Ç’është orientalistika?

Kur përmendim Orientalistikën, ne kuptojmë një varg shkencash, përkatësisht disiplinash shkencore, të cilat studiojnë kulturën e popujve të Lindjes (Orientit) – e kundërta e Perëndimit (Oksidentit), si: gjuhët, letërsitë, arkeologjinë, historinë, artin, religjionin, qytetërimin, traditat e tyre etj.
Tek ne, zakonisht, mendohet, por jo me të drejtë, se Orientalistika është vetëm njohje e gjuhëve të Orientit (vendeve të Azisë, Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore e Lindore).

Orientalistika në kuptim më të gjerë përfshin: Sinologjinë, indiologjinë, iranologjinë, turkologjinë, asirologjinë, jamatologjinë, semitologjinë (ku bën pjesë edhe një pjesë e asirologjisë, hebreistikën, arabologjinë dhe epitiopologjinë), hetitologjinë dhe azianologjinë, egjiptologjinë (këtu hyn edhe kiptologjia), berberologjinë dhe hamitologjinë.

Me përjashtim të semitologjisë, të gjitha disiplinat e tjera janë zhvilluar në shekullin 19.

Çfarë duhet të kuptojmë me “Orientalistikë”?

Në trojet shqiptare, me fjalën “Orientalistikë” nënkuptohet studimi i gjuhës dhe kulturës arabe, turke dhe pjesërisht asaj perse dhe osmane. Sipas praktikës së deritanishme, ai që ka studiuar këtë lëmi quhet orientalist.

Prandaj, me Orientalistikë duhet të kuptojmë studimin e gjuhës arabe dhe turke, në mënyrë të barabartë në një anë dhe studimin e pjesërishëm të gjuhës persiane dhe osmane, në anën tjetër.

Orientalistika në Evropë

Interesimi i Evropës për Orientin është i hershëm. Janë bërë studime vëllimore për një varg problemesh, natyrash të llojllojshme, nga fusha e Orientalistikës, në kuptim të gjerë, kurse katedra e parë në Evropë për studimin e gjuhës arabe është ajo e vitit 1250 në Paris.

Më vonë, më 1311 Papa Klementi V lëshoi dekretin për themelimin e katedrës në Universitetin e Romës, Parisit, Oksfordit, Bolonjës dhe Salamankës, ku do të studiohej gjuha arabe, arameje dhe hebreje.
Rezultat i këtyre studimeve është, pa mëdyshje, edhe përkthimi i ‘Avestës’ në frëngjisht, më 1771, gramatika e parë e gjuhës kineze më 1831 në Paris, pastaj përkthimi i Kur’anit që nga viti 1543, 1641, 1782 etj. Më vonë Kur’ani përkthehet edhe në gjuhën serbe, më 1895 (Miço Lubibratiç), në gjuhën shqipe më 1920 (Hafiz Ali Korça), më 1922 (I. Mitko Qafzezi) etj.

Orientalistika në trojet shqiptare

Studimi i Orientalistikës në trojet shqiptare ka një histori të gjatë, duke nisur me lëvrimin e komentimin e letërsisë dhe dijeve orientale që në shekullin XVI-XVII deri te orientalistët e rinj (në shekullin XX) si Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Ferid Vokopola, Sadik Bega, Sherif Putra, Vexhi Buharaja, Osman Myderrizi etj. Por, momentalisht, katedra e vetme për studimit të Orientalistikës është ajo e Prishtinës në Kosovë, të cilën e themeloi Dr. Hasan Kaleshi, në vitin 1973 (Prof. Dr. Hasan Kaleshi 1922-1976). Shpresojmë që kjo katedër të hapet së shpejti edhe në Tiranë.
Kjo degë është ndër më të rejat në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Është themeluar në vitin 1973 dhe studimet në këtë degë kanë filluar në dhjetor të vitit 1973.

