Kryengritësit në Kosovë, hap drejt pavarësisë

MARSHIM FITORESH

Në marshin e kryengritjeve të Kosovës për t’u çliruar nga zgjedha turke në 1912 u dalluan një sërë luftëtarësh që përbëjnë tharmin e identitetit kombëtar shqiptar sic janë, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri. Një pas një ata çliruan të gjitha qytetet me ose pa dhunë të Kosovës dhe arritën që ta ngrejnë peshë atë. Po si përshkruhen këto në histori:

Me çlirimin e Gjakovës, forcat kryengritëse, që tash arritën në mijëra luftëtarë, më 19 korrik u drejtuan kah Rrafshi i Kosovës, dhe pas dy ditë marshimit ia behën para Prishtinës.

Garnizoni turk bëri përgatitje të nevojshme për luftë, ndërsa artileria ishte e gatshme që të hapte zjarr nga të gjitha armët.

Mirëpo, mytesarifit iu kumtua përmes lajmëtarit se çdo tentativë për ta penguar hyrjne e forcave shqiptare në qytet ishte e kotë dhe mund të shkaktonte derdhjen e panevojshme të gjakut.

Në anën tjetër qytetarët e Prishtinës kryen një aksion të shpejtë: derisa komandanti i garnizonit priste lidhjen telegrafike me Stambollin për të marrë instruksione, grupi i Prishtinës, i përkrahur nga xhandarët dhe nga një pjesë e ushtrisë, e rrethoi godinën e telegrafit dhe e detyroi komandantin turk që të hiqte dorë nga çdo rezistencë lufte.

Pasoi thyerja e burgjeve dhe lirimi i të burgosurve. Kryengritësit hynë në Prishtinë pa luftë.

Forcat kryengritëse, të grumbulluara rreth Mitrovicës, po zhvillonin në këtë kohë luftën e sukseshme kundër trupave turke.

Më 19 korrik, afër fshatit Braboniq, ata dërrmuan një batalion këmbësorie i cili u shtrëna të tërhiqej në çrregullim, vunë në kontroll rrugën që çonte në Pejë dhe pastaj u përgatitën të sulmonin Mitrovicën.

Dy batalionet turke të stacionuara në Boletin, i braktisën shpejt pozitat dhe hynë në qytet. Komandanti i divizionit Ali Nazim Pasha i tërhoqi në qytet edhe repartet e tjera për të organziuar mbrotjen.

Mirëpo për shkak të forcave të pamjaftueshme dhe të insistimit të parisë së Mitrovicës, Isa Boletini një herë për një herë hoqi dorë nga sulmi i planifikuar dhe u drejtua me një pjesë të forcave kah Novi Pazari, ku hyri natën midis 22-23 korrikut.

Garnizoni i vogël i ushrisë nuk vëri kurrfarë rezistence. Popullsia e qytezës dhe e rrethinës, që ishte e solidarizuar me kryengritjen që më parë, i priti çlirimtarët e saj me ovacione, Tërgovishtës, Beranës, dhe Peshterit në përgjithësi, iu përgjigj thirrjes së I. Boletinit për t’u bashkuar me kryengritjen, dhe i dërgoi përfaqësuesit e vet në Novi Pazar.

Pasi në Novi Pazar i forcoi radhët kryengritëse me luftëtarë të rinj të kësaj ane, u furnizua me armë, municion dhe gjëra ushqimore nga depoja ushtarake, I. Boletini u drejtua përsëri kah Mitrovica me një forcë që kapte 6.000 luftëtarë.

Komandantit të garnizonit iu vu ultimatum: nëse brenda dy orëve nuk e tërhiqte ushtrinë nga të gjitha pozitat në kazerma, qyteti do të sulmohej nga të gjitha anët.

Pazari u mbyll, ndërsa një grup qytetarësh me autoritet shkoi te komandanti turk për të kërkuar evitimin e gjakderdhjes. Nazim Pasha u mbyll me ushtrinë në kazerma.

Forca e I. Boletinit hynë në qytet më 27 korrik, e çliruan shpejt Vuçiternën pa luftë (reparti i ushtrisë u tërhoq në kazerma) dhe vazhduan marshimin kah Prishtina, ku u bashkuan me forcat e B.Currit.

