Rrjeti informativ i Skënderbeut

Prof. Irakli Koçollari

HESHTJA – MASKIMI MË I MIRË!

Mesjeta ishte epoka e ndeshjeve të mëdha dhe të përgjakshme, përplasjeve dhe pasojave të tmerrshme sociale, e kryqëzatave, dhunës, hekurit dhe zjarrit por edhe e rezistencës, qëndresës, mendjes dhe intuitës humane, e shpresës së popujve përballë sfidave fatale, të mbijetesës dhe kreshendos.

Dhe duket qartë se edhe populli ynë dhe heroi i saj kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhanë prova të denja sa në fushat e mëdha të përplasjeve violente aq edhe në ato të mendjes dhe gjenisë njerëzore.

Në vlerësimet e kësaj figure komplekse dhe multidimensionale nuk duhet gjykuar kurrsesi se apoteozat e tij u arritën vetëm përmes forcës së shpatës apo të ushtrisë së tij famëmadhe. Ato qenë produkt dhe mishërim sa i mjeshtërisë dhe artit të luftës që ai aplikoi, aq edhe i aftësive të tij për të krijuar aleanca dhe aleatë, i optikës brilante për të aplikuar një diplomacie aktive dhe multidimensionale, rajonale ballkanike dhe më gjerë europiane; i rivlerësimit të situatave politike në vend, i ndryshimeve dhe reformave juridike dhe fiskale, i vlerësimit të institucioneve dhe botës religjioze të popullsisë arbërore, i ngritjes së strukturave informative dhe rrjetit që do të parandalonte kurthet dhe pabesitë fatale të kohës. (1).

Duke qëmtuar pikërisht këtë çështje, nëpër dokumentacionin arkivor apo atë editorial, konstatohet herë qartazi dhe herë në nënrreshtat e dokumentit arkivor të kohës se qysh në përpjekjet e para drejt sfidës për braktisjen e Oborrit perandorak Osman, dhe kthimin e tij në tokën e të parëve, heroit i është dashur të shmangë një kalvar të tërë rreziqesh dhe të aplikojë me një intuitë perfekte rrugëdaljet sfidante përmes projekteve konspirativë.

Kështu, nga ato që na bën të njohura Barleti, mësojmë se përgjatë viteve që Skënderbeu mbahej peng dhe shërbente në Oborrin perandorak osman, ai qe përballur me kërcënime permanente, me rreziqe të cilat dukej se ai i vëzhgonte me shumë kujdes, për të evituar çdo pasojë. Duke iu referuar reshtave që na i përcjell në mënyrë mjaft koncize Barleti ne mësojmë këto fakte rreth kërcënimeve me të cilat përballej heroi:

 “Meqë këto pusira dhe kurthe të Tiranit, (Sulltanit) kundër Skënderbeut, po zbuloheshin pak e nga pak dhe dukej se do të ishte e vështirë të shpëtonte prej tyre, duke qëndruar pranë Tiranit, vendosi më në fund të vinte në zbatim planin e tij – për të çliruar mbretërinë atërore me burrëri dhe zgjuarësi, plan që mëndja e tij me zgjuarësi e kishte sajuar dikur dhe kërkonte të gjente rastin ta linte Muratin dhe të kthehej në Atdhe ….. (2.) (3).

Duke lexuar pohimet e mësipërme lind pyetja, – A kishte pasur një plan të fshehtë Skënderbeu për çlirimin e principatave atërore? – A kishte ngritur vërtet pusi dhe kurthe Sulltani kundër Skënderbeut sikundër pretendon humanisti ynë i madh? Tek e fundit shtrohet pyetja, – Përse Sulltani duhej ta ndiqte dhe të ngrinte kurthe kundër Skënderbeut, nëse ky ishte njeri besnik i Oborrit? Në mënyrë logjike duhet pranuar se Skënderbeu do të duhej të vihej në ndjekje dhe të ngriheshin kurthe vetëm nëse ai kishte ndërmarrë veprime të dyshimta, konspirative që vinin në dyshim besnikërinë e tij kundër Sulltanit. Por, – A kishte Porta e Lartë fakte të tilla të dyshimta për Heroin?

Njëri nga kronistët osmanë të kohës, sikundër Idrisi Bitlisi na sjell njoftime interesante dhe na bën me dije çuditërisht për këtë Plan të fshehtë, fakt se – Skënderbeu kishte komunikim të fshehtë dhe konspirativ me shqiptarë të panjohur, të cilët, vazhdimisht kishin punuar për t’i mbushur mendjen atij të vinte në trojet e të atit. Bitlisi pohon sa më poshtë:

“….. Puna ishte se një nga shërbëtorët e vjetër të Sulltanit, Shqiptari Iskander, që ishte rritur që fëmijë me të mirat e padishahut dhe që kishte gëzuar gjithë kujdesin, shpirtmadhësinë dhe ledhatimin e pakufizuar, i kandisur dhe i marë më qafë nga disa djaj njerëz, prej të pafeve ngatërrestarë, i shtytur nga lakmia për tu bërë mbret mbi të pafetë e Shqipërisë, duke pretenduar një prejardhje aristokratike të panjohur, papritur doli me pretendimin se sundimi dhe e drejta e qeverisjes së këtij vendi i përkisnin atij, duke i marrë si fakte të vërteta mashtrimet e kurdisura nga disa intrigantë të pafe.   … … Kështu në një mënyrë shumë të hidhur ai iku nga selia e lartë e halifatit dhe u nis për në Shqipëri. Mbasi u këshilluan me njëri tjetrin, kjo turmë ngatrestarësh me mashtrime dhe me gënjeshtra shtiri në dorë disa fortesa të këtij vendi … … (4).

