“Sulltani i fundit” i Michele De Grece, ku flitet për puçin në Perandorinë Otomane ku kishin gisht shqiptarët

Fragment nga romani historik “Sulltani i fundit” i Michele De Grece, ku flitet për puçin në Perandorinë Otomane ku kishin gisht shqiptarët.Nuk kishim mbaruar ende së ngrëni, kur shoqëruesi, që kishte radhën e shërbimit, më njoftoi se lidhjet telefonike e telegrafike ishin vendosur.

Thirrja e parë vinte nga Ismail bej Qemali. Atij i ishte dashur të pushtonte centralin telefonik të Parlamentit, sepse ndërtesa ndodhej në duart e ushtrisë. Jashtë ndërtesës ndodheshin rreth njëzet e pesëmijë ushtarë, kurse holli dhe galeritë e Dhomës së deputetëve ishin plot me njerëz të armatosur e ku nuk bëhej asnjë oficer i gjallë.

Ministrat, përfaqësuesit e Komitetit “Bashkim e Përparim” dhe Ahmet Rizai, presidenti i Parlamentit, ia kishin mbathur të parët. Nuk kishte më qeveri, nuk kishte më Parlament, hierarkia ushtarake nuk ekzistonte. Ismail Qemali u kërkoi ushtarëve të dilnin nga salla, por ata nuk pranuan. Një ulemá, në moshë të re, hipi në tribunë dhe mbajti një fjalim të fortë kundër shoqërisë “Bashkim e Përparim”. Në atë konfuzion të jashtëzakonshëm, e pasuan shumë deputetë. Debati vazhdonte i zjarrtë dhe ushtarët ishin të nervozuar. Më në fund, u vendos që një përfaqësi të vinte në Ildiz, të më kërkonte të rrëzoja qeverinë e të amnistoja rebelët.

Përfaqësinë e kryesonte Ismail Qemali, por, kur mbërritën pranë Portës së Lartë, një kordon i ngjeshur ushtarësh e ndaloi. Urdhri ishte të mos lejohej absolutisht askush të kalonte, prandaj tytat e pushkëve u drejtuan nga karrocat e dërgatës. Ismail Qemali zbriti nga karroca e tij dhe u përpoq të bisedonte, por pa rezultat. Përfaqësia u kthye në drejtim të Parlamentit, ndërkohë që, një breshëri e vazhdueshme të shtënash, krijoi një panik të përgjithshëm.

Duke mos patur mundësi të më takonte në Ildiz, Ismail Qemali m’u lut në telefon të emëroja një tjetër vezir të madh. Shkarkimi nga detyra i funksionarëve, i njerëzve, që deri atëherë kishin qenë në pushtet, imponohej nga nevoja e zgjidhjes urgjente të situatës, për të shmangur anarkinë dhe për të frenuar veprimet e ushtrisë, që ulërinte në sheshin At Meidan.

Megjithatë, emërimi i një tjetër veziri të madh do të më kompromentonte me kryengritjen, pikërisht në çastin, kur unë dyshoja në natyrshmërinë e saj. Më vinte neveri të dilja garant, duke mos patur të bëja fare me ata. Megjithatë, të gjithë më konsideronin autorin e atij reaksioni konservator të drejtuar kundër shoqërisë “Bashkim e Përparim”. Isha shtrirë, mbi shezlong, duke diskutuar me veten time, për vendimin që duhej të merrja kur, në orën katër të pasdites, Ismail Qemali më mori në telefon nga Parlamenti, ku ndodhej ende. Ai më përshkoi pamjen e sheshit At Meidan, që e vërente nga dritarja.

Ushtarët, vazhdimisht të shumtë në shesh ulërinin gjithmonë e më shumë. Vdekje Komitetit! Vdekje Bashkim Përparimit! Thirrjet dhe zhurmat ishin aq të forta sa, nëpërmjet telefonit, edhe unë dëgjoja një zallamahi shurdhuese shpërthimesh, trumbetash e daullesh. Në atë përzierje të paformë, arrija të dalloja thirrje në përkrahje të Sheriatit, e sidomos atë që ia kisha frikën: Rroftë Padishahu! Me zë të ndërprerë, Ismail bej Qemali m’u lut edhe njëherë të vendosja një tjetër vezir të madh. Nuk duhej humbur asnjë minutë. Ishim në prag të kaosit e të gjakderdhjes. Fantazma e luftës civile vinte rrotull.

