Mars 1821. Ali Pasha i lodhur, i dërrmuar dhe përfundimisht i mundur. Përballë tij Rushid Pasha i dërguar nga porta e lartë, që e mban të rrethuar në kalanë e Janinës. Ditët e fundit të vezirit në shpellën bunker, ku strehohej së bashku me thesarin e tij. Dredhia e kurdisur për ta nxjerrë prej andej. E së fundi ekzekutimi. Të gjitha të rrëfyera nga autori i Kontit të Monte Kristos.
I mbërthyer nga një reumatizëm e fortë, sëmundje që nuk e kishte provuar kurrë, satrapi tetëdhjetë e një vjeç, çdo ditë ngjitej në pjesën më të dukshme të bedenave të kalasë. Ulur përballë baterive të armikut, priste gjithë ata që i afroheshin. Aty, sipër asaj platforme të zbuluar, ai mblidhte këshillin, që andej jepte urdhrat, tregonte pikat se ku duhej goditur. Nën ndriçimin e flakëve të zjarrit, ai ngjante si një personazh përrallor. Plumbat fërshëllenin, gjylet çanin ajrim sipër kokës së tij; ata që ishin përreth zinin veshët nga zhurmat. I qetë e gjakftohtë, u jepte përgjigje me sinjale ushtarëve që akoma qëndronin në pozicione nëpër rrënojat e Janinës, duke i inkurajuar me veprime e me fjalë. Duke parë me dylbi lëvizjet e armikut, ai ndërtonte mënyrat e luftimit. Ndonjëherë kënaqej kur përshëndeste sipas mënyrës së tij korrierët e të ardhurit rishtas në pozicionet kundërshtare. Kështu, kancelarin e konsullit francez në Prevezë, i dërguar pranë Hrushid Pashës (komandanti turk që mbante të rrethuar Ali Pashën në Janinë), sapo hynte në vendin që i kishin treguar, e vizitoi një gjyle që e detyroi të dilte menjëherë. Kjo goditje e saktë ishte vepër e inxhinierit napolitan të Aliut, Kareto, i cili të nesërmen hodhi një breshëri gjylesh në mes të një grupi francezësh të tërhequr nga kurioziteti pranë Teksas, ku Hrushidi po ngrinte një bateri.
-Duhet t’ua bëjmë të mërzitshme, – tha Aliu, – këtyre hartuesve të vegjël të raporteve, dëshirën që kanë për të përgjuar prapa portave. Krishtërimi do të më njohë vetëm nga fitorja ose rënia ime, që do ta merakosë për një kohë të gjatë.
Pastaj, pas një çasti qetësie, urdhëroi tellallët t’u bënin të njohur ushtarëve të tij, pushtimin e Vllahisë e të Moresë. Ky lajm i hedhur nga lartësitë e bedenave e që arriti gati po aq shpejt në kampin perandorak, errësoi gjithë imagjinatat.
Tashmë në çdo anë grekët shpallnin pavarësinë. Serasqeri Hrushid Pasha papritur u gjend i rrethuar nga armiq. Situata në të cilën ndodhej rrezikonte të vështirësohej, në rast se rrethimi i Janinës do të zvarritej. Pushtoi një ishull që ndodhej në mes të liqenit dhe aty u fortifikua. Më pas filloi një zjarr të pandërprerë kundër krahut jugor të kështjellës së Litharicës. Pak më vonë, nisi sulmi me trupa. Ushtarët, me t’u dhënë sinjali, sulmuan me furi. Por pas një orë luftimesh – ndërkohë Aliu lëvizte me vig për shkak të reumatizmës – rrethuesit u detyruan të tërhiqen me shpejtësi në vijat e mbrojtjes, duke lënë në këmbët e bedenave rreth tetëqind të vrarë.
Ariu i Pindit është akoma gjallë, – i thërret Aliu, Hrushid Pashës. – Eja merr të vrarët që t’i varrosësh, se do t’i jap pa shpërblim. Kështu do të bëj sa herë që ti do të më sulmosh me kapadaillëk.