Sikundër shihet nga ky dokument i kronistit Osman, Bitlisi, duket qartë se turqit kanë pasur informacione për Skënderbeun dhe kontaktet e tij periodike me njerëz “të pafe dhe ngatrestarë”!!! E thënë më shkoqur osmanët kanë pasur informacione për kontakte të Skënderbeut me shqiptarë kristianë të panjohur dhe elementë që i luteshin të kthehej në atdheun e të Atit …. Pikërisht, ky njoftim i kronistit osman Bitlisi, mbështet dhe vërteton plotësisht pohimet e Marin Barletit, i cili bën me dije se ndërsa Skënderbeu ishte peng pranë oborrit të Sulltanit kishte mbajtur kontakte me shqiptarë të cilët e nxisnin të kthehej në atdhe dhe të merrte fronin e të atit… … se e drejta e qeverisjes së këtij vendi i takojnë atij…. …

Dhe përderisa turqit kanë pasur këto informacione, për lëvizje dhe kontakte të dyshimta të Skënderbeut, ata sigurisht veçse e kenë survejuar dhe vëzhguar me kujdes, duhet të kenë ngritur kurthe dhe pusi kundër tij!… Në këto rrethana njoftimi i Barletit se “Skënderbeu përpiqej të gjente rastin të linte Muratin dhe të kthehej në Atdhe”, mer vlera bindëse dhe vërtetësie.

Në këto rrethana duket se janë akoma më bindëse dhe bëhen të besueshme pohimet që rreshton me poshtë Barleti kur shton:

“Ai nuk ja shfaqi askujt këto plane dhe dëshirat e tij mbeti e fshehur dhe nuk u muar vesh as me fjalë dhe as me ndonjë mënyrë tjetër… (pra nuk fliste dhe nuk bënte veprime demonstrative….)  … megjithëse atje kishte shumë prej racës epirote, të cilëve si shokë shumë të ngushtë mund tu zinte besë….

Megjithëse pas vdekjes të të jatit dërgoheshin tek ai njerës nga paria e Epirit, të nxitur nga emri i tij… ai e dinte mëndjelehtësinë njerëzore dhe e peshonte mirë rrezikun e madh prandj shtirej me urtësi sikur nuk donte të bëntë një gjë të tillë…

 Ai ishte në dyshim për mundësinë e marrjes së Krujës, pasi Tirani kishte vendosur aty një garnizon shumë të fortë, në mënyrë që të mos mundje të çlirohej as me forcën e armëve dhe as me anë të ndonjë force tjetër, veçse me ndonjë dhelpëri dhe zgjuarësi të veçantë.” (5). (6).

Nga këto paragrafë të Barletit, megjithëse fare shkurt, mësojmë për pjekurinë e admirueshme konspirative të Heroit, për heshtjen e thellë, maturinë në ruajtjen e sekretit, (sekreti është çelësi i suksesit në veprimtarinë konspirative) si dhe informacionin e hollësishëm që ai kishte rreth situatës ushtarake në fortesën e Krujës.

Duke respektuar me fanatizëm konspiracionin, fshehtësinë e planeve të tij të fshehtë, sikundër na thotë Barleti, “Me urtësinë dhe vëmendjen më të madhe ai kujdesej për bashkatdhetarët dhe për veten e tij, priste çdo ditë dhe gatiste rastin për të shpërthyer. (7).

PLANI KONSPIRATIV PËR MARRJEN E KRUJËS

Të përmbajtur, të kujdesshëm dhe të heshtur në synimet e tij e ka gjetur heroin data 3 Nëntor 1443 me 300 kalorësit e tij, ndërsa “Skënderbeu, duke parë se kishte ardhur koha, kur ai mund të plotësonte ato që kishte menduar, pra Planin e tij të hartuar qysh më parë, me zellin më të madh gatitej për disfatën e turqve. Së pari, filloi së bashku me legjionet e veta ti lëshonte dalëngadalë vend armikut e të kthente shpinën frontit, mandej me shembullin e tij tu ngjallte frikën të tjerëve dhe tu mbushte mendjen që të braktisur frontin”. (8).

Por, nuk ishte vetëm arratisja nga fronti i luftimeve qëllimi dhe thelbi i konspiracionit të planifikuar të Skënderbeut. Një tjetër fazë e këtij Plani të fshehtë do të duhej të realizohej prej tij, ndoshta më delikatja ndër tërë hapat e hedhur gjer atëherë. Ato çaste të anarkisë në front, ndërsa trupat osmane merrnin goditjet shkatërruese, biografët e Heroit sa ata shqiptarë Barleti, Noli, dhe Frang Bardhi dhe latinë Biemmi, por edhe kronistët osmanë (9). (10). na bëjnë me dije se:

“Ato çaste Skënderbeu gjente momentin dhe kurajën e një strategu … … për t’u rrëfyer Planin që e kishte menduar që më parë miqve të tij. Mes të tjerëve aty gjendej edhe nipi i tij, Hamzai …  Kur pa se fati i turqve në këtë betejë po perëndonte, ….  iu vu pas Sekretarit këshilltar të Pashait, të cilin e vëzhgonte më vëmendje dhe e kqyrte për këtë qëllim me kujdes.

“Pasi e kapi, e vuri në pranga dhe i shkuli shpejt e shpejt një letër për qeveritarin e Krujës, me anë të të cilës ky urdhërohej, në emër të Sulltan Muratit, ti dorëzonte Skënderbeut, të caktuar si sundimtar i ri, qeverisjen dhe të gjithë kujdesjen e qytetit të Krujës. Në letër u shkruan edhe shumë gjëra të tjera me qëllim që të krijohej siguria dhe beësimi më i madh tek qeveritari turk i Krujës.(meqë ai nga frika e vdekjes nuk bënte asnjë kundërshtim) (11). (12).

