250 vjetori i lindjes, “Viti i Bonapartit”. Pse historianët francezë asnjëherë nuk i kushtuan rëndësinë e duhur prejardhjes së largët të Napoleonit. Memoires (Kujtimet) e dukeshës d’Abrantes janë pra në zanafillë të prejardhjes arvanitase të familjes së Napoleonit. Po ç’lidhje kishte kjo dukeshë me Bonapartin.
Dokumentet e vitit 1806; letrat e Napoleonit rreth Shqipërisë
Historia e regjimentit shqiptar nën flamurin e Napoleonit, të vendosur në Korfuz. Si Bonaparti kërkonte të siguronte zotërimet në Adriatik. Dyshimet për vizitën e tij në një ishulli strategjik. Ditari ku shkruan për një ishull të varfër dhe të zhveshur, pa mure, pa hekura e zinxhirë, por që është një nga më të pathyeshmit….
Sa herë kisha dëgjuar rreth origjinës arbëreshe të Napoleonit vija buzën në gaz duke menduar se imagjinata e atyre që mbronin këtë tezë shkonte aq larg sa merrte përmasat e një legjende, apo trilli romanesk. Në fakt, ata që e kanë hedhur këtë tezë janë mbështetur në librin me kujtime të dukeshës d’Abrantes si dhe një thënie të presidentit francez Adolph Thiers se “Napoleoni ka qenë me origjinë arbëreshe“. Deri më sot biografët më të mëdhenj të Napoleonit e kanë lënë jashtë interesit këtë tezë, duke mos dashur të shkojnë gjer në rrënjë të largëta të shekullit XV-XVI-të. Për ata është e rëndësishme se ai ishte një korsikan, që e deshi Francën dhe iu përkushtua asaj, duke u bërë heroi më i lavdishëm i të gjitha kohrave. Informacionet e historianëve shkojnë gjer në prejardhjen gjenoveze, atëhere kur Korsika varej nga Republika e Gjenovës (ku ishin dozhë disa shqiptarë të familjes Durazzo, për dy shekuj me radhë), si dhe nga një dokument i vjetër që lidhet me përçapjet e babait të Napoleonit për të marrë një dëshmi titulli fisnikërie nga pushtetarët e atëhershëm të Toskanës, si fisnik i atyre trojeve. Pra historianët francezë asnjëherë nuk i kanë kushtuar rëndësinë e duhur prejardhjes së largët të Napoleonit, pasi bëmat e tij ishin aq të mëdha, betejat ishin aq të lavdishme, dhe themelimi i një shteti të ri ishte aq vendimtar, saqë asnjë biograf deri më sot nuk ka arritur ta japë të plotë figurën e tij në gjithë dimensionin e vet. Si të thuash ky personazh është identifikuar me historinë e Francës që nga momentin kur ai shkoi në betejat e para e gjer në fundin e tij tragjik dhe enigmatik në ishullin e Shën Helenës ku mbahej rob nga anglezët, armiqtë e tij të përjetshëm. Por a ka bazë ideja se Napoleoni kishte prejardhje nga gjaku i shqiptarëve? Personalisht nuk do ta hidhja poshtë si një pyetje që i bëhet historisë, por unë do ta formuloja ndryshe, në atë se “prejardhja e Napoleonit ka mbetur enigmë“. Edhe një nga biografët më të mëdhenj të Napoleonit, francezi André Castelot, duke i u referuar dëshmive të dukeshës d’Abrantes, nënvizon thëniet e saj se “nëna e Napoleonit, Laetizia Ramolino, kur binte fjala për prejardhjen e tyre humbiste në një mori emrash që s’kishin të sosur…“
Bonoparti, korsikan, gjenovez, toskanas apo arvanitas?