Pastaj, midis brohoritjeve të ushtarëve, futet në kështjellë, ku mësoi për ngritjen në këmbë të të gjithë Greqisë e të Arkipelagut(…).
Kryengritja e nxitur nga veziri i Janinës e kishte kapërcyer pikën ku ai donte të arrinte. Rebelimi ishte shndërruar në revolucion. Por shpërthimet e gëzimit të Aliut shpejt u kthyen në dhimbje, kur mësoi për një zjarr që kishte shpërthyer nga një bombë e rrethuesve, që kishte përpirë një pjesë të magazinave të tij, në kështjellën e liqenit. Hrushidi, duke menduar se kjo ngjarje e kishte dërmuar këmbënguljen e luanit të vjetër, filloi bisedimet me të.
Si ndërmjetës për bisedimet, Hrushidi zgjodhi qehajanë e Mustafa Pashës. Ai i tha vezirit këto fjalë të shquara:
-Mendohuni, rebelët mbajnë në flamurin e tyre një kryq. Ju nuk jeni veç një vegël në duart e tyre. Ruajuni se do të bëheni viktimë e politikës së tyre.
Aliu e kuptonte rrezikun. Në qoftë se Porta e Lartë kishte ndërmend ta falte do ta falte, me kushtin e vetëm të rreshtonte përsëri Helladën nën skeptrin e saj të hekurt. Ndofta atëherë grekët nuk do mund të qëndronin as një vit kundër një njeriu aq të tmerrshëm e aq të mprehtë për intriga. Por një zgjidhje aq e thjeshtë i kapërcente aftësitë intelektuale të divanit, i cili gjithmonë vetëm e kishte hequr veten shumë të ditur, duke u mburrur kot(…).
Po të ishte më pak koprac, Aliu me para mund të bindte gjithë aventurierët që Lindja i kishte me shumicë e të bënte të dridhej sulltani deri në kryeqytet.
Por, plaku ishte dashuruar me thesarin. Nga ana tjetër kishte frikë, ndofta me të drejtë, se mos ata që do ta bënin të triumfonte, mund të bëheshin zoter të tij. Ai gabohej kur mendonte se anglezët që i kishin shitur Pragën, nuk do ta lejonin kurrë flotën turke të futej në ujërat Jonianë.
I gënjyer në këtë pikë, ai nuk arriti të parashikonte ashtu si nuk parashikoi as tradhtinë e dy djemve të tij. Dezertimi i trupave të tij nuk ishte më pak kobzi. Ai nuk e kuptoi mirë përmbajtjen e kryengritjes së Greqisë, të cilën vetë e kishte nxitur, por e kishte vlerësuar sikur ai të ishte vetëm instrument për lirinë e një vendi që e kishte shtypur egërsisht, për të qenë pastaj një vartës i rangjeve të ulëta(…).
Hrushidi u detyrua t’u tregojë të dërguarve të Ali Pashës fermanin e Portës së lartë që deklaronte se në qoftë se ai nënshtrohej, ajo do të zbatonte fjalën që u kishte dhënë djemve të tij, për ta transferuar së bashku me haremin, me shërbëtorët dhe thesarin, në Azinë e vogël, për ta mbyllur në paqe e qetësi karrierën.
Ai u tregoi agallarëve letrat e djemve të Aliut, që vërtetonin trajtimet shumë të mira që u bëheshin atyre në atë syrgjyn. Dhe, qoftë për t’u besuar atyre që i dëgjonin, qoftë për të qetësuar brejtjen e ndërgjegjes, të gjithë mendonin se si ta detyronin rebelin të nënshtrohej.
Më në fund, tetë muaj parapagim, i bindën dhe ata përqafuan haptas çështjen e sulltanit.