Mendimi im u përqendrua mbi Tefik Pashën, i cili, për një periudhë të gjatë kishte qenë funksionar në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe i njohur për ndershmëri. I ofrova qeverinë, nëpërmjet telefonit. Ai pranoi. Po nëpërmjet telefonit, ia bëra të ditur vendimin tim dhe Ismail Qemalit.

Duke e dëgjuar, kapa një psherëtimë lehtësimi, që doli nga goja e tij. Ai më falënderoi për vendimin, që u mor në çastin e duhur, sepse ushtarët po ndizeshin gjithnjë e më shumë. I dërgova Parlamentit një telegram zyrtar, ku konfirmoja emërimin e vezirit të madh dhe një amnisti për rebelët. Për të qenë brenda rregullave, i dërgova menjëherë Xhevat Pashën me Hati Herifin, ku tregohej formimi i qeverinë së re.

Xhevati arriti t’i kapërcejë rreshtat. Sapo mbërriti ai, Dhoma u mblodh. Gjashtëdhjetë deputetëve të mëngjesit, iu shtuan edhe dhjetë të tjerë. Ata zgjodhën president, me vota të plota, Ismail Qemalin, i cili m’u lut që të emëroja sa më shpejt një ministër të Luftës. Aty për aty, mendova për Et’hem Pashën, njeriun e situatave të vështira, shumë popullor për trupat. Në kohën, kur do të njoftoja Ismail Qemalin për zgjedhjen, që kisha bëra, linjat u ndërprenë përsëri. Nisa një shambellan në shtëpinë e Et’hem Pashës për t’i thënë të shkonte sa më shpejt në Parlament, që të ndihmonte ligjshmërinë.

Me Ismail bej Qemalin kontaktova vetëm afër mesnatës. Ushtarët kishin nisur të lëviznin nga vendi, kur u përhap fjala se topa dhe mitraloza ishin drejtuar nga Ministria e Luftës, mbi ata. Gjatë këtyre zhvillimeve, ministrat e vjetër të Marinës e Drejtësisë të qeverisë së dorëhequr, ishin sulmuar në sheshin At Meidan nga ushtarët, që ishin tërbuar sa kishin parë ata dy përfaqësues të regjimit të urryer. Kur pa se karroca e tyre ishte rrethuar, ministri i Marinës nxori revolverin dhe shtiu mbi ata, që i sulmuan. Një breshëri e gjatë, që i la të vrarë në vend, bashkë me kolegun, iu përgjigj. Kryengritësit, të përfshirë në një valë tërbimi, që ua kishte shtuar era e gjakut, ia sollën të dy kufomat, Ismail bej Qemalit. Ardhja, në kohën e duhur, e Et’hem Pashës u prit me entuziasëm të sinqertë. Ministri i ri, duke mposhtur shqetësimin dhe mërzinë, u bëri thirrje ushtarëve të ktheheshin në kazerma. Prania, forca e tij, por patjetër, edhe lodhja, që kishte filluar të rëndonte mbi njerëzit, bënë që t’i bindte. Të shtënat në ajër, që bëheshin për të shprehur pëlqimin e tyre, tronditën Konstandinopojën e vjetër e u dëgjuan deri në Ildiz. /Milosao/

postbck postbck

Recent Posts

Portreti i Gjergj Kastrioitit-Skënderbeut i punuar nga heroi Agim Ramadani

Nga: Ilir Muharremi Portreti i Skënderbeut është realizuar me një trajtim të butë figurativ nga…

3 days ago

Sekreti me ujin që do t’ju bëjë të kuptoni nëse vuani nga diabeti

  Diabeti është një nga sëmundjet në rritje në botë dhe megjithëse ka mënyra për ta mbajtur…

6 days ago

Çfarë u morri jetën tre milionë fëmijëve në vitin 2022?

  Më shumë se tre milionë fëmijë në mbarë botën ndërruan jetë nga infeksionet rezistente…

6 days ago

Shkenca, drejt një alternative natyrale ndaj Ozempic-ut

  Ozempic është bërë sinonim i humbjes së shpejtë të peshës dhe rregullimit të sheqerit…

6 days ago

Media spanjolle “El Periódico”: Shqipëria, “parajsa” që bashkon vendet e trashëgimisë botërore me plazhet mahnitëse

  Kur planifikojmë një udhëtim në Evropë, shpesh priremi të zgjedhim vende si, Parisi, Londra,…

6 days ago

Si të qetëson dhimbjen e veshit në kushte shtëpie

  Nëse jeni duke u ballafaquar me dhimbje të veshit nuk jeni të vetmit. Dhimbja…

6 days ago