Me tu shkruar letra, sekretari u vra aty për aty me shokët e tij, me qëllim që të mos merrej vesh kjo çështje, për një kohë sa më të gjatë nga Sulltani Murati. (13)

Sigurisht, ky ishte një akt i menduar mirë, së pari  – që të mos përhapej lajmi se Skënderbeu kishte në duar një dokument të falsifikuar me anë të të cilit do të merrte në mënyrë të paligjshme Krujën; dhe së dyti – të kishte në dispozicion kohën e mjaftueshme për të mobilizuar trupat dhe popullsitë e krahinave arbërore për konfrontimet e afërta ushtarake që e prisnin, – gjersa Porta e Lartë të mësonte “tradhtinë e Skënderbeut dhe të mobilizonte trupat për hakmarrje.. …

Mbërritja në Krujë me treqind kalorësit e tij të besuar është një tjetër sfidë dhe skenar i përgatitur me mjeshtëri nga kryetrimi. Burimet na bëjnë me dije se Skënderbeu dekretin perandorak (të falsifikuar) ja dha në duar, nipit të tij Hamzait, për t’ia dorëzuar komandantit turk të garnizonit të Krujës.  Ai në tërë aparencën e tij karakterizohej si një profil tipik turk dhe jo vetëm kaq por që fliste në mënyrë perfekte osmanishten. Kishte një arsye reale që Hamzai gëzonte këto cilësi. I ati i tij, Reposhi (vëllai i Skëndrbeut) ishte i martuar me një turke, ç’ka duket se kishte përcjellë tek djali i saj jo pak karakteristika të genit të saj. (14). (15).

Pas marrjes së Krujës, Skënderbeu iu përvesh punëve për të përballuar sfidat e mëdha që e prisnin. Më 2 Mars të vitit 1444, sikurse bën të njohur G. Biemmi, ai organizoi Kuvendin e Lezhës, kryeqendra e Dukagjinëve që asokohe ishte në zotërimin e venecianëve. (16).

Një ndër vendimet e këtij Kuvendi ishte edhe ngritja e rrjetit të informatorëve në të gjitha rrugët dhe shtigjet, që drejtonin karvanet apo kalorësit nga Edreneja në territoret e Arbërisë. Kjo strukturë e rëndësishme do të ishte syri dhe veshi që do të njoftonte apo paralajmëronte afrimin e rreziqeve dhe kërcënimeve osmane në kohën e duhur. Dhe për ta vënë këtë strukturë në jetë, “Menjëherë pas përfundimit të Kuvendit ai doli personalisht fshat më fshat dhe bëri regjistrimin e ushtarëve, – u shpjegoi fshatarëve rëndësinë e mobilizimit, – meremetoi dhe forcoi kalatë në të cilat vuri roje të forta,  – vendosi vëzhgues të shtigjeve, të grykave, të luginave në të cilat vendosi informatorë detyra e të cilëve ishte të lajmëronin sa më parë, përmes lajmëtarëve të fshehtë, ose përmes shenjave si zjarre, tym, etj., afrimin e armikut. “ (17).

Ngritja e një rrjeti permanent informatorësh në tërë arteriet dhe rrugët që sillnin lëvizjet e ushtrive osmane nga lindja drejt perëndimit, pra drejt territoreve të Arbërisë, ishte aq efektiv dhe duket se funksionoi aq saktësisht, sa në të tëra fushatat ushtarake që ndërmori Perandoria Osmane kundër Skënderbeut, të gjitha u paragoditën para se ato të hynin në territoret e Arbërisë. Asnjëra prej tyre nuk mbërriti në muret e Krujës apo në destinacionin e përcaktuar si fushëbetejë pa marrë ndëshkime të rënda përpara mbërritjes në këto anë. Dhe të gjitha këto falë informacionit të saktë që kishte kryetrimi prej rrjetit të tij informativ.

Vetëm tre muaj pas Kuvendit të Lezhës, në Qershor të vitit 1444, Skënderbeu do të provonte ndeshjen e parë të përgjakshme me forcat osmane. Sulltani dërgoi një ushtri të përbërë nga 25 000 trupa nën komandën e Ali Pashës. Skënderbeu kishte marë informacione përpara kohe për përgatitjen e fushatës osmane kundër tij. Në fjalën e mbajtur në Kuvendin e princave shqiptarë, jo vetëm për tu dhënë kurajë, por edhe për të bindur ata në saktësinë e informacioneve që kishte rreth forcës së kundërshtarit dhe drejtimet e lëvizjes së tij, ai u thotë: “… Ne s’kemi pse të trembemi dhe s’duhet të trembemi për ardhjen e tij (Sulltan Muratit). Për këtë më kanë njoftuar mirë njerëzit e mij të brendshëm  ..  …  para pak ditëve …” ata njerëz që për punët e mija i ka bërë për vehte mirësia dhe çështja jonë e drejtë.” (18).

Pra, duket qartë se Skënderbeu përsërit edhe një herë faktin se ai ka pasur burime informacioni në zëmër të Perandorisë osmane. Çuditërisht, me shumë pjekuri, ai asnjëherë nuk i ka identifikuar ata, por ka përcjellë vetëm mesazhin e shkurtër se “ata i ka bërë për vete mirësia dhe çështja e jonë e drejtë…”, – duke na qartësuar se kush ishte motivi që i bënte këto burime sekrete, pra këta njerëz të panjohur, të bashkëpunonin dhe të informonin Skënderbeun me të dhëna sekrete të karakterit ushtarak. (Në thelbin e tij ky pohim nuk është asgjë më shumë sesa ai parim që aplikojnë sot Shërbimet Sekrete në rekrutimet e tyre dhe që në terminologjinë e profesionale thirret “motivi dhe baza e bashkëpunimit secret”)