Asnjë historian nuk e thotë me siguri se ai ishte korsikan, gjenovez, toskanas, apo nga Mani i Greqisë i banuar atëherë plotësisht nga arvanitas, siç e thotë dhe shkrimtari dhe historiani francez Michel de Grèce në librin e tij La Bouboulina. Natalie Petiteau, historiane franceze dhe mjeshtre konferencash, pohon se „Bonaparti kishte një prejardhje gjenoveze, familje e cila ishte shpërngulur dhe ishte vendosur në Ajaccio të Korsikës në shekullin e XV“. Memoires (Kujtimet) e dukeshës d’Abrantes janë pra në zanafillë të prejardhjes arvanitase të familjes së Napoleonit. Po cila ishte kjo dukeshë dhe ç’lidhje kishte me Bonapartin. Historiani francez Gerard Walter, në një botim të „Pleiade“, thotë se Laure Permon, (1784-1838), – emri i saj i mëparshëm – ishte vajza e një tregtari ushqimesh që u pasurua nga tregëtia e mallrave ushtarake gjatë fushatës ushtarake të Amerikës. Në kthim ai iu fsheh terrorit që u vendos më vonë dhe shkoi të fshihej në Bordeaux, ku dhe vdiq. Zonja Permon mbeti e ve bashkë me vajzën e saj, Laure. Ato bënin një jetë mondane në Paris dhe shpejt, Laure do të njihej me një nga besnikët e Bonapartit, kolonelin Junot.“ Junot, i cili kishte luftuar me Bonapartin që në orët e para, e ndoqi gjeneralin dhe në „Fushatën e Egjiptit“. Në kthim ishte Bonaparti që firmosi martesën e tyre, duke u dhuruar një prikë prej 100 mijë franga, si dhe një shportë të mbushur me 40 mijë franga. Ajo ishte veçse 17 vjeçare dhe shpejt ishte bërë një nga femrat më spikatëse të Parisit: pra ajo arriti të bëhej gruaja e komandantit ushtarak të Parisit!
Disa historianë të tjerë flasin për marrëdhëniet intime që ajo kishte patur më parë me Napoleonin, i cili në atë kohë kalonte plot aventura të tilla. Bonaparti ishte një “xhentëllmen“ dhe dinte t’i nderonte mikeshat e veta dhe madje edhe ti shpërblente ato. Por le të kthehemi te zonja Laure Permon, (e cila ishte nga familjet e njohura në trevat e Albanisë që në kohën e Bizancit, pra nga familja Comnene, siç e pranojnë të gjithë historianët) dhe koloneli Junot, i cili ishte një njeri mjaft trim dhe që në „Fushatën e Italisë“ kishte marrë gjashtë plagë shpatash. Pas martesës së tyre në vitin 1800, Junot filloi të bënte një jetë disi skandaloze. Pinte shumë dhe Bonaparti u detyrua ta largonte nga Parisi, duke e çuar ambasador në Lisbonë të Portugalisë. Kur perandori shkoi të luftonte në Austri, çuditërisht, Junot e la ambasadën e tij, ngjeshi shpatën dhe shkoi drejt shtabit të tij për të luftuar në krah të Perandorit. Për këtë shembull besnikërie, Napoleoni e bëri guvernator të Parisit. Meqë Napoleoni shkoi drejt luftrave të mëdha nëpër Europë, ai u bë personazhi më i rëndësishëm ushtarak i perandorisë, pas Napoleonit. Por ndërkohë pati lidhje me të motrën e Napoleonit, Karolinën, e cila ishte gruaja e gjeneralit të famshëm Marat. Kur Napoleoni u kthye dhe e mori vesh këtë gjë, e largoi atë përsëri duke e çuar drejt frontit, siç kishte bërë dhe me një të dashur të gruas së tij, Zhozefinës, i cili dhe ai përfundoi në front. Junot shkoi të luftonte kundër portugezëve dhe e pushtoi Portugalinë. Pas betejës në Abrante, Napoleoni i dha titullin “duk i Abrantes”. Për këtë fitore Napoleoni e caktoi komandant të armatës së Westfalisë, por ylli i ushtarakut trim filloi të zbehej dhe ai filloi të bënte përsëri një jetë të shthurur. Në kthim, Napoleoni ia ndaloi qëndrimin në Paris. Ai u detyrua të shkonte në shtëpinë e të atit, ku disa dite më vonë, nga dëshpërimi i madh u hodh nga dritarja dhe vdiq.
I shkruajtëm këto radhë për të treguar se familja d’Abrantes ishte mjaft e lidhur me Napoleonin dhe familjen e tij. Madje dukesha d’Abrantes ishte nga më të afërtat e motrave të Napoleonit dhe e nënës së tij Laetizia, çka do të thotë se një dëshmi e saj nuk është një trill, por një realitet që e ka gjetur brenda familjes Buonaparte dhe në tregimet e tyre familjare, edhe pse Napoleoni nuk ka folur asnjëherë për një prejardhje të tillë.
