Staka te guri i kuq

Nga Prele Milani

Hijet krejt janë mvarë në stape, rrabet kotën në ujë të valë, shkëmbi ma kuq se gaca po shkimatet ngadalë. Dielli përvjedhet e shkon mbas malit, ngjyra e kreshtave qiellprekëse merr nji përskuqje të artë. Nëpër mëlleza e shkozëbardha cerrysin mëllijat e fluturojnë me turr. Pushon Staka në shkrepin e Gurit të kuq. Pushon i zhytur në nji meditim të trishtueshëm e të randë sa pesha e shkëmbit, mbi të cilin asht ulë. Shtati po i lëndohet e zemra i lëngon me u çue, por kamba s’gjegjet e molizë prej motesh dhe keputë nga mundi. Eh Staka, nuk ban nji hap! O jeli po m’ këputë në kërrokull e kryqi i kopatet, por plaku duron e nuk epet. Harron dhimbjën e jelit por jo atë të zemrës së shitume.

Eh Gur i Kuq, i lamë me gjakun e tim biri, foli me currat per mbi! Qysh ju bane pritë gjakësorit të Sokolit tem. A i ndjeve ato krisma që ma rrëzuen si lisi që shkallmon era bimën e shpirtit tem ? A ndijeve gjamën që i ra si re zezën kësaj kreshte? Eh Gur i Kuq i lamë me gjakun e tim biri, fol e kallëzoj plakut. A ja pe buzën e shkrumume për nji cerk ujë sa t’i njomi për të fundit herë e spati kush me ia dhanë se nuk pati përbri babë as nanë? Ëm birë, njeku gurë të ka përbujt, e bash njeku pushim të ka ruejt. Kot të pritëm e të bamë za tetanë se ku hupe.

Ti shkove Shkoder për shtek e erdhe në vig pa jetë. Muzgu i rëngrohtë po afrohet prajshëm t’u mbulue të shkretën bukuri të malit. Çohu more Stakë se të zuni nata në mal! Buni po të pret e gjaja janë avite te torishta. Staka e di mirë se ndodhet nji pushim larg, por s’mund e len atë curr. Për gjakun e tim biri që spërkati këtë rreshpe, vrasësit që shkeli usullin bajraku i dogji konakun, i preu pemët e zbardhoi kashnjetet dhe e qiti katil. E more Sokoli em, sa çurgu në shpellën e Zhylës njaq dhimbje ndjeva në krahnor kur të varrosa! Prisha besën tri fiseve e në kulla i ngujova. Gjakësit lanë djerr tokat dhe arat e veta e ndejtën në ngujim si anxa e ndryme në zguer. Gjanë ja u ruajtën bishat, bjeshkën ja u thava e të zezë e kaluen verën.
As gjethe në hamalla, as sanë në livadhe nuk vunë. Dielli ka ra, e nuk i ngrohi, festa, pergimë e dasma janë ba, por nuk i festuen as nuk i gëzuen në rend me shokë. Zgjedha u mbeti pa qe e parmenda pa bujk, zjarri u mbet në krane e jetesa në fëmijë e gra! Ma se nji herë fisi më burra dheu më cokiti në derë. -Stak Ndoci -më thanë ;
– Burri i fortë ,fale !
-Kjoshi e pleqnoshi me faqe të bardhë. Burri asht dej-dej, i fortë apo i ligshtë varet si ti takojë delli në atë çast. O jeni ngutë ju, o më keni gjet në dekik të ligsht. Kerrçat folën urtisht e burrnisht, por falja bahet me mendje dhe zemër. Zemra ëmë nuk ishte e gatshme me falë djalin e vetëm hala pa iu nda indet prej eshtnave.

E more birë, ëm birë ma e randë se vdekja asht kujtimi i marrjes së gjakut. Ky detyrim kolektiv asht shartue në zemra,ngulitë gozhdë në tru, latue në vatra, lisa e rrasa varresh. Tre mote nuk më pushoj shtati as mendja. Shko e eja, poshtë e nalt, nuk më zu kamba vend. I gjurmova, i ndoqa, u zuna prita e i lashë në ngujim. T’ue ruejtë gjaksin si ujku prenë, Zoti më qiti në shteg çikën e tij. Djella asht e re por ka lëshue shtat të hjedhun me nji bukuri verbuese që e qiti në sherr.
Të shkretës çikë i kanë ra barrë të randa për hise, më t’ amën po bajnë punë që nuk u takojnë grave vajzave. Mashkujt e ndrymë në kullë i druhen pushkës tëmë, dikush duhet me punue ose me dekë unit.

Kisha zanë pritë pas nji rrathtori, në cep të prozhmit të Prek Ujkës. Isha t’u e rujt më pushkë në faqe gjakësin, por erdhi e bija. Çika ngarkoi nji barrë dushk të njomë lejthije për shtrri.
Sa bani me u nisë nga kaçubet i doli përpara nji tarabak haramzade i lagjes Culaj.
Ju lut më kambëngulje por çika vendosmërisht i tha :- More djalë, robt i kam në ngujim por nuk jam shakë as njeri i pa njeri Mu hiq qafe, sa të jem gjallë nuk të bijë në dorën tande. Fyçkëderri ju kthye çikës, e ngjeshi forcënisht pas nji lisi dhe gjithë jargavitje i dha disa puthje kafshuese.

