Në vitin 1938 zoti Shahin Zharri (1915-1991) nga Bërzeshta e Librazhdit, botoi në revistën “Shkolla Kombtare” (Nr. 16-17, faqe 22) këngën historike me titull: “Kanga e Gjorq Golemit, Princit të Sopotit”,1) e cila i kushtohej një prej figurave më të shquara historike të shekullit të 15-të, Princit Gjergj Aranit Komnen Golemi, Zotit të Çermenikës, Mokrës dhe Shpatit.2)
Shahin Zharri, ende nxënës në klasën e shtatë të shkollës Normale të Elbasanit, mblodhi në fshatin e tij të lindjes, në Bërzeshtë, disa krijime folklorike dhe ndërmjet tyre këngën e Princit të Sopotit, e cila, pas botimit, do të bëhej menjëherë e famëshme. Që nga botimi i saj në vitin 1938, për gati 80 vjet, kënga e Gjorq Golemit ka pasur një njohje dhe përhapje të jashtëzakonshme, si rrallë në folkloristikën shqiptare, e cila është radhitur si një ndër krijimet më të bukura të folklorit shqiptar. Ajo ka shëbyer si frymëzim për shumë krijues, shkrimtarë dhe artistë shqiptarë, të cilët kanë realizuar vepra dinjitoze në krijimtarinë letraro-artistike, si: poezi (vjersha, poema), prozë (novela, tregime, librete, dramatizime), muzikë (opera), arte pamore (grafika, piktura, skulptura) etj.
Kënga e Gjorq Golemit dhe Shahin Zharri (si mbledhësi dhe botuesi i parë i saj) kanë marrë vlerësime nga studiuesit dhe personalitet më të larta të letërsisë dhe folklorit shqiptar. Prof. Dr. Akademik Dhimitër S. Shuteriqi, shkrimtar dhe sudiues i mirënjohur, në lidhje me mbledhjen dhe botimin e këngës në fjalë, ka shkruar se “Shahin Zharri pati fatin e rrallë të mblidhte “Kangën e Gjorq Golemit”, se pa të kënga do të kishte humbur…3) Po të ishte gjallë sot Shahin Zharri, për këngën e Gjorg Golemit, që e shpëtoi, se pa (a)të kënga do të ishte zhdukur, ne mikun tonë të dashur do ta uronim: Të këndoftë zemra përherë! Zemra atij përherë i këndon me këtë këngë, sepse ai e botoi dhe e bëri të paharrueshme”.
Nga Avni ALCANI – Kurse studiuesi i njohur i folklorit shqiptar, Prof. Dr. Agron Xhagolli, shkruan: “Historia e shoqërisë njerëzore dëshmon se ka ngjarje, momente apo publikime që përcjellin vlera të përmasave që dalin nga kuadri i jetës së zakonshme. Një tekst kënge folklorike rregjistroi dhe botoi me emrin e tij Shahin Zharri (nga Bërzeshta e Librazhdit), dhe e bëri atë të njohur, duke e lartësuar për gjithë jetën e tij, pasi ajo këngë ishte e veçantë për nga rëndësia, për mbarë folkloristikën shqiptare dhe më gjërë… Shahin Zharri ka hyrë tashmë në historinë e folkloristikës shqiptare, jo thjeshtë si mbledhës i folklorit në një moshë shumë të re, por, mbi të gjitha, si mbledhësi dhe publikuesi i një prej krijimeve folklorike shqiptare, kushtuar një figure historike nga më të hershmet, që na e sjell deri më sot epika historike shqiptare. Kuptohet se sa e paçmuar është ndihmesa e këtij mbledhësi aq të ri në moshë…”.5) Prof. Dr. Akademik Shaban Sinani shkruan: “Kënga e Gjorq Golemit ruan gjurma lidhjesh artistike me ciklin e Skënderbeut, kjo do të thotë se hershmëria e krijimit të saj mund të jetë absolute, në kuptimin që ajo mund të ketë lindur bashkë me ngjarjen”.6)
Kënga e Gjorq Golemit dhe pasqyrimi i figurës së Gjergj Aranitit në letërsi dhe arte kanë qenë objekt studimi i autorit të këtij shkrimi,7) një fragment të së cilit po e radhisim më poshtë:
“Kënga e Gj. Golemit dhe figura e Gjergj Aranitit në letërsi dhe arte”
Në vitet ’60, veçanërisht në prag të 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gj. K. Skenderbeut, shumë shkrimtarë dhe artistë shqiptarë i kthyen sytë nga e kaluara historike e popullit shqiptar, veçanërisht në ngjarjet e mëdha të shekullit XV, të quajtur epoka skënderbejane, dhe shkruan vepra të rëndësishme që kishin si subjekt ngjarjet dhe figurat historike më të spikatuara shqiptare. Disa nga shkrimtarët dhe artistët më të njohur, si Dhimitër Shuteriqi, Sterio Spasse, Koçi Petriti, Dilaver Baxhaku, Musa Vyshka, Odhise Grillo, Kolë Jakova, Nikolla Zoraqi, Odhise Paskali, Dhimitër Çani, Guri Madhi, Sali Shijaku, Pandi Mele, Sami Roçi, Agim Rada, Lulzim Mema etj., krijuan vepra nga motivet e këngës së Gjorq Golemit, si dhe pasqyruan në këto vepra figurën e Gjergj Aranitit (Gjorq Golemit), duke realizuar vepra dinjitoze në letërsi dhe në arte, si romane, novela, tregime, drama, opera, vjersha, poema, piktura, skulptura etj.
