Nga Albert Vataj
Bota e hershme ruan përmes artefakteve dhe dëshmive të tjera famën dhe bëmat e shumë sundimtarëve, por Senakeribi mbetet në memorine e historisë si shkatërruesi i Babilonisë, qytetit i cili konsiderohej i shenjtë, si “lidhja ndërmjet qiellit dhe tokës”.
Senakeribi 705 – 681 p.e.s.) ka qenë sundimtari i dytë i një dinastie mbretërish asirianë, që e zgjeruan perandorinë e Asirisë deri në përmasat më të mëdha që arriti në të gjitha kohërat. Ai themeloi, në Niniv, një kryeqytet madhështor që do të bëhej qendër e rëndësishme kulturore. Një kanal i gjatë 10 kilometra, i hapur nga mjeshtrit e mbretit, çonte ujin e burimeve të malit deri në pallat. Muret e pallatit ishin veshur me pllaka të mëdha shkëmbinjsh ranorë, në të cilat paraqiteshin skena lufte.
Senakeribi u zgjodh si trashëgimtar nga i ati, Sargoni, ndonëse ai nuk ishte djali i madh. Zakoni për të zgjedhur trashëgimtarin ndërmjet djemve të tij, në vend që, si rregull, t’i jepej pushteti djalit më të madh, ka qenë shkaku i shumë revoltave të pallatit dhe i shumë vrasjeve. Vetë Senakeribi u vra nga dy djemtë e tij në luftën për pushtet.Trashëgimtar i caktuar, Senakeribi u rrit dhe u edukua për të marrë pushtetin në “Tempullin e Trashëgimisë”, ku u përgatit për t’u bërë “Mbret i Madh, Mbreti gjithëpushtetshëm, Mbreti Universit, Mbret i vendit të Asurit”.
Pas kurorëzimit, Senakeribi ndërtoi dhe restauroi shumë tempuj dhe ndërtesa publike në të gjithë perandorinë.Përmirësimet në sistemin e kanalizimeve për ujitjen e prodhimeve bujqësore e rritën pjellorinë e tokave. Nën drejtimin e mbretit, Ninivi u bë një kryeqytet i denjë për një sundimtar të një perandorie kaq të madhe. Sheshet e mëdha dhe shëtitoret e gjera, të shtruara me kalldrëm, “ndritnin si pasqyrë”. Qyteti ishte rrethuar me dy mure, të ndërtuara me blloqe shkëmbinjsh ranorë shumë të mëdhenj. Muri i jashtëm, krenaria e mbretit, ishte “i lartë sa një mal”.
Jashtë qytetit, hapësira të shumta të gjelbra ishin zbukuruar me bimë ekzotike që merreshin nga vende të ndryshmetë botës. Ndërmjet tyre gjendeshin edhe bimë pambuku, që asirianët i quanin “pema e leshit”. Mbreti ndërtoi brenda qytetit një pallat të pakrahasueshëm, i cili kishte më shumë se 80 dhoma.
Fakti, për të cilin Senakeribi është dënuar botërisht, është shkatërrimi i Babilonisë, qyteti cili konsiderohej i shenjtë, si “lidhja ndërmjet qiellit dhe tokës”. Mbretërit asirianë të mëparshëm e kishin trajtuar këtë qytet me durim dhe respekt. Zemërimi i verbër i Senakeribit kundër qytetit gjithnjë rebel e nxiti atë të hakmerrej. Ai shpalli: “Unë kam rrënuar, kam shkatërruar me zjarr, unë përfundimisht kam fituar”.
I pakënaqur me këtë, ai ia ndryshoi drejtimin ujit të Eufratit për në brendësi të qytetit dhe tullat e papjekura, prej argjile, të mureve, u kthyen në baltë. Babilonia pushoi së ekzistuari. Kur Senakeribi u godit për vdekje me statujat e perëndive që kishte përdhosur, babilonasit panë në këtë fund tragjik ndëshkimin për sakrilegjin e tij.