Duke shfrytëzuar pikërisht këto informacione të sakta, mbas përgatitjeve intensive, Skënderbeu më datë 29 Qershor 1444, u doli përpara trupave osmane, në trevat e Dibrës së Poshtme …. Pas përplasjes së parë, ushtria shqiptare u tërhoq me mjeshtëri sikur të ishte thyer, duke e futur kundërshtarin në fushën e ngushtë të Torviollit. Pikërisht, kur Ali Pasha kujtoi se e kishte zënë ushtrinë shqiptare në atë ngushticë në kurthin e tij, papritmas ai pa se gjendej i rrethuar nga të katër anët nga forcat shqiptare që ishin fshehur, maskuar në mënyrë perfekte në pyjet përreth. Nën komandën e sulmit, shqiptarët u lëshuan me shpejtësi duke shpartalluar tërësisht trupat osmane, duke vrarë mbi 7 000 vetë dhe zënë rob mbi 500 të tjerë. (19).

Operacionet ushtarake që ndërmori Skënderbeu kundër ushtrive osmane që i drejtoheshin territoreve arbërore u realizuan pothuaj të gjitha ende pa mbërritur në territoret arbërore, falë informacioneve të sakta të këtij rrjeti.

Duhet të bëjmë të njohur faktin se vetëm në një rast Skënderbeu u gjend i painformuar dhe për pasojë u godit në befasi duke pësuar një disfatë të dhimbshme. Ishte rasti i betejës për marrjen e Beratit. Ushtritë e Skënderbeut në këtë rast u gjendën të papërgatitura pasi ushtritë osmane nuk ishin afruar nga rrugët e njohura, ku ishte ngritur dhe funksiononte rrjeti informativ i Skënderbeut. Renegati Moisi, i cili njihte fare mirë funksionimin e këtyre strukturave, i drejtoi ushtritë osmane në shtigje të panjohura, larg arterieve urbane të njohura. Ato ndoqën kalimet Edesa – Follorinë – Korçë – Vithkuq – Trebickë – Berat dhe mbërritën pikërisht në shpinën e ushtrive rrethuese të qytetit dhe goditën ato në befasi.  (20).

Duke iu referuar një tjetër rasti që na rrëfen dukshëm efektivitetin e aftësive informative që kishin strukturat dhe autoriteti i Skënderbeut, do të përmendim ngjarjet e fundit të vitit 1447, kur Skënderbeu vendosi të ndërmarë veprime luftarake kundër forcave veneciane.

Ai rrethoi Danjën dhe Durrësin, të cilat ishin nën kontrollin e tyre. Rrethimi i tyre zgjati disa muaj dhe u ndërmorën disa sulme kundër mureve të fortesave. Në situata të vështira, dhe për të dalë nga gjendja kritike, Këshilli Sekret i Rogëtarëve të Republikës Veneciane, më 4 Maj 1448, duke analizuar situatën, miratoi vendim për të ndërmarrë dy veprime që do ti konsideronim tipike veneciane të kohës:

– I pari ishte mbështetur mbi një njoftim që kishte ardhur nga një qytetar anonim (nuk përmendet emri i tij, as në dokumentin venecian), i cili premtonte të vriste Skënderbeun, në rast se atij i premtohej një shpërblim i përvitshëm prej 100 dukatësh në vit!

Këshilli e pranoi ti jepte qytetarit të vet këtë shpërblim në rast se kryente aktin e vrasjes (në dokument thuhet “L’ignoble prommese”)

Në dokumentin, “Vendimin sekret të Këshillit” thuhet: “Nëse ai me dorën e vet ose me dorën e një tjetri e vret Skënderbeun e lartpërmëndur, jemi gati t’i japim për tërë jetën rrogën e sipërpërmendur prej 100 dukatësh në vit.” (se ipse dabit vel dori faciet mortem Scqanderbego predicto, summus contenti dare sibi in vita sua provisionem .. … ducatorum C in anno)  (21).

Të ngarkuarit prej Senatit Venedikas me misionin për të kontaktuar atentatorin e Skënderbeut ishin dy njerëzit të posaçëm, apo delegate, Polo Loredano dhe Andrea Venieri . (22.)

I dyti ishte një propozim që I shkonte palës turke nga ana e venecianëve – për të ndërhyrë me ushtrinë e saj kundër Skënderbeut, kundrejt një shpërblimi në para që duhej të jepte Republika e Venedikut, për të ndëshkuar shqiptrët që luftonin kundër zotërimeve të Venedikut (në këtë rast repartet e Skënderbeut që mbanin të rrehuar Danjën).

Për të realizuar sa sipër, më 1 Korrik 1448, Venediku ngarkoi Provizorin e saj në Shqipëri, Andrea Venerionin të hynte ne lidhje me komandantin turk, me qëllim që “ushtritë turke të zbrisnin sa më shpejt në Shqipëri për të shpartalluar Skënderbeun e mbrapshtë, propozim që ata vetë kanë kërkuar me shkrim … …. ….  që me anë të tyre (turqve) i lartpërmenduri Skënderbe të shporet nga Shqipëria dhe mundësisht nga bota.” (23).

Duke shkuar edhe më tej në intrigat konspirative të Këshillit Sekret të Venedikut, kundër Skënderbeut, vendimi i tyre shtonte:

“Nëse edhe duke përdorur premtimet dhe shpërblimet e majme Skënderbeu nuk do të bindej të tërhiqej nga Danja, Provizori venedikas porositej që të hynte në në bisedime sekrete me Pal Dukagjinin dhe Nikoll Dukagjinin për ti larguar përfundimisht këta të dy princa shqiptarë nga aleanca me Skënderbeun, duke u premtuar të holla, fshatra, zotërime dhe privilegje të tjera familjare…” (24).