Garnizoni i kështjellës së liqenit, që ishte një shembull i pakënaqësisë, ngaqë Aliu nuk e paguante sepse e quante shumë të kompromentuar, filloi të dezertojë sapo mësuan për mbërritjen e toskëve në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë perandorake.(…)
Duke mos përballuar dot detyrat që kërkonte mbrojtja e vendit, ushtarët i hapën portat armikut. Por rrethuesit e kështjellës duke iu trembur ndonjë gracke, përparonin ngadalë. Në këtë mënyrë Aliu, që ishte përgatitur për çdo të papritur, pati kohë të futej në një vend të sigurt që ai e quante strehimin e tij.
Ishte një vendstrehim i fortifikuar, me mure të fortë, i mbushur me gryka zjarri, që rrethonin sallën kryesore të sarajit, të quajtura kulla e femrave. Ai ishte treguar i kujdesshëm të shembte gjithçka që mund të digjej, duke ruajtur vetëm një xhami dhe varrin e gruas së tij Eminesë, fantazma e së cilës, që kur i kishte paralajmëruar gjumin e përjetshëm, nuk e ndiqte më.
Sipër ndodhej një shpellë e madhe natyrale, në të cilën ai kishte magazinuar municione lufte, objekte të çmuara dhe ushqime. Në të njëjtin tunel ai kishte ndërtuar një sallë për Vasiliqinë dhe haremin e saj, si edhe një kthinë ku shkonte për të fjetur, kur ishte i dërrmuar nga lodhja. Në një tjetër kthinë ishte strehimi i tij i fundit, një varr i ndërtuar para kohe. Kështu ai nuk do të shihte me sy kështjellën rënë në duart e perandorakëve.
Aliu i lejoi fare qetë turqit të zinin portën e hyrjes, të lironin pengjet, të gjezdisnin nëpër bedena, të numëronin topat që gjendeshin mbi platforma, të dërmuara nga gjylet. Kur ata ishin aq pranë sa mund ta dëgjonin, nëpërmjet një shërbëtori, u kërkoi turqve që Hrushidi të dërgonte një ndërmjetës të zot për të biseduar. Duke pritur, mendonte: Cili do ta ketë vallë fatin të habitet nga vendi që do t’i tregoj?
Hrushidi mendonte se i dërrmuari për vdekje, do kërkonte kapitullimin. Prandaj dërgoi Tahir Abazin dhe Ago Vasiarin. Aliu i dëgjoi, por pa u kërkuar tradhtinë.
U tha se mund të bisedonte vetëm me një nga oficerët kryesorë. Serasqer Hrushid pasha nisi menjëherë, kryegarderobierin të shoqëruar nga kryesekretari dhe të tjerë personalitete të larta. Aliu i priti si vezir dhe, pas komplimenteve të rastit, i ftoi të zbrisnin së bashku në shpellë. Ai u tregoi më shumë se dymijë fuqi me barut të sistemuara në mënyrë të përkryer, thesaret e tij të vendosura mbi to, një grumbull objektesh të çmuar, të vendosur mbi atë vullkan së bashku me një sasi ushqimesh që i kishin mbetur. U tregoi dhomën e gjumit; ajo ishte një lloj kamareje me mobilim luksoz, e mbështetur pas fuçive të barutit, në të cilën s’mund të hyje pa kapërcyer tri porta, të cilave vetëm ai ua dinte të fshehtën. Pranë saj ndodhej haremi. Garnizoni i tij që qëndronte i grumbulluar në xhaminë pranë, përbëhej prej pesëdhjetë burrash, të vendosur të varroseshin bashkë me të, nën rrënojat e asaj ndërtese, territori i vetëm që i kishte mbetur nga gjithë Greqia, e nënshtruar prej autoritetit të tij pak kohë më parë.
Pas kësaj parade, Aliu u paraqiti të dërguarve të Hrushidit një nga besnikët më të zellshëm e më trima të tij, Selimin, rojën e zjarrit. Detyra e tij ishte të qëndronte vazhdimisht gati për të ndezur nëntokën. Pashai i dha dorën për t’ia puthur duke pyetur në ishte gati për të vdekur. Në vend të përgjigjes, ai i mori përsëri dorën dhe e vendosi te buzët. Selimit nuk i shpëtonte asnjë lëvizje e të zotit. Drita e fenerit pranë të cilit vazhdimisht tymoste një fitil i ndezur, që i besohej për ta ruajtur veç atij dhe Aliut, ndriçonte dobët labirintin e vdekjes.
