Haxhi Vehbi Agolli (Dibra) lindi në Dibër të Madhe me 12 mars 1867, në familjen e nderuar të Agollëve, të njohur për veprimtari atdhetare. Mësimet fillestare dhe ato të mesme i kreu në Dibër, ndërsa studimet e larta në Stamboll, ku përveç studimeve fetare, merrej edhe me veprimtari atdhetare-kombëtare. Pas kryerjes së studimeve teologjike dhe specializimit në fushën e filozofisë islame, logjikës, shkencave juridike etj., emërohet myfti i Dibrës, detyrë që e ushtroi deri më 1912. Në vitin 1909 merr pjesë në Kongresin e Dibrës, ku u zgjodh kryetar i tij. Më 1912 shkon delegat në Kuvendin Historik të Vlorës, ku zgjidhet kryetar i Pleqësisë.
Zotëronte arabishten, osmanishten, etj. Haxhi Vehbi Dibra u emërua myfti i Shqipërisë pas shpalljes së Pavarësisë, e më pas në 1923 u zgjodh kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Me iniciativën e Vehbi Dibrës filloi të botohej edhe revista e përmuajshme “Zani i Naltë”, e cila luajti një rol të madh në thesarin e kulturës kombëtare në atë kohë. Ai qe iniciatori për hapjen e “Medresesë së Naltë” në Tiranë.
Vehbi Dibra, ky personalitet i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, teolog dinjitoz u shfaq në momentet vendimtare të historisë sonë dhe shumë shpejt zuri vend në plejadën e patriotëve të rëndësishëm e më në zë të Rilindjes sonë. Ai hyri në skenën politike e shoqërore aty nga fundi i shekullit XIX, në vitet e furishme të luftës së populit shqiptar për çlirim kombëtar.
Vehbi Dibrën që të ri e gjejmë pjesëmarrës të shumë mbledhjeve e kuvendeve të rëndësishme të kohës, që lidhen me luftën e përpjekjet e popullit tonë për pavarësi, përparim, kulturë e dije. Është e njohur pjesëmarrja dhe ndihmesa i tij në “Lidhjen e Dibrës” të krijuar në dhjetor të vitit 1896. Ai mbështeti fuqimisht idetë dhe vendimet e Kongresit të Manastirit, për një alfabet të ri të gjuhës shqipe, dhe për mësimin e shqipes në shkollat e Shqipërisë. Më pas, atë do ta shohim kryetar të Kongresit të Dibrës, do ta gjejmë në krye të luftës kundër atyre që përpiqeshin të pengonin zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare dhe pranimin e alfabetit shqip. Por ajo që merrte vlera të veçanta për vetë situatat dhe problemet që kalonte vendi ishte këmbëngulja me të cilin Vehbi Dibra dhe patriotët e tjerë shtronin çështjen e bashkimit të kombit shqiptar, kërkesën që shqiptarët të administrojnë vetë punët në shtëpinë e tyre, dhe domosdoshmërinë e hapjes së shkollave shqipe.
Pa dyshim ngjarja më e rëndësishme në jetën dhe veprimtarinë patriotike të Vehbi Dibrës është pjesëmarrja në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe që e zgjodhi këtë burrë të Dibrës e të mbarë vendit kryetar të Pleqësisë (Senatit) të parë shqiptar – si organ kontrollues e këshillues të qeverisë. Roli i tij si teolog e dijetar u ndie më së shumti kur iu kundërvu disa klerikëve dritë-shkurtër të kohës, të cilët mendonin se sipas fesë nuk duhej të kishte gjallesë a shpend në flamur. Me ndërhyrjen dhe njohjen shumë të mirë të Kur’anit nga H. V. Dibra pretendimet e tyre u hodhën poshtë dhe shqiponja dy-krenare qëndroi në qendër të flamurit tonë kombëtar.
Dokumentacioni i kohës dëshmon se Vehbi Dibra me cilësinë e Kryetarit të Pleqësisë, iu bë krah Ismail Qemalit. Në çdo hap, në çdo problem që kishte shteti i ri, ai ndihmonte me idetë, dhe veprimin e tij. Kështu, krahas ngritjes së flamurit, i kushtoi një vëmendje të madhe edhe punës së ngritjes dhe të organizimit të organeve lokale të Qeverisë së Përkohshme në Dibër e gjetkë. Në 30 mars, kur Ismail Qemali në krye të një delegacioni shkoi në disa kryeqytete të Evropës për të sensibilizuar opinionin evropian në favor të çështjes shqiptare, atij i u besua detyra e kryesimit të Qeverisë së Përkohshme.