Për këto vendime dhe përpjekjet konspirative të venecianëve, duket se Skënderbeu kishte marrë dijeni të plotë. Natyrisht, ne nuk jemi në gjendje të mësojmë se kush ka qënë burimi i informacionit për të dhëna kaq konfidenciale. Sikundër bëhet e njohur gjithashtu, për këto plane të rrezikshme të Këshillit Venedikas, ishte vënë në dijeni edhe vetë Papa. Ky i fundit, i kishte vlerësuar ato si akte me pasoja të rënda është fjala për atentatin e mundshëm ndaj Skënderbeut, për të penguar ngjarjen e rëndë dhe përçarjen e madhe, Papa ngarkoi me mision urgjent Pal Ëngjëllin për të komunikuar me venedikasit. (25).

(Pal Engjëlli, i cili ja doli me sukses duke mbetur një ndër miqtë më besnikë të Heroit tonë gjer në fund të jetës së tij … )

(Vijon)

Veç sa më sipër, duket fare qartë, se Skënderbeu, ishte vënë në dijeni edhe për letërkëmbimin dhe marrëveshjen e fshehtë Veneto-turko. Rrethanat që na bindin për këtë është fakti se qysh në fundin e muajit Korrik të vitit 1448 – Skënderbeu kishte dërguar në kufijtë lindorë të territoreve të tij, në krahinën e Dibrës, reparte të përzgjedhura ushtarake, të përbërë nga 4 000 vetë, nën komandën e Kont Uranit. Misioni i këtij formacioni ishte të priste një ushtri osmane e cila do të vinte për të goditur në mënyrë të paritur prapa shpine Skënderbeun, i cili mbante të mbërthyer në darën e rrethimit dy zotërimet veneciane atë të Danjës dhe Durrësin. (faqe 155)

Dhe vërtet, informacionet që kishte marë Skënderbeu u vërtetuan. Më datë 14, të muajin Gusht të vitit 1448Turqit të cilët ishin marë vesh me venecianët nisën ofensivën. Vrana Konti i reshtauar në rrugëkalimet e asaj krahine thirri për mbështetje edhe vetë Skënderbeun, i cili shkoi me vrap në Dibër…

Ushtria turke, nën komandën e Mustafa Pashës, e përbërë nga 15 000 trupa kishte hyrë nga ana e Ohrit në Oranik të Dibrës së Sipërme, kur Skënderbeu, të cilin ai e kujtonte në Danjë, i doli përpara me një ushtri prej 6 000 trupash.  Nisi një duel homerik, në të cilin Pal Maneshi shtriu përdhe një kabadai Anadollak dhe krejt beteja mbaroi me disfatën e plotë të ushtrisë turke. Mustafa Pasha la afërsisht 5 000 të vrarë, 15 flamurë dhe tërë kampin. Vetë Pashai turk me 12 oficerë të lartë u zu rob nga Moisiu i Dibrës, të nesërmen, në fushën e Rethës, dy milje larg Oranikut.

Nga kontrolli që iu bë tërë materialeve që kishin me vehte oficerët robër dhe në tërësi nga dokumentet që iu kapën Shtabit turk, u gjet korespondenca që konfirmonte faktin që Venediku i kishte ftuar turqit ta goditnin Skënderbeun, mbas shpine, ndërkohë që ai i kishte duart e zëna me Danjën. … (26)

Duket qartë se Skënderbeu ka njohur mirë praktikën, që ndiqnin shtabet ushtarake osmane kur niseshin në operacione luftarake, dinte faktin se çfarë materiali dhe dokumentacioni mbanin me vehte ata. Vlerësimi dhe kqyrja e dokumentave që ushtarakëet e lartë osmanë mbanin me vehte ka shërbyer si një burim informacioni për të, òka do ta haset edhe në operacionet e tjera ushtarake që ai kreu.

…. Në shenjë hakmarrje, me tu kthyer, Skënderbeu iu drejtua Danjës dhe vetë Durrësit që mbaheshin nga venecianët dhe filloi ti rrahë e godasë ato me artileri. Por, për çudi, sikundër mësojmë nga arkivat venedikase, të dyja këto fortesa ishin në të rënë (dorëzuar) e sipër, kur Senati i Republikës veneciane i trëmbur keq, me urgjencë i kërkoi paqe Skënderbeut. Nëse nuk do të nënshkruhej Paqa, Venediku do të humbte Durrësin, Danjën dhe pas atyre edhe kështjkellat e tjera që kishin në Shqipëri.

Megjithatë, siç dihej edhe pas nënshkrimit të Traktatit të Paqes mes Skënderbeut dhe Venedikut, nuk pati një paqe të sinqertë. Një luftë e padeklaruar vazhdoi midis tyre  dhe në disa raste, në vitet 1450, 1452, 1457 dhe 1462  kjo luftë gati gati u bë zyrtare.

Çudia ishte se ne të ëgjitha rastet Venediku i binte në ngjunjë Skënderbeut, porsa ky i ckërrmitej dhe i tregonte që nuk ja kishte frikën… (27).

INFORMACION,  DIZINFORMACION,  MASKIM

DHE BEFASIA E GODITJES – BETEJA E ALBULENËS

Në dokumentacionin arkivor, por edhe në shkrimet e tjera historike për jetën dhe bëmat e heroit, bëhet evident edhe një tjetër aftësi, cilësi apo mjeshtëri e rallë e tij, është fjala për përdorimin e dizinformacionit, maskimin dhe befasinë e goditjes. Ngjarja kur këto mjeshtri të Skënderbeut u shfaqën në mënyrën me mbresëlënëse ishin operacionet e gjata dhe cfilitëse që shpunë në Betejën e Albulenës. Për këto skenarë ushtarake maskimi që zgjatën përreth tre – katër muaj, do të thoshim se është shkruar shumë në kronikat e kohës dhe beteja apo disfata e tmershme që pësuan osmanët është përmëndur pothuaj nga të gjithë kronistët osmanë të kohës dhe më pas, sikundër Oruçi, Idrisi Bitlisi, Ashik Pashazade, Hoxha Sadedin, pr edhe ata perëndimore, Biemmi, Xhiovi, Frangu, Barleti, etj. (28)

Është fjala operacionet e mëdha ushtarake të ndërmara nga turqit në verën e vitit 1457, kur Hamza Kastrioti, nën komandën e Isak Evrenoz Pashës, me një forcë prej 50 000 osmanësh, iu drejtua territoreve të Arbërisë.