Historia njeh shumë personazhe që gjatë jetës së tyre nuk e kanë patur të nevojshme të pohojnë origjinën e tyre të vërtetë, duke u mjaftuar me atë që përjetonin për së gjalli. Në Memorialin e Shën Helenës të kronistit Las Casas, i cili e ndoqi perandorin në ishullin e Shën Helenës, ai shkruan dhe për fjalët që i kishte thënë Napoleoni mbi dukeshën d’Abrantes: “Zonja Junot ishte princeshë e familjes Comnene. Ishte nga Korsika dhe jetonte pranë nesh. Madje familja e saj kishte mjaft detyrime ndaj nënës sime. Në fakt ishin gjeneovezët që kishin sjellë nga Mani i Greqisë një familje maniotësh dhe i kishin vendosur në Ajaccio. Njëri nga ta, fermier, shkoi në Versajë dhe u lidh me gruan e ish ambasadorit francez në Konstantinopojë, zonjën de Vergennes. Pikërisht nga kjo familje rridhte zonjusha Junot…”
Vetë Napoleoni na jep një dëshmi mjaft interesante: që ajo rridhte nga arvanitasit e fshatit Mani, ç’ka duket se na vërteton dhe shkrimin e d’Abrantes për historinë e takimit të maniotëve të Peloponezit me Napoleonin. Ç’kishte ndodhur në të vërtetë? Dukesha d’Abrantes në kujtimet e saj, duke folur për “Fushatën e Italisë” të Bonapartit, (ai ende nuk ishte bërë perandor), tregon se dy nga shefat luftëtarë të Manit, kishin ardhur të takonin Bonapartin. Beu i Manit i kujtonte Bonapartit prejardhjen e tij nga ato anë (pra Bonaparti kishte gjak maniot), duke i kërkuar ndihmë për të sulmuar turqit në trevën e Peloponezit. Njëkohësisht, Bonaparti do të gjente përkrahjen totale të tyre. Pas kësaj, Bonaparti, që ishte në Milano dha urdhër të niseshin drejt Manit dy vëllezërit Stefanopuli nga Korsika, Dimo dhe Nikola. Ata u nisën dhe u pritën nga prijësi i Manit të lirë, Zanet Beu”. Se ç’ka ndodhur pas atij takimi nuk kemi ndonjë të dhënë, por dimë angazhimin e Napoleonit për të shtënë në dorë ishujt e Qefalonisë dhe Peloponezin, edhe pse atje ishin flotat ruse dhe angleze. Shtojmë se dhe zonja d’Abrantes ishte nga familja Stefanopuli (Josephine Laura Permon Stephanopuli De Comnene).
Askush nga historianët nuk ka shkruar për këtë takim, pasi askush nuk ka patur kohë të rrëmojë në morinë e arkivave të ushtrisë, të cilat janë të pafund dhe jeta e një njeriu nuk do të mjaftonte për ti parë të gjitha ato. Eshte historia e një epopeje legjendare dhe e krijimit të shtetit të vërtetë, të cilin e trashëgojnë sot francezët : Shtetin e së Drejtës!
Napoleoni dhe shqiptarët
Historia e regjimentit shqiptar nën flamurin e Napoleonit, të vendosur në Korfuz (Regiment des Albanais)është tashmë e njohur. Historiani Auguste Bopp në librin e tij Napoleoni dhe shqiptarët tregon dhe për marrëdhëniet e Napoleonit me Ali Pashën. Në një nga letrat dërguar kryegjeneralit Bonapart, në verën e vitit 1797 Ali Pasha i shkruante : “Vlerësimi dhe admirimi që ushqej për ju gjeneral, për kombin tuaj të madh e të fuqishëm më bëjnë që ta dua miqësinë tuaj, të cilën e kam ushqyer në takimet me ministrat dhe ambasadorët tuaj. I gëzohem kësaj kënaqësie që ndjej. Unë i kam dhënë gjithnjë provat e mëdha për këtë ndjesi para bashkëpatriotëve tuaj në pashallëkun tim si dhe tek zëvendës-konsulli Tozoni dhe agjenti juaj në Patra, zoti Dupré. Ata janë dëshmitarë të gëzimit që kam ndjerë per fitoret tuaja dhe urimet e mia për begatinë e republikës tuaj. Aksionet tuaja heroike gjeneral, çka i çmoj së tepërmi, më bëjnë ta dua këtë miqësi të veçantë, meqë kemi dhe të njëjtat prirje luftarake dhe unë jam i sigurtë se do ta kem këtë miqësi tuajën…»