I lindur në Jeruzalemin e shekullit VIII, Isai u bë profet, zëdhënës i “Zotit të Shenjtë të Izraelit”, pasi iu shfaq Zoti në gjithë shkëlqimin e tij. Isai predikoi dashurinë e Zotit për popullin e tij, sepse Zoti i Izraelit kërkonte vetëm virtyt dhe përkushtim dhe jo flijime. Zoti, paralajmëronte ai, do ta ndëshkojë Jeruzalemin, nëse ai nuk do të arrijë të largohet nga mëkati. Profetët si Isai kanë futur në shpirtin e popullit hebre shpresën, e cila i ka mbijetuar edhe pas humbjes së copës së fundit të tokës dhe pas shpërndarjes së hebrenjve nëpër botë. Kjo shpresë nuk ka lidhje me monumentet dhe me ritet fetare, por është rrënjosur thellë në besimin e tyre.Profecia e Isait, sipas të cilës Zoti do ta mbronte qytetin e tij kundër çdo armiku, e shtyu mbretin Ezekias të sfidonte Asirinë. Vdekja e papritur e 5 mijë ushtarëve asirianë u interpretua si përmbushja e profecisë: Zoti i Izraelit e mbronte popullin e tij të zgjedhur.
JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E SENAKERIBIT
* Si të gjithë mbretërit asirianë, Senakeribi ishte një mbret luftëtar, i cili pretendonte se zotëronte pushtetin e perëndisë së tij, Asur. Historia e ka dënuar Senakeribin, pasi ai ka shkatërruar qytetin e shenjtë të Babilonisë, dhe profetët eTestamentit të Vjetër nuk ia kanë falur sulmin kundër Jeruzalemit. Sipas gojëdhënave, perënditë e këtyre dy qyteteve e kanë ndëshkuar për veprimet e tij shkatërrimtare.
* Edukimi i Senakeribit, si një mbreti të ri qëndronte, para së gjithash, në mësimin e kalërimit, të drejtimit të karrocave, të gjuetisë dhe të përdorimit të armëve. Gjithashtu, ai duhej të mësonte gjuhët kryesore të perandorisë, matematikën, astrologjinë dhe protokollin mbretëror.
* Senakeribi e kaloi pjesën më të madhe të mbretërimit të tij duke luftuar kundër shteteve rebele. Qytetet që ngriheshin në revoltë ndëshkoheshin ashpër. Betejat regjistroheshin në Analet e Mbretit dhe shkruheshin në relieve të mëdhenj, të gdhendur mbi mure. Kudo, mbreti përshkruhet si pushtuesi triumfues, që dërrmonte armiqtë e tij. Senakeribi e tregon me këto fjalë fitoren e tij kundër Ezekiasit, mbretit të Judesë: “E burgosa si një zog në kafaz në qytetin e tij mbretëror të Jeruzalemit. Ai u tmerrua nga madhështia e pushtetit tim dhe trupat e tij e braktisën, edhe pse njiheshin si guximtare”. Në tregimin biblik thuhet se, të inkurajuar nga profeti Isa, mbreti Ezekias dhe populli i Jeruzalemit refuzuan të dorëzoheshin. Engjëlli i Zotit bëri të vdesin atëherë 5 mijë ushtarë asirianë, si ndëshkim për sulmin e tyre. Në burime të tjera historike, thuhet se shkak i kësaj kasaphane ishte një dyndje minjsh ose murtaja. Mbishkrimet asiriane nuk kanë ruajtur asnjë gjurmë të këtij incidenti.
* “Kam sulmuar si një uragan”- Senakeribi është krenuar me thënjen e vet!
Jeni ose një lëvizës i këmbëve ose dikush që irritohet shumë nga kërcimi i…
Termi djathë zviceran nuk i referohet nga vjen djathi, por lloji i djathit, ose…
Deva ishte politikan me prejardhje nga qyteti i Mitrovisë. Ai gjithashtu ishte ministër i…
“Oral History Kosovo” në profilin e tyre zyrtar në “Instagram”, kanë publikuar fotografi nga…
Për shumë njerëz ky është një lëng që funksionon kundër kollës dhe problemeve me…
Shurupi i mollës është një nga lëngjet më të shëndetshme që mund të konsumoni…