Kur burrat rrugëtonin natën, mbanin ndezur duhanin dhe kjo tregonte se nuk ishin të përfshirë në veprimtari kriminale ose siç thuhej, “nuk i binin askujt në qafë”, “nuk shkonin në shtigje të liga”.
Por, sipas mendësive mbisunduese, në shoqërinë tradicionale shqiptare ndezja e duhanit në rrethana të caktuara mund edhe ta ekspozonte burrin përballë keqbërësve, të cilët mund ta sulmonin për ta grabitur ose për ta vrarë, të nxitur nga motive të dobëta.
Për të ilustruar këtë ide mjafton t’i referohemi një kënge popullore, e cila me pak vargje i udhëzonte me zgjuarsi burrat, sidomos djemtë e rinj, të bënin kujdes me ndezjen e duhanit, sepse drita e tij mund t’i viktimizonte.
Mos ban dritë djal me cigare,
Kam ba be me t’ba batare!
Mos kërko djalë nëpër banë,
Kan ba be t’duen me t’xanë!
Në shoqërinë tradicionale shqiptare gjendja emocionale shprehej edhe në mënyrat e komunikimit me cigaren. Cigarja krijonte korrelacione të caktuara me modele sjelljesh, me gjeste dhe sidomos me ndryshime të mimikës së fytyrës.
Një cigare e fikur në buzët e një fytyre të ngrysur shprehte një gjendje hidhërimi të skajshëm. Për njerëz të tillë thuhej se “duan të kalojnë helmin e hidhërimit me helmin e duhanit, por nuk munden”. Gjithashtu, cigarja në buzë shprehte simbolikisht shuarjen e shpresave për realizimin e një qëllimi të rëndësishëm.
Në shoqërinë tradicionale shqiptare kur martohej një vajzë, përgjithësisht të afërmit e saj, veçanërisht vëllai, paraqiteshin të brengosur në mjedise publike. Të afërmit e dhëndrit, veçanërisht vëllai, e shprehnin hapur gëzimin në mjedise publike të gjera.
Ndërkohë, drita e cigares bashkë me dritën e buzëqeshjes, me dritën e një fytyre të çelur shprehte gëzim dhe lumturi.
Mesazhe të tilla simbolike përcillen qartë edhe në vargjet e kësaj kënge popullore përmetare:
U nisçë e vajta për ujë,
Gjeçë të vëllain e nuses,
Me cigare të shuarë,
Me buzë lëshuarë,
Rrinte zemëruarë.
U nisç e vajta për ujë,
Gjeta të vëllain e dhëndërrit,
Me cigare të ndezur,
Me buzë të qeshur. /Konica/
A ishin qytetet si Apollonia dhe Bylisi grekë, apo ilirë? Ky është një debat i…
Halim Dauti është një figurë e njohur jo vetëm në fshatin Vllahi, por edhe në…
Në një rrugëtim të gjatë e të mundimshëm nëpër pluhurin e shekujve dhe labirintet e…
SHQIPËRIA KUFIZOHET ME GREQINË NGA LUMI ARTA; NË VERI NGA BOSNJA. SHQIPTARËT JANË ILIRËT DHE…
Xhafer Sadiku Qeveritë shqiptare, pas Pavarësisë, e konsideruan hapjen e shkollave një prioritet themelor të…
Analiza e këtij hormoni në gjak ndihmon mjekët të vlerësojnë rezervën e vezëve në vezore,…