Fakte të reja dhe të panjohura tregojnë se Napoleoni i vlerësonte shqiptarët dhe tregonte një interes të veçantë për pozicionin gjeografik e strategjik te Shqipërisë. Madje për një periudhë mjaft të shkurtër, vetëm në muajin qershor 1806, nga leximet që kam patur, jam informuar për shumë letra të Napoleonit rreth Shqiperisë. Sigurisht, atëherë Napoleoni, që kishte shtabin e tij në pallatin e Saint-Cloud, pranë Parisit, kërkonte të siguronte zotërimet në Adriatik. Eugene, birin e Zhozefinës, Napoleoni e kishte caktuar Mbret të Italisë. Më 11 qershor 1806, ai i shkruan të birit, princ Eugene, për organizimin e ushtrisë: «Jam i informuar se mjaft ushtarë në Dalmaci, në Istri dhe në Friul janë të pa armatosur. Veç tyre duhet të jenë dhe dy regjimente në Shqipëri si dhe një kompani artilierësh francezë dhe një tjetër me italianë… Forcat tona duhet të zënë pozicion në Kotorr… Gjenerali Lauriston është guvernator i Dalmacisë dhe i Shqipërisë. Ai do të lidhet drejtpërdrejt me ju. Ai do të ketë nën urdhërat e tij gjeneralin Bourbon, i cili do komandojë në Kotorr, dy gjeneralë të tjerë si dhe një shef batalioni. Meqë ka 18 oficerë, ai duhet të formojë 6 kompani me nga 100 ushtarë secilën të cilët do të rekrutohen në Shqipëri. Kështu do të kemi një trupë prej 600 ushtarësh. Drejt Shqipërisë dërgoni dhe një shef karpentier me dhjetë ndihmësa francezë e italianë…”
Një ditë më vonë po nga Saint-Cloud ai i shkruan gjeneralit Lemarois, ku i kërkon ndër të tjera t’i dërgojë gjeneralit Lauriston barut, të transportuar me barka të vogla, të cilat duhet të evitojnë kryqëzorët rusë. “Nëse mbreti i Napolit të kërkon ndihmë, dërgoi polakë e korsikanë. Vendosni postblloqe në Peskara dhe patrulloni nëpër Dalmaci e Shqipëri.” Më 19 qershor, ai i shkruan ministrit te tij të jashtëm Talleyrand: “Ja përgjigja që duhet t’i bëni letrës së Ali Pashës, ku duhet t’i thoni se: – Jam i informuar për dëshirat e tij të mira; – se e mora me shumë kënaqësi shpatën e tij; – se jam mik i Portës së Lartë dhe se e vlerësoj atë; – se duhet menduar se si ti bëjmë zap serbët dhe t’i përmbajmë grekët, të cilët janë ndihmës të vërtetë të Rusisë; – se ai mund të mbështetet në ndihmën time; – se duke qënë që një pjesë e Flotës është nisur drejt Amerikës dhe nga nevoja për të bërë një inkursion të mundshëm drejt Anglisë, aktualisht nuk mund të çojë para Korfuzit një flotë të barabartë me flotën ruse dhe angleze dhe se për këtë nuk duhet nxituar; – se Rusia ka vendosur të ma lërë Kotorrin dhe se në këtë mënyrë unë do t’i jap pashait gjithë ndihmën e duhur; – se anijet e tij janë të mirëpritura në portet e perandorisë dhe se urdhëroj t’i bëhen dhurata atij që i shërbeu anijes “Ylli i Bonapartit”. Mbi dhuratat, për të cilat kam akorduar shumën prej 60 mijë franga, të bisedohet me Marescalshi. Për këtë i shkruani dhe Pukëvilit (Poucqueville) dhe i theksoni se nëse Korfuzi bie në duart e mia nuk mund t’i a besoj atë më mirë se sa Ali Pashës. Duhet që letra dhe instruksionet e mia të bëhen të tilla që të mos kuptohen qartë nëse bie në duart e agjentëve. Besoj se Ali Pasha shumë gjëra i bisedon dhe me Portën e Lartë”.