Kjo, qysh në fillim ka qenë një degë me dy lëndë, ku studioheshin me planprogram të barabartë gjuha arabe dhe ajo turke me letërsitë e tyre.
Profesori i parë dhe themelues i kësaj dege ishte Dr. Hasan Kaleshi, i cili nuk arriti të përcillte as brezin e parë, sepse vdiq në vitin 1976.
Gjuha arabe dhe turke studiohen nga tetë semestra secila, kurse letërsia arabe dhe turke vetëm katër semestra.

Qëllimi i studimeve në këtë degë kërkon që të jetë kështu, sepse, këtu në radhë të parë përgatiten kuadro për hulumtime shkencore, detyra e të cilëve është që të kontribuojnë për studimin e historisë sonë kombëtare në periudhën e Perandorisë Osmane, ku dihet se administrata dhe literatura e burimet që i përkasin asaj periudhe, kërkojnë njohjen e të dyja këtyre gjuhëve, asaj arabe dhe turke, sepse gjuha turke në këtë periudhë është shkruar më alfabetin arab të modifikuar.

Qëllimi është arritur shumë pak, për shkak të mbylljes së institucioneve shkencore ndaj këtyre kuadrove.

Me gjithë faktin se arkivat e Stambollit janë fort pak të shfrytëzuara dhe me gjithë deklarimet se duhet të bëjmë hulumtime në ato arkiva për historinë tonë kombëtare, kuadrot e reja kanë mbetur që të orientohen më tepër në fushën e kulturës, ekonomisë, shëndetësisë, ku gjithsesi kanë dhënë rezultate me interes shoqëror, por jo në atë fushë ku është pritur më së shumti.

Megjithatë, Dega e Orientalistikës, e kryen me sukses funksionin arsimor, pedagogjik, shkencor e kulturor.

Këtu, deri në vitin 2003, janë diplomuar 140 studentë, prej të cilëve afro 80 prej tyre janë shqiptarë, kurse të tjerët janë boshnjakë, turq dhe serbë.

Rezultatat e deritanishme të Orientalistikës në Prishtinë

Nga rezultatet konkrete mund të cekim veçanërisht këto:

1. Përkthimin e parë komplet të Kur’anit, nga Dr. Feti Mehdiu, në vitin 1985;
2. Tri libra të Sami Frashërit (Kamul al-a’lam), të përkthyera nga osmanishtja;
3. Disa romane e përmbledhje me poezi arabe;
4. Doracakë për mësimin e gjuhës arabe, turke etj;
5. Përkthimi i koleksioneve të Buhariut, që arrijnë një numër prej afro 30 titujsh të ndryshëm;
6. Disa vepra për studimin e gjuhëve arabe, turke etj., si p.sh. Gjuha Arabe 1-2 për vitin e I dhe II), Gramatika e gjuhës së sotme turke (Për vitin e I dhe II), Gramatika e Gjuhës Turke (Për vitin e III dhe IV), Sintaksa e gjuhës arabe, Sintaksa e gjuhës turke, etj.
Pra, kjo më së miri dëshmon arsyeshmërinë dhe veprimtarinë konkrete të Orientalistikës shqiptare.

Orientalistika shqiptare në shërbim të kulturës kombëtare

Për historinë e popullit shqiptar, pa dyshim ka rëndësi të madhe edhe orientalistika shqiptare, e cila në kuadër të studimeve të saj kultivon edhe diplomacinë dhe paleografinë osmane. Administrata Osmane gjatë pesë shekujve sundimi në këto troje ka përcjellë dhe ka evidentuar të tëra ngjarjet që janë zhvilluar te shqiptarët dhe rreth tyre.

Tërë ajo lëndë që ka të bëjë me historinë e vendit tonë, posaçërisht ajo arkivore, ndodhet në arkivat e Turqisë.

Natyrisht, ato burime janë të shkruara me alfabet osman, të cilin përveç orientalistëve të specializuar për këtë fushë, kuadrot e tjera nuk kanë mundësi t’i lexojnë.