Pikërisht, në këtë kohë, Venediku mendoi se ky ishte një rast i mirë për ta vënë Skënderbeun midis dy zjarreve edhe nisi të krijonte provokime në kufijtë e territoreve të Skënderbeut. Në këto situata kritike ai i dërgonte një notë të rreptë Senatit Venedikut ku i thosh: “Unë nuk dua luftë, por po të doni ju, urdhëroni, se unë jam gati.” Përgjigja e Senatit, e ciala mban datën 8 Korrik 1457 ishte e butë dhe pajtuese. Të gjitha kërkesat që kishte parashtruar Skënderbeu në notën e tij u pranuan dhe pensionet e vonuara dhe të papaguara u lëvruan menjëherë. (29)

Pasi u sigurua nga krahët (venedikasit) Skënderbeu u drejtua me forcat e rregullta të ushtrisë së tij, menjëherë në kufijve lindorë të Arbërisë, nga ku kishte informacione për afrimin e shpejtë të një ushtrie osmane.

Duke ditur se në krye të kësaj ushtrie ishte Isak Evrenoz Pasha dhe Hamzai Kastrioti, i cili i njihte të gjitha mënyrat e luftimit dhe të maskimit të Skënderbeut, ky i fundit u shtrëngua të përdorte një taktikë dhe strategji të re kamuflimi dhe dizinformacioni ushtarak. Kështu, mbas përplasjes së parë ushtarake me formacionet e ushtrisë turke, Skënderbeu bëri sikundër u trëmb dhe u tërhoq me të shpejtë me të gjithë trupat e tij, gjer pranë territoreve nën zotërimin venecian, afër Lezhës. Gjurmët që la dhe lëvizjet demonstrative krijuan përshtypjen se ai u fut i trëmbur në ato zotëimet, por ky ishte vetëm një dizinformacion ushtark, “pasi ikja e Skënderbeut në Lisos nuk u bë me të vertet ashtu sikundër e kujtoi armiku.” – thotë Barleti dhe shton,  “ai ishte vetëm një mashtrim, sepse pasi ai ishte larguar disa mijë hapa larg nga syte e turqve, në fakt ai dhe trupat e tij u fshehën në territoret kufitare të mbretërisë së tij.” (30).

Sigurisht, Hamzai mendoi se kjo tërheqje ishte një manovër e njohur e Skënderbeut, dhe u tregua i kujdesshëm në tërë lëvizjet e tij për të ndjekur, identifikuar dhe zbuluar se ku fshihej dhe nga ç’anë do të shfaqej paritur kundërshtari, sikundër e kishte ai zakon, që pastaj të godiste në befasi. Por, për çudi, forcat turke, të cilat ishin vënë në kontroll të plotë të territoreve nuk panë dhe nuk hasën më asgjëkund praninë e reparteve apo të luftëtarëve të Skënderbeut. Për më shumë se dy muaj repartet turke që ishin në ndjekje dhe kontroll të pyjeve dhe maleve të thepisur, nuk kishin lanë vend dhe terren pa shkelur, por për çudi ata nuk hasën asnjë lëvizje, aq më pak rrezistencë partizane. Jo vetëm kaq por nga bisedat dhe informacionet e grumbulluara me banorët e dëshpëruar krijuan bindjen tek Isak Evrenoz Pasha dhe Hamza Kastrioti se vërtet Skënderbeu ishte larguar nga frika në Lezhë, apo ndoshta diku gjetkë më larg, përtej Adriatikut. (31).

Madje informacionet që kishin grumbulluar ushtarakët venecianë në zotërimet e tyre në territoret e Arbërisë, sikundër ata në Shkodrës, Danjë dhe Baili, Marko Diego në Durrës, bënin me dije Senatin Venedikas se “Skënderbeu ishte shpartalluar keq”, se “Kastrioti ishte trembur, larguar dhe fshehur nga frika e ndëshkimit”, madje njëoftime të tjerë që mbrinin në Papat me dije se “Skënderbeu me të afërmit e tij kishte kaluar me barka Adriatikun dhe ishte strehuar në brigjet Puljese…”, se “.. ushtria e tij ishte shpërndarë…”(Relacioni i Diegos dërguar Senatit ato kohë, thotë: “ …. notificato a la perfeta Serenita V-ra, come la mazor parte del paese e andato cum al turcho. Et Magnifico Segnor Scanderbego va per le montagne fuzendo la sua testa…. ) (32).

Në opracine ndëshkimore dhe në kërkim të gjurmëve të ushtrisë së Skënderbeut, forcat osmane nën komandën e Isak Evrenozit dhe Hamzait, vazhduan edhe gjatë tërë muajit Gusht i vitit 1457, por askund nuk hasën në forca apo reparte qoftë edhe të shkëputur të ushtrisë së Skënderbeut

Në fillim të muajit Shtator, ushtria turke e cfilitur fizikisht dhe e dërmuar psikologjikisht nga një kalvar i pafund kërkimesh dhe udhëtimesh pa rezultat, e bindur se Skënderbeu kishte marë arratinë së bashku me familjen e tij, kish zbritur dhe ishte vendosur në Albulenë, pranë Lumit Mat, në perëndim të Malit të Tumenishtit. (33).