Krijimi i parë letrar që njohim, i cila është shkruar me motive të këngës sopotare, është novela “Ditët e sprasme të Gjorg Golemit: Lufta e Bekuar” (1959).8) Novela është vepër e shkrimtari Dhimitër Shuteriqi. Ngjarjet dhe personazhet e novelës u mbështetën në motivet e këngës së Gjorq Golemit. Novela pati sukses dhe u prit mjaft mirë nga lexuesit. Kritika e kohës e cilësoi novelën e D. Shuteriqit si një nga “krijimet më të bukura… (që) edhe tani ajo lexohet me endje…9)
Shkrimtari Sterjo Spasse romanin e tij epope “Pishtarët” (1975), ia ka kushtuar lëvizjes kombëtare shqiptare për liri dhe pavarësi. Një nga personazhet e romanit, Halit Bërzeshta (Bej Babai), gjatë meditimeve i ulur mbi minderin e shtëpisë së tij, kujtonte legjendën e Gjorq Golemit dhe heroizmin e grave sopotare.
Në novelën “Prilli i thyer” (1978), e shkrimtarit Ismail Kadare, personazhi kryesor i saj e ka emrin Gjorg. Kemi mendimin se emri Gjorg, i novelës së Kadaresë, është huazuar nga emri i personazhit kryesor të poemës së mirënjohur sopotare, Gjorq Golemit. Gjuhësisht, forma e emrit Gjorg-Gjorqu, është varianti i emrit biblik Gjergj. Variantet: Gjorq, Gjorga, Gjorgu, qarkullon vetëm në trevat e Librazhdit, nga ka dalë edhe kënga e Gjorq Golemit dhe ky emër (Gjorg) nuk është i rëndomtë në viset e tjera shqiptare. Emrin Gjorq, Gjorgë, Gjorga e ndeshim edhe sot në disa toponime. Në Polis dhe Sopot, një pjesë e malit të Polisit thirret: Mali i Gjorg Golemit. Në Myzeqenë e Vogël (Elbasan) Gjorgë quhet gryka ku kalon një përrua. Në fshatin Gurakuq (Çermenikë) ndodhet një fis i tërë që mban si mbiemër (llagap) emrin Gjorg-a etj.
Në vitin 1967, poeti i mirënjohur elbasanas Musa Vyshka, botoi një vjershë të titulluar “Gjorg Golemi”. Vjersha u botua në një antologji letrare, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gj. K. Skënderbeut, e cila ishte e titulluar:”Antalogji për Skënderbeun” (1967). Në të ishin përfshirë krijimtaria më e mirë letrare e autorëve shqiptarë në vite.
Evenimenti më i veçantë letrar dhe artistik ishte libreti i operës “I fundmi i Golemëve”(1968). Vepra e kishte marrë motivin dhe frymëzimin nga kënga e Gjorq Golemit. Ajo u shkruar nga shkrimtari i mirënjohur Kolë Jakova. Libreti shërbeu për t’u shkruar një opera nga kompozitori Nikolla Zoraqi. Opera u shkrua me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, por, për fat të keq, kjo vepër nuk u vu kurrë në skenën shqiptare, për shkak të mentaliteteve të kohës, të pretendimit absurd, se personazhi kryesor i veprës ishte një prift (!).
Figurën e Princit të Sopotit e pati përfshirë në veprën e tij dhe poeti Koçi Petriti. Petriti ka qenë mësues në trevat e Librazhdit prej shumë vitesh dhe i ishte dhënë mundësia të ishte në kontakt dhe të njihej me krijimtarinë folklorike librazhdase kushtuar Gj. Golemit. I mbështetur te këto legjenda ai shkroi baladën “Golomarja” (1974). Disa vite më vonë ai e ripunoi baladën dhe i shtoi vjershës vargje të tjera, duke e transformuar në një poemë. Në vitin 1978, në kuadër të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, poema e K. Petritit “Golomarja” mori Çmimin e Parë Kombëtar.