Napoleoni e ndjente se sigurimi i Adriatikut ishte një nga kushtet për fitoren. Më 20 qershor ai i shkruante sulltanit Selim-it për tentativat e rusëve që ti shkëpusin nga perandoria Serbinë, Moldavinë dhe Valakinë dhe se për këtë duhet ti pengojë anijet ruse që të kalojnë nga Bosfori. “Ne do ta ndihmojmë hirësinë tuaj si shpërblim të zotërimeve dhe interesave tona në Dalmaci dhe Shqipëri”. Po atë ditë, ndër të tjera, ai i shkruante gjeneralit Lauriston: “Më dërgoni disa informacione rreth Dalmacisë dhe Shqipërisë”. Një ditë më vonë ai shtonte se “duhet të mbani lidhje me agjentët e mij pranë Ali Pashës dhe pashait të Shkodrës. Interesohuni që të kini të dhëna se ç’bëhet në Serbi dhe provincat rrotull…”
Napoleoni ndiqte në ethe edhe veprimet në zonën e Ballkanit. Më 28 qershor, ai i shkruan princit Eugene për veprime të ndryshme ushtarake. “Qëllimi im është që të shtyp malazezët që s’janë më shumë se 30 mijë frymë. Ata mund të kenë veç 4-5 mijë forca. Për këtë mund të merremi vesh me pashain e Shkodrës. Kur ta gjykojë të nevojshme, gjenerali Lauriston të dërgojë gjeneralin Guillet që të depërtojë në trevat malazeze, t’i çarmatosë ata dhe me katolikët e Kuvendit të mbushë radhët e tij dhe të ngrejë një fortesë në pikën strategjike, duke bërë që territori të mbrohet nga pashai i Shkodrës… Paqja me malazezët është e pamundur, nëse nuk i shtypim dhe nuk mbjellim tmerr në shpirtin e tyre…”
Nga gjithë këto letra duket qartë lidhja dhe shpresa që mban Napoleoni me dy pashallarët shqiptarë. Madje faktet për pashain e Shkodrës janë mjaft interesante. Ai i kërkon të birit që të dërgojë në Shqipëri dhe një batalion tjetër prej 800 ushtarësh. “Do të jetë një përforcim i nevojshëm në Shqipëri, ku do të ketë 22.400 italianë, pa llogaritur topçinjtë dhe xhenjerët. Kërkoj ta mbështesësh Dalmacinë dhe Shqipërinë dhe t’u bësh luftë malazezëve…” Po atë ditë, ai i shkruan dhe mareshallit Berthier, mikut të Pukëvilit dhe njeriut që u morr me regjimentin e shqiptarëve në Korfuz. “Kushëriri im! Jepi urdhër zv/lietnantit Choiseul të shkojë në Shqipëri. Ky oficer edhe pse shumë i ri, ka marrë dekoratën e Legjionit të Nderit dhe këtë duhet ta meritojë gjithnjë duke luftuar. Nëse në armatat tona ka oficerë të tillë të rinj të dekoruar, dërgojini në Dalmaci dhe në Shqipëri”.
Sigurisht, shkrimet për Shqipërinë janë të shumta. Ato janë gjetur nga lexime të rastësishme, por një punë e vërtetë studimore meriton të bëhet në këtë drejtim. Një nga dëshmitë më interesante të Napoleonit për Shqipërinë është dhe letra e tij dërguar vëllait të Karamahmut Pashës, Ibrahimit, pas vrasjes së pashait të Shkodrës, Karamahmut Bushatliu, bashkë me shumë oficerë francezë në një pritë që u kishin bërë trupat malazeze. Napoleon i shkruante: “«E lexova me shumë kënaqësi letrën tuaj dhe shprehjet lavdëruese në fjalët e Shkëlqesisë suaj. Republika franceze është vërtetë një mike e Portës Sublime, por ajo vlerëson në mënyrë të veçantë kombin shqiptar që është nën pushtetin tuaj. Shkëlqesia juaj do të gjejë bashkangjitur kësaj letre urdhërat që kam dhënë që në të ardhmen, flamuri osman të respektohet në Atlantik. Turqit do të trajtohen jo vetëm si kombet e tjera, por në një mënyrë prioritare. Në çdo rast unë do t’i mbroj shqiptarët dhe do të kem kënaqësinë t’i jap Shkëlqesisë suaj një provë të vlerësimit që u bëj si dhe të konsideratës që kam për ju.
I lutem Shkëlqesisë suaj të pranojë si shprehje e miqësisë time këto katër arka me pushkë që ju dërgoj».
A ka ardhur Napoleoni në Shqipëri?