Të shkujdesur, me disiplinën tanimë të shthurur, formacionet turke që e kishin humbur durimin, u lëshuan në të katër anët e territorit për të plaçkitur dhe marë pasuri fshatrave dhe popullsisë vendase. Duket qartë se informacionet që kishin marë si turqit por edhe venecianët për “arratinë e Skënderbeut” kishin qënë dizinformacione të përhapura nga vetë njerëzit e Heroit.

Ndërkohë, Skënderbeu ishte shfaqur papritur me formacionet e rregullta të ushtrisë së tij dhe nën një konspiracion perfekt kishte marrë dominimin e Tumenishtit. Me kujdes e pa zhurmë, në errësirën e natës kishte ndarë ushtrinë e tij më tre formacione, në të parin qëndroi vetë, ndërsa dy formacionet e tjera i la nën komandën e Moisiut të Dibrës dhe të tretin Gjergj Stres Balsha me Pjetër Emanuelin.. (34)

Në heshtje dhe në një maskim që nuk kishte lënë askund gjurmë, trupat shqiptare, më datën 7 Shtator 1457, në mesin e një dite më vapë përvëluese, kur ushtria osmane ishte shthurur plotësisht, pasi kishte kapur rojtet periferike turke, nën oshëtimin e trumpetave dhe kërcëllimat e armëve luftëtarët shqiptarë të organizuar në formacione dhe nën komandën e vetë Skënderbeut u lëshuan mbi trupat osmane duke bërë kërdinë …. Ishte një betejë e tmerrshme – thotë Barleti. Nje befasi e llahtarshme. Reth 20 000 u vranë, 1 500 u kapën rob, nga radhët e ushtrisë turke, ndërsa pjesa e mbetyr e trupave mori aratinë. Midis robërve ishte edhe Sanxhak bej Mesidi dhe vetë Hamza Kastrioti… . (35).

– E parë me kujdes, beteja e Albulenës apo e Ujbardhës, në afërsi të Mamurrasit të sotëm, është një shembull i rallë i operacioneve perfekte të Skënderbeut, ku aplikoi me sukses;

  • skenarë bindës të disfatës imagjinare ushtarake,
  • tërheqje mashtruese i të mundurve në betejë,
  • maskimin e një ushtrie të tërë për gati tre muaj si taktikë luftarake (që është pothuaj e pa mundur për një ushtri në çdo rrethanë),
  • përhapjen e dizinformacionit perfekt dhe bindës se komandanti i shqiptarëve kishte marë arratinë –
  • lodhjen psikologjike të kundërshtarit, –
  • dhe dhe së fundmi –  goditjen e paritur në kohë dhe momente befasie të kundërshtarit.

 KURTH PËR VRASJEN E SKËNDERBEUT

Rrezistenca e njohur anti osmane e shqiptarëve në shekullin e xv, ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin dhe rolin determinant të Skënderbeut, prandaj nga fillimet dhe gjer në fund të jetës së tij, Heroi kombëtar i shqiptarëve mbeti në fokusin dhe objektin kryesor të goditjeve të synuara të Perandorisë Osmane. Për turqit ishte e qartë se elimiinimi fizik i tij, do të thosh goditje mortale për vetë rrezistencës shqiptare. Është kjo arsyeja që Perandoria Osmane dhe fuqi të tjera, sikundër Venecianët, por edhe Princa shqiptarë të lidhur me fije të padukshme më Sulltanin, kundërshtarë të Heroit, të interesuar për të eliminuar këtë kalorës të krishtërimit, jo vetëm projektuan por edhe ngritën dhe vunë në zbatim një numur kurthesh për ta eliminuar fizikisht atë.

Në rast i tillë ishte një kurth i përgatitur me shumë kujdes dhe në fshehtësi të plotë, në vitin 1451. Në veprën e tij Fan Nolin na bën me dije se    … Një ditë (është fjala për vitinn 1451,) ndërsa Skëndërbeu dilte nga porta e Krujës, një njeri i panjohur iu afrua dhe e këshilloi të ruhet, se në pyllin e Krabës, ku ai iste nisur të shkonte, i kishin zënë pusi dhe do ta vrisnin. Menjëherë dërgoi kapedan Balshëqn e Gardës Pretoriane me një koshadhe, i cili i ra pyllit anembanë dhe gjeti tetë vetë të armatosur të fshehur brenda në një shpellë. U përpoq me të gjitha mundësitë që ti zinte të gjallë, por meqënëse ata kundërshtuan dhe u sulën kundër rrepartit të Balshës për të çarë rrethimin dhe për të ikur, burrat e Balshës arritën të vrasin pesë prej tyre dhe të zënë robër tre vetë. Robërit i solli në Krujë dhe pasi u vunë në torturë, ata rrëfyen që ishin turq, të dërguar apostafat nga Sulltani për të vrarë Skënderbeun. Ata spjeguan gjithashtu se në atë pyll kishin shkuar të udhëehequr nga dy shqiptarë, të cilët u vranë (gjatë rrethimit) tok me tre shokët e tyre. Robërit turq spjeguan gjithashtu se këta udhërrëfyes i kishin dërguar tek Sulltanit disa kapedanë shqiptarë, por emrat e tyre ata nuk i dinin, sepse edhe ata vetë nuk ua kishin treguar. Këto ishin të vetmet çkoqitje – sqarime-, që muntnë tu çkëputin robërve turq…

Armiqësia e Dukagjinëve e cila ndizej keq e më keq dita ditës kundër Skënderbeut, si dhe emri i keq i Lek Dukagjinit, i cili prej të gjithëve njihej dhe gjykohej se ishte njëri i pabesë dhe për vrasje të tilla prapa shpine, ishte shkaku që në këtë kohë u gjykua nga të gjithë se ai ishte  autori i këtij komploti të dështuar.