Mbështetur në subjektin e këngës së Gjorq Golemit, shkrimtari Dilaver Baxhaku shkroi një dramë, të titulluar “Histori me rrënjët në legjendë-Historia e kalasë së Sopotit dhe e Gjergj Golemit” (1982).10) Drama u realizua në vitin 1982 si radiodramatizim. Ajo u regjistruar në Radio-Tirana nga një grup aktorësh të Teatrit Popullor të Tiranës. Radiodramatizimi “Histori me rrënjët në legjendë…” është transmetuar disa herë në emisionin e Radio-Tiranës: “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”.
Shkrimtari i mirënjohur për fëmijë, Odhise K. Grillo, shkroi një libër poetik me ilustrime, të titulluar : “Shpata e Gjorg Golemit” (2001). Subjektin e librit autori e mori nga legjenda dhe nga kënga e Gjorq Golemit, duke e përshtatur këngën dhe legjendën e Gjorq Golemit për fëmijë. Libri është ilustruar nga piktori Lulzim Mema.
Krijimi më i fundit letrar, që ka si personazh kryesor një Arianit Komneni, është romani i autorit Ben Blushi: “Të jetosh në ishull” (2008). Personazhi i B. Blushit ka jetuar në shek. XVII dhe është stërnip i nipit të Gjergj Aranit Komnenit, princit të famshëm shqiptar të shek. XV, emrin e të cilit e ka trashëguar ai dhe djali i tij, Gjergji. Në hyrje të romanit, Arianit Komneni i rrëfen Ali Tepelenës, një tjetër personazhi historik, rrënjët e fisit të tij të Komnenëve dhe historinë e bëmat e stërgjyshit të tij të madh.
* * *
Figurës së Gjergj Aranitit i janë kushtuar mjaft vepra në artet figurative, si në pikturë,skulpturë, grafikë, qeramikë etj.
Me rastin e 500 vjetorit të vdekjes se Gj. K. Skënderbeut piktori Pandi Mele ka realizuar një portret në grafikë kushtuar figurës së Gjergj Aranitit. Portreti i P. Meles ilustron çdo shkrim kushtuar Gj. Aranitit. Gjithashtu, po në këtë kuadër, piktori Guri Madhi realizoi në pikturë kompozimin e titulluar “Sopotaret”. Tabloja evidenton heroizmin dhe vetëmohimin e grave sopotare, të cilat rrëmbyen armët në mbrojtje të Gjorq Golemit dhe të kështjellës së Sopotit. Piktura është mjaft e realizuar artistikisht dhe konsiderohet si një nga veprat më të bukura të piktorit Guri Madhi. Piktori librazhdas Sami Roçi, i frymëzuar në këngën e legjendën e Gjorq Golemit, mbështetur dhe nga poema “Golomarja” e Koçi Petritit, në vitin 1978 realizoi një pikturë shumë të bukur kushtuar Marës së Golemëve. Portreti i parë që njohim në skulpturë, kushtuar Gjergj Aranitit, është një vepër e Dhimitër Çanit, e realizuar në kuadrin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Në vitin 1981 skulptori Agim Rada realizoi një portret kushtuar Gjergj Aranit. Portreti ndodhet në muzeun Gjergj Kastrioti-Skënderbeu të qytetit të Krujës.
Portreti më i bukur në skulpturë, kushtuar figurës së Gjergj Aranitit, është realizuar në vitin 1983 nga klasiku i skulpturës shqiptare, Odhise Paskali. Portreti i Paskalit kohët e fundit (2005) është derdhur në bronz dhe është vendosur në sheshin kryesor të qytetit të Librazhdit.
Piktori Sali Shijaku ka realizuar mbi një pjatë dekorative në qeramikë portretin e Gjorq Golemit, të cilin e pat titulluar: “Në Mal-Plak, mbi një breg, Gjorg Golemi thot’ jam Mbret!”. Titulli është marrë nga vargjet e këngës së Gjorq Golemit. Pjata dekorative ishte koleksion i një ekspozite me punime qeramike, që piktori Shijaku kishte hapur në vitin 1985 në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative të Tiranës.
Në vitin 2001 piktori Lulzim Mema ilustroi librin e sipërpërmendur “Shpata e Gjorq Golemit” të shkrimtarit Odhise Grillo. Piktori Mema ka realizuar rreth 16 ilustrime me ngjyra (kompozime), duke përfshirë edhe dy kopertinat. Piktori, për t’i vendosur ngjarjet në kohë, në shek. e 15-të, ka përdorur mjete dhe elemente artistike shumë shprehëse, si veshjet, armët e luftëtarëve shqiptarë, kështjellën, peisazhin etj., të cilat nxisin dhe zhvillojnë fantazinë e fëmijëve. Ilustrimet janë mjaft të arrira nga ana artistike.