Kryengritja antiserbe në shtatorin e vitit 1913 është një nga ngjarjet e shumta historike të kohës, ku u ndie drejtpërdrejtë veprimtaria patriotike e Vehbi Dibrës, e cila siç dihet ishte një shpërthim i revoltës së ligjshme popullore në trevat e aneksuara nga Serbia, që la gjurmë në histori. Nga dokumentet e kohës rezulton se Vehbi Dibra ishte një nga veprimtarët, organizatorët dhe drejtuesit e kryengritjes anti-serbe. Këtë të vërtetë e pohojnë edhe dokumentet e huaja, madje edhe ato serbe.
Në funksionin e Kryemyftiut të emëruar nga Kuvendi i Vlorës me 1912 dhe të Kryetarit të Këshillit të Naltë Sheriatit të krijuar më 1916, ai u shqua në realizimin e detyrave për organizimin, drejtimin dhe mbarëvajtjen e Komunitetit musliman shqiptar, krijimin e një bashkësie islamike të pavarur nga Shejhul Islam i Stambollit, për ndërtimin e marrëdhënieve me shtetin e ri shqiptar ndërkonfeksional, të marrëdhënieve me komunitetet e tjera mbi bazën e mirëkuptimit vllazëror dhe ecjen në rrugën e qytetërimit modern.
Si teolog i përgatitur dhe një studiues shumë dimensional Vehbi Dibra ishte një interpretues dhe komentues i shkëlqyer i Kur-anit. Këtë ai e bënte jo vetëm përmes veprimeve e predikimeve gojore, por edhe në shumë shkrime që na ka lënë. Në mënyrë të veçantë atë e shqetësonte niveli arsimor e kulturor i klerikëve dhe i nëpunësve dhe predikimi në arabisht e turqisht i tyre. Për këtë qëllim ai i kushtonte një rëndësi të veçantë të mësuarit të gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj në gjithë sistemin e herarkisë së klerit mysliman dhe në praktikat fetare.
Vehbi Dibra ishte një nga ata që asnjëhere nuk e pa fenë si një humnerë që ndante e përçante shqiptarët, përkundrazi, ai mbronte idenë e unitetit të popullit pa dallim feje. Ai insistonte që shkollat fetare të bëjnë jo vetëm mësime për Kur’anin, por të mësojnë mirë gjuhën tonë shqipe, arithmetikë, histori, gjeografinë e vendit, t’u jepen njohuri mbi natyrën, botën shtazore etj.
Ndër temat e shumta shoqërore, që trajtoi në shkrimet e tij, një vend të rendësishëm zënë edhe problemet e qëndrimet ndaj gruas e familjes. Vehbi Dibra nuk pajtohej me shfaqjet që vinin në kundërshtim me të drejtat e gruas dhe të burrit. Një nga këto dukuri ishte fejesa e të rinjve nga prindërit pa mbushur moshën 17 vjeç për vajza, dhe 18 vjeç për djem, kufij këto që ai vuri në ligjin mbi të drejtat e burrit dhe të gruas. Ai gjithashtu ndërhynte me ngulm kundër rasteve të shitjes së gruas për martesë. Ai ishte nga klerikë që eci në një hap me lëvizjen progresive e demokratike shqiptare. Edhe në këtë aspekt ai e tregoi veten të kulturuar, përparimtar e demokrat, njohës të mirë të botës orientale e oksidentale.
Në planin politik te Haxhi Vehbiu gjejmë një propagandist të shkëlqyer, që punonte gjithmonë për mbarëvajtjen e kombit e të atdheut. Në unitetin dhe bashkimin e gjithë shqiptarëve shihte të vetmen rrugë për të siguruar të ardhmen tonë.
Veprimtaria e tij për Shqipëri
Në vitin 1908, mori pjesë në Kongresin e Manastirit.
Në vitin 1909, mori pjesë në Kongresin e Dibrës, ku u zgjodh kryetar i Kongresit.
