Nga: Mit’hat Frashëri
Në kohë që ësht’ i vogël njeriu ëndëron dhe thotë: – Kur do të vijë dita të bëhem i math, të dal nga djalërija. Të rritem, të urdhëronj vetëhen, të dal nga kujdesi dhe nga vëshgimi i të tjervet. Sa vjet, sa shekuj, sa brezni kemi pshertitur prapa liris s’ ënë si komp, prapa independencës së kësaj Shqipërije! Çdo gjë e gjallë në botë ka detyrën të rrojë, të mprojë vetëhen. Dhe që të rrojë duhet të mprohet prej rreziku, të marrë masa për pritmin, të mejtojë jo vetëm për sot, po edhe për të nesërmen, të pregatitnjë udhën e lumtërisë.
Një njeri që s’ka liri, një skllaf, nuk’ ësht’ i zoti i vetëhes’ së tij të punojë dhe të realizojë jetë fatbardhe. Një komp pa liri politike është më keq se një njeri lidhur në hekur.
Lirin e një personi të vetëm e tolerojnë shumë despotë, po lirin e një kolektiviteti si komp s’e duron asnjë dominatër i huaj. Si individ munt të na japin lejë, mbase edhe na ndihmojnë. Por si shoqëri, si trup je i ndaluar nga çdo veprim. Dhe në është indipendenca një qok dhe një qëllim që e ndjekim pa reshtur, kjo është pse indipendenca na le të lirë të përpiqemi për të mirën t’ënë kolektife, na e fal atë të drejtë, na ‘zgjith duar e këmbë të punojmë për një jetë më të mirë, më të bukur dhe më të ndershme.
Në qoftë, pra se skllavërija dhe despotisma janë një turp për njerinë, lirija dhe independenca formojë një titull fisnikërije për të. Në një gjuhë të huaj ka një fjalë të shkurtër dhe fort të bukur – “Noblesse oblige” thotë. Fisnikërija i ngarkon njeriut një tok detyra, një tok barrë që rjedhin nga të drejtat e tij. “Noblesse oblige”, është një mendim lindur në inteligjencën e një populli nek i cili ushqehesh shpirti i nderit, i kalorsisë, i oborsisë, një popull që kishte për detyrë të vdesë atje ku e lyp nderi, të vërë këtë nder dhe sedrë më parë se çdo send tjatër.
Do të donja pra që sa herë moti na përtërit 28 Nëntorin, në mes të gëzimit dhe manifestimevet, të kujtojmë detyrën, dhe me detyrën, përgjegjësinë t’ ënë.
Kemi para së gjithash detyrën të rrojmë. Dhe që të rrojmë duhet të krijojmë një mentalitet të shëndetshëm, me një kuptim të kthielltë. Anijeja që udhëton në brym’ e në mjegull thyhet në shkëmbënjtë; njeriu që ecën në t’ errët bje në gropë. Kaqë më tepër akoma duhet të çel një sytë një shoqëri dhe të dijë ku vete, të dojë të kuptojë ku duhet të vejë.
Fisnikërija na ngarkon barrë të rëndë, dhe kur ritemi dhe bëhemi burrë duhet të punojmë si burrë e si fisnik. Të bindemi një her’ e mirë se iku ora e marrëzivet, e pakujdesivet, e lodravet.
Gjëndemi përpara një problemi të math dhe duhet të qendrësojmë, mendimin t’ ënë.
Një problem i math, do mjete të mëdhenj, do fuqi të fortë. Do pra bashkëpunim midis njerësvet të kombit, me qënë se është për interesin e përbashkët. Duhet të marrim pjesë aktife, një interesim të gjallë, si të zotërit e punës që jemi, si proprietarë të këti vëndi, dhe jo si të huaj, si qiraxhinj.
Do të rrimë kurdoherë në Shqipëri, dhe atje do të vdesim, edhe ne edhe djemt’ t’anë, sikundër që atje lintnë prindërit dhe stërgjyshërit t’ anë. Kjo shtëpi ësht’ e përbashkët; ky kopsht ësht’ i të gjithëve. E mira dhe e keqja është për të gjithë.
Lëngata e më të largut fare nesër na kap edhe neve. Faji i tjatrit më zë edhe mua. Kur të çelet dheu bjemë të gjithë brënda dhe furtuna kur e mbyt vaporin të gjith’ udhëtarët bjen’ në valë.