E lash pritën dhe turr u afrova pa zhurmë, m’u turbullue mendja e sytë më lëshuen xixa.
Zdapi dymetrosh, i ndezun flakë nga efshi e shtrini poshtë vetes çikën, i këputi me force ushkurin e tëlinave … Nuk po mban goja ta them. Çika dardhoshe rroshatake mbrohej me gjithë fuqinë që kishte t’u qa e bërtit…. Kurse hamshori plehanik kishte nxjerrë pallën demkosun të çnderonte nji krijesë engjëllore të pa mbrojtun, viktimë e ngujimit kolektiv të tatës dhe vëllazneve të saj.
-Ç’ka je ka ban more qen bir qeni? Ç’ka je ka ban, ma paç faqën e zezë? -bërtita sa mujta… Britma e ëmë i ra si rrufe shtazarakut i cili ktheu kryet ka unë dhe me ton të ashpër kërcenues m’u turr me fjalët.
-Ç’ka dreqin do ti këtu, more plak matuf?
– Si guxon more flliqan me ardhë prej Culajsh e me çnderue çikat tona.
– A thue mos do për nuse Sokolin ? Mos rri ferrave si iriq por shko e merr gjakun e djalit, he të thafshin krahët.

Kjo mushqerra e gjakësit tan asht ba për ka, e mos ki frikë se nuk i tepron gja prej rrotës teme.
-More i poshtër, Prekë Ujka më ka borxh gjakun e djalit por jo nderin. Nderi çikës së tij ashtë si nderi çikës teme. Sokolo more birë, e nxora alltinë, deshta me shkrepë të gjithë fishekët që kishte në gushë. Si qeni që leh e turret me shqye, por kur sheh armën zbythet , njashtu ia mbathi kopili i Culajve. E gjuejta më thumb e plumbi ia treti kapuçin.
E fali pushka, jo unë edhe iku t’ue cikatë zagar bishtvarun.
Çika erz qelibare më mori grykë t’u më thanë:

– Stakë Ndoci, gjakun e djalit ta kena borxh, tanë mashkujt m’i vrafsh, ty të kam si babë e vëlla mbi vëlla.
Sokolo, u dredha, shkova në derë të hasmit dhe thashë: Falë të kjoftë gjaku ! Eh Sokol more birë e fala bash najtë dorë që ta këputi jetën ty, për nji fjalë goje e m’la mue si lis të thatë fillikat. Biro nuk ta fala gjakun për ligshti as për hatër të 24 burrave të fisit, as si flijë ndaj ndonjë shenjtori mrekullibas.
Eh Sokolo, ma mirë gjak yt i pa paguem se nji hasëm e nji fis i turpnuem !

Nata ra e tash Staka u çue, rrugën përpjetë e mori avash –avash, bashkë me orën. Te buni nji za i thërret;- Moreeee taaatë?- Po vijë, po vij;- përgjigjet plaku faqebardhë i malit të varfër i ngarkuem plot kujtime. Kur të rritën djemtë e vëllait kanë me i mësue këto kujtime të dhanuna në gjokse e të shpërndame kudo ndër kulla e ngulë përgjithmonë në atë Gur të Kuq. Te ky pushim, që ndanë dy rrugë kryqe,- pusho o kalimtar, lexo të gdhendun në shkamb nji epitaf të çmueshëm jete. -Bash te ky gur, Stakës i ra gjama ma e randë që i bije nji babe. Bash te ky gur Staka bani faljën ma t’madhe që mund të bajë nji burrë. Staka fali gjakun e djalit urtësisht me trimni në sy e fuqi të rrebtë ndër deje për ditë ma të bardha shprese e mirësie!

postbck postbck

Recent Posts

A ndihmon soda e bukës me problemet e diabetit /Disa këshilla se ku ta përdorni

  Soda e bukës mund të jetë një nga produktet që përdoret më së shumti…

2 hours ago

“Peshku i apokalipsit” rishfaqet në Kaliforni: shkencëtarët kërkojnë sekretet e specieve

  Një peshk remo është shfaqur në bregun e Grandview në Encinitas, Kaliforni. Është zbulimi…

2 hours ago

Zbulohen kulla kripe në tabanin e Detit të Vdekur

Zbulohen kulla kripe solide në tabanin e Detit të Vdekur. Të krijuara nga vetë natyra, nuk…

19 hours ago

Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve në Pakistan…

Vendbanimi i pasardhësve të ilirëve, ushtarëve të Lekes madhe në Pakistan që flasin theksin Burrash,…

22 hours ago

Ditarët e panjohura të komandantit gjerman të forcave supreme: Hit’leri është i brengosur për gjendjen në Shqipëri, gjenerali Badoglio dha dorëheqjen prej humbjeve…

Ditarët e luftës të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der…

23 hours ago

Gladiatorët ishin influencuesit e Romës së lashtë

Nga: Claire Turrell / The Daily Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Influencuesit [influencer] që lëvizin shkopin e…

23 hours ago