BIBLIOTEKA E VATIKANIT
Gjon Buzuku dëshmon, se, për veprën e tij punoi mes 20 marsit 1554 dhe 5 janarit 1555. “Meshari” i Buzukut u vu, me sa duket, në indeks nga inkuizicioni. Kështu, libri thuajse u zhduk dhe sot, njihet në një kopje të vetme, kjo në bibliotekën e Vatikanit.
Atë s’e përmend asnjë autor pasardhës, përpara Pjetër Bogdanit (1665), Zbulimi i Nikollë Kazazit (1740), nuk e nxori nga heshtja. U desh që ta rizbulonte Pal Sqiroi, në fillim të shekullit tonë (XX), që të niste e të bëhej mirë i njohur.
Gati tri shekuj e gjysmë heshtjeje, kaluan mbi librin e parë që dimë të jetë botuar shqip. Me interes është që të njihet se nga ç’vend e ka prejardhjen kopja e vetme e librit të Buzukut. Mbi këtë libër, ka disa anëshkrime, ku gjejmë emrat e dy klerikëve që e kanë përdorur atë, një Gjon e një Gjergj, si edhe emrat e tre të tjerëve, të cilët, u janë drejtuar dy të parëve me anëshkrimet e tyre, për t’i përshëndetur e për ndonjë porosi: një Mark, një Pjetër e një Nikollë. Në një faqe ose në kapakun e fundit të librit, lexojmë edhe emrin e Kola Kuçi dhe, nën këtë emër, kemi fjalën Asanes. Është pikërisht kjo fjalë, që na shpuri të kërkojmë prejardhjen e ksomblës së librit të Buzukut, nga fshati i sotëm Hasanaj, pak në jugperëndim të Fushë-Krujës.
Ky fshat, më 1431 dhe në pjesën e parë të shek. XVII, thuhet Asanes. Një emër mesjetar sllav. Duke ditur se libri ka bërë pjesë në Bibliotekën e Kolegjit Urban në Romë, që u themelua më 1627, kërkimet dokumentare nisin përpara dhe pas kësaj date. Në një relacion të njohur të Marin Bicit, të vitit 1610, hasen në të dhëna me interes të veçantë, për fshatrat midis Krujës dhe detit, pranë Asanesit. Kështu, në qershor të atij viti, në Laç ka qenë famulltar një i quajtur Gjon, ndërsa në Qullës të zonës së Rodonit, një me emrin Gjergj. Po në këtë zonë, në Muzhëll ka qenë famulltari quhej Mark (vendas) e në Shporaj, famullitari quhej Nikollë, kurse midis këtyre fshatrave dhe Asanesit, në Bëlaj (sot Bilaj), shërbente famullitari kishte ermin Pjetër: janë pikërisht, të pesë emrat që hasen në anëshkrimet e përmendura.
Marin Bici na mëson se famulltari i Qullësit, ishte Gjergj Bardhi (i quajtur në dokumente të tjera, Maqedoni), i cili, shërbente edhe si vikar (zëvendës) i peshkopit të Randësisë, d.m.th. të rrëzave të Krujës e gjer në det. Është pikërisht ai që ka edhe shkrimin më të mirë. Duke qenë më me kulturë se shokët, ai është ngjitur në hierarki. Llagapët e të tjerëve, nuk dihen, po Nikolla i Shporajt mundet që është Kola Kuçi, të cilin e gjejmë edhe në Asanes. Që 5 klerikë, emrat e të cilëve, gjenden bashkë në anëshkrimet mbi librin e Buzukut, të hasen bashkë edhe në fshatrat pranë Asanesit, në një kohë jo shumë pas botimit të librit, kjo tërheq vëmendjen. Anëshkrimet na bëjnë të mendojmë se Gjoni dhe Gjergji, jetonin pranë e pranë, ndërsa tre të tjerët, si grup më vete. Gjergji, duke qenë vikar, duhet të ketë qëndruar në Laç, qendër kryesore kishtare e atyre anëve, pra, të ishin shpesh pranë Gjonit.
Libri, sigurisht, ka qenë i Gjonit dhe është përdorur shpesh, me sa duket, nga vikari Gjergj, po herë pas here edhe nga tre të tjerët. Kuptohet se ai libër ishte fort i rrallë, që kur vunë indeks, shumë shpejt mbasi doli, meqë veprimtaria e inkuizicionit për spastrimin e librave të kishës, ka filluar më 1568. Libri ishte në dorë edhe të Kola Kuçit, në Asanes. Ksombla e vetme që njihet sot nga libri i Buzukut, e ka prejardhjen nga fshatrat e rretheve të sotme të Krujës dhe Durrësit, fill në të dy anët e lumit të Ishmit, në zonën fushore dhe kodrinore bregdetare, midis Laçit, Hasanajt e Muzhllit.
Që libri e ka prejardhjen nga një zonë bregdetare, këtë e sugjeronte edhe vizatimi i një varke me vela që dikush prej atyre që e kanë pasur nëpër duar, ka bërë mbi të. Ky vizatim përcillet me fjalën Aisa. Me këto fjalë, do të thotë Ishëm? Që libri vjen nga ato anë, kjo ka rëndësi për historinë e shkrimit të gjuhës tonë në Shqipërinë e Mesme. Librin e rrallë të Buzukut, ka shumë mundësi ta ketë gjetur e konfiskuar Marin Bici. Misioni i këtij ishte që të zbatonte në Shqipëri, porositë e inkuizicionit. Ai duhet ta ketë dërguar kështu librin në Romë, bashkë me relacionin që i bëri Vatikanit, aty nga fillimi i vitit 1611, për vizitën e tij tek ne, në vitin e kaluar. Kjo nuk na ndihmon që të përcaktojmë mirë, datën e anëshkrimeve të librit të Buzukut.
Po, me siguri, ato s’janë të gjitha të një viti, janë të disa viteve. Mund të thuhet, se i përkasin një periudhe që nga fillimet e inkuizicionit e gjer në dekadën e parë të shek. XVII, kur s’ka botuar ende gjë Budi, pra, viteve 1568-1610. /konica.al /InforCulture.info
Shkruan: Ahmet QERIQI Shembujt e këngëve rapsodike shqiptare ku stigmatizohet dhe dënohet fuqishëm akti i…
Historiani shqiptar nga Peja, profesor Doktor Jahja Drançolli ka publikuar më 8 Gusht 2019,…
Një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit shqiptaro-polak në Shkodër është gjetja e…
Letërsia shqiptare ka kaluar nëpër një rrugëtim të gjatë dhe të pasur, duke reflektuar ndryshimet…
Macet performojnë më mirë se sa fëmijët e vegjël në një masë të thjeshtë të…
Një muze online rifreskon të dhëna mbi atë çfarë ndodhte në Shqipërinë komuniste. Sipas faqes…