Deri më sot nuk dimë se Napoleoni ka qenë në Shqipëri. Por disa të dhëna historike të fundit vërtetojnë se kjo duket se është e vërtetë. Por data nuk është saktësuar. Madje as vëndi konkret se ku, në ç’vënd të Shqipërisë. Sigurisht, periudha njihet: është ajo e vitit 1796, si dhe më pas gjatë “Fushatës së Italisë” kur Bonaparti ishte komandant gjeneral. Por cilat janë këto fakte?
Në shkrimet e mia, dy janë faktet e deritanishme që flasin për këtë dhe që lidhen me botimin e kronistit Las Casas, Memoriali i Shën Helenës, i mbajtur nga ai gjatë kohës së burgimit të Napoleonit në Shën Helenë. Por së pari, cili është Las Casas, i cili i ka lënë historisë franceze një nga botimet më autentike dhe të treguar nga vetë Napoleoni? Në fakt ai nuk ishte një nga besnikët e tij më të mëdhenj, apo një nga gjeneralët e tij më trima. Madje ai u gjënd rastësisht në mjedisin e pushtetit dhe pikërisht atij i ra roli që të negocionte me anglezët (kapitenin Maitland) ikjen e Napoleonit nga Parisi për në portin francez Rochefort nga ku bashkë me 30 personalitete të tjerë, ai e shoqëroi atë më pas në anijen “Bellerophon” drejt Shën Helenës. Las Casas nuk kishte dhunti letrare. Ai veçse ka mbajtur shënim çka i thoshte Napoleoni. Por sidoqoftë, ai nuk mungon të shkruajë për gjëndjen e perandorit, marrëdhëniet e tij me anglezët dhe njerëzit e ishullit. Perandori lexonte Evangjilin dhe recitonte pjesë nga Corneille, të cilat i dinte përmëndësh. Nga Racine çmonte Andromakën dhe Britanicus, nga Homeri “Odisenë”…. Kishte gjithnjë besim në Revolucionin francez për të cilin thoshte: ”Asgjë nuk mund ti shuajë principet e mëdha të Revolucionit”. Napoleoni kishte dëshirë të rinte me fëmijët dhe tu tregonte atyre përrallën Qëngji dhe ujku. Kur Las Casas i sillte me ceremoni supën që do të hante, ai i thoshte “Mjaft më me ceremony, pasi ne të dy jemi tashmë si ushtarët që hanë në të njëjtën gavetë”. Megjithatë nuk janë të pakta përshkrimet e dëshpërimit të madh të tij për Francën, familjen…
Ja çfarë shkruan Las Casas në kronikat e tij lidhur me Shqipërinë: „ E premte, 17, (1816). “Gjithë natën kam qënë sëmurë. Perandori hëngri në kopësht. Pastaj më thirri pranë. Kishte një pamje të trishtë dhe të dërmuar. Nuk ishte aspak mirë. Pas drekës ne shëtitëm rreth shtëpisë për një kohë të gjatë. Nuk fliste. Nga vapa e madhe nga ora një u detyrua të kthehej në shtëpi. I vinte keq që rrotull nuk kishte hije fare. Nga ora katër pasdite, dërgoi dikë që të më shihte, nëse isha ende sëmurë. Shkova dhe takova në kopsht, ku qëndronte akoma. Vazhdonte të ishte i trishtë, indiferent dhe disi i hutuar. Bertrandit (mareshallit) i tregoi për qëndrimin e tij në Kostantinopojë në vitin 1796, udhëtimin e tij në Athinë dhe kthimin e tij përmes Shqipërisë. Folën shumë për sulltanin Selim i III-të… “
Në një pasazh tjetër, Las Casas mban shënim historitë që tregon Napoleoni për jetën e tij dhe luftrat e shumta. Një të djelë, duke kujtuar me të Greqinë dhe ngjarjet rreth saj, Napoleoni i thotë: «Greqia priste një çlironjës. Dhe kjo do të ishte një kurorë e bukur lavdie…“ Las Casas shton: „Ai donte ta shkruante emrin e tij krah Homerit, Platonit dhe Epaminondës…Dhe nuk ishte larg kësaj. “ Napoleoni vazhdon: „Kur isha buzë Adriatikut gjatë „Fushatës së Italisë, i shkrova Direktoratit se para syve të mij shtrihej perandoria e dikurshme e Aleksandrit… Më pas krijova lidhje dhe me Ali Pashën. Përgatita kështu hartat e Maqedonisë, Serbisë dhe të Shqipërisë…“