Ata zëvendësonin njëri-tjetrin në atë shërbim, me qëllim që edhe të flinin nga pak. Aliu nxori koburen nga brezi dhe e drejtoi nga depozita e barutit. Të dërguarit e Hrushidit klithën pa dashur, nga frika dhe i ranë te këmbët. Ai qeshi me atë pamje dhe u tha se donte vetëm të lirohej nga pesha e armëve. Pastaj i ftoi të ulen duke u thënë se në të vërtetë, dëshironte funerale më të përgjakshme se ai që ata kujtuan se po ndodhte.
-Unë nuk mbuloj bashkë me vehten, ata që vijnë si miq, – thirri. – Hrushidin, të cilin për një kohë të gjatë e kam parë si vëllain tim, shefat e tij që më tradhtuan, ushtrinë e tij, ato po, dua t’i varros bashkë me veten time. Atëhere sakrifica do të jetë e denjë për fundin e dëshiruar, që nuk do të harrohet.
Të dërguarit e serasqerit panë njëri-tjetrin të shtangur kur Aliu u tha, se jo vetëm vendi ku gjendeshin, mbi kubenë e një fortifikate, ishte mbushur me dyqind mijë predha, por se gjithë kështjella që ata po pushtonin, ishte e minuar.
-Këtë nuk e dinit,- u tha,- ja e patë edhe këtë. Më luftojnë sepse duan të më marrin pasuritë, por ato mund të zhduken në një çast të vetëm. Jeta për mua nuk ka më asnjë vlerë. Unë mund ta kisha kaluar atë dhe midis grekëve. Po si mund të jetoja, tashmë plak i pafuqishëm, i barabartë me ata, zot i të cilëve isha? Kështu nga çdo anë që shikoj, karriera ime është e mbushur plot. Megjithatë mbahem me ata që më rrethojnë. Por ja vendimi im i fundit: Në qoftë se do të më vinte falja, e vulosur nga dora e sulltanit, do ta pranoja. Unë do të shkoja në Kostandinopol, në Azinë e Mesme, kudo që ai do të dëshironte të më çonte. Siç po shkojnë punët këtu, nuk do t’u përshtatem dot.
Pasi të dërguarit e Hrushidit, iu përgjigjën se ata nuk dyshonin që kërkesa e tij të mos pranohej, ai vuri duart mbi gjoks e mbi ballë, duke iu lutur Allahut dhe Muhametit, që punët shkuan ashtu. Pastaj hoqi sahatin dhe ia dha kryegarderobierit.
-Unë jam i sinqertë, mik; fjala ime është e shenjtë; por në qoftë se për një orë, ushtarët e tu nuk tërhiqen nga kështjella, e cila iu dorëzua tradhtisht, unë do t’i vë flakën barutit. Kthehuni tek serasqeri dhe i thoni se në qoftë se ai qëndron një minutë më shumë se koha e dhënë, ushtria e tij, garnizoni dhe unë së bashku me të mitë, do të hidhemi në erë. Dyqind mijë ngarkesa baruti do të përpinin gjithçka që gjendet përreth. Merre këtë sahat, po ta fal dhe mos harro se unë jam njeri i vendimeve.
Duke i përcjellë të dërguarit, i përshëndeti përzemërsisht, duke i lajmëruar se nuk priste përgjigje përpara se të ishin larguar ushtarët e Hrushidit nga kështjella (…).
Pak ditë më vonë, kryegarderobieri i serasqerit e ngrohu duke i thënë se nuk do të ishte e largët dita kur do të merrnin lajme të mira nga Kostandinopoli.
