Memorie.al sjell istorinë e panjohur të familjes së vjetër intelektuale shkodrane, Saraçi, ku pinjollët e saj, si djemtë e Zef e Roza Loro Gurakuqit që ishin diplomuar në universitetet e Vjenës, pas vitit 1944 përfunduan në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës duke kaluar një kalvar të vërtetë deri në viitin 1990-të. Rrëfimi i Fatbardha Mulleti Saraçit, bashkëshortes së Kolindo Saraçit, për vuajtjet dhe peripecitë e asaj familje…
Një nga ato familje të njohura intelektualre shkodrane e cila u godit rëndë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës që me ardhjen e tyre në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, ka qenë edhe familja Saraçi, e cila ka banuar në rrugën me të njëjtin emër, karshi hotel “Sokrati”, ngjitur me Prefekturën, e cila që para viteve ’90-të është e njohur me emrin: Rruga “Jorgji Karamitri”. Po cila ishte origjina e familjes Saraçi, që kur kanë qenë të njohur të parët e saj në qytetin e Shkodrës dhe cilët ishin pinjollët që dolën prej trungut të saj dhe e mbëjtën gjallë traditën e familjes?
Ku u shkolluan djemtë e Zef Saraçit, me çfarë punësh u morën ata gjatë viteve të Monarkisë së Zogut e në periudhën e pushtimit fashist të vëndit dhe përse u godit ajo familje nga regjimi komunist i Enver Hoxhës menjëherë pas mbarimit të luftës? Kush ishte Profesor Angjelin Saraçi, njëri nga personat më të njohur të asaj familje, përse u arrestua ai nga Sigurimi i Shtetit dhe si iu grabit atij e gjithë shtëpia së bashku me bibliotëkën e tij mjaft të pasur, të cilën ai vazhdoi ta kërkonte duke iu shkruar herë pas here autoriteteve komuniste që komandonin asokohe në qytetin e Shkodrës? Lidhur me historinë e kësaj familje, na njeh dëshmia e zonjës Fatbardha Saraçi (Mulleti) bashkëshortja e Kolindo Saraçit, vëllait të Angjelinit, më të njohurit të asaj familje që tashmë nga ana mashkullore i kanë mbetur vetëm dy djem fare të rinj, të cilët për vetë moshën e tyre nuk e njohin mirë të kaluarën e asaj familje.
Po kush ishte profesor Angjelin Saraçi, ku ishte shkolluar dhe ku shërbeu ai pasi u kthye nga studimet universitare që i mbaroi në Vjenë të Austrisë? Çfarë qëndrimi politik mbajti Angjelin Saraçi gjatë viteve të pushtimit fashist të vëndit dhe përse u arrestua ai nga komunistët që me ardhjen e tyre në fuqi në fundin e vitit 1944? Si iu grabit Angjelinit prej komunistëve e gjithë shtëpia së bashku me bibliotekën e madhe që ai dispononte dhe peripecitë e tij në kërkim të asaj biblioteke. Si rrodhi jeta e Angjelinit pas lirimit nga hetuesia dhe në çfarë rrethanash vdiq ai në Tiranë ku jetoi deri në vitin 1986 krejt i vetëm?
Lidhur me këtë, zonja Fatbardha Saraçi (Mulleti) nusja e nipit të Angjelinit, Kolindo Saraçit, dëshmon: “Angjelin Saraçi u lind në vitin 1906 në qytetin e Shkodrës dhe kur ai mbushi moshën për në shkollë, dy prindërit e tij, Zefi me Rozën (Gurakuqi) e dërguan për të ndjekur mësimet në kolegjin e fretënve në qytetin e Shkodrës, një nga më të njohurat e asaj kohe. Pas mbarimit të asaj shkolle, Angjelin Saraçi u dërgua në Austri ku ai ndoqi studimet në gjimnazin klasik në Krems an der Donau, të cilin e mbaroi në vitin 1926. Më pas ai ndoqi studimet e larta në fakultetin e Histori-Gjeografisë pranë universitetit të Vjenës, të cilat i mbaroi me rezultate shumë të larta në vitin 1930. Një vit më vonë në 1931, Angjelini mbrojti diplomën dhe dezertacionin për marrjen e doktoraturës për gradën e Doktorit të Shkencave, në të cilën paraqiti temën me titull: “Geschichte Nordalbanies bis Stephan Nemanja” (Historia e Shqipërisë së Veriut deri te Stefan Nemanja) .