Edhe në zonën juglindore të Kosovës të njohur si vatër e rëndësishme e lëvizjes së vazhdueshme kundër sunimit turk, u intesifkuan aksionet e armatosura. Në logun e kuvendit, të mbajtura në fshatin Pozharan, u mor vendimi i sulmit në Gjilan, ndaj forcat e udhëhequra nga Idriz Seferi dhe Bejtulla Aga u drejtuan andej pasi ndërprenë më parëvijën telegrafike me Ferizajn.

Grupi i parë, që hyri në qytet (26 korrik) pa hasur në rezistencën e garnizonit turk, ishte ai nga Kriva Reka dhe Morava e Ulët- së bashku me xhandarmët që u solidarizuan me kryengritësit, dhe një numër serbësh të prirë nga dy mësues.

 Në mbrëmje u hapën burgjet e u thyen depot ushtarake, kështu që një pjesë e mirë e kryengritësve –deri atëherë të paarmatosur, u furnizuan me pushkë. Një ditë më vonë në Gjilan hynë 500 kryengritës nga rajoni i Shkupit, i Kumanovës dhe i Preshevës, kështu që forcat e përqëndruara në këtë qytet arritën në dy mijë njerëz.

Po ky numër i luftëtarëve ishte vendosur nëpër konaqet e fshatrave të rrethinës. Këto forca ishin të gatshme të marshonin drejt Kaçanikut dhe Shkupit, në shenjën e parë. Më 27 korrik forcat kryengritëse, të tubuara në Tërnovc, çliruan Bujanovcin, i dëbuan nënpunësit e administratës turke dhe vendosën rregullin e qetësinë.

Formacionet e ushtrisë, të dërguara nga Shkupi dhe Kumanova në zonën e Gjilanit u thyen keq, dhe kjo anë e spastrua krejtësisht nga pushteti turk. Krerët e kryengritjes dhe paria e vendit, të prirë nga Idriz Seferi e të shoqëruar nga 70 burra të armatosur, u nisën më 29 korrik në Prishtinë.

Sikundër është theksuar më lart, pas ngjarjeve të qershorit, Peja nuk u përfshi në lëvizje për shkak të qëndrimit armiqësor të bejlerëve.

Por, me rënien e qeverive turke, me zhvillimin e suksesshëm të kryengritjes dhe çlirimin e disa qyteteve, edhe ky qytet më në fund zuri të lëvizë.

Të udhëhequr nga esnafi i tabakëve, zejtarët e degëve të tjera dhe tregëtarët e vegjël, në mbledhjen që mbajtën më 27 korrik, vendosën të bashkoheshin me kryengrtjen.

Krerët e tjerë nga radhët e bejlerëve dhe të çifligarëve, që deri atëherë ishin mbështetje kryesore e Stambollit, duke parë se regjimi turk kishte rënë në agoni, u bashkuan me lëvizjen dashur pa dashur.

Kështu, Zejnel Mahmutbegollaj, deri dje njeri i regjimit, u përpoq madje t’ia mbushte mendjen kreut të Rugovës, Sadri Bardhit, që të nisej me njerëzit e anës së tij në Rrafshin e Kosovës.

Në mbarim të korrikut rreth 1.700 pejanë të armatosur u nisën së bashku me krerët e tyre në Prishtinë.

Shkëputur nga ‘’Lëvizja kombëtare shqiptare në Kosovë 1908-1912’’ Zekeria Cana

postbck postbck

Recent Posts

”Scientific Reports”: Macet janë më të afta në lidhjen e fjalëve sesa foshnjat

Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…

3 hours ago

Jeta në komunizmin shqiptar

Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…

4 hours ago

Riktheni butësinë e peshqirëve me këto produkte shtëpiake

Peshqirët janë artikuj të cilët i përdorim çdo ditë, megjithatë pas një kohe humbin butësinë…

5 hours ago

Çfarë shkruante një lundërtar grek i shek. 2 para Krishtit, për Ilirinë?

Nga Salih Mehmeti Kishte ditë që boja ishte mpiks në pergamenën e galme.   Shkrimi…

6 hours ago

Vlora, vendi i parë Neandertalian në Shqipëri! Arkeologët zbulojnë vegla guri që datojnë…

Një ekip ndërkombëtar, i koordinuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, Instituti i Gjeologjisë Mjedisore dhe…

6 hours ago

Përse macet ju presin tek dera kur shkoni në shtëpi? Këto janë arsyet

  Macet dihet që janë kafshë shtëpiake të pavarura, por kjo nuk do të thotë…

1 day ago