Napoleoni ishte një strateg i madh dhe ai e dinte mirë se Adriatiku ishte një avant-post i fuqishëm kundër austriakëve dhe gjermanëve, prandaj dhe donte ta kishte nën komandën e tij. Por akoma më e jashtëzankonshme është një shkrim deri tashmë i panjohur i Napoleonit që lidhet me kohën kur ai ndërmori “Fushatën e Spanjës”, fushatë që reflektuar njëkohësisht në tablotë e Gojas. Në një moment kur sapo ka hyrë në tokën spanjolle, në fshatin Vergara, në rrugën që të çonte drejt Tolosa-s, ai kishte shkruar në ditarin e tij: “Rruga, është e keqe. Fshataret të kallin frikën dhe kanë në kokë nje kapuç të çuditshëm. Të gjithë janë të veshur me guna të errta dhe kanë kepucë si ato të shqiptarëve…“
Sigurisht, Napoleoni nuk mund ti njihte këpucët e shqiptarëve nëse nuk do të kishte qënë në Shqipëri, ku rruga e kthimit nga Athina nëpër Shqipëri i kishte dhënë mundësi të vizitonte viset e jugut shqiptar e të dilte në bregdet, nga ku me anije është larguar drejt brigjeve të jugut te Francës. Nuk ka veçse pak vjet që një botim i shtëpisë botuese franceze “Seuil” botoi ditarin e Napoleonit që pretendohet se është origjinal. Një specialiste e Mesjetës, Odette Dossios Pradat, e kishte gjetur atë dorëshkrim me shkrimin e Napoleonit në një antikuar, ku ishte mbyllur në një sunduk të “Kompanisë së Indisë” dhe për shumë e shumë vjet kishte qëndruar në errësirë dhe i panjohur. Dorëshkrimi nuk kishte emrin e Napoleonit por ai fliste në vetën e parë dhe tregonte bëmat e tij. Ajo mundi ta shkëpuste ditarin për pak ditë nga antikuari dhe të kopjonte me shpejtësi një pjesë të mirë të dorëshkrimit të vjetër, por antikeri ia kërkoi shpejt, pasi ai dyshoi se duhej të ishte diçka e vyer. Sigurisht, i premtoi se do ta lejonte ta studionte përsëri, por çuditërisht disa ditë më pas, ai vdiq dhe bashkë me të u zhduk dhe dorëshkrimi. Libri i botuar është mjaft interesant. Napoleoni ndjehet tejet i vetmuar dhe i fyer…
Ishulli misterioz….!
Perandori shkruan: 2 maj 1816. Një ishull i humbur në mes të oqeanit nën një qiell pa fund. Një ishull i varfër dhe i zhveshur, i mbrojtur më mirë nga një kryqëzor anglez se sa nga përbindëshat e tmerrshëm të humbëtirave. Një ishull pa mure, pa hekura e zinxhirë por që është një nga më të pathyeshmit. Një ishull ku robi duhet ta braktisë shpresën që mbajnë në zemër të gjithë të burgosurit e botës: ajo për të shpëtuar. Një ishull që një ditë mund të jetë varri im: Shën Helena…“ Në vazhdë të këtij ditari, interesant është shënimi për birin e tij, ku ai shkruan: “Kur në gusht të viti 1810, Maria Walevska më njoftoi se priste një fëmijë, e falënderova atë nga thellësia e zëmrës. A do ta kisha më së fundi atë trashëgimtar, aq të dëshiruar? Më së fundi, më 20 mars 1811 lindi “mbreti i Romës”. Me lot në sy e falënderova gruan time të shtrenjtë. Edhe ajo qante nga dhimbja dhe gëzimi, pasi lindja e atij fëmije e kishte bërë të vuante shumë. 101 të shtëna topa i njoftuan parisianët për lindjen e Princit, atij që pas vdekjes sime do të bëhej perandori i tyre me emrin Napoleon… Tashmë vetëm im bir më ka mbetur. Ai është i vogël, por vitet do të bëjnë të vetën. Ai do të rritet dhe do të mësojë historinë; do të zbulojë fatin tim dhe atë të Francës, atdheut të tij. Ndoshta një ditë ai do të angazhohet ashtu siç bëra dhe unë në rrugët e nderit dhe të lavdisë. Atëherë uroj që Zoti t’i japë atë pjesë të mençurisë që mua më mungoi…”
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…