Në anën tjetër, përveç burimeve arkivore, për historinë tonë kanë rëndësi të veçantë edhe onomastika, topografia, kronologjia, statistika, arti, epigrafia etj., që i përkasin asaj periudhe. Por, asnjëra nga këto disiplina nuk mund të studiohet nga dijetarët që nuk kanë përgatitje nga fusha e studimeve orientale, e kjo në profilin e Orientalistikës shqiptare nënkupton studimin e gjuhës arabe, alfabeti i së cilës ishte baza e shkrimit të gjuhës turke në periudhën osmane deri në vitet ’20 të shekullit të kaluar.

Me një angazhim gjithëpërfshirës të të gjitha strukturave shoqërore dhe kombëtare mund të arrihet orientimi dhe përgatitja e nevojshme e kuadrit përkatës, e cila mund të llogaritet edhe me ndihmën e vendeve arabe dhe Turqisë, të cilat shprehin gatishmëri për ndihmë profesionale në këtë drejtim në forma të ndryshme.

Mbetet detyrë e kuadrove të reja, të cilët sigurisht kanë nevojë për përkrahje konkrete, që të thellojnë studimet nga fusha e Orientalistikës, për të kryer obligimet ndaj historisë kombëtare, si nga aspekti i historisë politike, kulturore, ekonomike, ashtu dhe nga fusha e letërsisë, për të ndriçuar një varg figurash të shquara letrare, por edhe për nevoja aktuale të komunikimit të drejtpërdrejtë me një kulturë të vjetër, e cila i ka dhënë kon-tribut të çmuar edhe letërsive evropiane.

Orientalistika shqiptare ka dallim të madh nga Orientalistika evropiane. Në Shqipëri ka shumë mundësi dhe hapësirë për të studiuar mbi Orientalistikën shqiptare, mbi lidhjet e saj me Orientin, mbetjet kulturore dhe arkeologjike të mbetura në Shqipëri, etj.

Pra, kjo ishte arsyeja pse ‘Qendra Shqiptare për Studime Orientale’ – ‘Albanian Center for Oriental Studies’ mori këtë iniciativë për hapjen e revistës së parë në Shqipëri për studime orientale, duke shpresuar se studiuesit, historianët, gjuhëtarët, arkitektët, arkeologët etj., do të gjejnë shumë hapësirë në revistën tonë mbi studime të ndryshme që kanë të bëjnë me Orientalistikën në përgjithësi, dhe me Orientalistikën shqiptare në veçanti.

postbck postbck

Recent Posts

Vendi ku çdo 3 minuta vdes një person në aksident rrugor

  Çdo mëngjes, faqet e gazetave mbushen me lajme për aksidente rrugore tragjike: autobusë pasagjerësh…

10 hours ago

“Thirrja”, një sukses tjetër i madh i filmit kosovar në arenën ndërkombëtare

  Nje sukses tjeter i madh i filmit kosovar ne Arenen Nderkombetare. Filmi i shkurter…

11 hours ago

Kali: Historiku i zbutjes dhe përdorimit nga njerëzit nga antikiteti deri më sot

Kali ka qenë një nga kafshët më të rëndësishme për zhvillimin e qytetërimit njerëzor. I…

11 hours ago

Mas.akra në Kishën e Kodrës ne Hormovë, ushtria greke në bashkëpunim me shqipfolësit mas.akruan mbi 500 shqiptarë

NGA: SYLEJMAN MORINA Masakra në Kishën e Kodrës ne Hormovë , ushtria pushtuse kanibalistat Greke…

17 hours ago

Otomanët dhe arabët

Nga: Daut Dauti Kundër Perandorisë Otomane, para sauditëve, janë ngritur jemenasit e më vonë edhe…

1 day ago

Rrufetë e vogla të krijuara nga pikat e ujit mund të kenë nisur jetën në tokë

  Arti dhe letërsia shpesh e kanë paraqitur krijimin e jetës me momente të mëdha…

3 days ago