkoheshin forcat aleate. ( Косовска битка (1448).

Betejën e Dytë të Kosovës,  në mënyrën me të saktë dhe me një metodologji më të avansuar, studimore e shkencore të kohës,  e ka përshkruar historiani më i njohur austriak i Perandorisë Osmane, Joseph von Hammer  në librin e tij” “Historia e Perandorisë Turke Osmane”, botim i vitit 1979, në gjuhën serbokroate, në Zagreb, në tri vëllime me rreth 1900 faqe.

“Hunjadi kishte udhëhequr elitën më të bukur dhe më të organizuar krishtere, që kishte dhënë asokohe Hungaria, e cila kishte mobilizuar më shumë se 24 mijë ushtarë, pastaj në mesin e asaj ushtrie ishin edhe tetë mijë vlleh nën komandën e Danit, të cilin Hunjadi e kishte emëruar në vend të Drakulës,  dy mijë ushtarë gjermanë e çekë të njohur të artilerisë  e të tjerë. Ai kishte kaluar Tunën, nëpër territorin e Serbisë Vasale, e cila nuk kishte pranuar ta ndihmonte Hunjadin.  Ushtria e Hunjadit  ishte pozicionuar në fushën e Kosovës, në tetor të vitit 1448 dhe për një ditë kishte kaluar lumin, ndërsa ushtria e Sulltan Muradit të Dytë, për tri ditë mezi kishte arritur ta kalonte. Joseph von Hammer  në librin e tij” “Historija Turskog Osmanskog Carstva””, botim i vitit 1979, në Zagreb, faqe 138-139.

Janosh Hunjadi ( 1397-1456) i trimëruar me fitoren që kishte korrur në Nish e më herët në Varne, kishte lidhur aleancë ushtarake me Skënderbeun më 10 shtator të vitit 1447  dhe kjo nënkuptonte edhe pjesëmarrjen në Luftën e Dytë të Kosovës. (A.Q. Në gjurmim të lashtësisë, RKL, Prishtinë 2002 faqe 61.) Më 10 shtator të vitit 1447 Gjergj Kastrioti, Skënderbeu dhe Janosh Hunjadi arrijnë një marrëveshje për luftë  të përbashkët kundër ormanëve, thuhet në burimet historike shqiptare dhe hungareze, por nuk precizohet vendi ku ata kanë nënshkruar marrëveshjen as niveli përfaqësues  i tyre.

Nëse është për t’ i besuar versionit serb të Luftës së Dytë të Kosovës, aleanca ishte lidhur pak kohë para betejës dhe Sulltani kishte shfrytëzuar çastin për të sulmuar magjarët para se të arrinte Skënderbeu me ushtrinë e tij.  Po ashtu burimi tjetër historik bën të ditur se Skënderbeu, në atë kohë, ishte i zënë me luftë kundër venedikasve, të cilën e mbanin Shkodrën nën okupim.

Duke folur për këtë marrëveshje, historiani hungarez, Laszlo Veszpremy, ka shkruar se, Figura e Janosh Hunjadit mund të krahasohet me atë të heroit tuaj kombëtar Skënderbeut për nga përmasat që mbart. Nuk e di nëse këta dy udhëheqës mund të jenë takuar ndonjëherë personalisht, por ama sipas të dhënave që kemi ata kanë shkëmbyer korrespondencë dhe kanë hartuar plane të përbashkëta strategjike kundër mësymjes së perandorisë Osmane. Madje në një prej fitoreve më të mëdha të Janosh Huniadit, Skënderbeu ka luajtur një rol kyç”, shkruan mes tjerash, historiani hungarez.

(ATSH: Laszlo Veszpremy Veszpremy.  8. 10. 2018)

Paraprakisht, ka të dhëna nga ku mund të dëshmohet se  Janosh Hunjadi i kishte kërkuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut t i bashkohej ushtrisë  së krishterë të Evropës me 10 mijë ushtarë. Në parim Skënderbeu kishte pranuar pjesëmarrjen, por kishte kërkuar kohë për një mobilizim të tillë, duke qenë se ishte në luftë të drejtpërdrejtë me osmanët dhe nuk mund ta rrezikonte fitoren që e kishte korrur, kundër tyre. Këto të dhëna i ka prezantuar historiani austriak Hammer në librin e tij për Perandorinë Turke Osmane.

Janosh Hunjadi nuk e kishte pritur Skëderbeun, mbase edhe me besim të patundur se vetë do të korrte fitore, të cilën nuk donte ta ndante me askënd, pasi edhe ashtu del të ishte përfolur se Betejën e Nishit e kishte fituar në krah të Skënderbeut. Hunjadi fitoren në Nish, pesë vjet më parë  ia kishte përshkruar ushtrisë së tij dhe jo Skënderbeut, i cili ia kishte mundësuar atë.