Aliu mësoi prej tij për rënien nga fuqia të Pasho Beut e të Ismailit, të cilët ai i urrente njëlloj. Ky veprim i pushtetshëm, si fillim i kënaqshëm, i dha pak siguri.
Ai i bëri dhurata të tjera oficerit të serasqerit, i cili i dha qoftë edhe atë bindje të verbër.
Oficeri ndërmjetës, ndërkohë, i kërkoi që deri sa të vinte fermani nga Kostandinopoli, që me siguri do të vinte, ai të bënte një takim me Hrushidin. Aliu duhej ta kuptonte se ai takim nuk mund të bëhej në kështjellë, prandaj oficeri i tha se më mirë do të ishte të bëhej në ishullin e liqenit.
Aliu sapo e kishte mobiluar shtëpinë e vogël në ishull. I dërguari i Hrushidit, duke i dalë përpara ndonjë kundërshtimi të Aliut, i tha, se ai kërkonte që bisedimet të bëheshin në ishull, për t’i treguar ushtrisë se grindjet ndërmjet atij dhe gjeneralit të sulltanit kishin marrë fund. Hrushidi do të vinte në bisedime vetëm me anëtarët e divanit të tij. Kjo ishte një gjë fare e natyrshme për një njeri të syrgjynosur. Por nga ana tjetër, edhe Aliu mund të merrte me vete aq njerëz sa ta shikonte të nevojshme. Ndërkohë ai mund ta mbante kështjellën në atë gjendje që ishte, madje edhe fitilin të ndezur e rojën e zjarrit, si provë e garancisë që i jepnin.
ali p
Propozimi u pranua. Aliu, duke mos parë pak më gjerë se strehimi ku qe mbyllur, ishte i kënaqur që do të merrte me vete njëzet njerëz nga të tijtë.
Ai çoi në ishull Vasiliqinë, diamantet e shumë arka, me argjend. Gjatë dy ditëve nuk mendoi për gjë tjetër, veç për të siguruar komoditetet.
Pasi mbaruan ato punë, Aliu pyeti përse po vonohej vizita e serasqerit. Ai i kërkonte falje, sepse nuk ndihej mirë, por në të njëjtën kohë, i kërkoi Aliut, të bisedonte, me njerëz që ai dëshironte ta vizitonin.
Ali përcaktoi, menjëherë, shumë nga mbështetësit e tij të vjetër, nëpunës në ushtrinë perandorake, të cilët i pranoi ta vizitonin dhe i kaloi kështu në revistë një pjesë prej të njohurve të vjetër, të cilët i dhanë siguri dhe e mbushën me shpresë.
Koha kalonte e megjithatë as fermani e as serasqeri nuk po dukeshin. Aliu, që në fillim ishte i shqetësuar, nuk po fliste me as për njërin e as për tjetrin.
Kurrë nuk i shkonte mendja se po gënjehej. Siguria e tij ishte aq e plotë, sa ndjehej i lumtur që kishte shkuar në ishull. Madje kishte filluar të thurte intriga, të cilat do t’i zbatonte gjatë rrugës për në Kostandinopol. Ndërkohë, nuk mërzitej tek përpiqej të bënte përkrahës në ushtrinë perandorake.
Dukej se gjithçka shkonte sipas dëshirës së tij; kur më 5 shkurt në mëngjes, Hrushidi dërgoi Hasan Pashën të përgëzonte Aliun e t’i njoftonte mbërritjen e fermanit të plotfuqishëm e aq shumë të pritur.
Ai i shpjegonte se dëshirat e tyre të përbashkëta ishin plotësuar, por për të respektuar monarkun e tyre, për të dëshmuar mirënjohjen dhe nënshtrimin ndaj tij, Aliu duhej t’i jepte urdhër Selimit ta fikte fitilin fatal dhe të largohej nga tuneli. Garnizoni që kishte ngelur atje duhej të largohej pasi të ishte ngritur flamuri i perandorisë.
Vetëm me këto kushte Hrushidi mund t’i jepte në dorë aktin e zemërgjerësisë së sulltanit.