Ai punim shkencor i tij përbëhej prej 98 faqesh me 8 fletë bibliografi. Pas mbrojtjes së gradës shkencore, Angjelini u kthye në Shqipëri dhe Ministria e Arsimit e asaj kohe e emëroi pedagog pranë gjimnazit klasik të qytetit të Shkodrës, ku ai shërbeu me përkushtim të madh deri në vitin 1943. Gjatë gjithë asaj periudhe dhjetëvjeçare, përveç lëndëve të tija mësimore që ai dha pranë atij gjimnazi, u mor edhe me punë shkencore duke shkuar nëpër të gjitha trevat e Veriut të Shqipërisë, ku mblodhi materiale të ndryshme me të cilat hartoi një histori mjaft të pasur të atyre krahinave. Ndër to vlejnë të përmënden ato të zonës së Dukagjinit, dorëshkrimet e së cilës përbëhen prej 527 fletësh dhe ato të Zadrimës prej 141 fletësh.
Po ashtu aty rreth vitit 1943 kur Kosova ishte nën administrimin e Shqipërisë, ai mblodhi dhe materiale për atë krahinë, të cilat përbëhen prej rreth 30 faqesh në dorëshkrim. Duke pasur bindje politike thellësisht antikomuniste, gjatë viteve të pushtimit fashist të vëndit, profesor Saraçi aderoi në organizatën e Ballit Kombëtar dhe në qershorin e vitit 1944 ai u bashkua me dy batalionet e rinisë balliste që shkuan për të luftuar kundra forcave çetnike në Kosovë. Por pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes së komunistëvë në pushtet, kjo gjë i kushtoi shumë rëndë Angjelinit, pasi komunistët e konsideruan armik të popullit dhe e arrestun që në fillimin e vitit 1945″, kujton Fatbardha Saraçi (Mulleti) lidhur me të kaluarën e profesor Angjelin Saraçit, intelektualit të njohur shkodran të diplomuar në Vjenë të Austrisë.
Pas lirimit nga hetuesia në fillimin e tetorit të vitit 1945 ku profesor Saraçi qëndroi për më shumë se gjashtë muaj në kushte tepër të rënda fizike dhe psiqike, ai nuk u kthye dot më në shtëpinë e tij, pasi ajo ishte bastisur e sekuestruar nga Sigurimi i Shtetit që pas arrestimit të tij. Nisur nga ajo gjëndjë në të cilën u ndodh, profesor Saraçi u pezmatua dhe njerzit e tij të afërm të familjes kanë dëshmuar se më shumë se gjithëshka, atij i vinte keq vetëm për bibliotekën e tij mjaft të pasur e cila ishte grabitur pothuaj krejtësisht. Pas kësaj Angjelini nisi menjëherë odisenë e gjatë për të kërkuar pranë organeve kopetente të qytetit të Shkodrës, të gjitha ato çka atij i kishim marrë e sekuestruar padrejtësisht. Kështu fillimisht, ai i nisi një letër të gjatë Komandës së Qarkut në Shkodër, në të cilën shkruante:
“I nënshkruari profesor Angjelin Saraçi parashtroj lutjen si vijon: Në muajin Fryer të këtij viti jam arrestua prej forcave të Brigatës së Mbrojtjes së Popullit dhe kam ndejun i burgosun prej më shumë se gjysë vjeti dhe mandej jam lirue pa dalë fare në Gjyqe si i pafajshëm. N’atë kohë, si i arratisun politikisht, m’asht sekuestrue pasunija që kisha prej forcave t’ish Korpsit të III, Seksjonit të Mbrojtjes së Popullit, etj enteve që kjo pasuni shënohet në listën e bashkanjitun. Me kenë se unë jam lirue si i pafajshëm, kërkoj që edhe pasunija të më kthehet ose të paguhet. Shtoj se i kam çmue të gjitha sendet e sikvestrueme si mbas çmimit të tregut që shiten sot dhe nuk asht çmue ma tepër në mënyrë që t’ulet dhe të mbërrijmë në çmimin e vërtetë. Jam shuëm në gjendje të keqe ekonomike dhe kërkoj prej asaj Komande me ndërmjetësue ku duhet për këthimin e plaçkave ose pagimin e tyne si mbas vleftës që asht shënue në listën bashkanjitun. Shtoj se në qoftë se materiali i mirë do të më kthehet, të më caktohet dam shpërblimi. Tue mbete në pritje të ndonji përgjegjes,
Nënshkruem
Profesor Angjelin Saraçi
Ndërsa në listën e bashkangjitur asaj kërkese ku bëhet fjalë për grabitjen e bibliotekës, Angjelin Saraçi ndër të tjera ka shkruar:
“Biblioteka 1.