Në vitin 1912, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, në Ditën e Flamurit, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, ishte përfaqësues i Dibrës.
Në Qeverinë e Parë të Shqipërisë, Haxhi Vehbi Dibra zgjidhet Kryetar i Pleqësisë, zgjidhet edhe nënkryetar i Qeverisë.
Në vitin 1913, Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë e ngarkon Haxhi Vehbi Dibrën me detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar të mbarë Shqipërisë.
Në vitin 1923, Haxhi Vehbi Dibra u zgjodh Kryetar i Kongresit të Parë të Muslimanëve Shqiptarë.
Në vitin 1924, ishte Haxhi Vehbi, ai që e përuroi Medresenë e Naltë në Tiranë.
Përveç këtyre detyrave me shumë rëndësi, me shumë përgjegjësi, Haxhi Vehbi Dibra është marrë edhe me krijimtari. Ka shkruar, ka botuar shumë punime, studime, krijime e përkthime, që janë botuar në shtypin e kohës, kryesisht në revistën “Zani i Naltë”, që botohej në Tiranë prej muajit tetor 1923 deri në prill 1939.
Në vitin 1993, nën përkujdesjen e Imam Vehbi Ismailit, në Harper Woods, të Detroitit, në shtetin Michigan, në SHBA, botohen të përmbledhura shkrimet e Haxhi Vehbi Dibrës, nën titullin “Ç’urdhëron Kur’ani ?”
Haxhi Vehbi Dibra u nda nga jeta me 24 Mars 1937, në moshën 70 vjeçare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqipëtare.
Thenie nga H. V. Dibra:
“Me zgjedhë të aftin e të meritueshmin dhe me e vu në krye të detyrës, e pastaj ky me veprue e me gjykue me arsye, me drejtësi. “
“Kristiani e myslimani janë vëllezër shqiptarë të pandarë” – Në Ditën e Flamurit, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë, me 28 Nëntor 1912.
“Armikut të atdheut i pritet hovi e guximi në qoftë se na shef të bashkuar e të lidhur për një qëllim të naltë”.
“Naltësimi e përparimi i një vendi varet në sigurimin e qetësisë së brendshme. Atje ku mungon qetësia, nuk mund të përparojë industria, tregtia e burimet e tjera ekonomike që e lumturojnë një popull”.
“Injorancën s’mund ta justifikojmë me pleqërinë tonë, as me mungesën e shkollave në atdheun tonë… pse jemi urdhnue për të studiue deri kur të vdesim, jemi urdhnue me udhtue deri në vendet më të largëta për të studiue”.
“Duhen shtyrë kufijtë e diturisë në horizonte me të largëta se ç’kanë parafytyruar teologët dhe dijetarët e parë të trevave tona”.
“Interesi i Shqipërisë sot është të jemi të gjithë të bashkuar për përparimin e vendit. Jemi aq të pakët dhe aq të dobët në përvojë, sa vetëm të bashkuar që të gjithë do të mundim t’i sjellim dobi atdheut, i cili më tepër se kurdoherë ka nevojë për bashkimin tonë”. Mesazhi i tij për klasën politike të kohës përbënte një leksion të vërtetë: “Populli ynë i vogël në numër, që boll ishte përgjakur e tkurrur në luftrat me të huajt, nuk kishte nevojë për t’u vra me njeri-tjetrin, as qeveria, as populli, as kombi,- thoshte mesazhi i Vehbi Dibrës ne nje nga fjalimet, – nuk kishin interes të derdhej kot gjak shqiptari për interesa të ngushta të dikujt; vendi përkundrazi, kishte nevojë për qetësi, për bashkimin e të gjithëve për një qëllim, për përparimin e Kombit.”
“Jeta dhe naltësia e një kombi bazohet në dy kondita: nëpunës të aftë, gjyqe të drejta.”
“Çel sytë sot që të mos qajsh mot.”
(Pjesa përshkruese është përmbledhur nga artikulli shkencor për H.V. Dibrën, i Prof. Dr. Qazim Xhelili dhe Prof. As.Dr. Arian Kadiu për revistën Perla, dhe të dhënat e tjera janë marrë nga arkiva publike.)
Peshkopi, Dibër, Albania, 11.07.2012 /radiokosovaelire.com/ InforCulture.info
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…