Pas kësaj Skënderbeu u bë gati të nisej në një betejë të ashpër kundër Dukagjinit, por vetëm ndërhyrja e Peshkopit të Tivarit, e Peshkopit të Drishtit dhe e vjerrit të tij Gjergj Arianiti e qetësuan për të mos hyrë në një luftë civile…. (36).

PËRPUNIMI PSIKOLOGJIK –

MJET I PËRDORUR ME EFEKTIVITET

Në vitet 1450-1452, afrimi i Arjanitëve me venedikas; tradhëtia e Beratit që pruri hubje të dhimbëshme në radhët e Skënderbeut; pasiguria e vetë heroit në mardhënie me venedikasit; kërcënimi Osman permanent, –  e kishin vënë në pozita tejet të vështira Skënderbeun, por edhe popullsinë vendase drejt një besimi të lëkundur dhe vetë radhët e ushtrisë përpara një dileme dhe gati krize vendosmërie dhe kuraje.

Për të rikuperuar klimën e besimit të lëkundur rëndë, për të kuruar moralin e plagosur, për të penguar emigrimet dhe arratinë e banorëve të friksuar nga tmerret e luftës dhe situata e krijuar, si dhe për të rikuperuar gjendjen e rënduar, Skënderbeut i duhej të gjente rrugët dhe mjetet efeikase për të rikthyer besimin tek ai dhe tek forca e qëndresës luftarake të shqiptarëve. Nga pohimet dokumentare, si dhe nga një sërë veprimesh që ai pati ndërmarë ato kohë, duket qartë se Skënderbeu dinte mirë se cilat do të ishin instrumentet që do të duhej të përdorte për të ringritur moralin e tronditur, dhe kë autoritet të besueshëm duhet të shfrytëzonte për të kthyer besimin e luftëtarëve të tij tek fitorja.

Sikundër na ban të njohur Biemmit –  (1452) Skënderbeu vuri në lëvizje Peshkopët, të cilët nëpër tubime përpiqeshin të bindnin fshatërët dhe beimtërët me anë të historizave tipike mesjetare (mbushur me misticizëm dhe bestytni, haluçinacioneve, shenjave hyjnore), sipas të cilave ato të gjitha paraljmërorin disfatën e rëndë të Sulltanit. (37)

Përherë sipas Biemmit, në këto kohë vetë Skënderbeu përhapi lajmin se Shën Gjergji, i cili në mesjetë adhurohej si shenjtori mbrojtës i Shqipërisë, i ishte shfaqur natën në gjumë dhe i kishte dhënë atij një shpatë, një shenjë! Kjo sipas peshkopit të Drishtit, ishte një garanci për fitoren që do të korrte heroi kundër ushtrisë osmane.

Një peshkop tjetër u kishte thënë besimtarëve në meshat e mëdha publike se kishte parë në ëndër Sulltanin të rënë në gjunjë përpara Skënderbeut – çka spjegonte sipas tij një fitore të lavdishme dhe të paparë gjer atherë të Skënderbeut dhe shqiptarëve.

Është e kuptueshme se këto ishin mjetet e propogandës dhe të moralit të kohës të cilat Heroi ynë diti ti shfrytëzojë dhe përdorë me efikasitit, duke njohur mjaft mirë moralin, mentalitetin, kulturën dhe bindjet relixhioze të popullsisë shqiptare të kohës; atë gjë që përdorin edhe sot makineritë e sofistikuara të propogandës në rast lufte por edhe paqeje në botën moderne.

Sigurisht, një studim i vëmëndshëm dhe qëmtues nën këtë këndvështrim, i materialit dokumentar dhe atij arkiver dedikuar veprës dhe jetës së Skënderbeut do të zbulonte dhe bënte evidente këtë anë të panjohur por shumë të rëndësishme të veprës dhe dimensioned e strategut, do të dilnin në dritë mjaft raste me interes të veçantë për punën mjeshterore të Heroit me informacionin dhe rrjetin informativ, aplikimin e metodave dhe mjeteve unike dhe befasuese, që lanë gjurmë dhe ndikuan në fatin e betejave të këtij mjeshtri të luftës frontale dhe asaj partizane, që e kthyen kështu në një prej gjeneralëve më të njohur në historinë luftrave mesjetare dhe objekt studimi në shumë akademive ushtarake, të botës perëndimore dhe lindore, gjer në kohët moderne.

postbck postbck

Recent Posts

Andronika, princesha e denjë arbërore

Familja Kastrioti me të drejtë ka zënë një vend të gjerësishëm në historinë shqiptare, duke…

6 hours ago

Shqipëria e vitit 1898 në sytë e një skocezi

Përshkrimet në superlativ për Shqipërinë dhe shqiptarët janë të pafundme. Interesimi i të huajve për…

6 hours ago

Zbukurimet e rrobave të fëmijëve me kopsa, monedha, etj, dhe kuptimi bestyt dhe spiritual

Këtë foto të huajtur nga Micky Haxhiislami postuar në grupin “Albanian Vintage Photography, people, cities,…

7 hours ago

Ky është fruti që duket se ul rritjen e qelizave kancerogjene me 60 për qind brenda 24 orëve

  Shkaqet e kancerit kanë mbetur të pakapshme, duke e bërë të vështirë zhvillimin e…

1 day ago

Çka i bën tatuazhi trupit tuaj?

  Tatuazhi është një formë e artit dhe shprehjes personale që ka ekzistuar për mijëra…

1 day ago

Shenja në këmbë që paralajmëron “sulmin në zemër” dhe “goditjen në tru”

  Shenjë delikate në këmbë që mund të nënkuptojë një sulm në zemër, paralajmëron mjeku…

2 days ago