Kënga e Gjorq Golemit ka qenë dhe mbetet objekt edhe i krijimtarisë publiçistike. Në shtypin shqiptar janë shkruar me dhjetra artikuj, që i kushtohen ngjarjes së Sopotit dhe figurës së Gjorq Golemit. 11)
Duke u nisur nga fama që kishte kënga e Gjorq Golemit, nga vargjet e këngës, që u bënin thirrje grave sopotare në mbrojtje të Sopotit, mjaft nga vargjet e këngës së Sopotit janë deklamuar nëpër konferenca dhe tribuna kongresesh.12)
_________________________
1) Zharri 1938 : faqe 22;
2) “Zonja Maria e lartpërmendur, motër e tim eti, pati për burrë Zot Aranit Komnenin, që ishte Zot i Çermenikës (Cermenica) dhe i Mokrës (Mochino) dhe i Shpatit (Spatenia)…” Muzaka 1996: faqe 19;
3) Shuteriqi 19977: Gazeta “Dita informacion”;
4) Shuteriqi 2007: “Gazeta Shqiptare”;
5) Xhagolli 2005: faqe 3;
6) Sinani 2004: faqe 90;
7) Alcani 2010 : faqe 203-241;
8) Shuteriqi 1957 : faqe 26 – 70 ;
9) Shapllo 2004: faqe 96;
10) Baxhaku 1982: Fondi i fonotekës së Radio-Tiranës, Nr. i regjistrimit 559, 1982;
11) Alcani 2006: faqe 74;
12) Po aty, faqe 74-75;
B i b l i o g r a f i a :
Alcani 2006: Alcani, Avni. Shahin Zharri (1915-1991) Monografi., Tiranë 2006;
Alcani 2010 : Alcani, Avni. Shahin Zharri dhe Kënga e Gjorg Golemit, “Çështje të folklorit shqiptar”, Nr. 10, 2010 (Botim i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit, Departamenti i Folklorit) ;
Baxhaku 1982: Baxhaku, Dilaver. Histori me rrënjët në legjendë – Historia e kalasë së Sopotit dhe Gjergj Golemit. 1982. Radiodramatizim (Fondi i fonotekës së Radio-Tiranës, Nr. i regjistrimit 559), Tiranë 1982;
Muzaka 1996: Muzaka, Gjon. “Memorie” (Botim shqip), Tiranë 1996;
Sinani 2004 : Sinani, Shaban. Kënga e Gjorq Golemit dhe cikli i Skënderbeut. Çermenika-Përmbledhje studimesh, Nr. 1, Tiranë 2004;
Shapllo 2004: Shapllo, Dalan. “Në botën krijuese të një tregimtari të shquar”, “Nderim Dh. S. Shuteriqit”, Tiranë 2004;
Shuteriqi 1957: Shuteriqi, Dhimitër. “Ditët e sprasme të Gjorq Golemit: Lufta e Bekuar”, Revista “Nëntori”, Nr. 3, Tiranë 1957;
Shuteriqi 1997: Shuteriqi, Dhimitër. Duke marrë shkas nga një këngë historike 11, Gazeta “Dita informacion”, dt. 5-6.02.1997;
Shuteriqi 2007: Shuteriqi, Dhimitër: “Kënga e Gjorg Golemit midis legjendës dhe historisë” (Referat i mbjatur në Sesionin shkencor kushtuar 60 vjetorit të botimit të “Kangës së Gjorq Golemit”), “Gazeta shqiptare”, datë 10 qershor 2007;
Xhagolli 2006: Xhagolli, Agron. Parathënie e librit “Shahin Zharri”, Monografi, 2006;
Zharri 1938: Zharri, Shahin. “Kanga e Gjorq Golemit, Princit të Sopotit”, Rev. Shkolla Kombtare, Nr. 16-17, Tiranë 1938;
Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e…
Është e dëshmuar se për 500 vite, shqiptarët kanë qenë pjesë integrale dhe e pandarë…
Mbretëresha Teuta e Ilirisë dhe ushtria e saj pirate, sunduan Detin Adriatik në lashtësi dhe…
Është fakt se bërja e një filxhani çaji duket dhe është një proces i…
Mandarinat e Xarrës tashmë janë shndërruar në krenari, jo vetëm për zonën ku mbillen…
Në zonat më të thella të vendit qasja ndaj mjekësisë moderne ka qenë prej…