Ku u mbajt kuvendi i madh i Dukagjinit, i vitit 1601-2

Nga: Aleksandër Meksi

Në historiografinë “zyrtare” vazhdon të mbetet ende mendimi se Kuvendi i Dukagjinit i viteve 1601-2 u mbajt në fshatin me të njëjtin emër të krahinës së Matit ku ndodhej dhe abacia e Shën Aleksandrit1). Fillimisht këtë tezë e ka shprehur Injac Zamputi në një paraqitje të një sërë të dhënash të reja mbi gjendjen e vendit në shekullin e XVII-të2), duke hamendësuar se kemi një transferim të titullit të abacisë së Oroshit në Dukagjin të Matit, rrjedhojë e kushteve të krijuara me pushtimin e vendit. Pak më vonë në një studim të tijin për përpjekjet e prijësve shqiptar për çlirimin nga turqit, ai e rimerr këtë tezë, duke u shprehur se “…kemi bindjen se Kuvendi u mbajt në fshatin Dukagjin të Matit…” 3) .


Në një shkrim tonin për peshkopatën e Arbërisë (episcopatus Arbanensis) patëm hedh dhe mendimin, duke u nisur shqyrtimi i të dhënave dokumentare, se Kuvendi i Dukagjinit i vitit 1601-2 është mbajtur në abacinë e famshme të Shën Aleksandrit (Shën Llezhdri) mbi Malin e Shenjtit në Orosh të Mirditës 4). Në këtë shkrim po mundohemi ti paraqesim këto argumente.
Në Kuvendin e Dukagjinit, u mblodhën 2565 delegatë nga shumë vise të Shqipërisë (viset katolike) me synimin për të organizuar një kryengritje të përgjithshme. Në këtë kuvend u vendos që t’i drejtohen Republikës së Venedikut, me shpresën që ajo e nxitur dhe nga interesat e veta, do t’i ndihmonte në luftën me turqit. Njoftimin për këtë mbledhje të rëndësishme që kishte grumbulluar një numër të madh prijësish dhe përfaqësues të krahinave të shumta të Shqipërisë e gjejmë në letrën e ruajtur që Kuvendi i dërgoi Venedikut 5). Në të Kuvendi i kërkon Sinjorisë ndihma për të fituar lirinë, “..siç e patën në kohën e Gjergj Skënderbeut..”, si dhe që të pres si ambasadorë të shqiptarëve ipeshkvin e Sapës dhe Sardanjës dhe Pal Dukagjinin, të cilët i ngarkojnë të negociojnë drejtpërsëdrejti duke ju blatuar dhe kështjellën e Krujës. Gjithashtu ata angazhohen t’i venë në dispozicion dhe dyzetmijë luftëtarë, ndër më trimat, me të cilët do të bashkohen dhe shqiptarët ortodoks, madje dhe sllavët dhe që së bashku mund të mblidhen njëqindmijë burra trima me armë për të luftuar barbarët.


Letra qartësisht firmoset më 15 shkurt të vitit 1602 në Shën Aleksandrin e krahinës së Dukagjinit (Sant’ Alessandro della provintia di Ducagini). Në letrën pasojnë firmëtarët sipas krahinave: të Dukagjinit, të Serbisë, të Dibrës, të Shkodrës, të Sapës (Zadrima me Lezhën), të Matit, të Kurbinit, të Krujës, të Petrelës, të Elbasanit, të Durrësit, të Myzeqesë, të Padenia-Spaderica(?) 6).