Duhet të kemi bindjen se, për të mirën e përbashkët kemi nevojë dhe detyrë të punojmë të gjithë së bashku. Edhe kështu çdo e mirë, ose çdo e keqe vjen prej nesh, mvaret nesh.
Kështu është sot, kështu do të jetë nesër, kështu edhe gjithmon e jetës. Në shtëpit t’onë të madhe që i themi Shqipëri, mos kemi shpresë veç se nga punimi dhe nga veprimi ynë. Atë që mbjellim atë do të korrim.
Arrin që të duamë, të punojmë dhe të veprojmë me këmbë-ngulje, forcë vullneti, me tenacitet, me perseverencë, pa u-mërzitur, pa uzvertitur. Na duhetë një punim i gjatë, i vazhduarshmë, inteligjent dhe i logjikshëm, dhe gjithë me një zemrë, se lumtërija ime personale ka për kusht lumtërin e përbashkët.
Atë farë që hedhim, atë pemë do të marrim. Por, a jemi bindur se pa punuarë a’ kemi të drejtë jete?
A na është mbushur mëndja një her’ e mirë se pa mbryjtur e pa gatuar s’ kemi bukë as sot, as nesër? A e kemi mirë kuptuare se, çdo-cili meriton të rrojë si pas punës që bën – me krahë e me lodhje – dhe jo si mbas fjalëvet të kota që flet?
Varfërija morale dhe fizike, robërija personale dhe, shoqënore vijnë nga të folurit shumë, dhe të punuarët pakë.
Fuqinë duhet të ja japim, jo gojës me gjuhën, po krahvet, krahrorit, zemrës dhe mushkërivet. Sicilado nga këto fjalë është një program më vetëhe dhe për shvillimin e tyre do të ishte nevojë jo një, po disa artikuj.
Do të ishte kjo nevojë gjer sa të na hyjnë këto të vërteta thellë në çelulat e trusë, në fibrat e zemrës, të formojnë themelin e moralit t’ ënë individual dhe kolektif. Kur qënkemi të gjithë të interesuar në jetën dhe lumtërin e përbashkët, atëhere e kemi për detyrë të ndjejmë se i cili prej nesh përgjegjësinë që i takon, se kjo përgjegjësi ësht’ e përbashkët: imja, jotja, e ati, e atyreve.
Do të jeshe padyshim fort i kënaqur, këndoniës, sikur të të thoshnja se faji s’ ësht’ yti, se ti s’ ke asnjë përgjegjësi. Do t’ a ndjenje vetëhen t’ ënde të lumtur duke hedhur gjithë gabimet, gjithë sharjet mbi tjatrin, mbi të tjerët, dhe ti të dilnje inocent, mbase dhe martir. Për fat të keq njeriu s’ ësht ëngiëll!
Mirësija lyp një edukat’ të gjatë dhe një stërvitje të përditëshme. Prandaj na pëlqen të kallzojmë të afërmin, të ngarkojm’ atë me çdo krim, me çdo padrejtësi. Mos e prit, këndonjës i dashur, këtë demagogji prej meje.
Të kam për të thënë të vërtetën e athët, sikundrë që s’t’a kam kursyerë që kaqë vjet. Do të më vinte turp të të gënjenj ty, dhe më tepr’ akoma do të skuqesha: në rrejsha vetë vetëhen. Dhe e vërteta është se, cilido nesh duhet të shohë si përgjegjës personën e tij.
Para se të themi çë bëri, si veproj aksecili, duhet të pyesim sinqerisht dhe me ndërgjegje çë bëra unë, si veprova unë. I vetëmi moralitet konstruktif është të mbajmë përgjegjëse vetëhen t’ ënë: atëhere, dhe në këtë mënyrë, munt që të shohim fajnë, të përpiqemi të korektohemi, të çvishemi prej të metavet dhe të fitojmë cilësi të dobishme.
Eshtë një “ushtrim spiritual” laik, jo vetëm moral, po edhe patriotik. Kurse, e kundërta e kësaj mënyre, në qoftë se nxjerim vetëhen t’ ënë pa faj, dhe akuzojmë kurdoherë tjatrin, atëhere s’ bëjmë as një forcim të përmirësohemi, nuk ndreqim të metat, shtojm’ armiqësitë dhe bisedimet e kota, dhe rezultati del në dëm të përgjithshëm.
