Hëna plot pesë-mbëdhjetë.
N’anët të qjellit po ndrin,
Bota është gjith’ e qetë,
Gjësendi nuk’ pipërin.
Qielli ësht’ i qëruar,
I kulluar po si ari,
I fjetur e i qetuar,
Syri s’nginjetë së pari.
Ka rrjedhurë si uj’ ergjëndi
Më të gjith’ anët një dritë,
Dhe prej soje gjithë vëndi
Është bërë posi ditë.
Buruar një uj’ i artë,
E dhen’ e ka xbukuruar,
Majat’ e malit të lartë
Dhe gërxhet i ka zbardhuar!
Mi brigj’ e mi shesh’ e drurë,
Dhe përmi det drita bije,
E mi shkëmbënj e mi gurë.
Dhe vise që jan’ në hije.
Nata është fort e qetë,
Dhe gjith’ i ka zënë gjumi,
Vetëm përrenj t’e rrëketë
Ligjerojnë, edhe lumi,
Që oshëtin duke shkuar,
Nxjer një zë plot ëmbëlsirë,
Dhe ikën duke kënduar,
Sa vete bukur’ e mirë.
Veriu fryn pakë nga dale,
Njerës, kafshë, shpes’ e fletë,
Pyje, shkëmbinj, fusha, male,
Të gjithë janë të qetë.
Maji ka sjellë nga Zoti,
Shumë bekim e urata,
Është xbukuruar moti,
Dhe n’ar’ është veshur nata.
Lulet kanë lulëzuar,
Vjen një erë fort’ e mirë,
Drurëtë janë ngarkuar,
Dhe barratë kanë mbirë.
Dhitë, kecërit e dhëntë
Edhe shqerat jan’ tulitur,
Rrinë zgjuar vetëm qëntë,
Nëpër ledhe janë shtritur.
Se nga dëgjonet thëllëza
Që thotë tri katër fjalë,
Nëpër brinj’ e nëpër rrëza,
Dhe deti ka pakë valë.
Një zë tjatër tani dëgjonj!
Që zëmrënë m’a përvëlon!
U-doqçë, më s’munt të duronj!
Bilbili ka zën’ e këndon!
Qiej, yj e dhë, pushoni,
Tani juve kush u dëgjon,
Vini veshn’ edhe dëgjoni,
Bilbili, bilbili këndon.
Bilbil! e di se ç’dua,
Andaj zëri i bukur yt,
M’a dogji shpirtinë mua,
Edhe gjumë s’më hyn në syt!
– Poezi nga Naim Frashëri /InforCulture.info
Melanoma është kanceri më vdekjeprurës i lëkurës, që e merr origjinën nga melanocitet…
Kur shumë njerëz mendojnë për një pacient tipik me kancer të mushkërive, zakonisht…
Albert Camus, një prej shkrimtarëve dhe mendimtarëve më të rëndësishëm të shekullit XX,…
Mavijosjet që shfaqen lehtë në trup mund të shkaktohen nga faktorë të ndryshëm,…
Shumë njerëz zgjohen në mëngjes me gojë të thatë dhe menjëherë kërkojnë një gotë…
Të hënën pritet të nisë vaksinimi kundër gripit sezonal në Maqedoninë e Veriut,…