Letra vazhdon më tej me paraqitjen e kërkesave të tyre duke shpresuar që Venediku do denjoj ti pranoj e mbështes si shërbëtor besnik dhe të vërtetë. Së pari kërkojnë të caktohet nga Senati një Kapiten i Përgjithshëm për t’i qeverisur, ashtu siç do ta mendoj Venediku. Gjithashtu i kërkojnë Republikës që Krerët kryesorë, ata që do zgjedh Serenissima, d.m.th Gjenerali i mësipërm, të bëhen Kolonelë, Drejtues dhe Kapitenë të ushtrisë, me atë rrogë që ajo do ta shoh të arsyeshme, të gatshëm për të jetuar dhe vdekur nën flamurin e Shën Markut. Po kështu i kërkojnë që të çlirohen nga pagesa e disa taksave dhe pranojnë disa të tjera. Së fundi luten që Ajo ti mbroj nga çdo armik e ti konsideroj për gjithçka si qytetarë të saj.
Firmëtarët, që në fund të letrës vërtetojnë me vulën e tyre sa më sipër, janë ipeshkvi i Stefaniakës dhe vizitator Apostolik për gjithë Shqipërinë Nikollë Mekajshi (Nicolo Mecansci) dhe ipeshkvi i Sapës dhe i Sardës Nikollë Bardhi (Nicolo Bianchi). Letra përmbyllet me firmën e abatit të Shën Aleksandrit fra Bernard Laçit i cili e shkroi letrën “me urdhrin dhe konsensusin e krerëve dhe prijësve të më sipërm të gjithë Shqipërisë”7).


Nga parashtrimi i letrës dhe renditjes sipas krahinave të firmëtarëve të saj, del qartë për ne se bëhet fjalë për Shën Aleksandrin në krahinën e Dukagjinit, ku ndër firmat kemi disa krerë që përmenden me emër dhe të tjerë që cilësohen si “dhe krerë të tjerë”. Krahas Dukagjinit, por rreshtuar mbas Serbisë, Dibrës, Shkodrës dhe Lezhës me Sapën, vjen krahina e Matit dhe ajo me përfaqësuesit e saj. Pra Mati nuk bën pjesë në Dukagjin në atë njehsim, siç nuk ka qenë kur pjesë e Dukagjinit. Sidoqoftë për problemin që po trajtojmë është me interes të shohim çfarë kuptojmë në ato shekuj me emërtimin gjeografik Dukagjin.


Ndër dokumentet më me vlerë për problemin që na intereson është relacioni i Mark Skurës prej Kruje, arqipeshkv i Durrësit, i cili në Relacionin që i dërgon Kongregacionit të Propagandës Fide në Selinë e Shenjtë në vitin 1641, shprehet qartë se“…Lisi (i Matit) gjendet ndërmjet maleve të Krujës dhe Dukagjinit..Ajo është në kufi të Matit dhe të Dukagjinit. Mati është një luginë e madhe ndërmjet dy maleve të sipërthëna….Dukagjinasit janë njerëz të lirë nga haraçi turk.”8) Mark Skura në ipeshkvin e Lisit rreshton në fshatin Dukagjin një abaci të Shën Aleksandrit 9), por gjithnjë është emër i një fshati dhe jo krahine. Ndërsa letra e më sipërme drejtuar Venedikut e cilëson abacinë ku u mbajt Kuvendi si të krahinës së Dukagjinit. Veç kësaj abacia e Shën Llezhdrit në Orosh është një abaci e shquar, e mbajtur për shumë e vjetër, madje dhe abaci mitrale d.m.th abatët i saj kanë pas qenë ipeshkëv të Arbërisë (episcopus Arbanensis), dhe peshkopata e Arbërisë njihet nga dokumentacioni historik qysh nga mezi i shekullit të XII-të.


Në se do të kërkojmë më tej në relacionet e shekullit të XVII-të do të përftojmë të dhëna të tjera për problemin që po shqyrtojmë. Kështu nga Relacioni i arqipeshkvit të Tivarit (Antivari) Marin Bici, dërguar papës Pali i V-të, mbi vizitën në dioqezat e Shqipërisë dhe Serbisë në vitin 1610 përmendet sanxhakbeu i Dukagjinit 10). Të dhëna të njëjta gjejmë dhe në Relacionin e ipeshkvit të Sapës dhe Sardës Pjetër Budi dërguar më 15 shtator 1621 kardinalit Gozzadino. Sipas tij në anën tjetër të Krujës janë dukagjinasit që kanë ngritë krye para 30 vitesh dhe që kanë 6000 luftëtarë. Ata banojnë, sipas Budit, në malësi mbi Lezhë ndërmjet Krujës dhe Shkodrës 11), ndërsa më tej është krahina e Matit. Në të njëjtin relacion kur flitet për popujt e krahinës së Dukagjinit dhe shtrirjen e tyre përfshihen ndër të tjera Iballa, Fandi i Vogël, Fandi i Madh e Mirdita.
Po kështu arqipeshkvi i Tivarit Pjetër Mazreku në Relacionin e tij për Kongregacionin e Propagandës Fide, kur flet për vizitat e tij në dioqeza gjatë vitit 1633 thotë mjaftë qartë se dioqezat e Tivarit, Shkodrës Sapës dhe Lezhës përshkohen nga Malet e Dukagjinit 12)