Aliu shtangu. Sytë iu hapën. Ai iu përgjigj gati duke iu ngatërruar fjalët se për kështjellën, ai i kishte dhënë urdhër Selimit të mos pranonte asnjë urdhër me shkrim, qoftë edhe të firmosur e vulosur prej tij. Çdo urdhër i tillë do të ishte i kotë. Prandaj i kërkoi të shkonte vetë në kështjellë për të kryer atë që i kërkohej.
Ajo përgjigje shkaktoi një përplasje të gjatë, ku mençuria, shkathtësia dhe dredhitë e Aliut, luftonin më kot kundër një paragjykimi. U përtërinë shprehjet e thëna më parë për ta gënjyer. U bë betimi, madje, edhe mbi kuran, se nuk kishte asnjë paramendim e asnjë qëllim të keq.
Më në fund, i thyer nga lutjet e atyre që e rrethonin, por edhe duke gjykuar se gjithë përpjekjet e tij nuk mund ta shmangnin dot fatalitetin, ai u thye.
Duke nxjerrë nga gjiri një shenjë të veçantë njohjeje, të cilën ia zgjati të dërguarit të Hrushidit, i tha:
-Shko tregoja këtë Selimit. Nga një dragua ju doni të pillni një qingj!
Sa pa hajmalinë, Selimi u përkul. Shoi fitilin dhe përnjëherë u rrëzua i therur me thikë.
Po në atë kohë, garnizoni u tërhoq, flamuri i perandorisë u ngul. Kështjella e liqenit u pushtua nga trupat e serasqerit që bënë të dridhej ajri nga brohoritjet.
Ishte drekë. Aliu, që gjendej në ishull, humbi çdo shpresë. Pulsi i rrihte fort. Pamja e tij tregonte një tronditje të madhe. Shpesh herë humbiste në një gjendje halli të madh, zbërthente këmishën, kalonte gishtërinjtë nëpër mjekër, pinte shumë kafe dhe ujë të ftohtë. Herë pas here nxirrte sahatin dhe humbiste shikimin tej duke parë njërën pas tjetrës, kështjellën e Janinës, Pindin, ujërat e qeta të liqenit. Shpesh herë shikimi rrëshqiste mbi armët dhe sytë atëherë i shkëlqenin plot zjarr e trimëri rinie. Të rreshtuar pranë, rojat e tij përgatisnin fishekët, me sytë ngulur te hyrja e ishullit.
Shtëpia e vogël ku banonte ishte ngjitur me një grup banesash prej druri, ngritur mbi kolona, si teatrot që ngriheshin në fushë për festat popullore. Femrat ishin futur në disa dhoma që gjendeshin më larg.
Si e kishte zakon, veziri rrinte ulur përballë portës së hyrjes, për të qenë i pari që të shikonte ata që do të paraqiteshin. Në orën pesë, pa disa anije që vinin drejt ishullit. Pak kohë më pas, pa të vinin drejt tij hijerëndë, Hasan Pasha, Omer Vrioni, Mehmeti, mbajtësi i shpatës së Hrushidit, kryegarderobieri e shumë komandantë të ushtrisë me një suitë të madhe prapa.
Sapo i pa, Aliu u ngrit me rrëmbim, duke vënë duart mbi koburet që mbante në brez e duke iu drejtuar Hasanit me një zë bubullimë, i bërtiti:
-Ndaloni! Çfarë më kini sjellë?
-Vullnetin e madhërisë. E njihni këtë” – i përgjigjet Hasani dhe i tregoi kryen e praruar të fermanit.
– Po, atë kam menduar shumë kohë.
– Epo mirë, nënshtrojuni fatit. Bëni Avdesin. Lutuni zotit dhe profetit. Koka juaj kërkohet! Por Aliu nuk e la ta mbaronte fjalën.
-Koka ime,- ia ktheu me zemërim,- nuk del si kokë skllavi.