Kjo e vërtetë kaqë simple është edhe për mua, edhe për ty, këndonjës, edhe për të gjithë neve. Një e vërtetë fort simple dhe fare sheshazi, ka nevojë shpesh herë të repetohet, të përsëritet çdo mëngjes e çdo mbrëmë. Dhe është një detyrë elementare që të bindemi thellësisht ne vetë, pastaj të bindim të afrëmit t’anë se, rrojtja dhe pritmi varen nesh kolektivisht; në bashkëpunim dhe solidaritet me shoku shokun.
Noblesse oblige. Independenca na bën me jetë, me shtëpi, me fëmijë, me komp. Na jep barrën t’a meritojmë, t’a mprojmë, t’a ruajmë, të plot e të pa cënuar, të nderuar dhe të pëlqyer, për lumtërin t’ënë.
Duhet të respektojmë këtë independencë; të kujdesemi të na respektojë bota. Dhe një komp është si një individ: Që t’a respektojë tjatri arrin që të respektojë me të vërtetë vetëhen e tij.
E di se kemi ardhur në një kohë të keqe, një epokë vështirësije, krizë morale, ekonomike dhe politike për botën e tërë. Nga këto fatkeqësi, nga shkatërimi i traditavet, i disiplinës dhe i hierarkisë, vuan e tërë bota, gjithë Shtetet e dheut, edhe ata që kanë qënë të fort e t’ organizuar.
Eshtë natyrisht logjik që edhe ne do të ndjejmë të këqijat e sotme të kohës. Edhe bash pse jemi në një minutë kritike të situatës së përgjithëshme, prandaj duhet të çelim edhe më tepër sytë, të jemi më të kujdesur. Kom be të gjerë dhe të mëdhenj, munt t’ a shikojnë me besim kohën; koha për ‘ta munt të jetë gentleman, galantuomo.
Po një popull i vogël ka detyrë t’i japë kohës një ndihmë të fortë, të ecënj përpara kohës, dhe të mprojë vetëhen e tij. Çinteresimi në fushë të veprimit patriotik është një faj dhe një krim. “Ç’më lipset mua”. si edhe “Ç’të duhet ty”, janë fjalë shkatronjëse. Përgjegjësija dhe të drejtat janë të përbashkëta, sikundrë që interesimi i të gjithëve është një detyrë dhe një nevojë.
Në qoftë se shumë faje dhe shumë gabime bëhen në botë, kjo vjen pse një pjes’ e madhe e popullit s’njeh, s’di, s’ kupton interesin e vërtet të tij, rri indiferent ne jeta e përbashkët, ose, më keq akoma, e shikon vetëhen e tij të huaj dhe armik, i shikon të tjerët armiq dhe të huaj.
Ay që shikon, sheh dhe gjykon ka një barrë të rëndë në këtë lëmë. Inteligjenti që kupton detyrën duhet të ngrerë barrën. Dhe barra e çdo Shqiptari me ndërgjegje është të interesojë palët e thella të njerëzisë, stratat e popullit dhe vllezrit e kombit, duke u rrëfyer edhe atyreve cila duhet të jet udha e tyre, ç’ detyrë dhe përgjegjësi kanë.
Padyshim ky program tërheq mundime të panumërtë. Po jemi të shtrënguar të lodhemi e të punojmë, në mos vetëm për ideal dhe, moralitet, të pakën për interesin e vërtet t’ënë.
Në një kohë në të cilën egoisma dhe indiferenca shikohen si parime me të cilët ndodhen njerës që lëvdohen dhe mburen, në një periodë që verbërija dhe qenisma shikohen si virtute, të bërët e një detyre kundrejt kombit dhe vëndit, a nuk duhet të mbushnjë aktivitetin e atyreve që vështrojnë dhe gjykojnë?
Dhe këto detyra duan bërë me entusiasmë dhe duke inspiruar entusiasmën: Si për njerinë, ashtu dhe njerëzinë entusiasma dhe lithka në një ide e mbajnë gjallë; besimi në një qëllim i japin fuqi, dhe e ngushëllojnë. Një komp shuhet dhe vdes kur humbet entusiasmën. /Botuar fillimisht në Revistën “Përpjekja shqiptare”, në numrin e dhjetorit 1936/
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…
Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…
Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme. Shkrimi…
Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…