Argumentet e mësipërme mendoj se janë të mjaftueshme për të krijuar bindjen e plotë se abacia e Shën Aleksandrit në Malin e Shenjtit është vendi ku u mbajt Kuvendi i Dukagjinit . Vetë shqyrtimi i renditjes së krahinave në letrën drejtuar Venedikut, duke përmendur të parë si krahinë Dukagjinin dhe vazhduar me ato rreth dhe pranë tij dhe si krahinë më vete Matin, tregon se abacia e jonë nuk është në Mat. Po kështu emërtimi Dukagjin, në Relacionet e sipërpërmendura, për krahinën malore ndërmjet Krujës, Shkodrës dhe Matit, , si dhe i sanxhakut me të njëjtin emër, nuk le vend për të menduar e pranuar se ky Kuvend u mbajt në fshatin Dukagjin të Matit, ku për koincidencë ka një abaci me të njëjtin pajtor.
U përpoqëm në këtë shkrim të shtjellojmë dhe vërtetojmë idenë tonë të parashtruar shkarazi vite më parë për vendin se ky Kuvend i rëndësishëm për historinë shqiptare të fillimit të shekullit të XVII u mbajt në abacinë e famshme të Shën Aleksandrit (Shën Llezhdrit) në Malin e Shenjtit në Orosh të Mirditës.


Referencat:
1) Historia e Shqipërisë, v.II, Tiranë 2002,568.
2) I.Zamputi, Të dhëna të reja mbi gjendjen ekonomike shoqërore e politike të vendit tonë në shekullin e XVII-të, Buletin për shkencat shoqërore 2, 1956, 161.
3) I.Zamputi, Projektet shqiptare për çlirimin e vendit drejtue Evropës në vjetet 1577-1621, Buletin për shkencat shoqërore, 4, 1956,122 shën. 1.
4) A.Meksi, Peshkopata e Arbërit (Episcopatus Arbanensis), Hylli i dritës 5-6, 1995, shën. 79.
5) L.Ugolini, Pagine di Storia Veneta ai tempi di Scanderbeg e dei suoi successori (con due dokumenti inediti), Studi Albanesi,vol III-IV, 1933-1934,21-25 (dok.1).
6) Po aty, 22-24.
7) Po aty, 24.
8) Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII, v.II (1634-1650), Tiranë 1965, dok. 36,44.
9) Po aty, 44v.
10) Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII, v.II (1634-1650), Tiranë 1963, dok.3,185.
11) Po aty, dok. 5,83.
12) Po aty, dok 37, 271 /MIRDITA:Histori dhe aktualitet /InforCulture.info

postbck postbck

Recent Posts

Kura me mese arrash për zemrën, mushkëritë dhe imunitetin

  Për shumë njerëz ky është një lëng që funksionon kundër kollës dhe problemeve me…

18 minutes ago

Shurupi i mollës – Zbuloni sëmundjet që parandalon

  Shurupi i mollës është një nga lëngjet më të shëndetshme që mund të konsumoni…

42 minutes ago

Çaji i Gështenjave – Kura natyrale kundër kollës së vazhdueshme

  Në mjeksinë popullore është i njohur rekomandimi i kurës nga çaji i gështenjës, në…

1 hour ago

Përdoreni këtë truk të thjeshtë për të pastruar enët e djegura

  Pavarësisht se sa përvojë keni në kuzhinë, ushqimi i djegur lë njolla kokëforte në…

2 hours ago

Pse na dobësohet shikimi kur bie borë?

  ‘Verbëria e borës’ ose fotokeratiti, është dhimbje dhe parehati e përkohshme e syve pas…

2 hours ago

A ndihmon soda e bukës me problemet e diabetit /Disa këshilla se ku ta përdorni

  Soda e bukës mund të jetë një nga produktet që përdoret më së shumti…

5 hours ago