Këto fjalë u shoqëruan me një të shtënë kobureje që plagosi Hasanin në kofshë. Me shpejtësi rrufeje Aliu vrau kryegarderobierin bashkë me rojet dhe duke qëlluar në turmë, shtriu përdhe disa çuadarë. Osmanllinjtë të tmerruar dolën nga salla. Aliu kur e pa se ishte plagosur në gjoks e po i rridhte gjak, pëlliti si dem. Askush nuk guxonte të dilte përballë tërbimit të tij, por ndërkohë mbi shtëpinë e bukur prej dërrase qëllohej nga të gjitha anët. Katër nga trimat e tij, ranë aty pranë. Nuk merrej vesh nga vinin plumbat. Dëgjoi thirrjet e vrasësve poshtë këmbëve të tij që qëllonin nëpër dyshemenë prej dërrase. Një plumb tjetër e mori në brinjë, një tjetër që erdhi nga poshtë i dërrmoi shtyllën kurrizore.
Ai u lëkund. U var te një dritare. U rrokulls mbi sofa.
-Vrap! – thirri duke iu drejtuar njërit prej çuadarëve të tij. – Shko, miku im, there Vasiliqinë, që të mos fëlliqet nga poshtërsitë e tyre.
-Hapet dera. Çdo rezistencë mbaroi. Ata që kishin shpëtuar u hodhën nga dritaret. Hynë shpatëmbajtësi i Hrushidit me xhelatët. Aliu ishte akoma gjallë.
-Të vihet në vend drejtësia e zotit! – thotë një kadi.
Me këto fjalë, xhelatët e kapën të dënuarin nga mjekra dhe e tërhoqën zvarrë deri poshtë te kolonat. I mbështetën kokën mbi një shkallare dhe e goditën dy herë me satër, duke e ndarë nga trupi.
Kështu mbaroi Ali Pasha.
Koka ruante një pamje madhështore e të tmerrshme, sa turqit i shmangeshin të trembur kur e shikonin. Hrushidi, kur ia treguan mbi një tabaka të argjendtë, u çua dhe u përkul tre herë përpara saj. Gati-gati, atë çast ai dëshiroi të meritonte një fund të atillë, aq admirim kishte ngjallur tek barbarët, trimëria e Aliut.
Serasqeri urdhëroi të parfumohej me parfumet më të çmuara ajo kokë që do të çohej në Kostandinopol dhe i lejoi shqiptarët t’i bënin nderimet e fundit zotit të tyre plak.
Kurrë nuk ishte parë dhimbje e tillë si ajo e luftërave epiriotë. Gjatë gjithë natës, fiset e shqiptarëve ndërronin njëri-tjetrin, për ta gdhirë pranë të vdekurit, mbi të cilin thurnin këngët funebre më të dhimbshme.
Kur u gdhi, trupi i Ali Pashës, pasi u la e u përgatit sipas riteve fetare të muhamedanëve, u fut në arkivolin që u mbështoll me kashmirët më të rrallë të Indisë, mbi të cilin u vendos një turban i mrekullueshëm, zbukuruar me xhufkat që mbante ai në luftëra. Prenë jelen e kalit të tij të luftës dhe e mbuluan me një byrde të purpurt. Në krye të shalës së kalit vendosën mburojën, shpatën, armët, simbolet, pastaj midis mallkimeve të ushtarëve për djalin e skllaves, epitet që turqit i vinin sulltanit gjatë kryengritjeve popullore, kortezhi u drejtua nga kështjella.
*Marre nga libri i Aleksander Dyma “Ali Pasha”
Nga Aleksandër Dyma*
Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…
Ekspertët e sigurisë po paralajmërojnë që udhëtarët të shmangin përdorimin e stacioneve të karikimit…
Një foto tronditëse nga Google Street View ka çuar në zbulimin e një vrasje…
Eqrem Çabej (1908-1980) Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet…
Nëse keni grup gjaku O, ju jeni më unik se një njeri mesatar. Sipas…
Nga: Halil Rama Pasi ka botuar dhe promovuar më parë librat “Kur binte një zymare në…