Duke shkruar për këtë marrëveshje, hisroriani, Hammer ka komentuar edhe fundin fatal të  luftës së Hunjadit, madje shkaktarin kryesor të humbjes e kishte piketuar vetë mendjemadhësinë e tij.  “Hunjadi në vend se ta priste ushtrinë e Skënderbeut  në vijat e barrikaduara të frontit, ai i doli përballë ushtrisë turke në brigjet e Lumit Sitnicë.

Më 17 tetor të vitit 1448, dy ushtritë ndodheshin përballë njëra-tjetër, Ushtria turke ishte shumëfish më e madhe në numër sesa kishte menduar Hunjadi. Në atë luftë nuk kishin marrë pjesë ushtritë vendore, shqiptare, sllave apo vllahe, meqë Hunjadi as i kishte llogaritur në to.  ( (Joseph von Hammer: “Historija Turskog Osmanskog Carstva”, Zagreb, 1979, faqe 138-139. )

Duke marrë para sysh rrjedhat e përgjithshme shoqërore, ushtarake, strategjike të kohës, duke u mbështetur në literaturën e pakët, jo edhe aq të munguar, por pak të studiuar, arrijmë në përfundim se Skënderbeu, ishte krye-strategu i kohës së tij. Ai i kishte mundësuar fitoren e lehtë dhe pa shumë pasoja, Janosh Hunjadit, i cili mbase edhe nuk kishte arritur ta kuptonte se një luftë përballë Ushtrisë Osmane  në krye  me Skënderbeun nuk do fitonte kurrë. Ai këtë e kuptoi pas humbjes së Betejës së Dytë në Kosovës më 17 tetor të vitit 1448.

Në librin Historia Osmane 1326-1699 të historianit, Turnbull, në faqen 36, (versioni në gjuhën serbe) shkruan: Hunjadi i printe ushtrisë prej 24 mijë luftëtarësh të zgjedhur magjarë si dhe  8.000 vllehë por kishte pësuar një humbje fatale, ende pa e parë aleatin e tij shqiptar, është fjala për Skënderbeun,

Turnbull, The Ottoman Empire 1326-1699, страна 36 „Хуњади је предводио војску од 24.000 људи, укључујући и 8.000 влашких војника, али је претрпео још један пораз, а да није успео да види свог албанског савезника.“

Ky relacion historik nuk është studiuar sa duhet dhe nuk është parë në raport  me zhvillimet reale të kohës. Në vitin 1448, dihej se Skënderbeu ende nuk e kishte konsoliduar Lidhjen e tij. Po atë vit ai luftoi kundër venedikasve që e mbanin Shkodrën nën pushtim dhe administrim. “Shkodranët vasalë të venedikasve luftojnë kundër Skënderbeut. (Das venezianische Albanien (1392–1479). München: R. Oldenbourg Verlag GmbH. f. 490.

Disa shtete të Evropës dhe Vatikani e lavdëronin Skënderbeun dhe luftën e tij por nuk e ndihmonin ushtarakisht. Nuk ka të dhëna reale, të faktuara dhe të dokumentuara për ndihmën logjistike e ushtarake që do t’ i kenë dhënë të krishterët e Evropës, sepse thjesht nuk besonin se ai do të mund të qëndronte aq gjatë dhe aq fuqishëm kundër Perandorisë më të fortë të botës në atë kohë dhe për pesë shekuj rresht…

Me vdekjen e Skënderbeut në vitin 1468 dhe rënien e Shkodrës 10 vjet më vonë, në vitin 1478, kishte marrë fund rezistenca kundër Perandorisë Osmane në shtetet e Ballkanit, për disa shekuj me radhë.

Me rënien e mbretërive të krishtera të Serbisë, Bosnies dhe Arbërisë, turqit iu afruan kësaj krahine edhe njëherë. Më 1474 Bejlerbeu i Rumelisë, Sulejmani, rrethoi Shkodrën, por qyteti u mbrojt trimërisht nga Antonio Loredano dhe 2500 ushtarë, me ndihmën e anijeve venedikase në Bunë dhe në det, e me ndihmën e Cërnojeviqit zetas dhe malësorëve arbërorë. Rrethimi i dytë i Shkodrës më 1478 , i radhitur prej priftit Marinus Barletius në latinishte, u drejtua personalisht nga Sulltan Mehmed Ngadhënjyesi. Venedikasit mbrojtën heroikisht, por u detyruan të evakuoheshin pas marrëveshjes së paqes në Stamboll, në vitin 1479. Prej 1600 ushtarëve, vetëm 450 qëndruan në qytet. Popullata që u largua, nën prijësin e tyre Florio Jonimën, u vendosën në Venecie, Ravena dhe Treviso.

Thalloczy, Lajos (2004) [1917]. Vëzhgime iliro-shqiptare).