Disa mija Napolona letër së pakut…Fr, arit 70000. a. Mungojnë libra Tedeshk dhe Shqyp, rivista, atlase e koleksjone të ndryshme gazetash. Janë shkye libra. Me hupjen e prishjen e librave e të gazetave, janë prishë koleksjonet, të cillat duhet me i zavëndësue për me i ba të vlefshme ato që kanë teprue, gja e cilla asht e vështirë se janë të vjetër. Mund të gjinden rastësisht (okasion) në rast se janë shitë. Prej atyne që kanë mbetë, shumë janë ndy, një pjesë kanë bjerrë mblojet (kartucat) të cillat kërkojnë mjaft të holla për përmirësim. Për ta kthye në gjandjen e maparshem bibliotekën, e vetmja mëndyrë do t’ishte me shkue vetë në Austri, ku të më qillojë rasa e cilla shkakton shpenzime të madha dhe bjerrje kohet.
Më kanë humbë dy penda Stilografike të markës Pelikan (të kohës së pagjes) me disa maje pende arit rezervë sejcilla. Tri deri në katër shishe të mëdha bojet shkrimi (pagjet) pelikan kualitet i parë për pendë Stilografike Pelikan.
Nja katërdhjet topa letre të bardha fort (shkrimit) Austrije të markës leyka, Italije, (shumica) e Franceze të pa markë ble prej nji shokut që i sillte prej Francet.
Nji sasi e madhe letra etj të shkrimit autarkike.
Nja sasi mjaft e madhe materjali tjetër si: kartuca shumë të re me lustër vojit, letra të mira për të pështjellë librat etj.
Një sasi kilosh Naftaline kokërr për të krypë librat për të mos me i lanë tejen me i bre”. Më poshtë kësaj letre ku profesor Saraçi paraqet listën e sendeve të vjedhura nga biblioteka e tij, ai ka paraqitur edhe një listë tjetër, që e quan: “Pasqyra e teshave të vëllaut Lorit të marra nga forcat ushtarake, të cillat ndodheshin në shtëpinë t’eme”. Në përfundim të asaj liste me rrobat dhe sendet e vjedhura, Saraçi ka vënë edhe shumën e tyre në para që përbëhet prej 246677 Franga Shqiptare.
Pas kërkesës të profesor Saraçit për kthimin e pasurisë së grabitur, Komanda e Qarkut të Shkodrës, i ktheu atij një përgjigjie ku shkruhej:
“Profesor Angjelin Saraçit. Shkodër. Ju komunikojmë se lutja e juaj drejtue kësaj Komande mbi këthimin e pasunisë së sikvestrueme e qi si mbas listave të paraqituna nga ana juej kanë shumën fr. Shq. 246677 ? Në bazë t’urdhnit Nr. 05-1917 / I datë 1.XII.1945 të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit nuk ju merret parasyshë, mbasi masat që janë marrë kontra ilegalve, t’internuemve e tjerë, si djegëje shtëpijash, sekuestrime pasunish e tjera në kohën e ma parshme, nuk kthehen ma. Shkodër, më 14 / I / 1945.
Komisar’i Qarkut Kapiten i I Komandant i’Qarkut
Milo Qirko, Kapiten Sabri Sevrani.
Pas kësaj përgjigjie, profesor Saraçi u detyrua dhe i shkroi Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë në Tiranë dhe pas asaj letre, Komanda e Përgjithshme të Mbrapavijave të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare më qendër në Tiranë, i dërgonte një shkresë Komandës së Qarkut në Shkodër, në të cilën shkruhej:
“Tiranë më 6 / XII / 1945. Gjegje e shkresës Nr. 01196 datë 12.11. 1945. bashkënjitun kethejmë listat e dërguara me shkresën e sipërme për të cilat ajo Komandë duhet të vepronte me anën e Seksjonit të Mbrojtjes së Popullit aty për skjarimin e çështjes dhe zbulimin se ku ndodhen dhe prej kuej janë përdorë materijalet qi janë marrë profesor Angjelin Saraçit Prandej të zhvillohen hetimet përkatëse me anën e Seksjonit Mbrojtjes së Popullit si dhe nga kjo Komandë se ku ndodhen sendet e shënuara në lista. Për këtë në rast nevoje ju drejtojuni edhe personave që kanë kry rrekuizimin n’atë kohë. Si të jetë vërtetue sa më sipër e nëqoftë se ajo Komandë nuk do të jetë në gjëndje me përfundue këtë çështje, na dërgoni aktet për shqyrtim. Komandant’ i Mrapavijave Gjeneral-Major (Dali Ndreu) Por edhe pas kësaj letre, profesor Saraçit nuk iu kthye asgjë nga pasurija që i kishin grabitur forcat partizane pas arrestimit të tij.
Lidhur me jetën e profesor Angjelin Saraçit në vitet që pasuan pas lirimit nga hetuesia në vjeshtën e vitit 1945, Fatbardha Saraçi Mulleti dëshmon: “Pas daljes nga burgu, si rezultat i sekuestrimit të gjithë pasurisë dhe i mbetur pa punë e pa të ardhura, Angjelini u ndodh në një gjendje mjaft të keqe ekonomike. Duke mos shikuar mundësi tjetër, ai iku nga Shkodra dhe fillimisht u vendos në qytetin e Beratit ku punoi disa kohë si mësues. Aty nga viti 1949 ai u vendos në Tiranë, ku për pak kohë arriti që të punonte si specialist pranë Bibliotekës Kombëtare, por dhe prej aty e larguan shumë shpejt për arsye biografike. Pas kësaj ai punoi edhe si përkthyes i jashtëm pranë Institutit të Historisë, Arkeologjisë e Etnografisë dhe më pas u rregullua si përkthyes pranë një grupi gjeologësh gjermano-lindorë që asokohe kishin ardhur në Shqipëri për kërkime.
Pas daljes në pension Angjelini mbeti në një gjëndje krejt të mjeruar ekonomike, pasi ai nuk kishte arritur të krijonte familje dhe jetonte krejt i vetëm në një apartament të vogël diku në lagjen “Ali Demi”. Për të përballuar jetesën, ai filloi të shiste librat e bibliotekës së tij mjaft të pasur, që pak kush mund ta kishte asokohe në Tiranë e në fondin e së cilës gjendej edhe i gjithë fondi i bibliotekës së ish-konsullit austriak në Shkodër, Theodor Ippen, të cilën Saraçi e kishte blerë në Austri duke shpenëzuar shuma të mëdha parash. Profesor Angjelin Saraçi pati fatin të jetonte gjatë dhe ai ndërroi jetë në shkurtin e vitit 1986, duke mbyllur sytë përgjithmonë pa asnjë njeri pranë. Në atë kohë njëri prej komshijve të tij, i dërgoi telegram Ëilli Kamësit, mikut të familjes sonë dhe pas kësaj bashkëshorti im. Kolindo Saraçi shkoi në Tiranë për të kryer varrimin e tij.
Po të mos kishte shkuar Kolindo atë ditë në Tiranë, trupi i Angjelinit do të shkonte pranë Institutit të Mjkeksisë Ligjore për praktikën e studentëve. Vetëm pas viteve ’90-të, një pjesë e mbetur nga biblioteka e Angjelin Saraçit, më dt. 26. 4. 2003, iu dorzua Universitetit “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Shkodrës për katedrën e Histori-Gjeografisë” e përfundon dëshimnë e saj zonja Fatbardha Mulleti lidhur me persekutimin e Angjelin Saraçit dhe familjes së tij, ku edhe sot e kësaj dite pasardhëseve të saj nuk i është kthyer asgjë nga pasuria e sekuestruar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës që në vitin 1945.
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…