Duke shkruar për marrëdhëniet e Skënderbeut me prijësit vasalë të shteteve të Ballkanit e të Evropës, studiuesi më i zellshëm dhe më i thellë  i historisë sonë kombëtare, dr. Kristo Frashri ka shkruar:

“Çfarë bënë princat dhe peshkopët serbë gjatë kësaj kohe? Asnjë prej tyre nuk lëvizi për të luftuar kundër armikut të përbashkët. Kur kalaja e Krujës dhe e Sfetigradit, Fusha e Torviollit dhe e Albulenës ushtonin nga lufta epike e shqiptarëve asnjë kalorës serb nuk erdhi në Shqipëri ku luhej edhe fati i atdheut të tyre. Përkundrazi, Gjergj Brankoviqi, i biri i Vukut të Betejës së Kosovës, tani vjehrri i sulltanit Fatihut, e pengoi Skënderbeun në vitin  1448 që të bashkohej me Janosh Huniadin gjatë fushatës hungareze antiosmane. Nënshtrimi i tyre ndaj sulltanit tregoi se fryma e rezistencës së Betejës së Kosovës tek ata ishte fashitur. Te shqiptarët përkundrazi ajo kishte mbetur gjallë. Asgjë për t’u çuditur, sepse për shqiptarët kjo betejë ishte luftë për tokën e tyre amtare për të mbrojtur lirinë e saj dhe jo për të mbajtur nën zgjedhë një tokë të pushtuar.  ( Dr: Kristo Frashri:  Shqiptarët në Betejën e Kosovës të vitit 1389.

Beteja e Dytë e Kosovës e vitit 1448, nuk është shënuar në kujtesën e popullit shqiptar dhe nuk janë kënduar këngë për të, në radhë të parë për faktin se shqiptarët as ishin ftuar për të marrë pjesë, as kishin qenë në krye të luftës trimat e arbrit, sikur kishin marrë pjesë në ballin e luftës  në Betejën e Parë të Kosovës të vitit 1389, në krye me Milush Nikollë Kopiliqin, të cilin e ka ruajtur memoria jonë kombëtare me mijëra vargje, për të arritur deri në ditët tona. Ahmet Qeriqi, Gjurmime dhe Studime, Prishtinë 2011.

Kujtesa popullore serbe për Luftën e Dytë të Kosovës ka ruajtur vetëm dy fjali thumbuese e cinike për Hunjadin: Vonë arriti Janko në Kosovë, ( Kasno stize Janko na Kosovu) duke aluduar në mospjesëmarrjen  e forcave hungareze dhe evropiane në betejën e parë të Kosovës, të vitit 1389  dhe krahasimin fatal të humbjes së ushtrisë së tij, “ka pësuar tmerrësisht, sikur Janko në Kosovë”.  (Stradao kao Janko na Kosovu) Vikipidia serbisht.

Literatura:

Dr: Kristo Frashri:  Shqiptarët në Betejën e Kosovës të vitit 1389. 

ATSH: Laszlo Veszpremy Veszpremy.  8. 10. 2018.

 Ahmet Qeriq:. Në gjurmim të lashtësisë, RKL, Prishtinë 2002.

Ahmet Qeriqi: Milush Kopiliqi serb apo shqiptar, Prishtinë, 2003.

Ahmet Qeriqi: Gjurmime dhe Studime, Prishtinë 2011.

Joseph von Hammer: “Historija Turskog Osmanskog Carstva”, Zagreb, 1979. 

Thalloczy, Lajosh: Vëzhgime iliro-shqiptare, 1917. 

Das venezianische Albanien (1392–1479). München: R. Oldenbourg Verlag GmbH. f. 490.

Косовска битка 1448 godine.

postbck postbck

Recent Posts

Ja gabimi që të gjithë bëjnë kur përgatisin çajin

  Është fakt se bërja e një filxhani çaji duket dhe është një proces i…

29 minutes ago

Çfarë i Ndodh Trupit Nëse Hani Mandarina Çdo Ditë

  Mandarinat e Xarrës tashmë janë shndërruar në krenari, jo vetëm për zonën ku mbillen…

39 minutes ago

Lëngu i Rasojit ndihmon për këto probleme shëndetësore

  Në zonat më të thella të vendit qasja ndaj mjekësisë moderne ka qenë prej…

1 hour ago

Një neurolog ka zbuluar arsyet pse duart ju dridhen

  Një neurolog ka zbuluar ilaçet e zakonshme që mund të shkaktojnë dridhje të duarve.…

2 hours ago

Humbni 10 KILOGRAMË për vetëm DY JAVË me dietën e LIMONIT!

  Konsumimi i frutave që përmbajnë agrume është tejet i rekomandueshëm për njerëz që kanë…

3 hours ago

Çfarë i ndodh organizmit nëse konsumoni një lugë mjaltë herët në mëngjes

Mjalti i dhuron natyralisht fuqi organizmit, ai është antioksidant dhe armik i mikrobeve Nisja e…

3 hours ago